Ngushëllim për ata që vuajnë
Ngushëllim për ata që vuajnë
PËRGJATË shekujve, pyetja përse Perëndia i lejon vuajtjet ka sfiduar shumë filozofë dhe teologë. Disa kanë pohuar se meqë Perëndia është i gjithëpushtetshëm, si përfundim ai duhet të jetë përgjegjës për vuajtjet. Shkrimtari i librit Clementine Homelies (Predikimet e Klementit), një vepër apokrife e shekullit të dytë, pohonte se Perëndia e sundon botën me të dyja duart. Me «dorën e majtë», me anë të Djallit, ai shkakton vuajtje dhe mundime dhe me «dorën e djathtë», me anë të Jezuit, shpëton dhe sjell bekime.
Disa të tjerë, duke mos arritur të pranojnë që Perëndia mund t’i lejojë vuajtjet, edhe nëse nuk i shkakton ato, kanë zgjedhur të mohojnë ekzistencën e vuajtjeve. «E keqja nuk është veçse iluzion dhe nuk ka baza reale. Nëse mëkati, sëmundjet dhe vdekja do të kuptoheshin si gjëra që nuk ekzistojnë, ato do të zhdukeshin»,—shkroi Meri Bejkër Edi.—Science and Health With Key to the Scriptures (Shkenca dhe shëndeti me çelësin e Shkrimeve).
Si pasojë e ngjarjeve tragjike të historisë, sidomos që nga Lufta e Parë Botërore e deri në ditët e sotme, shumë veta kanë arritur në përfundimin se Perëndia thjesht nuk është në gjendje të parandalojë vuajtjet. «Mendoj se Holokausti pothuajse ka bërë që të mos përdoret më koncepti i gjithëpushtetshëm si cilësi e përshtatshme për Perëndinë»,—shkroi studiuesi jude David Ulf Silverman. Ai shtoi: «Nëse Perëndia duhet të jetë në njëfarë mënyre i kuptueshëm nga njerëzit, atëherë mirësia e Tij duhet të pajtohet me ekzistencën e së keqes dhe ky pajtim ekziston vetëm nëse Ai nuk është i gjithëpushtetshëm.»
Gjithsesi, pohimet se Perëndia në ndonjë mënyrë është bashkëpunëtor për vuajtjet, se ai nuk është i aftë t’i parandalojë ato ose se vuajtjet janë thjesht pjellë e imagjinatës sonë, nuk i ngushëllojnë mjaftueshëm ata që vuajnë. Dhe më e rëndësishmja, këto bindje janë plotësisht në kundërshtim me Perëndinë e drejtë, të fuqishëm dhe të kujdesshëm që zbulohet në faqet e Biblës. (Jobi 34:10, 12; Jeremia 32:17; 1 Gjoni 4:8) Atëherë, çfarë thotë Bibla në lidhje me arsyen përse janë lejuar vuajtjet?
Si filluan vuajtjet?
Perëndia nuk i krijoi njerëzit që të vuanin. Përkundrazi, ai e pajisi çiftin e parë njerëzor, Adamin dhe Evën, me mendje dhe trupa të përsosur, përgatiti një kopsht të këndshëm që të shërbente si shtëpia e tyre dhe u caktoi një punë të kënaqshme e domethënëse. (Zanafilla 1:27, 28, 31; 2:8) Sidoqoftë, lumturia e tyre e vazhdueshme varej nga pranimi i sundimit të Perëndisë dhe i së drejtës së tij për të vendosur se çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe. Kjo e drejtë ekskluzive e Perëndisë përfaqësohej nga një pemë e quajtur «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». (Zanafilla 2:17) Adami dhe Eva do ta tregonin nënshtrimin ndaj Perëndisë nëse do t’i bindeshin urdhrit të tij për të mos ngrënë nga ajo pemë. *
Në mënyrë tragjike, Adami dhe Eva nuk arritën t’i bindeshin Perëndisë. Një krijesë frymore rebele, që më vonë u identifikua si Satana Djalli, e bindi Evën se nuk ishte në interesin Zanafilla 3:1-6; Zbulesa 12:9) E joshur nga mundësia për të qenë e pavarur, Eva hëngri nga fryti i ndaluar dhe shpejt Adami bëri të njëjtën gjë.
e saj më të mirë t’i bindej Perëndisë. Në fakt, Perëndia po i mbante gjoja asaj diçka tepër të dëshirueshme: pavarësinë, të drejtën për të vendosur vetë çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe. Satanai tha që nëse ajo do të hante nga ajo pemë, ‘sytë e saj do të hapeshin dhe do të ishte në gjendje si Perëndia të njihte të mirën dhe të keqen’. (Po atë ditë, Adami dhe Eva filluan të përjetonin pasojat e rebelimit të tyre. Duke hedhur poshtë sundimin e Perëndisë, ata humbën mbrojtjen dhe bekimet që siguroheshin nga nënshtrimi ndaj Perëndisë. Perëndia i dëboi nga Parajsa dhe i tha Adamit: «Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhé.» (Zanafilla 3:17, 19) Adami dhe Eva iu nënshtruan sëmundjeve, dhembjeve, plakjes dhe vdekjes. Vuajtjet janë bërë pjesë e jetës së njeriut.—Zanafilla 5:29.
Zgjidhja e çështjes
Dikush mund të pyesë: ‘A nuk mundej Perëndia që thjesht të mos e kishte vënë re mëkatin e Adamit dhe të Evës?’ Jo, sepse kjo do ta pakësonte më shumë respektin për autoritetin e tij, ndoshta duke nxitur rebelime në të ardhmen dhe duke sjellë vuajtje edhe më të mëdha. (Predikuesi 8:11) Veç kësaj, tolerimi i kësaj mosbindjeje do ta bënte Perëndinë bashkëpunëtor të keqbërjes. Shkrimtari biblik, Moisiu, na kujton: «Vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.» (Ligji i përtërirë 32:4) Për të vepruar në përputhje me parimet e tij, Perëndia duhej të lejonte që Adami dhe Eva të vuanin pasojat e mosbindjes së tyre.
Pse nuk e shkatërroi menjëherë Perëndia çiftin e parë njerëzor bashkë me Satanain, nxitësin e padukshëm të rebelimit? Ai e kishte fuqinë për ta bërë këtë. Adami dhe Eva nuk do të kishin lindur pasardhës që do të trashëgonin vuajtjet dhe vdekjen. Megjithatë, një shfaqje e tillë e fuqisë hyjnore nuk do të kishte provuar se Perëndia ka të drejtën e ligjshme për të pasur autoritet mbi krijesat e tij inteligjente. Për më tepër, nëse Adami dhe Eva do të kishin vdekur pa pasur fëmijë, kjo do të kishte nënkuptuar dështimin e qëllimit të Perëndisë për të mbushur tokën me pasardhës të përsosur. (Zanafilla 1:28) Por «Perëndia nuk është si njerëzit . . . Çfarëdo që të premtojë, ai e bën; ai flet dhe ajo bëhet».—Numrat 23:19, Today’s English Version.
Në mençurinë e tij të përsosur, Perëndia Jehova vendosi të lejonte që rebelimi të vazhdonte për një kohë të kufizuar. Rebelët do të kishin mundësi të mjaftueshme për të provuar pasojat e pavarësisë nga Perëndia. Historia do të tregonte përtej çdo dyshimi nevojën e njerëzimit për udhëheqjen hyjnore dhe epërsinë e sundimit të Perëndisë ndaj sundimit të njeriut ose të Satanait. Në të njëjtën kohë, Perëndia ndërmori hapa për t’u siguruar se qëllimi fillestar për tokën do të përmbushej. Ai premtoi se do të vinte ‘një farë’ ose ‘një pasardhës’, i cili ‘do t’i shtypte kokën Satanait’, duke zhdukur njëherë e përgjithmonë rebelimin dhe pasojat e tij dëmtuese.—Zanafilla 3:15.
Jezu Krishti ishte Fara e premtuar. Te 1 Gjonit 3:8 lexojmë se ‘Biri i Perëndisë u shfaq . . . për të zhbërë veprat e Djallit’. Këtë e bëri duke dhënë jetën e përsosur njerëzore dhe duke paguar çmimin shpërblyes për të shpenguar fëmijët e Adamit nga mëkati i trashëguar dhe nga vdekja. (Gjoni 1:29; 1 Timoteut 2:5, 6) Atyre që ushtrojnë vërtet besim në flijimin e Jezuit u premtohet lehtësim i përhershëm nga vuajtjet. (Gjoni 3:16; Zbulesa 7:17) Kur do të ndodhë kjo?
Vuajtjet do të mbarojnë
Hedhja poshtë e autoritetit të Perëndisë ka shkaktuar vuajtje të papërshkrueshme. Prandaj është e përshtatshme që Perëndia ta ushtrojë autoritetin e tij në një mënyrë të veçantë për t’u dhënë fund vuajtjeve njerëzore dhe për të plotësuar qëllimin fillestar për tokën. Jezui e përmendi këtë masë të Perëndisë kur i mësoi ithtarët të luteshin: «Ati ynë që je në qiej, . . . ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»—Mateu 6:9, 10.
Koha që Perëndia u ka lejuar njerëzve të kryejnë eksperimente për t’u vetëqeverisur po mbaron. Në përmbushje të profecisë biblike, Mbretëria e tij u vendos në qiej më 1914 me Jezu Krishtin si Mbret të saj. * Së shpejti ajo do të copëtojë dhe do të asgjësojë të gjitha qeveritë njerëzore.—Danieli 2:44.
Gjatë shërbimit të tij të shkurtër në tokë, Jezui na dha një pamje paraprake të bekimeve që do të sillte rivendosja e sundimit hyjnor mbi njerëzimin. Ungjijtë sigurojnë dëshmi se Jezui shfaqi dhembshuri për pjesëtarët e shoqërisë njerëzore të cilët ishin të varfër dhe të diskriminuar. Ai shëroi të sëmurët, ushqeu të uriturit dhe ringjalli të vdekurit. Madje edhe forcat e natyrës iu bindën zërit të tij. (Mateu 11:5; Marku 4:37-39; Luka 9:11-16) Përfytyroni se çfarë do të bëjë Jezui kur të përdorë efektin pastrues të flijimit të tij shpërblyes për t’i sjellë dobi të gjithë njerëzimit të bindur. Bibla premton se me anë të sundimit të Krishtit, Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë [e njerëzve] dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».—Zbulesa 21:4.
Ngushëllim për ata që vuajnë
Sa na jep zemër të dimë që Perëndia ynë i dashur dhe i gjithëpushtetshëm Jehova kujdeset për ne dhe që së shpejti do t’i sjellë lehtësim njerëzimit! Zakonisht, një pacient shumë i sëmurë e pranon me gatishmëri mjekimin që do ta shërojë, edhe pse shkakton shumë dhembje. Në të njëjtën mënyrë, nëse dimë se mënyra e Perëndisë për t’i zgjidhur çështjet do të sjellë bekime të përhershme, kjo gjë mund të na mbështetë, pavarësisht se çfarë vështirësish të përkohshme hasim.
Rikardoja, i përmendur në artikullin e mëparshëm, është një person që ka arritur të ngushëllohet nga premtimet e Biblës. Ai kujton: «Pas vdekjes së gruas ndieja një dëshirë të madhe për t’u izoluar, por shpejt kuptova se kjo nuk do të ma kthente përsëri gruan dhe vetëm sa do ta keqësonte gjendjen time emocionale.» Në vend të kësaj, Rikardoja vazhdoi si zakonisht të ndiqte mbledhjet e krishtere dhe të ndante mesazhin e Biblës me të tjerët. «Teksa ndieja mbështetjen e dashur të Jehovait dhe vëreja se si u përgjigjej lutjeve të mia për gjëra në dukje të vogla, i afrohesha më shumë atij,—thotë Rikardoja.—Fakti se isha i vetëdijshëm për dashurinë e Perëndisë më dha mundësinë të qëndroja nën atë që patjetër ishte sprova më
e rëndë që kam përballuar ndonjëherë.» Ai e pranon: «Ende më mungon shumë gruaja, por tani besoj në mënyrë të patundur se asgjë që Jehovai lejon të ndodhë nuk mund të na shkaktojë dëm të përhershëm.»A e dëshironi fort, ashtu si Rikardoja dhe miliona të tjerë, kohën kur vuajtjet e tanishme njerëzore «nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje»? (Isaia 65:17) Jini të sigurt se mund t’i përjetoni bekimet e Mbretërisë së Perëndisë nëse ndiqni këshillën e Biblës: «Kërkoni Zotin [Jehovain, BR] ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.»—Isaia 55:6.
Për t’ju ndihmuar ta bëni këtë, bëjeni leximin dhe studimin e kujdesshëm të Fjalës së Perëndisë gjënë kryesore në jetën tuaj. Njihni Perëndinë dhe atë që ai dërgoi, Jezu Krishtin. Përpiquni të jetoni sipas normave të Perëndisë duke treguar në këtë mënyrë se jeni të gatshëm t’i nënshtroheni sovranitetit të tij. Një mënyrë e tillë të vepruari do t’ju sjellë më shumë lumturi tani, pavarësisht nga sprovat që mund të hasni. Kurse në të ardhmen rezultati do të jetë që do të gëzoni jetën në një botë pa vuajtje.—Gjoni 17:3.
[Shënimet]
^ par. 7 Në shënimin në fund të faqes për Zanafillën 2:17, versioni The Jerusalem Bible e shpjegon ‘njohjen e së mirës dhe të së keqes’ si «e drejta për të vendosur vetë atë që është e mirë dhe e keqe, domethënë, një pretendim për pavarësi të plotë morale, me anë të së cilës njeriu refuzon të njohë gjendjen e tij si një qenie e krijuar». Aty shtohet: «Mëkati i parë ishte një sulm ndaj sovranitetit të Perëndisë.»
^ par. 17 Për një trajtim të hollësishëm të profecisë biblike lidhur me vitin 1914, shihni kapitullin 10 dhe 11 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia në faqet 6, 7]
SI MUND T’U BËJMË BALLË VUAJTJEVE?
«Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi [Perëndinë].» (1 Pjetrit 5:7) Ndjenjat e pështjellimit, të zemërimit dhe të braktisjes janë thjesht të natyrshme kur hasim vuajtje ose kur shohim të vuajë dikush që e duam. Megjithatë të jemi të sigurt se Jehovai i kupton ndjenjat tona. (Eksodi 3:7; Isaia 63:9) Ashtu si burrat besnikë të lashtësisë, mund t’i hapim atij zemrën dhe t’i shprehim dyshimet dhe ankthet tona. (Eksodi 5:22; Jobi 10:1-3; Jeremia 14:19; Habakuku 1:13) Ai mund të mos i heqë sprovat me anë të një mrekullie, por në përgjigje të lutjeve tona të përzemërta, mund të na japë mençuri dhe forcë për t’i përballuar.—Jakovit 1:5, 6.
«Mos u befasoni nga sprovat e dhembshme që po hasni, sikur të ishte duke ju ndodhur diçka e çuditshme.» (1 Pjetrit 4:12, New International Version) Vërtet Pjetri këtu po flet për përndjekjen, por fjalët e tij zbatohen në mënyrë po kaq të përshtatshme edhe për çdo vuajtje që mund të hasë një besimtar. Njerëzit vuajnë nga mungesa e mjeteve bazë të jetesës, nga sëmundjet dhe nga humbja e njerëzve të dashur. Bibla thotë se të gjithëve u rastis «të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11, BR) Këto gjëra janë pjesë e kushteve të tanishme njerëzore. Duke e kuptuar këtë do të jemi të ndihmuar për të përballuar vuajtjet dhe fatkeqësitë kur na ndodhin. (1 Pjetrit 5:9) Mbi të gjitha, siguria se «sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre» është në mënyrë të veçantë burim ngushëllimi.—Psalmi 34:15; Fjalët e urta 15:3; 1 Pjetrit 3:12.
«Gëzoni në shpresë.» (Romakëve 12:12) Në vend që të mendojmë vazhdimisht se sa të lumtur kemi qenë dikur, mund të meditojmë për premtimin e Perëndisë se do t’u japë fund vuajtjeve. (Predikuesi 7:10) Kjo shpresë me bazë të fortë do të na mbrojë, ashtu si përkrenarja mbron kokën. Shpresa i zbut pasojat e fatkeqësive të jetës dhe na ndihmon për t’u siguruar se ato nuk janë vdekjeprurëse për shëndetin tonë mendor, emocional ose frymor.—1 Selanikasve 5:8.
[Figura në faqen 5]
Adami dhe Eva e hodhën poshtë sundimin e Perëndisë
[Figura në faqen 7]
Perëndia premton një botë pa vuajtje