Pse? ‘O Perëndi, pse lejove të ndodhte kjo gjë?’
Pse? ‘O Perëndi, pse lejove të ndodhte kjo gjë?’
RIKARDOJA e kujton ende kur ishte i ulur me gruan e tij, Marinë, në dhomën e pritjes së doktorit. * Askush prej tyre nuk kishte guximin të lexonte rezultatet më të fundit të analizave mjekësore të Marisë. Pastaj Rikardoja hapi zarfin dhe me nxitim i hodhën një vështrim të shpejtë termave mjekësorë të raportit të analizave. Ata vunë re fjalën «kancer» dhe që të dy filluan të qanin, pasi e kuptuan domethënien e plotë të asaj fjale.
«Doktori ishte shumë mirëdashës,—kujton Rikardoja,—por ai e kishte kuptuar qartë sa e rëndë ishte gjendja, sepse vazhdonte të na thoshte që të kishim besim te Perëndia.»
Para se të fillonte mjekimi me rreze, doktori i Marisë vuri re lëvizje të pavullnetshme në këmbën e saj të djathtë. Analizat e mëtejshme zbuluan se kanceri ishte përhapur në tru. Vetëm pas një jave, mjekimi me rreze u pezullua. Maria ra në gjendje kome dhe dy muaj më vonë vdiq. «Ndihesha i çliruar që vuajtjet e saj kishin marrë fund,—shpjegon Rikardoja, —por ajo më mungonte kaq shumë, saqë fillova të dëshiroja që edhe jeta ime të merrte fund. Shpesh i thërritja Perëndisë: ‘Pse lejove të ndodhte kjo gjë?’»
Kur godasin tragjeditë, ngrihen shumë pyetje
Ashtu si Rikardoja, njerëz të panumërt anembanë botës detyrohen të përballen me realitetin e vuajtjeve. Shpeshherë janë të pafajshmit ata që vuajnë. Të mendojmë pak për hidhërimet që të copëtojnë zemrën të shkaktuara nga konfliktet e pafundme të armatosura që pllakosin njerëzimin. Ose të mendojmë për dhembjet që kanë provuar viktimat e shumta të përdhunimit, të abuzimit me fëmijët, të dhunës shtëpiake dhe të gjërave të tjera të liga të kryera nga njeriu. Gjatë gjithë historisë duket se nuk kanë pasur kufij padrejtësitë e dhembjet që burrat dhe gratë kanë qenë të gatshëm t’i shkaktojnë njëri-tjetrit. (Predikuesi 4:1-3) Gjithashtu është angështia e viktimave të katastrofave natyrore ose të sëmundjeve emocionale, mendore dhe fizike. Nuk të habit tepër fakti që shumë pyesin veten: «Pse i lejon Perëndia këto vuajtje?»
Edhe për ata njerëz me bindje fetare, vuajtjet nuk janë kurrë të lehta për t’u përballuar. Po ashtu, ka të ngjarë që ju të pyetni veten se ç’arsye mund të ketë ndoshta një Perëndi i gjithëpushtetshëm e i dashur që të lejojë vuajtjet njerëzore. Gjetja e një përgjigjeje të vërtetë e të kënaqshme për këtë pyetje pështjelluese është jetësore për paqen tonë mendore dhe për marrëdhënien me Perëndinë. Bibla na siguron një përgjigje të tillë. Ju lutemi të shqyrtoni se çfarë thotë ajo, siç paraqitet në artikullin vijues.
[Shënimi]
^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.
[Figurat në faqen 3]
Doktori vazhdonte të na thoshte se duhej të kishim besim te Perëndia