‘Të qëndrojmë vigjilentë!’
‘Të qëndrojmë vigjilentë!’
«Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: Qëndroni vigjilentë.»—MARKU 13:37.
1, 2. (a) Çfarë mësimi nxori një burrë në lidhje me ruajtjen e pronës së tij? (b) Çfarë mësojmë rreth të ndenjurit zgjuar nga ilustrimi i Jezuit për hajdutin?
HUANI i mbante sendet e çmuara në shtëpi. I ruante poshtë krevatit, që sipas tij ishte vendi më i sigurt në shtëpi. Megjithatë një natë, teksa ai dhe gruaja e tij po flinin, në dhomën e gjumit hyri një hajdut. Dukej qartë se hajduti e dinte saktësisht ku duhej të kërkonte. Pa bërë zhurmë mori poshtë krevatit çdo send me vlerë, si edhe paratë që Huani i kishte lënë në një nga sirtarët e komodinës pranë krevatit. Mëngjesin vijues Huani zbuloi se e kishin vjedhur. Ai do ta kujtojë për një kohë të gjatë mësimin e dhimbshëm që nxori: një njeri që fle nuk mund t’i ruajë sendet që zotëron.
2 E njëjta gjë është e vërtetë në kuptimin frymor. Nuk mund ta ruajmë shpresën dhe besimin nëse na zë gjumi. Prandaj Pavli nxiti: «Le të mos flemë siç bëjnë të tjerët, por të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.» (1 Selanikasve 5:6) Për të treguar se sa jetësore është të qëndrojmë zgjuar, Jezui përdori ilustrimin e hajdutit. Ai përshkroi ngjarjet që do të çonin në ardhjen e tij si Gjykatës dhe pastaj paralajmëroi: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj. Por dini një gjë, se po ta kishte ditur i zoti i shtëpisë se në cilën ndërresë do të vinte hajduti, do të kishte ndenjur zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia. Prandaj, edhe ju tregohuni gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.» (Mateu 24:42-44) Një hajdut nuk lajmëron që më përpara se kur do të vijë. Ai shpreson të vijë atëherë kur nuk e pret askush. Në mënyrë të ngjashme, siç tha Jezui, fundi i këtij sistemi do të vijë në ‘një orë që s’e mendojmë’.
‘Të rrimë zgjuar, të qëndrojmë të patundur në besim’
3. Në ç’mënyrë tregoi Jezui se sa e rëndësishme është të qëndrojmë zgjuar, duke përdorur ilustrimin e skllevërve që pritnin kthimin e zotërisë nga një dasmë?
3 Në fjalët e dokumentuara te Ungjilli i Lukës, Jezui i krahasoi të krishterët me skllevërit që po pritnin zotërinë e tyre të kthehej nga një dasmë. Ata duhej të qëndronin syçelë në mënyrë që kur të vinte, të ishin zgjuar, gati për ta pritur. Ngjashëm, Jezui tha: «Ka të ngjarë që Biri i njeriut vjen në një orë që nuk e mendoni.» (Luka 12:40) Disa që i kanë shërbyer Jehovait prej vitesh mund ta humbasin ndjenjën e urgjencës në lidhje me kohën në të cilën po jetojmë. Madje mund të arrijnë në përfundimin se fundi mund të jetë ende larg. Por një mënyrë e tillë të menduari mund të bëjë që të na largohet vëmendja nga gjërat frymore dhe të na drejtohet drejt synimeve materialiste, gjëra këto që mund të na bëjnë të përgjumur frymësisht.—Luka 8:14; 21:34, 35.
4. Cila bindje do të na motivojë për të qëndruar vigjilentë dhe si e tregoi këtë Jezui?
4 Mund të nxjerrim një mësim tjetër nga ilustrimi i Jezuit. Edhe pse skllevërit nuk e dinin orën se kur do të vinte zotëria, me sa duket e dinin se në cilën natë do të vinte. Do të kishte qenë e vështirë të rrinin zgjuar gjithë natën, nëse do të kishin menduar se zotëria mund të vinte ndonjë natë tjetër. Por jo, ata e dinin në cilën natë do të vinte, dhe kjo gjë u dha një nxitje të fortë për të qëndruar zgjuar. Në një mënyrë mjaft të ngjashme, profecitë biblike zbulojnë qartë se po jetojmë në kohën e fundit, por ato nuk na thonë ditën ose orën e fundit. (Mateu 24:36) Besimi se fundi po vjen na ndihmon të qëndrojmë zgjuar, por, nëse jemi të bindur se dita e Jehovait është vërtet afër, do të kemi arsye edhe më të fortë për të qëndruar vigjilentë.—Sofonia 1:14.
5. Si mund t’i përgjigjemi nxitjes së Pavlit që ‘të rrimë zgjuar’?
5 Pavli i nxiti korintasit duke u shkruar këto fjalë: «Rrini zgjuar, qëndroni të patundur në besim.» (1 Korintasve 16:13) Po, qëndrimi zgjuar lidhet me qëndrimin e patundur në besimin e krishterë. Si mund të rrimë zgjuar? Duke marrë njohuri më të thellë për Fjalën e Perëndisë. (2 Timoteut 3:14, 15) Zakonet e mira të studimit personal dhe ndjekja e rregullt e mbledhjeve na ndihmojnë të forcojmë besimin. Edhe mbajtja gjithnjë në mendje e ditës së Jehovait është një aspekt i rëndësishëm i besimit tonë. Kështu rishikimi herë pas here i provave nga Shkrimet se po jetojmë afër fundit të këtij sistemi, do të na ndihmojë të mos harrojmë të vërtetat e rëndësishme për fundin që po vjen. * Po ashtu është mirë të vërejmë ngjarjet botërore që po ndodhin, të cilat përmbushin profecinë biblike. Një vëlla në Gjermani shkroi: «Sa herë që shoh lajmet—luftërat, tërmetet, dhunën dhe ndotjen e planetit tonë—më ngulitet më fort në mendje se fundi është afër.»
6. Në ç’mënyrë e ilustroi Jezui prirjen për të mos qëndruar syçelë frymësisht ndërsa koha kalon?
6 Te Marku kapitulli 13, gjejmë një tregim tjetër të nxitjes që u dha Jezui ithtarëve të tij për të ndenjur zgjuar. Sipas këtij kapitulli, Jezui e krahason situatën e tyre me atë të një portieri i cili priste që zotëria i tij të kthehej nga një udhëtim jashtë shtetit. Portieri nuk e dinte orën se kur do të kthehej zotëria. Ai thjesht duhej të qëndronte vigjilent. Jezui iu referua katër ndërresave të ndryshme të rojës gjatë të cilave mund të vinte zotëria. Ndërresa e katërt zgjaste nga ora tre e mëngjesit deri në lindjen e diellit. Në këtë ndërresë të fundit, përgjumja mund ta mposhtte lehtë portierin. Me sa thuhet, ushtarët mendonin se ora përpara agimit ishte koha më e përshtatshme për ta zënë armikun në befasi. Ngjashëm, në këtë orë të vonë, kur në kuptimin frymor bota përreth nesh fle thellë, duhet të luftojmë më shumë se kurrë për të ndenjur zgjuar. (Romakëve 13:11, 12) Prandaj, në ilustrimin e tij, Jezui na nxit në mënyrë të përsëritur: «Vazhdoni të shikoni, rrini zgjuar . . . Prandaj, qëndroni vigjilentë . . . Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: Qëndroni vigjilentë.»—Marku 13:32-37.
7. Ç’rrezik real ekziston dhe çfarë inkurajimi lexojmë shpesh në Bibël, duke pasur këtë gjë në mendje?
7 Shumë herë gjatë shërbimit të tij dhe pas ringjalljes, Jezui nxiti vigjilencën. Në fakt, pothuajse çdo herë që Shkrimet i referohen fundit të këtij sistemi, gjejmë paralajmërimin për të ndenjur zgjuar ose për të qëndruar vigjilentë. * (Luka 12:38, 40; Zbulesa 3:2; 16:14-16) Është e qartë, pra, se përgjumja frymore është një rrezik shumë real. Të gjithë kemi nevojë për këto paralajmërime.—1 Korintasve 10:12; 1 Selanikasve 5:2, 6.
Tre apostujt që nuk arritën të rrinin zgjuar
8. Si iu përgjigjën tre apostujt kërkesës që u bëri Jezui në kopshtin e Getsemanisë për të qëndruar vigjilentë?
8 Të rrish zgjuar kërkohet më shumë sesa vetëm dëshira e mirë, siç e shohim nga shembulli i Pjetrit, i Jakovit dhe i Gjonit. Këta ishin tre burra frymorë që e ndoqën me besnikëri Jezuin dhe kishin përzemërsi të thellë për të. Gjithsesi, natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., nuk arritën të rrinin zgjuar. Pasi ikën nga dhoma e sipërme, në të cilën kishin kremtuar Pashkën, tre apostujt e shoqëruan Jezuin në kopshtin e Getsemanisë. Aty Jezui u tha atyre: «Shpirti im është thellësisht i hidhëruar, madje deri në vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë bashkë me mua.» (Mateu 26:38) Tri herë Jezui iu lut me zjarr Atit të tij qiellor dhe tri herë u kthye te miqtë e tij e i gjeti duke fjetur.—Mateu 26:40, 43, 45.
9. Çfarë ka të ngjarë të ketë shkaktuar përgjumjen e apostujve?
9 Pse këta burra besnikë e zhgënjyen Jezuin atë natë? Një faktor ishte lodhja fizike. Ishte vonë, ndoshta kishte kaluar mesnata dhe «sytë u ishin rënduar» nga gjumi. (Mateu 26:43) Prapëseprapë Jezui tha: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos hyni në tundim. Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.»—Mateu 26:41.
10, 11. (a) Çfarë e ndihmoi Jezuin të qëndronte vigjilent në kopshtin e Getsemanisë, edhe pse ishte i rraskapitur? (b) Çfarë mund të mësojmë nga ajo që u ndodhi tre apostujve kur Jezui u kërkoi të qëndronin vigjilentë?
10 Pa dyshim, edhe Jezui ishte i lodhur atë mbrëmje historike. Sidoqoftë, në vend që të flinte, i kaloi këto pak çaste të fundit të lirisë, që ishin jetësore, duke u lutur me zjarr. Pak ditë më parë, i kishte nxitur ithtarët të luteshin, duke u thënë: «Rrini zgjuar, pra, duke bërë përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që kanë për të ndodhur dhe në qëndrimin përpara Birit të njeriut.» (Luka 21:36; Efesianëve 6:18) Nëse i vëmë veshin këshillës së Jezuit dhe nëse ndjekim shembullin e tij të shkëlqyer përsa i përket lutjes, përgjërimet e përzemërta drejtuar Jehovait do të na ndihmojnë të rrimë zgjuar nga ana frymore.
11 Sigurisht, ndryshe nga dishepujt që nuk e kuptuan në atë kohë, Jezui e kuptoi se së shpejti do të arrestohej dhe do të dënohej me vdekje. Sprovat e tij do të arrinin kulmin agonik në shtyllën e torturës. Jezui i kishte paralajmëruar apostujt për këto gjëra, por ata nuk e kishin kuptuar se ç’po thoshte. Si rrjedhim i zuri gjumi, ndërkohë që ai rrinte zgjuar duke u lutur. (Marku 14:27-31; Luka 22:15-18) Ashtu siç ishte e vërtetë për apostujt, edhe trupi ynë është i dobët dhe ka gjëra që ende nuk i dimë. Megjithatë, nëse nuk e dallojmë urgjencën e kohëve në të cilat po jetojmë, mund të na zërë gjumi në kuptimin frymor. Vetëm duke qenë syçelë do të qëndrojmë zgjuar.
Tri cilësi jetësore
12. Cilat janë tri cilësitë që Pavli i lidh me ruajtjen e gjykimit?
12 Si mund ta ruajmë ndjenjën e urgjencës? Tashmë kemi parë rëndësinë e lutjes dhe nevojën për të mbajtur në mendje ditën e Jehovait. Veç kësaj, Pavli përmend tri cilësi kryesore që duhet të kultivojmë. Ai thotë: «Ne që i përkasim ditës, le të ruajmë gjykimin dhe të mbajmë veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, dhe si përkrenare shpresën e shpëtimit.» (1 Selanikasve 5:8) Le të shqyrtojmë shkurtimisht rolin që kanë besimi, shpresa dhe dashuria për të na mbajtur zgjuar frymësisht.
13. Çfarë roli luan besimi për të na mbajtur syçelë?
13 Duhet të kemi një besim të patundur se Jehovai ekziston dhe se ai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Përmbushja fillestare në shekullin e parë e profecisë së Jezuit për fundin na forcon besimin për përmbushjen më të madhe që do të ndodhë në kohën tonë. Po ashtu, besimi na bën të presim me padurim ditën e Jehovait, të sigurt se «[vegimi profetik] me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë».—Habakuku 2:3.
14. Në ç’mënyrë shpresa është jetësore nëse duam të rrimë zgjuar?
Hebrenjve 6:18, 19) Një motër e mirosur nga fryma, Margarita, që i ka kaluar të nëntëdhjetat dhe që u pagëzua më tepër se 70 vjet më parë, pranon: «Kur burri po më vdiste nga kanceri në vitin 1963, mendoja se do të ishte e mrekullueshme sikur fundi të vinte menjëherë. Por tani e kuptoj se po mendoja vetëm për interesat e mia. Në atë kohë nuk e mendonim fare se sa shumë do të përhapej vepra në mbarë botën. Madje tani ka ende shumë vende ku vepra sapo është hapur. Prandaj jam e lumtur që Jehovai ka treguar durim.» Apostulli Pavël na siguron: «Qëndrueshmëria [prodhon] një gjendje të miratuar; gjendja e miratuar, nga ana e vet, shpresë dhe shpresa nuk çon në zhgënjim.»—Romakëve 5:3-5.
14 Shpresa jonë e sigurt është si «një spirancë për shpirtin» e cila na jep mundësi të durojmë vështirësitë, edhe sikur të na duhet të presim për përmbushjen e sigurt të premtimeve të Perëndisë. (15. Në ç’mënyrë do të na motivojë dashuria, edhe po të na duket sikur kemi pritur për një kohë të gjatë?
15 Dashuria e krishterë është një cilësi e 1 Korintasve 13:13) Dashuria na bën të qëndrojmë dhe na ndihmon të rrimë zgjuar. «[Dashuria] shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.»—1 Korintasve 13:7, 8.
jashtëzakonshme, sepse ajo është motivi kryesor që qëndron pas çdo gjëje që bëjmë. I shërbejmë Jehovait sepse e duam, kurdo që të jetë koha e caktuar prej tij. Dashuria për të afërmin na nxit të predikojmë lajmin e mirë të Mbretërisë, pavarësisht se për sa kohë mund të jetë vullneti i Perëndisë që ta bëjmë këtë dhe pavarësisht se sa herë kthehemi në të njëjtat shtëpi. Siç shkroi Pavli: «Mbeten këto të tria: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.» (‘Të vazhdojmë të mbajmë fort atë që kemi’
16. Çfarë qëndrimi duhet të kultivojmë, në vend që të ngadalësojmë ritmin?
16 Jetojmë në kohë vendimtare kur ngjarjet botërore na kujtojnë vazhdimisht se jemi në pjesën përfundimtare të ditëve të fundit. (2 Timoteut 3:1-5) Tani nuk është koha për të ngadalësuar ritmin, por ‘për të mbajtur fort atë që kemi’. (Zbulesa 3:11) Duke qenë «vigjilentë në lidhje me lutjet» dhe duke kultivuar besimin, shpresën dhe dashurinë, do të tregojmë se jemi gati në orën e sprovës. (1 Pjetrit 4:7) Kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë. Duke qenë të zënë me veprat e përkushtimit hyjnor do të qëndrojmë plotësisht zgjuar.—2 Pjetrit 3:11.
17. (a) Pse nuk duhet të shkurajohemi nëse zhgënjehemi ngandonjëherë? (Shihni kutinë në faqen 21.) (b) Si mund ta imitojmë Jehovain dhe çfarë bekimesh i presin ata që veprojnë në këtë mënyrë?
17 «Jehovai është trashëgimia ime,—shkroi Jeremia,—prandaj do të rri në pritje të tij. I mirë është Jehovai me atë që shpreson tek ai, me shpirtin që vazhdon ta kërkojë. Gjë e mirë është të presësh, madje në heshtje, shpëtimin nga Jehovai.» (Vajtimet 3:24-26, BR) Disa nga ne janë duke pritur vetëm prej pak kohësh. Disa të tjerë kanë pritur prej vitesh që të shohin shpëtimin e Jehovait. Megjithatë, sa e shkurtër është kjo periudhë pritjeje po ta krahasojmë me përjetësinë që kemi përpara! (2 Korintasve 4:16-18) Teksa presim kohën e duhur sipas Jehovait, mund të kultivojmë cilësi të krishtere thelbësore dhe mund t’i ndihmojmë të tjerët që të nxjerrin dobi nga durimi i Jehovait dhe të pranojnë të vërtetën. Atëherë, qëndrofshim të gjithë vigjilentë! Le të imitojmë Jehovain dhe le të jemi të durueshëm; mirënjohës për shpresën që na ka dhënë. Ndërsa rrimë syçelë me besnikëri, le të mbahemi fort pas shpresës së jetës së përhershme. Atëherë, në rastin tonë me siguri do të gjejnë zbatim këto premtime profetike: «[Jehovai] do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.»—Psalmi 37:34.
[Shënimet]
^ par. 5 Mund të jetë e dobishme të rishikojmë gjashtë linjat e dëshmive që tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit», të cilat u paraqitën në faqet 12-13 të Kullës së Rojës, 15 janar 2000.—2 Timoteut 3:1.
^ par. 7 Duke folur për foljen greke të përkthyer «rrini zgjuar», leksikografi U. E. Vajn shpjegon se fjalë për fjalë do të thotë ‘ta përzësh gjumin’ dhe «shpreh jo thjesht pagjumësinë, por vigjilencën e atyre që janë të përqendruar mbi diçka».
Si do të përgjigjeshit?
• Si mund ta forcojmë bindjen se fundi i këtij sistemi është afër?
• Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pjetrit, i Jakovit dhe i Gjonit?
• Cilat janë tri cilësitë që do të na ndihmojnë të qëndrojmë vigjilentë nga ana frymore?
• Pse kjo është koha që ‘të vazhdojmë të mbajmë fort atë që kemi’?
[Pyetjet]
[Kutia dhe figura në faqen 21]
«Lum ai që rri në pritje.»—Danieli 12:12, BR
Të përfytyrojmë sikur një rojë dyshon se një hajdut ka planifikuar të grabisë ndërtesën që ai po ruan. Kur bie nata, roja dëgjon me vëmendje çdo zhurmë që mund të tregojë praninë e hajdutit. Orë pas ore ai rri tërë sy e veshë. Është e lehtë të shohësh se si mund të gënjehet nga ndonjë sinjal i rremë, si zhurma e shkulmit të erës nëpër pemë ose e një maceje që hidhet diku gjetkë.—Luka 12:39, 40.
Diçka e ngjashme mund t’u ndodhë atyre që ‘presin me dëshirë të zjarrtë zbulesën e Zotërisë tonë Jezu Krisht’. (1 Korintasve 1:7) Apostujt mendonin se Jezui ‘do ta rivendoste mbretërinë e Izraelit’ pothuajse menjëherë pas ringjalljes. (Veprat 1:6) Vite më vonë, të krishterëve në Selanik duhej t’u kujtohej se prania e Jezuit do të ishte në një kohë të ardhme. (2 Selanikasve 2:3, 8) Gjithsesi, pritjet e parealizuara për ditën e Jehovait nuk i bënë ithtarët e hershëm të Jezuit të braktisnin udhën që të çon në jetë.—Mateu 7:13.
Në ditët tona, zhgënjimi për vonesat në dukje për ardhjen e fundit të këtij sistemi nuk duhet të na bëjë që të mos jemi më vigjilentë. Roja syçelë mund të gënjehet nga një sinjal i rremë, por ai duhet të qëndrojë vigjilent. Kjo është puna e tij. E njëjta gjë është edhe me të krishterët.
[Figura në faqen 18]
A jeni të bindur se dita e Jehovait është afër?
[Figurat në faqen 19]
Mbledhjet, lutjet dhe zakonet e mira të studimit na ndihmojnë të qëndrojmë vigjilentë
[Figura në faqen 22]
Ashtu si Margarita, qëndrofshim vigjilentë me durim dhe në mënyrë aktive!