Të japësh në dëm të vetes
Të japësh në dëm të vetes
«MUND të më quani lypës; kjo nuk më shqetëson. Po lyp për Jezuin.» Këto fjalë domethënëse të një pastori protestant nxjerrin në pah polemikat që vërtiten rreth sigurimit të fondeve fetare. Fetë e njohura duket se arrijnë të mbijetojnë vetëm nëse mbështeten nga sasi të mëdha parash. Duhen paguar rrogat, duhen ndërtuar dhe duhen mirëmbajtur godinat fetare, duhen financuar fushatat ungjillëzuese. Si të gjenden paratë e nevojshme?
Për shumë kisha, përgjigja është: me anë të të dhjetave. * «Dhënia e të dhjetave është mënyra që përdor Perëndia për të financuar mbretërinë e Tij në tokë,—pohon evangjelisti Norman Robertson,—është sistemi i Tij i ekonomisë që bën të mundur të predikohet Ungjilli.» Duke mos ngurruar t’u kujtojë ithtarëve të tij përgjegjësinë për të dhënë, ai thekson: «E dhjeta nuk është diçka që ti e jep sepse ke mundësi ta japësh. Është një akt bindjeje. Të mos japësh të dhjetën është shkelje e hapur e urdhërimeve të Perëndisë. Është vjedhje.»—Tithing—God’s Financial Plan (Dhënia e të dhjetave—Plani financiar i Perëndisë)
Ka shumë të ngjarë që të jeni dakord se dhënia duhet të jetë pjesë e adhurimit të krishterë. Megjithatë, a i shihni kërkesat e vazhdueshme për para si shqetësuese ose ndoshta edhe të pakëndshme? Teologu brazilian Injasio Strider i akuzon kishat për faktin se i përdorin të dhjetat «për të zgjidhur problemet e tyre institucionale». Ai i quan këto praktika «të paligjshme, abuzive dhe si një shmangie nga normat fetare». Siç thekson ai, rezultati është që «të papunët, vejushat, ata që rrojnë në baraka dhe ata që nuk arrijnë të mendojnë në mënyrë logjike, nxjerrin përfundimin se Perëndia i ka braktisur dhe janë të detyruar t’i japin kaq shumë ‘predikuesit’, saqë familja e tyre vuan nga uria».
Ndoshta pyetni veten: ‘A po i zbatojnë drejt kishat Shkrimet që kërkojnë të dhjetat si detyrim? Ose, a ka mundësi që disa fe po përdorin frikën e ndëshkimit nga Perëndia si një mënyrë për të zhvatur pjesëtarët e tyre? Në të vërtetë, a pret Perëndia nga ne që të japim në dëm të vetes sonë?
[Shënimi]
^ par. 3 E dhjeta është përkufizuar si 10 për qind e të ardhurave të përgjithshme të një personi.