Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Çfarë donte të thoshte Pavli kur tha: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë»?
Duke e pasur fjalën për kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit, Pavli shkroi: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.» (1 Korintasve 11:25, 26) Disa mendojnë se fjala «herë» këtu tregon se vdekja e Krishtit duhet përkujtuar shpesh, domethënë shumë herë. Prandaj ata e përkujtojnë atë më shumë se një herë në vit. Por, a donte të thoshte këtë Pavli?
Tani kanë kaluar pothuajse 2.000 vjet që kur Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij. Si rrjedhim, duke u kremtuar Përkujtimi sikur edhe një herë në vit, kjo nënkupton që ai është kremtuar shumë herë që prej vitit 33 të e.s. Megjithatë, në kontekstin e 1 Korintasve 11:25, 26, Pavli po diskutonte, jo sa herë, por në ç’mënyrë duhej mbajtur Përkujtimi. Në greqishten e hershme, ai nuk përdori fjalën pol la’kis, e cila do të thotë «shumë herë» ose «shpesh». Përkundrazi, përdori fjalën ho sa’kis, që do të thotë «sa herë që», një shprehje që ka kuptimin «kurdoherë që», «çdo herë që». Pavli po thoshte: ‘Çdo herë që e bëni këtë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë.’ *
Atëherë, sa herë duhet kremtuar Përkujtimi i vdekjes së Jezuit? Është e përshtatshme që të mbahet vetëm një herë në vit. Në të vërtetë ai është një përkujtim dhe zakonisht përkujtimet mbahen një herë në vit. Veç kësaj, Jezui vdiq ditën e Pashkës judaike, e cila mbahej një herë në vit. Në mënyrë të përshtatshme, Pavli e quajti Jezuin si «Krishti, pashka jonë». Kjo, sepse vdekja flijuese e Jezuit hapi rrugën drejt jetës për Izraelin frymor, ashtu si flijimi i Pashkës së parë i ruajti të gjallë të parëlindurit izraelitë në Egjipt dhe i hapi rrugën çlirimit të kombit nga skllavëria. (1 Korintasve 5:7; Galatasve 6:16) Kjo lidhje me Pashkën e përvitshme judaike është dëshmi e mëtejshme se Përkujtimi i vdekjes së Jezuit duhet mbajtur vetëm një herë në vit.
Për më tepër, Pavli e lidhi vdekjen e Jezuit me një tjetër festë të përvitshme judaike, Ditën e Shlyerjes. Te Hebrenjve 9:25, 26, lexojmë: «As që [Jezui] ta ofrojë shpesh veten, si hyn në fakt kryeprifti në vendin e shenjtë vit për vit [në Ditën e Shlyerjes], me gjak që nuk është i veti. . . . Por tani, ai është shfaqur një herë të vetme në përfundim të sistemit, për ta hequr mëkatin me anë të flijimit të vetvetes.» Meqë flijimi i Jezuit zëvendësoi flijimin e përvitshëm në Ditën e Shlyerjes, në mënyrë të përshtatshme Përkujtimi i vdekjes së tij mbahet çdo vit. Nuk ka asnjë arsye nga Shkrimet që Përkujtimi të mbahet më shpesh se kaq.
Në harmoni me këtë, historiani Xhon-Lorëns fon Moshajm thotë se të krishterët e shekullit të dytë në Azinë e Vogël e kishin zakon ta mbanin Përkujtimin e vdekjes së Jezuit «ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë judaik [nisan]». Vetëm vitet e mëvonshme në të ashtuquajturin krishterim u bë e zakonshme të mbahej më shumë se një herë në vit.
[Shënimi]
^ par. 4 Krahasoni tregimin te 1 Samuelit 1:3, 7. Aty shprehja «sa herë që» (në përkthimet e sotme të Shkrimeve Hebraike) u referohet ngjarjeve që ndodhnin «çdo vit» ose një herë në vit, kur Elkanahu dhe dy gratë e tij shkonin te tabernakulli në Shiloh.