Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa i fortë është besimi yt?

Sa i fortë është besimi yt?

Sa i fortë është besimi yt?

«Me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.»​—2 KORINTASVE 1:24.

1, 2. Pse duhet të kemi besim dhe si mund të bëhet më i fortë ai?

SHËRBËTORËT e Jehovait e dinë se duhet të kenë besim. Në fakt ‘pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë’. (Hebrenjve 11:6) Për këtë arsye, me mençuri lutemi për frymën e shenjtë dhe për besimin, i cili është pjesë e fryteve të dëshirueshme të saj. (Luka 11:13; Galatasve 5:22, 23) Edhe imitimi i besimit të bashkëbesimtarëve mund të na e forcojë këtë cilësi.​—2 Timoteut 1:5; Hebrenjve 13:7.

2 Besimi ynë do të bëhet më i fortë nëse do të ngulmojmë që të ndjekim drejtimin që paraqet për gjithë të krishterët Fjala e Perëndisë. Besimi mund të rritet në qoftë se lexojmë çdo ditë Biblën dhe i studiojmë me zell Shkrimet me ndihmën e botimeve të siguruara nëpërmjet ‘kujdestarit të besueshëm’. (Luka 12:42-44; Jozueu [Josiu] 1:7, 8) Ne marrim zemër nga besimi i njëri-tjetrit nëpërmjet pranisë së rregullt në mbledhjet e krishtere, në asambletë dhe në kongreset. (Romakëve 1:11, 12; Hebrenjve 10:24, 25) Gjithashtu besimi ynë forcohet kur u flasim të tjerëve në shërbim.​—Psalmi 145:10-13; Romakëve 10:11-15.

3. Çfarë ndihme marrim nga pleqtë e dashur të krishterë përsa i përket besimit?

3 Duke na dhënë këshilla dhe inkurajim nga Shkrimet, pleqtë e dashur të krishterë na ndihmojnë të ndërtojmë besimin. Ata kanë një frymë si ajo e apostullit Pavël, i cili u tha korintasve: «Jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.» (2 Korintasve 1:23, 24) Në një përkthim tjetër thuhet: «Po punojmë me ju që t’ju bëjmë të gëzuar, sepse besimi juaj është i fortë.» (Contemporary English Version) I drejti jeton për shkak të besimit. Natyrisht që askush tjetër nuk mund të ushtrojë besim për ne ose të na bëjë që të qëndrojmë besnikë. Përsa i përket kësaj, ne ‘duhet të mbajmë ngarkesën tonë’.​—Galatasve 3:11; 6:5.

4. Si mund të na ndihmojnë tregimet nga Shkrimet në lidhje me shërbëtorët besnikë të Perëndisë që ta forcojmë besimin?

4 Shkrimet janë plot me tregime të personave që kishin besim. Mund të njohim shumë prej veprave të tyre të jashtëzakonshme, por, a e dimë se çfarë besimi shfaqnin ata ditë pas dite, ndoshta gjatë një jete të gjatë? Meditimi rreth asaj se si e tregonin këtë cilësi në rrethana të ngjashme me tonat, mund të na ndihmojë të forcojmë besimin.

Besimi na jep guxim

5. Çfarë dëshmie ka nga Shkrimet se besimi na forcon ta shpallim me guxim fjalën e Perëndisë?

5 Besimi na forcon të shpallim fjalën e Perëndisë me guxim. Enoku paratha me guxim ekzekutimin e gjykimit hyjnor. Ai tha: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijët e tij të shenjtë, për të ekzekutuar gjykimin kundër të gjithëve, për të shpallur fajtorë të tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme që bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm.» (Judës 14, 15) Patjetër që me të dëgjuar këto fjalë, armiqtë e paperëndishëm të Enokut donin ta vritnin atë. Megjithatë ai foli me guxim e me besim, dhe Perëndia «e mori» duke e vënë në gjumin e vdekjes, me sa duket pa e lënë që të provonte dhembjet e saj. (Zanafilla 5:24; Hebrenjve 11:5) Ne nuk përjetojmë mrekulli të tilla, por Jehovai u përgjigjet lutjeve tona që të shpallim fjalën e tij me besim dhe guxim.​—Veprat 4:24-31.

6. Në ç’mënyrë e ndihmoi Noenë besimi dhe guximi që i kishte dhënë Perëndia?

6 Me anë të besimit, Noeja «ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij». (Hebrenjve 11:7; Zanafilla 6:13-22) Noeja ishte edhe «një predikues i drejtësisë» që u shpalli me guxim bashkëkohësve të tij paralajmërimin e Perëndisë. (2 Pjetrit 2:5) Ata duhet të jenë tallur me mesazhin e tij për ardhjen e një Përmbytjeje, ashtu si disa na tallin kur u japim prova nga Shkrimet se sistemi i tanishëm shpejt do të shkatërrohet. (2 Pjetrit 3:3-12) Sidoqoftë, ashtu si Enoku dhe Noeja, edhe ne mund ta shpërndajmë këtë mesazh në saje të besimit e të guximit që na jep Perëndia.

Besimi na bën të durueshëm

7. Në ç’mënyrë treguan besim e durim Abrahami dhe të tjerë?

7 Kemi nevojë për besim dhe për durim, sidomos ndërsa presim fundin e këtij sistemi të lig. Midis atyre ‘që nëpërmjet besimit dhe durimit do të trashëgojnë premtimet’ është Abrahami, patriarku me frikë Perëndie. (Hebrenjve 6:11, 12) Me anë të besimit, ai la qytetin e Urit, me të gjitha epërsitë që kishte, dhe u bë një i ardhur në një tokë të huaj, të cilën ia kishte premtuar Perëndia. Isaku dhe Jakobi ishin trashëgimtarë të të njëjtit premtim. Megjithatë «të gjithë këta vdiqën në besim, megjithëse nuk e morën përmbushjen e premtimeve». Me anë të besimit, ata ‘synonin një vend më të mirë, domethënë, një vend që i përket qiellit’. Prandaj Perëndia «për ta ka bërë gati një qytet». (Hebrenjve 11:8-16) Po, Abrahami, Isaku dhe Jakobi, si edhe gratë e tyre me frikë Perëndie, pritnin me durim Mbretërinë qiellore të Perëndisë, nën të cilën do të ringjallen në jetën mbi tokë.

8. Pavarësisht nga çfarë treguan besim e durim Abrahami, Isaku dhe Jakobi?

8 Abrahami, Isaku dhe Jakobi nuk e humbën besimin. Toka e Premtuar nuk ishte nën kontrollin e tyre dhe ata nuk i panë të gjitha kombet të bekoheshin me anë të farës së Abrahamit. (Zanafilla 15:5-7; 22:15-18) Pavarësisht se ‘qyteti i ndërtuar nga Perëndia’ nuk do të bëhej realitet veçse pasi të kishin kaluar shekuj, këta burra vazhduan të shfaqnin besim dhe durim gjatë gjithë jetës së tyre. Patjetër që ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë, tani që Mbretëria mesianike është bërë realitet në qiell.​—Psalmi 42:5, 11; 43:5.

Besimi na bën të kemi synimet më të larta

9. Çfarë ndikimi ka besimi te synimet dhe objektivat tona?

9 Patriarkët besnikë kurrë nuk adoptuan mënyrën e shthurur të jetës së kananejve, sepse ata kishin synime dhe objektiva shumë më të lartë. Në mënyrë të ngjashme, besimi na bën të kemi synime frymore të cilat bëjnë që të mos asimilohemi nga bota që dergjet nën pushtetin e të ligut, Satana Djallit.​—1 Gjonit 2:15-17; 5:19.

10. Si e dimë se Jozefi ndiqte një synim shumë më të lartë se spikatja në botë?

10 Me anë të drejtimit hyjnor, Jozefi, djali i Jakobit, shërbeu si administrues i ushqimeve të Egjiptit, por qëllimi i tij nuk ishte që të bëhej një njeri i madh në këtë botë. Me besim te plotësimi i premtimeve të Jehovait, 110-vjeçari Jozef u tha vëllezërve të tij: «Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.» Jozefi kërkoi të varrosej në tokën e premtuar. Pasi vdiq, atë e balsamosën dhe e vunë në një arkivol në Egjipt. Por kur izraelitët u çliruan nga robëria egjiptiane, profeti Moisi i mori me vete eshtrat e Jozefit për t’i varrosur në Tokën e Premtuar. (Zanafilla 50:22-26; Eksodi [Dalja] 13:19) Besimi si ai i Jozefit duhet të na nxitë të ndjekim synime shumë më të larta se spikatja në botë.​—1 Korintasve 7:29-31.

11. Në ç’mënyrë dha dëshmi Moisiu se kishte synime frymore?

11 Moisiu ‘zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të kishte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit’ si një pjesëtar shumë i arsimuar i familjes mbretërore egjiptiane. (Hebrenjve 11:23-26; Veprat 7:20-22) Ai hoqi dorë nga prestigji në botë dhe ndoshta nga një varrim madhështor në një arkivol të stolisur në ndonjë vend të njohur egjiptian. Por, çfarë vlere do të kishte kjo po të krahasohej me privilegjin që të ishte ‘njeriu i Perëndisë’, ndërmjetësi i besëlidhjes së Ligjit, profeti i Jehovait dhe një shkrimtar i Biblës? (Ezdra 3:2) A dëshironi një pozitë me prestigj në botë apo për shkak të besimit keni synime shumë më të larta frymore?

Besimi çon në një jetë shpërblyese

12. Çfarë ndikimi kishte besimi në jetën e Rahabës?

12 Besimi bën që njerëzit të kenë jo vetëm synimet më të larta, por edhe një jetë shpërblyese. Rahaba nga Jerikoja duhet të ketë parë se jeta si prostitutë nuk kishte kuptim. Por sa ndryshoi ajo kur ushtroi besim! Ajo «u shpall e drejtë nga veprat [e besimit], pasi i kishte mirëpritur lajmëtarët [izraelitë] dhe i kishte nisur nga një udhë tjetër», në mënyrë që të shpëtonin nga armiqtë kananej. (Jakovit 2:24-26) Duke e pranuar Jehovain si Perëndia i vërtetë, Rahaba tregoi besim edhe duke braktisur jetën si prostitutë. (Jozueu 2:9-11; Hebrenjve 11:30, 31) Ajo u martua me një shërbëtor të Jehovait dhe jo me një kananeas jobesimtar. (Ligji i përtërirë 7:3, 4; 1 Korintasve 7:39) Rahaba pati privilegjin e madh të bëhej një paraardhëse e Mesisë. (1 Kronikave 2:3-15; Rutha 4:20-22; Mateu 1:5, 6) Ashtu si shumë të tjerë, disa prej të cilëve kanë braktisur jetën imorale, ajo do të marrë edhe një shpërblim tjetër, ringjalljen në një tokë parajsore.

13. Në ç’mënyrë mëkatoi Davidi lidhur me Betshebën, por çfarë qëndrimi shfaqi?

13 Pasi braktisi jetën e saj mëkatare, Rahaba me sa duket mbajti një sjellje të mirë. Megjithatë, disa që i ishin kushtuar prej kohësh Perëndisë, mëkatuan rëndë. Mbreti David kreu kurorëshkelje me Betshebën, bëri që burri i saj të vritej në luftë dhe e mori atë për grua. (2 Samuelit 11:1-27) I penduar dhe thellësisht i brengosur Davidi iu përgjërua Jehovait: «Mos e hiq prej meje frymën tënde të shenjtë.» Davidi nuk e humbi frymën e Perëndisë. Ai kishte besim se Jehovai, në mëshirën e tij, nuk do ta përbuzte «zemrën e vrarë dhe të dërrmuar» nga mëkati. (Psalmi 51:11, 17, BR; 103:10-14) Për shkak të besimit, Davidi dhe Betsheba u shpërblyen me privilegjin që të ishin paraardhës të Mesisë.​—1 Kronikave 3:5; Mateu 1:6, 16; Luka 3:23, 31.

Besimi përforcohet nga siguria

14. Çfarë sigurie iu dha Gideonit dhe si mund të ndikojë ky tregim në besimin tonë?

14 Ndonëse ecim me anë të besimit, ndonjëherë mund të kemi nevojë për sigurinë e ndihmës së Perëndisë. Kjo ishte e vërtetë për gjykatësin Gideon, një prej atyre «që nëpërmjet besimit mundën mbretëri». (Hebrenjve 11:32, 33) Kur midianitët dhe aleatët e tyre pushtuan Izraelin, fryma e Jehovait pushtoi Gideonin. Për t’u siguruar se Jehovai ishte me të, ai kërkoi prova, të cilat përfshinin një bashkë leshi të zbuluar në lëmë gjithë natën. Në provën e parë, vesa u formua vetëm mbi bashkën, kurse toka ishte e thatë. Situata ishte e kundërt në provën e dytë. I përforcuar nga siguria që i dhanë këto prova, Gideoni i kujdesshëm veproi me besim dhe i mundi armiqtë e Izraelit. (Gjyqtarët [Gjykatësit] 6:33-40; 7:19-25) Nëse kërkojmë siguri kur jemi përballë një vendimi, kjo nuk do të thotë se na mungon besimi. Kur marrim vendime, ne në fakt tregojmë besim duke kërkuar këshilla në Bibël dhe në botimet e krishtere, si dhe duke u lutur për drejtimin e frymës së shenjtë.​—Romakëve 8:26, 27.

15. Në ç’mënyrë mund të na ndihmojë meditimi rreth besimit të Barakut?

15 Besimi i gjykatësit Barak u përforcua nga siguria që mori në formën e inkurajimit. Profetesha Debora e nxiti atë të merrte iniciativën që të çlironte izraelitët nga shtypja e mbretit kananeas, Jabinit. Me besim dhe siguri në mbështetjen hyjnore, Baraku udhëhoqi në betejë 10.000 njerëz shumë pak të pajisur dhe ngadhënjeu mbi forcat shumë më të mëdha të Jabinit të komanduara nga Sisera. Kjo fitore u lartësua në këngën emocionuese të Deborës dhe të Barakut. (Gjyqtarët 4:1-5:31) Debora i dha zemër Barakut që të vepronte si udhëheqës i Izraelit i caktuar nga Perëndia dhe ai ishte një nga shërbëtorët e Jehovait që nëpërmjet besimit «shpartalluan ushtritë e të huajve». (Hebrenjve 11:34) Nëse ngurrojmë paksa të përmbushim një caktim të vështirë në shërbimin e Jehovait, meditimi rreth asaj se si Perëndia e bekoi Barakun ngaqë veproi me besim mund të na nxitë shumë mirë edhe neve që të veprojmë.

Besimi nxit paqen

16. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Abrahami në ndjekjen e paqes me Lotin?

16 Ashtu siç na ndihmon të përmbushim caktimet e vështira në shërbimin e Jehovait, besimi nxit paqen dhe marrëdhënie paqësore. Abrahami i moshuar e la nipin e tij më të ri, Lotin, të zgjidhte kullotat më të mira, kur barinjtë e tyre po grindeshin dhe u bë e domosdoshme që të ndaheshin. (Zanafilla 13:7-12) Abrahami duhet t’i jetë lutur me besim Perëndisë që ta ndihmonte të zgjidhte këtë problem. Në vend që të vinte në vend të parë interesat e veta, ai i zgjidhi gjërat në mënyrë paqësore. Në rast se gjendemi në një mosmarrëveshje me një vëlla të krishterë, le të lutemi me besim dhe ‘le të kërkojmë paqen’ duke mbajtur në mendje shembullin e Abrahamit, i cili tregoi konsideratë të dashur.​—1 Pjetrit 3:10-12.

17. Pse mund të themi që një e çarë e dukshme në marrëdhënien midis Pavlit, Barnabës dhe Markut u shërua në mënyrë paqësore?

17 Le të shqyrtojmë se si zbatimi me besim i parimeve të krishtere na ndihmon të nxitim paqen. Kur Pavli do të niste udhëtimin e dytë misionar, Barnaba ishte i një mendjeje me propozimin që të vizitonin përsëri kongregacionet në Qipro dhe në Azinë e Vogël. Sidoqoftë, Barnaba donte të merrte me vete kushëririn e tij, Markun. Pavli nuk ishte në një mendje, sepse Marku i kishte braktisur ata në Pamfili. Ndodhi «një shpërthim i fortë zemërimi», dhe kjo mosmarrëveshje bëri që të ndaheshin. Barnaba mori me vete Markun në Qipro, kurse Pavli zgjodhi si shok udhëtimi Silën dhe «kaloi nëpër Siri dhe Kiliki, duke forcuar kongregacionet». (Veprat 15:36-41) Me kalimin e kohës, e çara e dukshme në marrëdhënien e tyre u shërua, sepse Marku ishte me Pavlin në Romë dhe apostujt flitnin mirë për të. (Kolosianëve 4:10; Filemonit 23, 24) Kur Pavli ishte i burgosur në Romë rreth vitit 65 të e.s., ai i tha Timoteut: «Merre Markun dhe sille me vete, sepse më është i dobishëm për shërbimin.» (2 Timoteut 4:11) Me sa duket Pavli ishte lutur me besim për marrëdhënien me Barnabën dhe Markun. Kjo solli si rezultat marrëdhënie paqësore, të cilat lidhen me ‘paqen e Perëndisë’.​—Filipianëve 4:6, 7).

18. Çfarë ka të ngjarë të ketë ndodhur në rastin e Evodisë dhe të Sintikisë?

18 Duke qenë të papërsosur, patjetër që «të gjithë ne pengohemi shumë herë». (Jakovit 3:2) Mosmarrëveshje lindën edhe midis dy grave të krishtere, për të cilat Pavli shkroi: «I bëj thirrje Evodisë, i bëj thirrje edhe Sintikisë, që të jenë të një mendjeje në Zotërinë. . . . Vazhdo t’i ndihmosh këto gra, të cilat janë përpjekur krah për krah me mua në lajmin e mirë.» (Filipianëve 4:1-3) Ka shumë të ngjarë që këto gra të perëndishme e zgjidhën problemin në mënyrë paqësore duke zbatuar këshillat si ajo që është dokumentuar te Mateu 5:23, 24. Zbatimi me besim i parimeve të Shkrimeve do të ndihmojë shumë në nxitjen e paqes sot.

Besimi bën të mundur të qëndrojmë

19. Cila situatë sprovuese nuk ia theu kurrë besimin Isakut dhe Rebekës?

19 Gjithashtu, me anë të besimit mund të qëndrojmë në mundime. Ndoshta jemi të dëshpëruar sepse një pjesëtar i pagëzuar i familjes nuk i është bindur Perëndisë duke u martuar me një jobesimtar. (1 Korintasve 7:39) Isaku dhe Rebeka vuanin për shkak se djali i tyre Esau ishte martuar me dy gra të paperëndishme. Gratë e tij hitite «u bënë shkas për një hidhërim të thellë» për ta kaq shumë, sa Rebeka tha: «Jam neveritur nga jeta për shkak të bijave të Hethit. Në rast se Jakobi merr për grua një nga bijat e Hethit, një grua si ato të vendit, ç’më duhet jeta?» (Zanafilla 26:34, 35; 27:46) Prapëseprapë, kjo situatë sprovuese kurrë nuk ia theu besimin Isakut dhe Rebekës. Mbafshim besim të fortë nëse rrethanat e vështira bëhen një sfidë për ne!

20. Çfarë shembujsh besimi kemi nga Naomi dhe Rutha?

20 E veja e moshuar Naomi ishte judeje dhe e dinte se disa gra të Judës mund të lindnin djem që do të bëheshin paraardhës të Mesisë. Meqenëse djemtë e saj kishin vdekur pa pasur fëmijë dhe ajo e kishte kaluar moshën që të lindte fëmijë, mundësia që familja e saj të bënte pjesë në linjën e Mesisë ishte vërtet e paktë. Megjithatë, nusja e saj e ve u bë gruaja e Boazit të moshuar, lindi një djalë dhe u bë paraardhëse e Jezuit, Mesisë. (Zanafilla 49:10, 33; Rutha 1:3-5; 4:13-22; Mateu 1:1, 5) Naomi dhe Rutha e ruajtën besimin në mundime, dhe kjo u solli atyre gëzim. Edhe ne mund të provojmë shumë gëzim nëse e ruajmë besimin kur hasim mundime.

21. Çfarë na bën besimi dhe cila duhet të jetë vendosmëria jonë?

21 Ndonëse nuk mund ta themi se ç’do të sjellë e nesërmja për ne individualisht, me anë të besimit mund t’i bëjmë ballë çdo sfide. Besimi na bën të guximshëm dhe të durojmë. Na bën që të kemi synimet më të larta dhe një jetë shpërblyese. Besimi na bën të qëndrojmë në mundime dhe ndikon për mirë në marrëdhëniet me të tjerët. Qofshim pra «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit»! (Hebrenjve 10:39) Me anë të forcës së Perëndisë tonë të dashur, Jehovait, dhe për lavdinë e tij, le të vazhdojmë të ushtrojmë besim të fortë!

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë prove nga Shkrimet ka se besimi mund të na bëjë të guximshëm?

• Pse mund të themi që besimi na bën të kemi një jetë shpërblyese?

• Në ç’mënyrë besimi nxit paqen?

• Çfarë prove ka se besimi bën të mundur të qëndrojmë në mundime?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 16]

Besimi i dha Noesë dhe Enokut guximin për të shpallur mesazhet e Jehovait

[Figurat në faqen 17]

Besimi si ai i Moisiut na nxit të ndjekim synime frymore

[Figurat në faqen 18]

Siguria në ndihmën hyjnore ia forcoi besimin Barakut, Deborës dhe Gideonit