Përkujtohen Dëshmitarë të Jehovait të ekzekutuar
Përkujtohen Dëshmitarë të Jehovait të ekzekutuar
NË QYTETIN e Kormendit, në perëndim të Hungarisë, më 7 mars 2002 u vendos një pllakatë përkujtimore. Ajo përkujton vdekjen e tre Dëshmitarëve të Jehovait të vrarë nga nazistët në vitin 1945.
Pllaka është ngjitur te muri i qendrës së sotme të repartit të zjarrfikësve në rrugën Hunjadi, ku u bë ekzekutimi publik. Në pllakë është shkruar ky dedikim përkujtimor: «Të krishterëve që u ekzekutuan si kundërshtarë për arsye të ndërgjegjes në mars të vitit 1945. An- tal Hynish (1911-1945), Bertalan Sabo (1921-1945), Janosh Szhondor (1923-1945), 2002, Dëshmitarë të Jehovait.»
Ekzekutimi u krye vetëm dy muaj para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Pse i vranë këta të krishterë? Gazeta hungareze Vas Nepe shpjegon: «Pas ardhjes në pushtet të Hitlerit në Gjermani, jo vetëm hebrenjtë, por edhe anëtarë besnikë të Dëshmitarëve të Jehovait u bënë shënjestër e përndjekjeve dhe e torturave, e kampeve të përqendrimit dhe e vdekjes, nëse nuk mohonin bindjet e tyre fetare. . . . Në mars të vitit 1945, në pjesën perëndimore të Hungarisë mbretëronte terrori i përgjithshëm. . . . Pjesë e këtij terrori ishte të dëbonin dhe të vritnin Dëshmitarët e Jehovait.»
Programi për vendosjen e pllakës ishte në dy pjesë. Pjesa e parë u zhvillua në teatrin e kështjellës Batjani, ku morën pjesë oratorët: profesor Saboç Sita, drejtues i Qendrës së Dokumentimit të Holokaustit në Budapest; Laslo Donaçi, anëtar i Komitetit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, për Pakicat dhe për Çështjet Fetare; si dhe Kalman Komjaçi, dëshmitar okular i ekzekutimeve, i cili tani është historian i qytetit. Më shumë se 500 të pranishëm ecën përmes qytetit në pjesën e dytë të programit që ishte zbulimi i pllakës nga kryetari i bashkisë së Kormendit, Jozhef Honfi.
Në letrën e tij të lamtumirës, Jan Zhondori (Janosh Szhondor) i nxiste vëllezërit dhe motrat e krishtere që të mos hidhëroheshin. Ai shkruante: «Kam ende në mendje fjalët e Gjonit që gjenden te Zbulesa 2:10: ‘Tregohu i besueshëm deri në vdekje.’ . . . Thuajuni atyre të shtëpisë që të mos hidhërohen, sepse unë po vdes për të vërtetën dhe jo si një kriminel.»
[Figura në faqen 32]
Bertalan Sabo
[Figura në faqen 32]
Antal Hynish
[Figura në faqen 32]
Jan Zhondor