Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Afrojuni Perëndisë»

«Afrojuni Perëndisë»

«Afrojuni Perëndisë»

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.»​—JAKOVIT 4:8.

1, 2. (a) Çfarë thonë shpesh njerëzit? (b) Çfarë nxitje dha Jakovi dhe pse ishte e nevojshme ajo?

«PERËNDIA është me ne.» Këto fjalë kanë zbukuruar emblemat kombëtare dhe madje uniformat e ushtarëve. Shprehja «Besojmë te Perëndia» është gdhendur në shumë monedha dhe është shtypur në shumë kartëmonedha të ditëve të sotme. Njerëzit e kanë zakon të thonë se kanë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Megjithatë, a nuk do të ishit të një mendjeje se për të pasur në të vërtetë një marrëdhënie të tillë kërkohet më shumë sesa vetëm ta përmendësh atë ose ta shfaqësh në slogane të shkruara?

2 Bibla tregon se është e mundur të kemi një marrëdhënie me Perëndinë. Sidoqoftë kërkohen përpjekje. Edhe disa të krishterë të mirosur në shekullin e parë kishin nevojë ta forconin marrëdhënien me Perëndinë Jehova. Mbikëqyrësit të krishterë, Jakov, iu desh të paralajmëronte disa për prirjet e tyre mishore dhe për humbjen e pastërtisë frymore. Midis këtyre këshillave, ai dha këtë nxitje të fuqishme: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:1-12) Çfarë donte të thoshte Jakovi me shprehjen «afrojuni»?

3, 4. (a) Çfarë mund t’u ketë kujtuar Jakovi disa prej lexuesve të shekullit të parë me shprehjen «afrojuni Perëndisë»? (b) Pse mund të jemi të sigurt se është e mundur t’i afrohemi Perëndisë?

3 Jakovi përdori një shprehje që mund të ketë qenë e njohur për shumë nga lexuesit e tij. Ligji i Moisiut u jepte priftërinjve udhëzime specifike si ‘t’i afroheshin’ Jehovait në mënyrë që populli i tij të nxirrte dobi. (Eksodi [Dalja] 19:22) Kështu Jakovi mund t’u ketë kujtuar lexuesve se t’i afrohesh Jehovait nuk është diçka që duhet nënvlerësuar. Jehovai është personi që ka pozitën më të lartë në univers.

4 Siç vëren edhe një studiues biblik, nga ana tjetër «kjo nxitje [te Jakovi 4:8] zbulon një optimizëm të fuqishëm». Jakovi e dinte se Jehovai i ka ftuar gjithmonë me dashuri njerëzit e papërsosur që t’i afrohen Atij. (2 Kronikave 15:2) Flijimi i Jezuit hapi rrugën për t’iu afruar Jehovait në një mënyrë më të plotë. (Efesianëve 3:11, 12) Sot, udha për t’iu afruar Perëndisë u është hapur miliona njerëzve. Gjithsesi, në ç’mënyrë mund të nxjerrim dobi nga kjo mundësi e mrekullueshme? Do të shqyrtojmë shkurtimisht tri mënyra me anë të të cilave mund t’i afrohemi Perëndisë Jehova.

‘Të vazhdojmë të marrim njohuri’ për Perëndinë

5, 6. Në ç’mënyrë e ilustron shembulli i të riut Samuel se çfarë përfshin ‘të vazhdojmë të marrim njohuri’ për Perëndinë?

5 Sipas Gjonit 17:3, Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» Shumë përkthime të këtij vargu ndryshojnë pak nga Përkthimi Bota e Re. Në vend që të thonë «të vazhdojnë të marrin njohuri» për Perëndinë, ato e përkthejnë këtë frazë thjesht «të njohin» Perëndinë. Megjithatë, shumë studiues vërejnë se kuptimi i fjalës së përdorur në greqishten e hershme përfshin diçka më shumë, një proces të vazhdueshëm, proces i cili mund të çojë madje të njohësh nga afër një person tjetër.

6 Në ditët e Jezuit, të arrije të njihje Perëndinë nga afër nuk ishte diçka e re. Për shembull, në Shkrimet Hebraike lexojmë se kur Samueli ishte një djalosh, ai «nuk e njihte akoma Zotin [Jehovain, BR]». (1 Samuelit 3:7) A do të thotë kjo se Samueli dinte shumë pak për Perëndinë e tij? Jo. Patjetër që prindërit dhe priftërinjtë do t’i kishin mësuar atij shumë gjëra. Sidoqoftë, fjala hebraike e përdorur në këtë varg, sipas një studiuesi, mund «të përdoret për të përshkruar njohjen sa më nga afër që të jetë e mundur». Samueli nuk kishte arritur ende ta njihte nga afër Jehovain, ashtu siç do ta njihte më vonë kur të shërbente si zëdhënës i Jehovait. Ndërsa Samueli vazhdonte të rritej, ai arriti vërtet ta njihte Jehovain, duke pasur një marrëdhënie personale të ngushtë me të.​—1 Samuelit 3:19, 20.

7, 8. (a) Pse nuk duhet të druhemi nga mësimet më të thella biblike? (b) Cilat janë disa të vërteta të thella të Fjalës së Perëndisë që do të bënim mirë t’i studionim?

7 A po vazhdoni të merrni njohuri për Jehovain në mënyrë që ta njihni atë nga afër? Për ta bërë këtë, duhet ‘të ushqeni një dëshirë të zjarrtë’ për ushqimin frymor që siguron Perëndia. (1 Pjetrit 2:2) Mos u kënaqni vetëm me gjërat elementare. Përpiquni të mësoni disa nga mësimet më të thella të Biblës. (Hebrenjve 5:12-14) A druheni se mos këto mësime janë tepër të vështira? Nëse po, kujtoni se Jehovai është ‘Mësuesi i madh’. (Isaia 30:20, BR) Ai di se si t’i përcjellë të vërtetat e thella në mendjet e papërsosura të njerëzve. Dhe mund t’i bekojë përpjekjet tuaja të sinqerta për të kuptuar atë që po ju mëson.​—Psalmi 25:4.

8 Përse nuk e shqyrtoni veten nëse i njihni disa ‘gjëra të thella të Perëndisë? (1 Korintasve 2:10) Këto nuk janë argumente të mërzitshme si ato që mund të debatohen nga teologët dhe nga klerikët. Ato janë doktrina të gjalla nëpërmjet të cilave mund të mësojmë gjëra shumë interesante për mendjen dhe zemrën e Atit tonë të dashur. Për shembull, shpërblesa, ‘sekreti i shenjtë’ dhe besëlidhjet e ndryshme që Jehovai i ka përdorur për të bekuar popullin e tij dhe për të përmbushur qëllimet e tij, këto tema dhe shumë të tjera si këto janë fusha të këndshme e shpërblyese për kërkimet dhe për studimin personal.​—1 Korintasve 2:7.

9, 10. (a) Pse krenaria është e rrezikshme dhe çfarë do të na ndihmojë për ta shmangur atë? (b) Pse duhet të përpiqemi të jemi të përulur kur bëhet fjalë për njohurinë e Jehovait?

9 Teksa rriteni në njohurinë e të vërtetave më të thella frymore, kini kujdes nga rreziku që mund të vijë nga njohuria​—krenaria. (1 Korintasve 8:1) Krenaria është e rrezikshme, sepse i largon njerëzit nga Perëndia. (Fjalët e urta [Proverbat] 16:5; Jakovit 4:6) Mos harroni, asnjë njeri nuk ka arsye të mburret për njohurinë e tij. Për ta ilustruar, le të shqyrtojmë këto fjalë nga parathënia e një libri që analizon përparimet shkencore më të fundit të njerëzimit: «Sa më shumë që arrijmë të dimë, aq më shumë kuptojmë se sa pak dimë. . . . Gjithçka që kemi mësuar nuk është asgjë në krahasim me atë që ende duhet të mësojmë.» Një përulësi e tillë është e këndshme. Tani, kur bëhet fjalë për njohurinë shumë më të gjerë, për njohurinë e Perëndisë Jehova, kemi edhe më tepër arsye për të qenë gjithnjë të përulur. Përse?

10 Vini re disa deklarata të Biblës për Jehovain. «Sa të thella janë mendimet e tua!» (Psalmi 92:5) «Kuptueshmëria [e Jehovait] nuk mund të thuhet me fjalë.» (Psalmi 147:5, BR) «Kuptueshmëria [e Jehovait] është e pahulumtueshme.» (Isaia 40:28, BR) «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!» (Romakëve 11:33) Është e qartë se kurrë nuk do të arrijmë të dimë gjithçka për Jehovain. (Predikuesi [Eklisiastiu] 3:11) Ai na ka mësuar shumë gjëra të mrekullueshme, megjithatë do të kemi gjithmonë e më shumë për të mësuar nga një sasi e pafund njohurie. A nuk na bën kjo mundësi që na pret, të ndihemi të drithëruar dhe të përulur? Më tej, ndërsa mësojmë, le ta përdorim gjithnjë njohurinë tonë si një bazë për t’iu afruar Jehovait dhe për t’i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kurrë si mjet për ta lartësuar veten mbi të tjerët.​—Mateu 23:12; Luka 9:48.

Ta shprehim dashurinë për Jehovain

11, 12. (a) Në ç’mënyrë duhet të ndikojë te ne njohuria që vazhdojmë të marrim për Jehovain? (b) Nga çfarë përcaktohet nëse dashuria e një personi për Perëndinë është e vërtetë?

11 Në mënyrë të përshtatshme, apostulli Pavël bëri një lidhje mes njohurisë dhe dashurisë. Ai shkroi: «Për këtë vazhdoj të lutem, që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më shumë me bollëk, në njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese.» (Filipianëve 1:9) Në vend që të na krekosë me krenari, çdo e vërtetë e çmuar që mësojmë për Jehovain dhe për qëllimet e tij, duhet ta rritë dashurinë tonë për Atin qiellor.

12 Sigurisht që shumë veta që pretendojnë se e duan Perëndinë në të vërtetë nuk e duan. Ata mund të jenë të sinqertë për ndjenjat e forta për Perëndinë, të cilat u vlojnë në zemër. Këto ndjenja janë të këndshme, madje për t’u lavdëruar, kur janë në harmoni me njohurinë e saktë. Por ato në vetvete nuk përbëjnë dashurinë e vërtetë për Perëndinë. Pse jo? Vër re si e përkufizon dashurinë Fjala e Perëndisë: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1 Gjonit 5:3) Pra, dashuria për Jehovain është e vërtetë vetëm kur shprehet me vepra bindjeje.

13. Në ç’mënyrë do të na ndihmojë frika e perëndishme ta tregojmë dashurinë për Jehovain?

13 Frika e perëndishme do të na ndihmojë t’i bindemi Jehovait. Ky nderim dhe respekt i thellë për Jehovain rrjedh nga marrja e njohurisë për të dhe nga ajo që mësojmë për shenjtërinë, lavdinë, fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të pakufishme. Kjo frikë është shumë e rëndësishme për t’iu afruar atij. Në fakt, le të vërejmë ç’thotë Psalmi 25:14: «Marrëdhënia e ngushtë me Jehovain u përket atyre që i frikësohen atij.» (BR) Kështu, në qoftë se kemi një frikë të shëndetshme se mos e lëndojmë Atin tonë të dashur qiellor, mund t’i afrohemi atij. Frika e perëndishme do të na ndihmojë t’i vëmë veshin këshillës së mençur të dokumentuar te Fjalët e urta 3:6: «Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (BR) Çfarë do të thotë kjo?

14, 15. (a) Cilat janë disa vendime që hasim në jetën e përditshme? (b) Si mund t’i marrim vendimet në një mënyrë që të pasqyrojë frikën tonë të perëndishme?

14 Çdo ditë duhet të marrim vendime të rëndësishme ose jo shumë të rëndësishme. Për shembull, ç’lloj bisedash do të bëjmë me shokët e punës, me shokët e shkollës, me fqinjët? (Luka 6:45) A do të punojmë fort për detyrat që na janë caktuar apo do të kërkojmë mënyra për t’u bërë bisht atyre? (Kolosianëve 3:23) A do t’u afrohemi atyre që shfaqin pak ose aspak dashuri për Jehovain apo do të përpiqemi të forcojmë marrëdhëniet me persona frymorë? (Fjalët e urta 13:20) Ç’do të bëjmë, sikur edhe në gjëra të vogla, për të çuar përpara interesat e Mbretërisë së Perëndisë? (Mateu 6:33) Në rast se parimet biblike, si ato të paraqitura këtu, drejtojnë vendimet tona të përditshme, atëherë vërtet po i kushtojmë vëmendje Jehovait ‘në të gjitha udhët tona’.

15 Në fakt, për çdo vendim që marrim, duhet të udhëhiqemi nga ky mendim: ‘Çfarë do të donte Jehovai që të bëja? Cili drejtim do t’i pëlqente më shumë atij?’ (Fjalët e urta 27:11) Të tregojmë kështu frikë të perëndishme është një mënyrë e shkëlqyer për të shprehur dashurinë për Jehovain. Po ashtu, frika e perëndishme do të na nxitë të mbahemi të pastër frymësisht, moralisht dhe fizikisht. Të mos harrojmë, në të njëjtin varg ku Jakovi i nxit të krishterët ‘t’i afrohen Perëndisë’, ai gjithashtu, jep nxitjen: «Pastroni duart tuaja, o mëkatarë, dhe dëlirni zemrat tuaja, o të pavendosur.»​—Jakovit 4:8.

16. Kur i japim Jehovait, çfarë nuk mund të arrijmë kurrë të plotësojmë, por çfarë mund të arrijmë të bëjmë gjithmonë?

16 Patjetër që shprehja e dashurisë sonë për Jehovain përfshin shumë më tepër sesa të përmbahemi nga ajo që është e keqe. Dashuria na shtyn edhe të bëjmë atë që është e drejtë. Për shembull, si i përgjigjemi bujarisë së jashtëzakonshme të Jehovait? Jakovi shkroi: «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore.» (Jakovit 1:17) Është e vërtetë që kur i japim Jehovait nga zotërimet tona, nuk e pasurojmë atë. Ai tashmë zotëron të gjitha të mirat dhe pasuritë që ekzistojnë. (Psalmi 50:12) Po ashtu, kur i japim Jehovait nga koha dhe energjitë tona, nuk po i plotësojmë një nevojë që përndryshe s’do të kishte mundësi ta plotësonte. Edhe sikur të refuzonim për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, ai do t’i bënte gurët të bërtitnin! Atëherë, pse duhet t’i japim Jehovait nga pasuritë, nga koha dhe nga energjitë tona? Mbi të gjitha, sepse në këtë mënyrë shprehim dashurinë për të me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë.​—Marku 12:29, 30.

17. Çfarë mund të na motivojë t’i japim Jehovait me gëzim?

17 Kur i japim Jehovait, duhet ta bëjmë këtë me gëzim, «sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar». (2 Korintasve 9:7) Parimi i dokumentuar te Ligji i përtërirë 16:17 mund të na ndihmojë të japim me gëzim: «Por secili do të japë nga pjesa e tij sipas bekimit që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.» Kur mendojmë se sa bujar ka qenë Jehovai me ne, ndiejmë dëshirën për t’i dhënë atij me bujari. Kjo dhënie e bën zemrën e tij të gëzojë, pak a shumë ashtu si një dhuratë e vogël nga një fëmijë i dashur i sjell kënaqësi prindit të tij. Duke shprehur dashurinë në këtë mënyrë, kjo gjë do të na ndihmojë t’i afrohemi Jehovait.

Të ndërtojmë një marrëdhënie të ngushtë me anë të lutjes

18. Pse ia vlen të shqyrtojmë se si ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve tona?

18 Çastet e lutjes personale na japin një mundësi shumë të çmuar​—ato janë raste për të folur në mënyrë intime dhe me mirëbesim me Atin tonë qiellor. (Filipianëve 4:6) Meqenëse lutja është një mjet jetësor për t’iu afruar Perëndisë, ia vlen të ndalemi pak e të shqyrtojmë cilësinë e lutjeve tona. Jo që ato duhet të jenë modele gojëtarie dhe të ndërtuara në mënyrë të jashtëzakonshme, por duhet të jenë shprehje të sinqerta që vijnë nga zemra. Si mund ta përmirësojmë cilësinë e lutjeve?

19, 20. Pse të meditojmë para se të lutemi dhe cilat janë disa tema të përshtatshme për një meditim të tillë?

19 Mund të përpiqemi të meditojmë para se të lutemi. Nëse meditojmë më përpara, mund t’i bëjmë lutjet specifike dhe domethënëse, duke shmangur në këtë mënyrë zakonin që të përsëritim fraza të zakonshme e që na vijnë menjëherë në mendje. (Fjalët e urta 15:28, 29) Ndoshta mund të na ndihmojë meditimi rreth disa temave që përmendi Jezui në lutjen e tij model dhe pastaj shqyrtimi për atë se si lidhen ato me rrethanat tona. (Mateu 6:9-13) Për shembull, mund të pyesim veten se çfarë pjese të vogël shpresojmë që të kemi në bërjen e vullnetit të Jehovait këtu mbi tokë. A mund t’i shprehim Jehovait se dëshirojmë të jemi sa më të dobishëm për të dhe a mund t’i kërkojmë të na ndihmojë të përmbushim çdo caktim që na ka dhënë? A jemi të rënduar nga shqetësimet për nevojat materiale? Për cilat mëkate kemi nevojë për falje dhe ndaj kujt duhet të jemi më të mëshirshëm? Cilat tundime na mundojnë dhe a e kuptojmë se kemi urgjentisht nevojë që Jehovai të na mbrojë në këtë drejtim?

20 Veç kësaj, mund të mendojmë për ata persona që njohim, të cilët kanë nevojë në mënyrë të veçantë për ndihmën e Jehovait. (2 Korintasve 1:11) Megjithatë, nuk duhet të harrojmë edhe dhënien e falënderimeve. Nëse ndalemi e mendojmë për këtë gjë, mund të gjejmë arsye për të falënderuar Jehovain dhe për ta lëvduar çdo ditë për mirësinë e tij të bollshme. (Ligji i përtërirë 8:10; Luka 10:21) Kur veprojmë kështu kemi një dobi tjetër, mund të na ndihmojë të kemi një pikëpamje të çmuar dhe pozitive për jetën.

21. Studimi i cilëve shembuj biblikë mund të na ndihmojë kur i afrohemi Jehovait në lutje?

21 Gjithashtu, lutjet tona mund të përmirësohen nga studimi. Në Fjalën e Perëndisë janë dokumentuar lutje të jashtëzakonshme të burrave dhe grave besnike. Për shembull, në qoftë se na shfaqet një problem që na duket tepër i vështirë dhe na shkakton njëfarë ankthi e madje frikë për mirëqenien tonë ose të njerëzve tanë të dashur, mund të lexojmë lutjen që bëri Jakobi para se të takohej me vëllanë e tij hakmarrës, Esaun. (Zanafilla 32:9-12) Ose mund të studiojmë lutjen e mbretit Asai kur një forcë me rreth një milion etiopas kërcënonte popullin e Perëndisë. (2 Kronikave 14:11, 12) Në qoftë se jemi të shqetësuar nga një problem që rrezikon të sjellë sharje ndaj emrit të mirë të Jehovait, atëherë ia vlen të shqyrtojmë lutjen e Elias përpara adhuruesve të Baalit në malin Karmel e po ashtu edhe lutjen e Nehemisë për gjendjen e mjerë të Jerusalemit. (1 Mbretërve 18:36, 37; Nehemia 1:4-11) Leximi dhe meditimi rreth këtyre lutjeve mund ta na forcojë besimin dhe të na japë ide se si t’i afrohemi sa më shumë Jehovait kur kemi shqetësime që na rëndojnë.

22. Cili është shkrimi i vitit për vitin 2003 dhe për çfarë duhet ta pyesim veten herë pas here gjatë gjithë vitit?

22 Është e qartë se nuk ka nder më të madh, nuk ka synim më të lartë sesa t’i vëmë veshin këshillës së Jakovit që ‘t’i afrohemi Perëndisë’. (Jakovit 4:8) Le ta bëjmë këtë duke përparuar në njohurinë e Perëndisë, duke u përpjekur ta shprehim dashurinë tonë për të gjithnjë e më shumë dhe duke zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me të në lutjet tona. Gjatë gjithë vitit 2003, ndërsa mbajmë në mendje Jakovin 4:8 si shkrimi i vitit, le të vazhdojmë të shqyrtojmë veten nëse po i afrohemi vërtet Jehovait. Por, ç’të themi për pjesën tjetër të këtij shkrimi? Në cilin kuptim Jehovai «do t’ju afrohet juve», cilat do të jenë bekimet? Artikulli vijues do ta shqyrtojë këtë.

A ju kujtohet?

• Pse t’i afrohemi Jehovait është diçka që duhet marrë seriozisht?

• Cilat janë disa synime që mund të vëmë për të vazhduar të marrim njohuri për Jehovain?

• Si mund të tregojmë se kemi dashuri të vërtetë për Jehovain?

• Në cilat mënyra mund të ndërtojmë me anë të lutjes një marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 12]

Shkrimi i vitit për vitin 2003 do të jetë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.»​—Jakovit 4:8.

[Figura në faqet 8, 9]

Ndërsa bëhej i pjekur, Samueli arriti ta njihte nga afër Jehovain

[Figura në faqen 12]

Lutja që bëri Elija në malin Karmel është një shembull i mirë për ne