Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ai do t’ju afrohet juve»

«Ai do t’ju afrohet juve»

«Ai do t’ju afrohet juve»

«[Perëndia] nuk është larg nga secili prej nesh.»​—VEPRAT 17:27.

1, 2. (a) Kur shohim qiellin me yje, çfarë pyetjeje mund të bëjmë për Krijuesin? (b) Në ç’mënyrë na siguron Bibla se njerëzit nuk janë aspak të parëndësishëm në sytë e Jehovait?

A E KENI parë ndonjëherë qiellin me yje në një natë të kthjellët dhe jeni mbushur me admirim? Numri i papërshkrueshëm i yjeve dhe hapësira e pafund ngjallin nderim të thellë. Në këtë univers tejet të madh, toka nuk është veçse një pikë e vogël. A do të thotë kjo se Krijuesi, «Më i Larti në tërë dheun», është në një pozitë tepër të ngritur që të interesohet për njerëzit ose është tepër i largët e i pahetueshëm që të njihet prej tyre?​—Psalmi 83:18, BR.

2 Bibla na siguron se njerëzit nuk janë aspak të parëndësishëm në sytë e Jehovait. Në fakt, Fjala e Perëndisë na inkurajon ta kërkojmë atë, duke thënë: «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.» (Veprat 17:27; 1 Kronikave 28:9) Vërtet, nëse marrim hapa për t’iu afruar Perëndisë, ai do t’u përgjigjet përpjekjeve tona. Në ç’mënyrë? Fjalët e shkrimit të vitit për vitin 2003 japin këtë përgjigje që të ngroh zemrën: «Ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8) Le të marrim në shqyrtim disa prej bekimeve të mrekullueshme që derdh me bollëk Jehovai mbi ata që janë pranë tij.

Një dhuratë personale nga Jehovai

3. Çfarë dhurate u jep Jehovai atyre që i afrohen atij?

3 Së pari, shërbëtorët e Jehovait kanë një dhuratë të çmuar që ai e ka ruajtur për popullin e tij. I gjithë pushteti, pasuria dhe arsimimi që mund të ofrojë ky sistem, nuk mund të na e japin këtë dhuratë. Ajo është një dhuratë personale, diçka që Jehovai ua jep vetëm atyre që janë pranë tij. Cila është ajo? Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Nëse e ngre zërin për aftësi dalluese, nëse vazhdon t’i kërkosh si argjendin dhe nëse vazhdon të rrëmosh për to si për thesare të fshehura, atëherë do të kuptosh frikën e Jehovait dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë. Sepse Jehovai vetë jep mençuri.» (Fjalët e urta [Proverbat] 2:3-6, BR) Përfytyroni që njerëzit e papërsosur të jenë në gjendje të gjejnë «njohurinë e Perëndisë»! Kjo dhuratë, pra njohuria që gjendet në Fjalën e Perëndisë, krahasohet me «thesare të fshehura». Përse?

4, 5. Pse ‘njohuria e Perëndisë’ mund të krahasohet me «thesare të fshehura»? Ilustrojeni.

4 Pikë së pari, njohuria e Perëndisë ka vlerë të madhe. Një nga bekimet e saj më të çmuara është shpresa e jetës së përhershme. (Gjoni 17:3) Por kjo njohuri e pasuron jetën tonë edhe tani. Për shembull, si rrjedhojë e studimit të kujdesshëm të Fjalës së Perëndisë, kemi arritur të gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve të rëndësishme, si: Cili është emri i Perëndisë? (Psalmi 83:18) Cila është gjendja e vërtetë e të vdekurve? (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:5, 10) Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën dhe për njerëzimin? (Isaia 45:18) Po ashtu, kemi arritur të njohim se mënyra më e mirë për të jetuar është ajo që vjen nga zbatimi i këshillave të mençura të Biblës. (Isaia 30:20, 21; 48:17, 18) Kështu, kemi një udhëheqje të shëndoshë, e cila na ndihmon të përballojmë ankthet e jetës dhe të ndjekim një drejtim që na ndihmon të kemi lumturi dhe kënaqësi të vërtetë. Mbi të gjitha, studimi i Fjalës së Perëndisë na ka dhënë mundësinë të arrijmë të njohim cilësitë e mrekullueshme të Jehovait dhe t’i afrohemi atij. Çfarë mund të ketë më shumë vlerë se një marrëdhënie e ngushtë me Jehovain e bazuar te ‘njohuria e Perëndisë’?

5 Ka edhe një arsye tjetër përse njohuria e Perëndisë mund të krahasohet me «thesare të fshehura». Ashtu si shumë thesare, ajo është relativisht e rrallë në këtë botë. Nga gjashtë miliardë banorët e tokës, rreth gjashtë milionë adhurues të Jehovait, ose rreth 1 në 1.000, kanë gjetur «njohurinë e Perëndisë». Për ta ilustruar se sa privilegj i rrallë është të njohim të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, le të shqyrtojmë vetëm një pyetje biblike: Çfarë ndodh me njerëzit kur vdesin? E dimë nga Shkrimet se shpirti vdes dhe se të vdekurit janë të pavetëdijshëm. (Ezekieli 18:4) Megjithatë, besimi i rremë se diçka brenda një personi vazhdon të jetojë pas vdekjes së tij, pranohet nga shumica e feve të botës. Ai është pjesë themelore e feve të të ashtuquajturit krishterim. Ai mbizotëron edhe në budizëm, hinduizëm, islamizëm, jainizëm, judaizëm, shintoizëm, sikizëm dhe në taoizëm. Vetëm të mendojmë pak: miliarda njerëz janë të mashtruar nga kjo doktrinë e rreme!

6, 7. (a) Vetëm cilët mund të gjejnë «njohurinë e Perëndisë»? (b) Cili shembull tregon se Jehovai na ka bekuar me gjykim të thellë të cilin nuk arrijnë ta kenë shumë ‘të mençur dhe intelektualë’?

6 Pse nuk e kanë gjetur më shumë njerëz «njohurinë e Perëndisë»? Sepse nuk mund të kapet plotësisht kuptimi i Fjalës së Perëndisë pa pasur ndihmën e Tij. Të mos harrojmë, kjo njohuri është dhuratë. Jehovai ua jep atë vetëm atyre që janë të gatshëm të kërkojnë në Fjalën e tij me ndershmëri dhe përulësi. Këta persona mund të mos jenë «të mençur sipas mishit». (1 Korintasve 1:26) Shumë prej tyre mund të quhen madje «të pashkolluar e të thjeshtë» sipas standardeve të botës. (Veprat 4:13) Por kjo s’ka rëndësi. Jehovai na shpërblen me «njohurinë e Perëndisë» për shkak të cilësive që gjen në zemrën tonë.

7 Të shqyrtojmë një shembull. Shumë studiues të të ashtuquajturit krishterim kanë bërë vëllime të tëra me libra shpjegues për Biblën. Këto vepra referimi mund të shpjegojnë sfondin historik, kuptimin e fjalëve hebraike e greke dhe më tej. Nga e gjithë ajo që kanë mësuar, a e kanë gjetur vërtet këta studiues «njohurinë e Perëndisë»? A e kuptojnë ata qartë temën e Biblës, pra shfajësimin e sovranitetit të Jehovait me anë të Mbretërisë së tij qiellore? A e dinë ata se Perëndia Jehova nuk është pjesë e një Triniteti? Ndryshe nga ata, ne kemi një kuptueshmëri të saktë të këtyre gjërave. Përse? Jehovai na ka bekuar me gjykim të thellë për të vërtetat frymore, të cilin nuk arrijnë ta kenë shumë ‘të mençur e intelektualë’. (Mateu 11:25) Sa shumë i bekon Jehovai ata që janë pranë tij!

«Jehovai mbron të gjithë ata që e duan»

8, 9. (a) Si e përshkroi Davidi bekimin tjetër për ata që janë pranë Jehovait? (b) Pse të krishterët e vërtetë kanë nevojë për mbrojtjen hyjnore?

8 Ata që janë pranë Jehovait gëzojnë një bekim tjetër, mbrojtjen hyjnore. Psalmisti David, i cili pati shumë vështirësi e probleme, shkroi: «Zoti [Jehovai, BR] është pranë gjithë atyre që e kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton. Zoti mbron të gjithë ata që e duan.» (Psalmi 145:18-20) Po, Jehovai është pranë atyre që e duan dhe prandaj mund t’u përgjigjet shpejt britmave të tyre për ndihmë.

9 Pse kemi nevojë për mbrojtjen hyjnore? Përveçse ndiejnë pasojat e jetesës në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», të krishterët e vërtetë janë shënjestër e veçantë e Kundërshtarit kryesor të Jehovait, Satana Djallit. (2 Timoteut 3:1) Ky armik dinak është i vendosur ‘të na përpijë’. (1 Pjetrit 5:8) Satanai na përndjek, na bën presion dhe na tundon. Ai shikon se si të mund të shfrytëzojë ndonjë qëndrim të mendjes dhe të zemrës sonë. Ka një qëllim në mendje: të dobësojë besimin tonë dhe të na gërryejë frymësisht. (Zbulesa 12:12, 17) Meqë duhet të ndeshemi me këtë armik të fuqishëm, a nuk na jep siguri të dimë se «Jehovai mbron të gjithë ata që e duan»?

10. (a) Në ç’mënyrë e mbron popullin e tij Jehovai? (b) Cila është mbrojtja më e mirë dhe pse?

10 Por, në ç’mënyrë e mbron popullin e tij Jehovai? Premtimi i tij për të na mbrojtur nuk na garanton në këtë sistem një jetë pa probleme; as nuk do të thotë se ai e ka për detyrë të kryejë mrekulli për dobinë tonë. Prapëseprapë, Jehovai siguron mbrojtje fizike për popullin e tij si grup. Në fakt, ai nuk do ta lejonte kurrë Djallin t’i zhdukte nga faqja e dheut adhuruesit e vërtetë! (2 Pjetrit 2:9) Mbi të gjitha, Jehovai na mbron nga ana frymore. Ai na pajis me gjithçka që na duhet për t’u qëndruar sprovave dhe për të ruajtur marrëdhënien tonë me të. Në fund të fundit, mbrojtja frymore është mbrojtja më e rëndësishme. Përse? Për sa kohë të kemi një marrëdhënie me Jehovain, asgjë, madje as vdekja, nuk mund të na dëmtojë përgjithmonë.​—Mateu 10:28.

11. Çfarë masash ka marrë Jehovai për mbrojtjen frymore të popullit të tij?

11 Jehovai ka marrë masa të bollshme për mbrojtjen frymore të atyre që janë pranë tij. Nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, ai na jep mençuri për të përballuar sprovat e ndryshme. (Jakovit 1:2-5) Zbatimi i këshillave praktike që gjenden në Shkrime përbën në vetvete një mbrojtje. Veç kësaj, Jehovai u jep «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Kjo frymë është forca më e fuqishme në univers, prandaj ajo mund të na pajisë patjetër që të përballojmë me sukses çdo sprovë ose tundim që mund të hasim. Nëpërmjet Krishtit, Jehovai siguron «dhurata [në] njerëz». (Efesianëve 4:8) Këta burra të kualifikuar frymësisht, kur ndihmojnë bashkadhuruesit e tyre, përpiqen të pasqyrojnë dhembshurinë e përzemërt të Jehovait.​—Jakovit 5:14, 15.

12, 13. (a) Nëpërmjet cilave mjete Jehovai na jep ushqim frymor në kohën e duhur? (b) Çfarë mendoni për masat e Jehovait për mirëqenien tonë frymore?

12 Jehovai na siguron diçka tjetër për të na mbrojtur: ushqim frymor në kohën e duhur. (Mateu 24:45) Me anë të botimeve të shtypura, përfshirë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe me anë të mbledhjeve, asambleve dhe kongreseve, Jehovai na furnizon me atë që nevojitet, në kohën që na nevojitet. A mund të kujtoni ndonjë rast kur dëgjuat diçka në mbledhjen e krishterë, në një asamble ose në një kongres, e cila ju preku në zemër dhe ju forcoi ose ju ngushëlloi? A keni lexuar ndonjëherë ndonjë artikull në një nga revistat e përmendura më lart dhe pastaj keni menduar se ai ishte shkruar tamam për ju?

13 Një nga armët më të efektshme të Satanait është shkurajimi dhe ne nuk jemi të pacenueshëm nga ndikimet e tij. Satanai e di mirë se trishtimi i zgjatur mund të na grabisë forcat, duke na bërë madje një pre të lehtë. (Fjalët e urta 24:10) Meqenëse Satanai përpiqet të përfitojë nga mendimet negative, kemi nevojë për ndihmë. Revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! me raste kanë botuar artikuj që na ndihmojnë ta luftojmë shkurajimin. Një motër e krishterë shkroi për një artikull të tillë: «E lexoj artikullin gati çdo ditë e megjithatë ende më rrjedhin lotë. E mbaj pranë krevatit që ta kem sa herë që ndihem e shkurajuar. Nëpërmjet artikujve të tillë, mund të ndiej vërtet krahët mbrojtës të Jehovait që më përqafojnë.» * A nuk i jemi mirënjohës Jehovait që na jep ushqim frymor në kohën e duhur? Të mos harrojmë, masat e tij për mirëqenien tonë frymore janë dëshmi e faktit se ai është pranë nesh dhe na ka vënë nën kujdesin e tij mbrojtës.

Liri për t’iu afruar ‘Dëgjuesit të lutjes’

14, 15. (a) Çfarë bekimi personal u jep Jehovai atyre që janë pranë tij? (b) Pse liria që kemi për t’iu afruar Jehovait në lutje është një privilegj i jashtëzakonshëm?

14 A keni vënë re ndonjëherë që kur njerëzit fitojnë pushtet dhe autoritet, shpesh bëhen më pak të afrueshëm ndaj atyre që i kanë nën këtë autoritet? Por, ç’të themi për Perëndinë Jehova? A është ai kaq mospërfillës saqë nuk interesohet për gjërat që i shprehin njerëzit? Përkundrazi! Dhurata e lutjes është po ashtu, një bekim tjetër që Jehovai u jep atyre që janë pranë tij. Liria që kemi për t’iu afruar ‘Dëgjuesit të lutjes’ është vërtet një privilegj i jashtëzakonshëm. (Psalmi 65:2, BR) Përse?

15 Për ta ilustruar: Drejtuesi i një firme të madhe ka shumë përgjegjësi. Ai vendos se me cilat gjëra do të merret vetë dhe cilat do t’ua lërë të tjerëve. Në mënyrë të ngjashme, Sundimtari Sovran i universit ka të drejtën të vendosë se në cilat gjëra do të marrë pjesë vetë dhe cilat do t’ua lërë të tjerëve. Mendoni për gjithë ato gjëra që Jehovai ia ka lënë Birit të tij të dashur, Jezuit. Birit i është dhënë «autoritet për të bërë gjykimin». (Gjoni 5:27) Atij i ‘janë nënshtruar’ engjëjt. (1 Pjetrit 3:22) Fryma e shenjtë dhe e fuqishme e Jehovait është vënë në dispozicion të Jezuit për ta ndihmuar të drejtojë dishepujt e tij në tokë. (Gjoni 15:26; 16:7) Prandaj, Jezui mundi të thoshte: «Çdo autoritet më është dhënë në qiell dhe në tokë.» (Mateu 28:18) Megjithatë, për lutjet tona Jehovai ka zgjedhur të merret vetë me to. Ja pse Bibla na urdhëron t’ia drejtojmë lutjet vetëm Jehovait, dhe këtë ta bëjmë në emër të Jezuit.​—Psalmi 69:13; Gjoni 14:6, 13.

16. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai i dëgjon vërtet lutjet tona?

16 A i dëgjon vërtet Jehovai lutjet tona? Nëse do të ishte indiferent ose nuk do t’ua vinte veshin lutjeve, ai nuk do të na nxiste kurrë që ‘të ngulmonim në lutje’ ose të hidhnim barrët dhe ankthet mbi të. (Romakëve 12:12; Psalmi 55:22; 1 Pjetrit 5:7) Shërbëtorët besnikë të kohëve biblike kishin siguri të plotë se Jehovai e dëgjon lutjen. (1 Gjonit 5:14) Kështu, psalmisti David tha: «[Jehovai] ma dëgjon zërin.» (Psalmi 55:17, BR) Edhe ne kemi çdo arsye për të qenë të sigurt se Jehovai është pranë, gati për të dëgjuar çdo mendim dhe shqetësim tonin.

Jehovai i shpërblen shërbëtorët e tij

17, 18. (a) Çfarë mendon Jehovai për shërbimin besnik të krijesave të tij inteligjente? (b) Shpjegoni se si tregohet te Proverbat 19:17 që veprat tona të mëshirshme nuk kalojnë pa u vënë re nga Jehovai.

17 Pozita e Jehovait si Sovrani Universal nuk ndikohet nga ajo që njerëzit mund të bëjnë ose mund të refuzojnë të bëjnë. Gjithsesi, Jehovai është Perëndi mirënjohës. Ai e vlerëson​—në fakt, e çmon shumë​—shërbimin besnik të krijesave të tij inteligjente. (Psalmi 147:11) Ky, pra, është bekimi tjetër që gëzojnë ata që janë pranë Jehovait: Ai i shpërblen shërbëtorët e tij.​—Hebrenjve 11:6.

18 Bibla tregon qartë se Jehovai e vlerëson atë që bëjnë adhuruesit e tij. Për shembull, ne lexojmë: «Kush i jep hir të përvuajturit i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë trajtimin e tij.» (Proverbat 19:17, BR) Kujdesi i mëshirshëm i Jehovait për të përvuajturit pasqyrohej në Ligjin e Moisiut. (Levitiku 14:21; 19:15) Si ndihet Jehovai kur imitojmë mëshirën e tij në marrëdhëniet me të përvuajturit? Kur i japim të përvuajturit, pa pritur të na kthejë asgjë, Jehovai e sheh këtë si një hua që ia kemi dhënë Atij. Jehovai premton të na e paguajë këtë borxh duke na dhënë pëlqimin dhe bekimet e tij. (Fjalët e urta 10:22; Mateu 6:3, 4; Luka 14:12-14) Po, kur shfaqim dhembshuri ndaj një bashkadhuruesi në nevojë, kjo e prek zemrën e Jehovait. Sa mirënjohës jemi të dimë se veprat tona të mëshirshme nuk kalojnë pa u vënë re nga Ati ynë qiellor!​—Mateu 5:7.

19. (a) Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai e çmon atë që bëjmë në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve? (b) Në ç’mënyrë i shpërblen Jehovai veprat e shërbimit që bëjmë për të mbështetur Mbretërinë e tij?

19 Jehovai çmon në mënyrë të veçantë atë që bëjmë në dobi të Mbretërisë së tij. Kur i afrohemi Jehovait, është e natyrshme të duam ta përdorim kohën, energjinë dhe pasurinë tonë për të marrë pjesë sa më plotësisht që të jetë e mundur në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 28:19, 20) Ndonjëherë, mund të mendojmë se po bëjmë pak në këtë drejtim. Madje zemra jonë e papërsosur mund të na bëjë të pyesim veten nëse është i kënaqur Jehovai me përpjekjet tona. (1 Gjonit 3:19, 20) Por Jehovai e çmon si një thesar çdo dhuratë, sado e vogël të jetë, e cila vjen nga një zemër e motivuar nga dashuria. (Marku 12:41-44) Bibla na jep këtë siguri: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Vërtet, Jehovai kujton dhe shpërblen edhe veprën më të vogël të shërbimit që bëjmë për të mbështetur Mbretërinë e tij. Përveç bekimeve të bollshme frymore tani, mund të presim me padurim për gëzimet e jetës në botën e re që po vjen, në të cilën Jehovai do të hapë me bujari dorën e tij dhe do të plotësojë dëshirat e drejta të të gjithë atyre që janë pranë tij.​—Psalmi 145:16; 2 Pjetrit 3:13.

20. Në ç’mënyrë mund të mbajmë në mendje gjatë vitit 2003 fjalët e shkrimit të vitit dhe me çfarë rezultati?

20 Gjatë vitit 2003, le të pyesim veten nëse po bëjmë përpjekje të vazhdueshme për t’iu afruar Atit tonë qiellor. Nëse po, mund të jemi të sigurt se ai do të na përgjigjet ashtu siç ka premtuar. Në fakt, «Perëndia . . . nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Nëse i afrohemi, ai do të na afrohet. (Jakovit 4:8) Cili do të jetë rezultati? Bekime të bollshme tani dhe shpresën për t’iu afruar gjithnjë e më shumë Jehovait gjatë gjithë përjetësisë!

[Shënimi]

^ par. 13 Koment për artikullin «Jehovai është më i madh se zemra jonë», në numrin e Kullës së Rojës të 1 majit 2000, faqet 28-31.

A ju kujtohet?

• Çfarë dhurate u jep Jehovai atyre që i afrohen atij?

• Çfarë masash merr Jehovai për mbrojtjen frymore të popullit të tij?

• Pse liria që kemi për t’iu afruar Jehovait në lutje është një privilegj i jashtëzakonshëm?

• Në ç’mënyrë tregon Bibla se Jehovai e çmon shërbimin besnik të krijesave të tij inteligjente?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Jehovai na ka bekuar me gjykim të thellë për të vërtetat frymore

[Figurat në faqet 16, 17]

Jehovai na siguron mbrojtje frymore

[Figura në faqen 18]

Jehovai është pranë, gati për të dëgjuar çdo lutje