Po «dëgjojnë» lajmin e Mbretërisë në Brazil
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Po «dëgjojnë» lajmin e Mbretërisë në Brazil
ME QËLLIM që të shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë në bashkësinë e personave që nuk dëgjojnë, shumë Dëshmitarë të Jehovait në Brazil, kanë pranuar sfidën për të mësuar gjuhën braziliane të shenjave. Siç tregojnë përvojat vijuese, përpjekjet e tyre po japin rezultate të shkëlqyera.
Eva, * një grua që nuk dëgjon, në San-Paolo, filloi të mësonte gjuhën e shenjave, sepse ajo dhe tre fëmijët e saj filluan të jetonin me një person tjetër që nuk dëgjonte. Në një supermarket, Eva dhe i dashuri i saj takuan një grup Dëshmitarësh që nuk dëgjojnë të cilët i ftuan në mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Ata pranuan duke menduar se do të ishte një veprimtari shoqërore.
Për shkak të njohurisë së kufizuar të gjuhës së shenjave, Eva kuptoi shumë pak nga ajo që u tha në mbledhje. Më pas, disa Dëshmitarë e ftuan atë në shtëpinë e tyre për të ngrënë diçka të lehtë. Duke përdorur pikturat në broshurën Gëzo jetën në tokë përgjithmonë!, ata i shpjeguan premtimin e Perëndisë për një parajsë të ardhshme tokësore. Evës i pëlqeu ajo që mësoi dhe filloi të ndiqte mbledhjet rregullisht.
Pak pas kësaj, Eva e la të dashurin, me qëllim që të jetonte sipas normave biblike. Pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër i familjes, vazhdoi të bënte përparim frymor dhe u pagëzua në vitin 1995. Gjashtë muaj më vonë, Eva u regjistrua si pioniere, ose lajmëtare e Mbretërisë në kohë të plotë. Që atëherë, ka ndihmuar katër persona që nuk dëgjojnë deri në pikën e kushtimit dhe të pagëzimit.
Karlosi që kur lindi nuk mund të dëgjonte. Që në fëmijëri, ai u përzie me drogën, imoralitetin dhe vjedhjen. Meqenëse e kishin kërcënuar anëtarët e bandës rivale, iku në San-Paolo dhe qëndroi për disa kohë me Zhoaon. Zhoaoja, ashtu si Karlosi, nuk dëgjonte dhe bënte një jetë të çrregullt.
Disa vite më vonë, Karlosi mësoi lajmin e Mbretërisë, gjë kjo që e shtyu të vinte rregull në jetën e tij dhe të ligjëronte martesën. Pasi plotësoi kërkesat biblike, u pagëzua në simbol të kushtimit të tij ndaj Jehovait. Ndërkohë Zhoaoja, pa dijeninë e Karlosit, kishte marrë lajmin e mirë e edhe ai kishte bërë ndryshime të mëdha në jetën e tij. Pasi mësoi që Jehovai nuk e miraton përdorimin e shëmbëlltyrave, ai e flaku koleksionin me shëmbëlltyra «shenjtorësh». Pasi braktisi mënyrën e mëparshme të jetesës, edhe Zhoaoja u pagëzua.
Sa të ngazëllyer ishin Karlosi dhe Zhoaoja kur u takuan në një Sallë Mbretërie dhe panë ndryshimet që kishte bërë secili! Tani që të dy janë kryefamiljarë të përgjegjshëm dhe shërbejnë si lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë.
Në Brazil tani ka 30 kongregacione dhe 154 grupe të gjuhës së shenjave me më shumë se 2.500 lajmëtarë, nga të cilët 1.500 veta nuk dëgjojnë. Në Brazil, në kongreset krahinore për ata që nuk dëgjojnë në vitin 2001,«Mësues të Fjalës së Perëndisë», morën pjesë më tepër se 3.000 veta dhe u pagëzuan 36 prej tyre. Me bekimin e Jehovait, shpresojmë që edhe shumë njerëz të tjerë që nuk dëgjojnë të pranojnë lajmin e Mbretërisë.
[Shënimi]
^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.