Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Puna e garantuar dhe e kënaqshme nën kërcënim

Puna e garantuar dhe e kënaqshme nën kërcënim

Puna e garantuar dhe e kënaqshme nën kërcënim

SIPAS Deklaratës universale të të drejtave të njeriut, të shpallur nga Kombet e Bashkuara, «e drejta për të punuar» është një e drejtë themelore për të gjithë njerëzit. Megjithatë, kjo e drejtë nuk garantohet gjithmonë. Puna e garantuar varet nga shumë gjëra, që nga gjendja e përgjithshme e ekonomisë së një vendi e deri te gjendja e tregut global. Sidoqoftë, shpesh, kur njerëzit humbin ose rrezikojnë të humbin punën, ndodhin demonstrata, trazira dhe greva. Pak vende bëjnë përjashtim. Edhe vetë fjala «punë», siç tha një shkrimtar, «është ashtu siç ka qenë gjithmonë, një fjalë që ngjall emocione të fuqishme».

Puna është e rëndësishme për shumë arsye. Përveçse na siguron të ardhura, ajo ndihmon në mirëqenien tonë mendore dhe emocionale. Puna kënaq dëshirën e njeriut për të qenë një pjesëtar frytdhënës i shoqërisë dhe për të pasur një qëllim në jetë. Gjithashtu na ndihmon që të kemi një masë respekti për veten. Prandaj, edhe disa njerëz që kanë shumë para për nevojat e tyre ose që u duhet të dalin në pension, parapëlqejnë që të vazhdojnë të punojnë. Po, puna është kaq e rëndësishme, saqë, kur ajo mungon, zakonisht shkakton probleme të rënda shoqërore.

Nga ana tjetër, ka nga ata njerëz të cilët e kanë një punë, por stresohen kaq shumë, saqë nuk provojnë më kënaqësi në të. Për shembull, për shkak të tregut të sotëm tepër konkurrues, një numër gjithnjë e më i madh firmash e kanë shkurtuar personelin me qëllim që të pakësojnë shpenzimet. Kjo mund të bëjë që të kërkohet më shumë nga punonjësit e mbetur, të cilët në këtë mënyrë duhet të bëjnë punë shtesë.

Teknologjia moderne, e cila mendohet se e bën jetën më të lehtë dhe punën më frytdhënëse, mund ta ketë shtuar tensionin në punë. Për shembull, kompjuterat, fakset dhe Interneti u japin mundësi njerëzve që ta vazhdojnë punën në shtëpi pas orarit, duke e bërë kështu të padallueshëm kufirin ndërmjet shtëpisë dhe vendit të punës. Një punonjës mendonte se biperi dhe celulari i firmës ku punonte ishin si një zinxhir i padukshëm, në skajin tjetër të të cilit ndodhej shefi.

Mjedisi i punës dhe gjendja ekonomike po ndryshojnë me shpejtësi. Për këtë arsye, shumë persona me moshë të shkuar kanë gjithnjë e më shumë frikë se mos shihen si të vjetëruar përpara kohe. Në lidhje me këtë, ish-komisionieri i të Drejtave të Njeriut, Kris Sidoti, tha: «Duket se ekziston mendimi që nëse nuk je nën 40 vjeç, nuk mund t’i përdorësh kompjuterat dhe teknologjinë e re.» Si pasojë, shumë punonjës të mirë të cilët më parë shiheshin si shumë të suksesshëm, tani gjykohen se janë tepër të moshuar për të qenë të dobishëm. Çfarë tragjedie!

Siç kuptohet, vitet e fundit qëndrimi i duhur ndaj punës dhe besnikëria ndaj firmës kanë pësuar tronditje. Revista franceze Liberation thotë: «Kur korporatat i përzënë nëpunësit e tyre me luhatjen më të vogël të bursës, atëherë besnikëria ndaj korporatës bëhet një gjë e së kaluarës. Natyrisht që të duhet të punosh, por për veten tënde dhe jo për firmën.»

Pavarësisht nga këto probleme në rritje, nevoja themelore e njeriut për të punuar vazhdon të ekzistojë. Prandaj, në këto kohë që po ndryshojnë me shpejtësi, në ç’mënyrë mund të kultivojë dikush një pikëpamje të ekuilibruar për punën dhe në të njëjtën kohë të ruajë ndjenjën e sigurisë dhe të kënaqësisë në punë?

[Figura në faqen 3]

Teknologjia moderne mund ta ketë shtuar tensionin në vendin e punës