Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pusullë që ma ndryshoi jetën

Një pusullë që ma ndryshoi jetën

Jetëshkrim

Një pusullë që ma ndryshoi jetën

TREGUAR NGA IRENA HOKSTENBAKU

Kjo ndodhi në mbrëmjen e një të marte në vitin 1972. Isha 16 vjeçe dhe kisha shoqëruar prindërit në një mbledhje fetare në Eindhoven, qytet në provincën e Brabantit, në Holandë. Ndihesha e pasigurt dhe dëshiroja të isha në ndonjë vend tjetër. Në ato çaste dy vajza të reja më dorëzuan një pusullë me një mesazh: «E dashur Irena, duam të të ndihmojmë.» Në të vërtetë nuk e kuptova se sa shumë do të ma ndryshonte jetën kjo pusullë. Por para se të tregoj se çfarë ndodhi më tej, më lejoni t’ju them diçka rreth prejardhjes sime.

KAM lindur në ishullin Belitung, në Indonezi. Më kujtohen disa tinguj të ishullit tropikal, si: fëshfërima e erës nëpër drurët e palmave, gurgullima e ëmbël e një lumi aty pranë, e qeshura e fëmijëve që luanin përqark shtëpisë, si dhe tingujt e muzikës që mbushte shtëpinë tonë. Më 1960, kur isha katër vjeçe, familja jonë u transferua nga Indonezia në Holandë. E bëmë udhëtimin e gjatë me anije dhe më kujtohet në veçanti tingulli i lodrës sime të preferuar që e mora me vete: një kloun i vogël me shumë daulle. Në moshën shtatëvjeçare humba dëgjimin për shkak të një sëmundjeje dhe që atëherë nuk kam qenë në gjendje të dëgjoj asnjë prej tingujve që më rrethojnë. Gjithçka që më ka mbetur janë vetëm kujtimet.

Rritem e shurdhër

Për shkak të kujdesit të dashur të prindërve, në fillim nuk i kuptoja plotësisht se ç’pasoja ke kur je e shurdhër. Duke qenë fëmijë, mendoja se edhe aparati im i stërmadh i dëgjimit ishte diçka argëtuese, ndonëse nuk më hynte shumë në punë. Për të komunikuar me mua, fëmijët e lagjes shkruanin fraza të tëra me shkumës mbi trotuar dhe unë u përgjigjesha megjithëse nuk mund ta dëgjoja zërin tim.

Kur u rrita, u bëra e vetëdijshme se isha ndryshe nga njerëzit që më rrethonin. Gjithashtu, fillova të vëreja se disa njerëz më vinin në lojë sepse isha e shurdhër, kurse disa të tjerë më mbanin jashtë shoqërisë së tyre. Fillova të ndihesha e veçuar dhe e vetmuar. Nisa të kuptoja se ç’do të thotë të jesh e shurdhër dhe sa më shumë rritesha, aq më shumë frikë kisha nga bota e njerëzve që dëgjonin.

Për të më dhënë mundësinë të ndiqja një shkollë të veçantë për të shurdhërit, familja u transferua nga një fshat i provincës së Limburgut në qytetin e Eindhovenit. Atje babai kërkoi një punë dhe vëllai e motrat shkuan në një shkollë të re. U jam mirënjohëse që i përshtatën rrethanat për mua. Në shkollë mësova ta përshtatja volumin e zërit dhe t’i shqiptoja fjalët më qartë. Edhe pse mësuesit nuk e përdornin gjuhën e shenjave, shokët e klasës më mësuan të përdorja shenjat.

Jetoj në botën time

Ndërsa rritesha, prindërit përpiqeshin fort të komunikonin me mua, por kishte shumë gjëra që nuk i kuptoja. Për shembull, nuk e kuptoja se prindërit po studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Por kujtoj që një ditë familja ime vizitoi një vend ku shumë njerëz ishin të ulur në karrige. Të gjithë ata shikonin përpara, disa herë duartrokitnin dhe herë pas here qëndronin në këmbë. Por nuk e dija përse këta njerëz e bënin të gjithë këtë gjë. Shumë kohë më vonë mësova se kisha qenë në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait. Prindërit gjithashtu më merrnin në një sallë të vogël në qytetin e Eindhovenit. Aty ndihesha rehat, sepse të gjithë ishin mirëdashës dhe familja ime dukej e lumtur, por nuk e dija përse shkonim gjithmonë atje. Tani e di se salla e vogël ishte një Sallë Mbretërie e Dëshmitarëve të Jehovait.

Mjerisht, në këto mbledhje nuk kishte asnjë të pranishëm që të ma shpjegonte programin. Tani e kuptoj se të pranishmit donin të më ndihmonin, por nuk dinin si t’ia bënin me gjendjen time. Në këto mbledhje ndihesha e veçuar dhe mendoja: ‘Më mirë të isha në shkollë sesa këtu!’ Por pikërisht kur këto mendime po më kalonin në mendje, dy vajza të reja shkruan shpejt e shpejt diçka në një copë letër dhe ma dhanë. Kjo ishte pusulla që përmenda në hyrje. Nuk mendoja aspak se kjo pusullë do të ishte fillimi i një shoqërie të çmuar që do të më çlironte nga bota ime e izoluar.

Ndërtoj një shoqëri të çmuar

Koleta dhe Hermina, të cilat më dhanë pusullën, ishin pak më shumë se 20 vjeçe. Më vonë mësova se ato kishin ardhur në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait, në të cilin shkoja unë, për të shërbyer si pioniere të rregullta ose shërbëtore në kohë të plotë. Megjithëse Koleta dhe Hermina në të vërtetë nuk e dinin gjuhën e shenjave, arrija t’i lexoja buzët kur më flitnin dhe në këtë mënyrë komunikonim shumë mirë.

Prindërit e mi ishin të kënaqur kur Koleta dhe Hermina kërkuan që të studionin Biblën me mua, por këto vajza bënin shumë më tepër se kaq. Ato përpiqeshin shumë të më shpjegonin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë, si dhe të më përfshinin në shoqëri me të tjerët në kongregacion. Praktikonin prezantimet biblike me mua për t’i përdorur në veprën e predikimit dhe gjithashtu më ndihmonin të përgatitja fjalimet në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Vetëm përfytyroni, tani madje kisha guximin të mbaja një fjalim përballë një grupi njerëzish që dëgjonin.

Për më tepër, nga mënyra se si u sollën Koleta dhe Hermina e ndjeva se mund të kisha besim tek ato. Ato ishin të durueshme dhe më dëgjonin. Edhe pse shpesh qeshnim për gabimet e mia, kurrë nuk më vinin në lojë; as nuk ndiheshin në siklet nga prania ime. Përpiqeshin të kuptonin ndjenjat e mia dhe më trajtonin si të barabartë me to. Këto vajza mirëdashëse më dhanë një dhuratë të bukur: dashurinë dhe miqësinë e tyre.

Ç’është më e rëndësishmja, Koleta dhe Hermina më mësuan se duhej të arrija ta njihja Perëndinë tonë, Jehovain, si një mik tek i cili mund të kemi besim. Ato shpjeguan se Jehovai më kishte parë të rrija ulur në Sallën e Mbretërisë dhe se ai e kuptonte se ç’do të thotë të jesh e shurdhër. Sa mirënjohëse jam që dashuria jonë e përbashkët për Jehovain na bashkoi të triave si shoqe! Isha e prekur nga kujdesi i Jehovait ndaj meje dhe dashuria që kisha për të më shtyu të simbolizoja kushtimin ndaj tij me anë të pagëzimit në ujë në korrik të vitit 1975.

Shoqëroj një mik të veçantë

Gjatë viteve që pasuan, njoha shumë e shumë vëllezër e motra të krishtere. Një vëlla u bë një mik shumë i veçantë për mua dhe u martuam më 1980. Pak pas kësaj, fillova të shërbeja si pioniere dhe më 1994-n burri im, Harri, dhe unë u caktuam të shërbenim si pionierë specialë në fushën e gjuhës holandeze të shenjave. Vitin pasues u gjenda përballë një caktimi të vështirë. Duhej të shoqëroja burrin tim, i cili mund të dëgjojë, teksa viziton kongregacionet e ndryshme si zëvendësmbikëqyrës qarkor.

Ja se si ia dal mbanë. Kur vizitojmë për herë të parë një kongregacion, u afrohem menjëherë sa më shumë vëllezërve e motrave që të jetë e mundur dhe u prezantohem. U them atyre se jam e shurdhër dhe u kërkoj që të më vështrojnë kur flasin e të flasin ngadalë me mua. Po ashtu përpiqem të përgjigjem menjëherë në mbledhjet e kongregacionit. Pyes edhe nëse për atë javë dikush është i gatshëm të jetë shpjeguesi im në mbledhje dhe në shërbimin në fushë.

Kjo metodë funksionon kaq mirë, saqë ndonjëherë vëllezërit dhe motrat harrojnë që nuk mund të dëgjoj, duke krijuar kështu situata komike. Për shembull, më thonë se kur më shohin duke ecur nëpër qytet, i bien borisë së makinës për të më përshëndetur, por natyrisht që unë nuk reagoj. Edhe unë i harroj ndonjëherë kufizimet e mia, si atëherë kur përpiqem t’i pëshpërit në vesh burrit diçka konfidenciale. Kur e shoh të skuqet menjëherë, e kuptoj se «pëshpëritja» ishte me zë tepër të lartë.

Fëmijët më ndihmojnë në shumë mënyra që as i mendoja. Në një kongregacion që vizitonim për herë të parë, një djalë 9-vjeçar kishte vënë re se disa në Sallën e Mbretërisë ngurronin paksa të flitnin me mua dhe vendosi të bënte diçka për këtë. Erdhi drejt meje, më mori prej dore, më çoi në mes të Sallës së Mbretërisë dhe bërtiti me sa fuqi që kishte: «A mund t’ju prezantoj me Irenën? Ajo është e shurdhër.» Të pranishmit erdhën drejt meje dhe u prezantuan me mua.

Teksa shoqëroj burrin në veprën qarkore, rrethi im i miqësisë vazhdon të zgjerohet. Sa ndryshe është jeta ime sot nga vitet kur ndihesha e mënjanuar dhe e veçuar! Që prej asaj mbrëmjeje kur Koleta dhe Hermina më dhanë në dorë atë pusullë të vogël, kam provuar fuqinë e miqësisë dhe kam takuar njerëz që janë bërë shumë të veçantë për mua. Mbi të gjitha, kam arritur të njoh Jehovain, Mikun më të çmuar nga të gjithë. (Romakëve 8:38, 39) Sa shumë ma ndryshoi jetën ajo pusullë e vogël!

[Figura në faqen 24]

Më kujtohet tingulli i lodrës sime të preferuar

[Figurat në faqen 25]

Në shërbim dhe me burrin, Harrin