Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë’ mblidhen me gëzim

‘Lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë’ mblidhen me gëzim

‘Lajmëtarët e zellshëm të Mbretërisë’ mblidhen me gëzim

BOTA po tronditet nga kriza morale, ekonomike dhe politike. Megjithatë, në mes të gjithë kësaj gjendjeje të turbullt, Dëshmitarët e Jehovait u mblodhën për tri ditë me rastin e kongreseve krahinore paqësore «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë». Duke filluar nga muaji maj i vitit 2002, këto grumbullime u mbajtën anembanë globit.

Kongreset dolën se ishin vërtet ngjarje të gëzueshme. Le të rishikojmë shkurtimisht programin ndërtues të bazuar në Bibël.

Në ditën e parë vihet theksi te zelli i Jezuit

Tema e ditës së parë të kongresit ishte: «Të imitojmë zellin e Zotërisë tonë, Jezuit.» (Gjoni 2:17) Fjalimi «Gëzojmë të mbledhur së bashku si lajmëtarë të Mbretërisë» i ftoi me ngrohtësi të pranishmit të merrnin pjesë në gëzimin që ka karakterizuar gjithmonë kongreset e popullit të Perëndisë. (Ligji i përtërirë 16:15) Këtë fjalim e pasuan disa intervista të predikuesve të zellshëm të lajmit të mirë.

Fjalimi «Të gjejmë kënaqësi të thellë te Jehovai» trajtonte varg për varg Psalmin 37:1-11. U nxitëm që ‘të mos dëshpërohemi’ për shkak të suksesit në dukje të njerëzve të ligj. Edhe pse të ligjtë mund të na paraqesin keq para të tjerëve, me kalimin e kohës Jehovai do ta bëjë të qartë se kush është në të vërtetë populli i tij besnik. Fjalimi «Të tregohemi mirënjohës» fliste se si të tregojmë mirënjohje ndaj Perëndisë. Të gjithë të krishterët duhet t’i ofrojnë Jehovait «një sakrificë lëvdimi». (Hebrenjve 13:15) Sigurisht që sasia e kohës që i kushtojmë shërbimit të Jehovait varet nga çmueshmëria dhe nga rrethanat tona.

Fjalimi kyç titullohej: «Lajmëtarë të Mbretërisë të mbushur me zell.» Ai vinte në dukje se shembulli më i shkëlqyer i zellit është Jezu Krishti. Pasi Mbretëria qiellore u vendos në vitin 1914, të krishterët e vërtetë kishin nevojë për zell që të lajmëronin lajmin e mirë. Oratori iu referua kongresit të Sidër-Pointit në Ohajo të SHBA-së, të vitit 1922 dhe na solli ndër mend thirrjen historike: «Lajmëroni Mbretin dhe Mbretërinë e tij!» Me kalimin e kohës, zelli i ka shtyrë shërbëtorët besnikë të Perëndisë që t’u shpallin të gjitha kombeve të vërtetat e mrekullueshme të Mbretërisë.

Fjalimi «Të mos kemi frikë, duke e ditur se Jehovai është me ne», i mbajtur gjatë pasdites së ditës së parë, tregonte se populli i Perëndisë është një shënjestër e veçantë e Satanait. Sidoqoftë, pavarësisht nga kundërshtimi që hasim, meditimi për shembujt e shumtë të besimit që janë në Bibël dhe ata të ditëve të sotme na jep guximin t’i përballojmë pa frikë sprovat dhe tundimet.​—Isaia 41:10.

Pas kësaj, në program ishte një simpozium me tri pjesë me temë: «Profecia e Mikeas na jep forcë që të ecim në emrin e Jehovait.» Oratori i parë e krahasoi rrënimin moral, apostazinë fetare dhe materializmin e ditëve të Mikeas me ato të kohës sonë. Ai tha: «Shpresa jonë për të ardhmen do të jetë e sigurt, po qe se kultivojmë një zemër të bindur, sigurohemi që sjellja jonë është e shenjtë dhe jeta jonë është plot me vepra të përkushtimit hyjnor​—dhe nëse nuk harrojmë kurrë se dita e Jehovait do të vijë.»​—2 Pjetrit 3:11, 12.

Oratori i dytë në simpozium theksoi se si i dënoi Mikea udhëheqësit e Judës. Ata i keqtrajtonin njerëzit e varfër e të pambrojtur. Por Mikea paratha edhe ngadhënjimin e adhurimit të vërtetë. (Mikea 4:1-5) Të fuqizuar nga fryma e shenjtë e Jehovait, jemi të vendosur të shpallim këtë mesazh freskues shprese. Por, ç’qëndrim duhet të kemi nëse ndihemi të kufizuar për shkak të sëmundjeve ose në ndonjë mënyrë tjetër? Oratori i tretë tha: «Kërkesat e Jehovait janë, si të arsyeshme, ashtu dhe të arritshme.» Ai vazhdoi të trajtonte aspekte të ndryshme të Mikeas 6:8, BR ku lexojmë: «Çfarë tjetër kërkon Jehovai nga ty, përveçse të ushtrosh drejtësinë, të duash mirëdashjen dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?».

Duke qenë se kalbëzimi moral i botës mund të ndikojë te të krishterët, të gjithë nxorëm dobi nga fjalimi me titull: «Të mbajmë dëlirësinë morale duke ruajtur zemrën.» Për shembull, mbajtja e dëlirësisë do të na ndihmojë të kemi një martesë të lumtur. Si të krishterë, as që duhet ta çojmë nëpër mend që të përfshihemi në imoralitet seksual.​—1 Korintasve 6:18.

Fjalimi «Ruhuni nga mashtrimi» tregoi se ne me mençuri i trajtojmë si helm shtrembërimet, gjysmëtëvërtetat dhe gënjeshtrat fund e krye që përhapin apostatët. (Kolosianëve 2:8) Po ashtu, nuk duhet ta mashtrojmë veten duke menduar se mund të kënaqim dëshirat tona mëkatare pa pasur pasoja të dëmshme.

Titulli i fjalimit përmbyllës i ditës së parë ishte: «Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë.» Teksa kushtet në botë bëhen më kritike se kurrë, të ngroh zemrën të dimë se së shpejti Jehovai do të sjellë botën e tij të re e të drejtë! Kush do të jetojë në të? Vetëm ata që adhurojnë Jehovain. Për të na ndihmuar neve, fëmijët tanë dhe ata që studiojnë Biblën me ne, që të arrijnë këtë synim, oratori prezantoi një libër të ri studimi Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë. Sa të kënaqur ishim që morëm këtë libër!

Në ditën e dytë vihet theksi te zelli për atë që është e mirë

Dita e dytë e kongresit kishte temën: «Të jemi të zellshëm për atë që është e mirë.» (1 Pjetrit 3:13) Oratori i parë trajtoi shkrimin e ditës. Ai theksoi se shqyrtimi i rregullt dhe domethënës i shkrimit të ditës na e shton zellin.

Pastaj erdhi radha e simpoziumit: «Lajmëtarë të Mbretërisë që i japin lavdi shërbimit të tyre.» Pjesa e parë theksonte nevojën që ta përdorim drejt Fjalën e Perëndisë. (2 Timoteut 2:15) Përdorimi i efektshëm i Biblës nga ana jonë hap rrugën që ajo ‘të ushtrojë fuqi’ në jetën e njerëzve. (Hebrenjve 4:12) Duhet ta drejtojmë vëmendjen te Bibla dhe të arsyetojmë rreth saj në mënyrë bindëse. Pjesa e dytë e simpoziumit na nxiti që të bëjmë vazhdimisht rivizita te të interesuarit. (1 Korintasve 3:6) Për të ndjekur menjëherë interesin e tyre nevojiten përgatitje dhe guxim. Pjesa e tretë na këshillonte që ta shohim çdo person që takojmë si një dishepull të ardhshëm dhe tregonte se duke ofruar një studim që në vizitën e parë mund të provojmë gëzimin që të ndihmojmë individët të bëhen dishepuj.

Tema e fjalimit vijues ishte: «Përse ‘të lutemi pa pushim’ ?» Bibla i nxit të krishterët që të kërkojnë drejtimin e Perëndisë në të gjitha aspektet e jetës. Duhet të gjejmë kohë për t’u lutur personalisht. Për më tepër, duhet të ngulmojmë në lutje, sepse Jehovai mund të lejojë që të vazhdojmë të lutemi për njëfarë kohe përpara se përgjigjja e tij të bëhet e dukshme.​—Jakovit 4:8.

Fjalimi «Bisedat frymore ndërtojnë» na nxiti që ta përdorim dhuratën e të folurit për dobinë tonë dhe të të tjerëve. (Filipianëve 4:8) Bashkëshortët dhe fëmijët kanë nevojë çdo ditë për biseda frymore. Për ta arritur këtë, familjet duhet të përpiqen të hanë së bashku të paktën një vakt në ditë, duke pasur kështu mundësi për biseda frymore.

Programi i paradites përfundoi me fjalimin që të ngrohte zemrën: «Në ç’mënyrë kushtimi dhe pagëzimi çojnë në shpëtim?» Kandidatët për pagëzim kishin marrë njohuri, kishin ushtruar besim, ishin penduar, ishin larguar nga keqbërjet dhe i ishin kushtuar Perëndisë. Oratori theksoi se pasi të pagëzoheshin ata duhet të vazhdonin të rriteshin frymësisht dhe të ruanin zellin dhe sjelljen e shkëlqyer.​—Filipianëve 2:15, 16.

Atë pasdite, u theksuan dy pika kryesore në fjalimin: «Të jemi modestë dhe ta mbajmë syrin të thjeshtë.» Të jemi modestë do të thotë të kemi një pikëpamje realiste për kufizimet dhe për pozitën tonë para Perëndisë. Modestia na ndihmon ta mbajmë syrin ‘të thjeshtë’, pra të përqendruar në Mbretërinë e Perëndisë dhe jo në gjërat materiale. Nëse e bëjmë këtë, nuk do të jemi në ankth, sepse Jehovai do të plotësojë nevojat tona.​—Mateu 6:22-24, 33, 34.

Oratori vijues tregoi se përse duhet «Të besojmë plotësisht te Jehovai në kohë vështirësish». Si mund t’ia dalim mbanë me probleme të tilla si dobësitë personale dhe problemet financiare ose shëndetësore? Le t’i lutemi Jehovait për mençuri praktike dhe le të kërkojmë ndihmë nga të tjerët. Në vend që t’i nënshtrohemi panikut ose dëshpërimit, duhet ta përforcojmë besimin te Perëndia duke lexuar Fjalën e tij.​—Romakëve 8:35-39.

Simpoziumi i fundit i kongresit kishte temën: «Cilësia e besimit tonë sprovohet nga prova të ndryshme.» Pjesa e parë na solli ndër mend se të gjithë të krishterët e vërtetë hasin përndjekje. Përndjekja shërben si dëshmi, na forcon besimin dhe na jep mundësinë të tregojmë besnikërinë tonë ndaj Perëndisë. Edhe pse nuk duhet ta vëmë jetën në rrezik pa qenë nevoja, kurrë nuk do të përdornim mjete jobiblike për t’iu shmangur përndjekjes.​—1 Pjetrit 3:16.

Oratori i dytë në këtë simpozium bëri disa pyetje lidhur me asnjanësinë. Të krishterët e hershëm nuk ishin pacifistë, por e kuptonin se në radhë të parë duhej të ishin besnikë ndaj Perëndisë. Po kështu sot, Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen fort parimit: «Nuk jeni pjesë e botës.» (Gjoni 15:19) Meqenëse sprovat e asnjanësisë mund të lindin menjëherë, familjet duhet të gjejnë kohë për të rishikuar udhëzimet nga Bibla lidhur me këtë temë. Siç e vuri në dukje fjalimi i tretë në këtë simpozium, synimi i Satanait nuk është medoemos të na vrasë, por të na bëjë presion që të bëhemi jobesnikë. Duke u qëndruar me besnikëri talljeve, presioneve imorale, dhembjeve emocionale dhe sëmundjeve, i sjellim lavdi Jehovait.

Ftesa e ngrohtë «Le t’i afrohemi Jehovait!» shërbeu si titulli i fjalimit të fundit të asaj dite. Kuptueshmëria e cilësive kryesore të Perëndisë na tërheq drejt tij. Ai përdor fuqinë e tij të pakufishme për të mbrojtur popullin e tij, sidomos frymësisht. Drejtësia e tij nuk është e ashpër, por e nxit atë që të vërë në dispozicion jetën e pafundme për këdo që praktikon drejtësinë. Mençuria e Perëndisë është e dukshme në mënyrën se si i përdori njerëzit e papërsosur të shkruanin Biblën. Ajo që të tërheq më shumë është dashuria e tij, e cila e nxiti të merrte masa për shpëtimin e njerëzimit nëpërmjet Jezu Krishtit. (Gjoni 3:16) Oratori përfundoi me prezantimin e librit të ri që të ngroh zemrën T’i afrohemi Jehovait.

Në ditën e tretë vihet theksi te zelli për vepra të shkëlqyera

Tema e ditës së tretë të kongresit ishte: «Një popull i zellshëm për vepra të shkëlqyera.» (Titit 2:14) Programi i paradites filloi në mënyrë të shkëlqyer me shqyrtimin e shkrimit të ditës nga një familje. Më pas ishte fjalimi: «A keni besim te Jehovai?» Kombet e kanë vendosur sigurinë e tyre në vend të gabuar, duke u mbështetur në mençurinë dhe në forcën e tyre. Megjithatë, ndryshe nga kjo, shërbëtorët e Jehovait mbështeten me guxim dhe me gëzim në të, pavarësisht nga fatkeqësitë që mund t’u ndodhin.​—Psalmi 46:1-3, 7-11.

Në pjesën e titulluar «Të rinj: Ndërtojeni të ardhmen me organizatën e Jehovait» u bë kjo pyetje: ‘Në ç’mënyrë një i ri mund të nxjerrë vërtet më të mirën nga jeta?’ Kjo nuk është e mundur duke ndjekur paranë, pasuritë dhe prestigjin. Krijuesi i nxit me dashuri të rinjtë që ta kujtojnë atë ndërsa janë ende të rinj në moshë. Oratori intervistoi disa persona që kishin vënë synime në shërbimin e krishterë gjatë rinisë dhe ne arritëm ta ndienim gëzimin e tyre. Sa e dobishme ishte të merrnim fletushkën e re, Të rinj: çfarë do të bëni me jetën tuaj?, e cila është përgatitur për t’i ndihmuar të rinjtë Dëshmitarë që të vendosin themelin për një të ardhme të përhershme me organizatën e Jehovait.

Më pas ishte drama që të bënte për vete: «Të qëndrojmë të patundur në kohë vështirësish.» Ajo përshkruante shkurtimisht karrierën e gjatë të Jeremisë, që nga rinia e deri në shkatërrimin e Jerusalemit, të cilin ai e kishte profetizuar me zell. Jeremia ndihej i pakualifikuar për caktimin, por ai e përmbushi atë me gjithë kundërshtimin, dhe Jehovai e çliroi.​—Jeremia 1:8, 18, 19.

Drama u pasua nga fjalimi: «Të jemi si Jeremia​—Ta shpallim pa frikë Fjalën e Perëndisë.» Lajmëtarët e Mbretërisë në ditët e sotme janë shpesh shënjestër e keqinformimeve dhe e propagandës keqdashëse. (Psalmi 109:1-3) Gjithsesi, ashtu si Jeremia, mund t’i bëjmë ballë shkurajimit duke provuar kënaqësi në Fjalën e Jehovait. Po ashtu jemi të sigurt se ata që luftojnë kundër nesh nuk do të fitojnë.

Fjalimi publik me temë «Skena e kësaj bote po ndryshon», ishte vërtet i kohës. Epoka jonë është shënuar nga ndryshime dramatike. Bibla paratha se këto kushte, përfshirë thirrjen për «paqe dhe siguri», do të çonin drejt ditës që të ngjall frikë të gjykimit të Perëndisë. (1 Selanikasve 5:3) Ajo do të sjellë ndryshime të mrekullueshme​—fundin e të gjitha luftërave, krimeve, dhunës dhe madje të sëmundjeve. Prandaj, në vend që të besojmë te ky sistem, është koha që të ndjekim përkushtimin hyjnor dhe të mbajmë një sjellje të dëlirë.

Pas përmbledhjes së artikullit të Kullës së Rojës për atë javë, u mbajt fjalimi i fundit i kongresit me titull: «Të jemi të bollshëm në vepra të shkëlqyera si lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë.» Oratori vuri në dukje se në ç’mënyrë programi na gjallëroi frymësisht dhe na inkurajoi të mbështetemi te Jehovai. Në përfundim, u nxitëm që të jemi lajmëtarë të pastër, të dashur e të zellshëm të Mbretërisë së Perëndisë.​—1 Pjetrit 2:12.

Me një frymë si ajo e shërbëtorëve të Jehovait në ditët e Jeremisë, patjetër që u kthyem në shtëpi të gëzuar për bekimet frymore që morëm në kongreset krahinore «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë». (Nehemia 8:12) A nuk të ka mbushur me gëzim ky kongres emocionues dhe a nuk të ka dhënë vendosmërinë që të ngulmosh si lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë?

[Kutia dhe figura në faqen 23]

Një mjet i ri studimi!

Në përfundim të ditës së parë të kongresit, të pranishmit ishin shumë të kënaqur kur doli libri i ri Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë. Ai është përgatitur që të studiohet me ata që e kanë mbaruar studimin e librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe pa dyshim do t’ua forcojë besimin ‘atyre që janë të prirur drejt jetës së përhershme’.​—Veprat 13:48.

[Burimi]

Pamja në kapakun e librit: Fotografi e marinës amerikane

[Kutia dhe figurat në faqen 24]

T’i afrohemi më shumë Perëndisë

Në fund të ditës së dytë të kongresit, oratori njoftoi daljen e librit të ri T’i afrohemi Jehovait. Ai përmban katër pjesë kryesore, një për çdo cilësi kryesore të Perëndisë: për fuqinë, për drejtësinë, për mençurinë dhe për dashurinë. Çdo pjesë e librit ka një kapitull ku tregohet se si Jezu Krishti siguroi shembuj të gjallë të cilësive të Perëndisë. Qëllimi kryesor i këtij libri të ri është të na ndihmojë neve dhe ata të cilët studiojnë Biblën me ne që të ndërtojmë një marrëdhënie më të ngushtë dhe më të fortë me Perëndinë Jehova.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Udhëheqje frymore për të rinjtë

Dita e tretë e kongresit u shënua nga dalja e një fletushke të veçantë me titull Të rinj: çfarë do të bëni me jetën tuaj? Kjo fletushkë e re është përgatitur që t’i ndihmojë të rinjtë Dëshmitarë të marrin vendime të drejta për të ardhmen e tyre. Në të jepen këshilla nga Shkrimet për ndërtimin e një karriere të përhershme në shërbim të Jehovait.