Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A është e pranueshme sipas Shkrimeve që një i krishterë të vërë dorën mbi Bibël dhe të betohet para gjyqit për të thënë gjithë të vërtetën?
Çdo individ duhet të marrë një vendim personal në lidhje me këtë. (Galatasve 6:5) Megjithatë nuk ka asnjë kundërshtim nga ana biblike të bësh një betim para gjyqit për të thënë të vërtetën.
Bërja e betimit ka qenë prej kohësh një praktikë shumë e përhapur. Për shembull, në kohët e lashta, grekët, kur bënin një betim, ngrinin dorën drejt qiellit ose preknin një altar. Kur një romak bënte betimin, ai mbante në dorë një gur dhe betohej: «Nëse mashtroj qëllimisht, [perëndia] Jupiteri, i cili ruan qytetin dhe kalanë, më heqtë të gjitha të mirat, ashtu siç e flak unë këtë gur!»—Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature, nga Xhon Mekklintok dhe Xhejms Strong, Vëllimi VII, faqja 260.
Këto veprime tregonin se njeriu e kishte prirjen të pranonte ekzistencën e një fuqie hyjnore, e cila është në gjendje të vëzhgojë njerëzit dhe së cilës duhet t’i japin llogari. Që në kohët e lashta, adhuruesit e vërtetë të Jehovait ishin të vetëdijshëm se ai e dinte se çfarë thoshin ose bënin. (Fjalët e urta 5:21; 15:3) Ata bënin betime si të thuash, në prani të Perëndisë ose duke pasur atë si dëshmitar. Për shembull, kështu bëri Boazi, Davidi, Solomoni dhe Zedekia. (Rutha 3:13; 2 Samuelit 3:35; 1 Mbretërve 2:23, 24; Jeremia 38:16) Adhuruesit e Perëndisë së vërtetë lejuan që edhe të tjerët t’i vinin nën betim. Ishte kështu në rastin e Abrahamit dhe të Jezu Krishtit.—Zanafilla 21:22-24; Mateu 26:63, 64.
Një person që bënte një betim përpara Jehovait, ndonjëherë e shoqëronte atë me një gjest. Abrami (Abrahami) i tha mbretit të Sodomës: «Po e ngre dorën lart duke zënë be para Jehovait, Perëndisë Më të Lartë, Bërësit të qiellit e të tokës.» (Zanafilla 14:22, BR) Një engjëll që po fliste me profetin Daniel «ngriti dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u betua për atë që jeton përjetë». (Danieli 12:7) Edhe për Perëndinë flitet në mënyrë simbolike si të ngrinte dorën për t’u betuar.—Ligji i përtërirë 32:40; Isaia 62:8.
Nuk ka asnjë kundërshtim sipas Shkrimeve që të bëhet një betim. Gjithsesi, një i krishterë nuk duhet të bëjë një betim për të mbështetur çdo gjë që thotë. Jezui tha: «Por fjala juaj Po, le të jetë Po, Jo-ja juaj, Jo.» (Mateu 5:33-37) Dishepulli Jakov bëri një pohim të ngjashëm. Kur tha «mos u betoni», po paralajmëronte kundër bërjes së betimeve joserioze. (Jakovit 5:12) As Jezui dhe as Jakovi nuk thanë se është e gabuar të betohesh para gjyqit për të thënë të vërtetën.
Ç’të themi atëherë, në qoftë se një të krishteri i kërkohet të betohet para gjyqit se dëshmia e tij është e vërtetë? Ai mund të mendojë se mund ta bëjë këtë betim. Në rast të kundërt mund t’i lejohet që të bëjë një deklaratë se nuk po gënjen.—Galatasve 1:20.
Kur procedurat e gjyqit përfshijnë ngritjen e dorës ose vendosjen e saj mbi Bibël gjatë betimit, një i krishterë mund të zgjedhë që të pranojë. Mund të ketë në mendje shembujt biblikë ku një betim shoqërohej me një gjest. Për një të krishterë, gjëja më e rëndësishme sesa gjesti që bën kur betohet është të kujtojë se po betohet para Perëndisë për të thënë të vërtetën. Ky betim është diçka serioze. Nëse një i krishterë mendon se mund dhe duhet t’i përgjigjet një pyetjeje që i bëhet në rrethana të tilla, atëherë ai duhet të mbajë në mendje se është nën betimin për të thënë të vërtetën. Sigurisht, një i krishterë duhet të thotë të vërtetën në çdo kohë.