Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Përse Bibla thotë që nëse dikush rrezikon të përdhunohet duhet të bërtasë?

Cilido që personalisht nuk e ka përjetuar asnjëherë tmerrin e sulmit të egër të një përdhunuesi, në të vërtetë kurrë nuk mund ta kuptojë se si ky sulm mund të ta shkatërrojë jetën. Kjo përvojë është kaq e tmerrshme për viktimën, saqë mund t’i shkaktojë vuajtje për gjithë jetën. * Një e re e krishtere, që disa vite më parë u sulmua nga një përdhunues, tregon: «Nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë as tmerrin e madh që provova atë natë dhe as tronditjen e rëndë që duhet të kapërcej që nga ajo kohë.» Siç mund të kuptohet, shumë persona as nuk duan të mendojnë rreth kësaj teme të frikshme. Megjithatë, rreziku i përdhunimit është një realitet i kësaj bote të ligë.

Bibla tregon për disa raste përdhunimesh dhe orvatjesh për përdhunim që ndodhën në të kaluarën. (Zanafilla 19:4-11; 34:1-7; 2 Samuelit 13:1-14) Ajo jep edhe këshilla se ç’duhet të bëjmë kur rrezikohemi të na përdhunojnë. Ajo që thotë Ligji për këtë çështje gjendet te Ligji i Përtërirë 22:23-27. Kjo përfshin dy rrethana. Në rastin e parë, një burrë gjeti një vajzë në qytet dhe ra në shtrat me të. Megjithatë vajza nuk thirri ose nuk bërtiti për ndihmë. Prandaj u quajt fajtore, «sepse, ndonëse ishte në qytet, nuk bërtiti». Nëse do të kishte bërtitur, njerëzit që gjendeshin aty afër mund të vinin ta shpëtonin. Në rastin e dytë, një burrë gjen një vajzë në arë, ku ai «e dhunon dhe shtrihet me të». Në mbrojtje e sipër, vajza «ka bërtitur, por nuk kishte njeri që ta shpëtonte». Ndryshe nga gruaja në rastin e parë, duket qartë që kjo e re nuk iu dorëzua veprimeve të personit që e sulmoi. Ajo i rezistoi me forcë, duke thirrur për ndihmë, megjithëse u mposht. Fakti që bërtiti tregonte se ishte një viktimë e pavullnetshme; nuk ishte fajtore për keqbërje.

Edhe pse, sot të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut, parimet e përmendura në të u sigurojnë atyre udhëheqje. Tregimi i mësipërm thekson rëndësinë e kundërshtimit e të thirrjes për ndihmë. Të bërtasësh kur rrezikon të përdhunohesh, edhe sot shihet si një veprim i mençur. Një ekspert në parandalimin e krimit tha: «Nëse një grua sulmohet, arma më e mirë që i mbetet është e bërtitura.» E bërtitura e gruas mund të tërheqë vëmendjen e të tjerëve që mund ta ndihmojnë ose mund të bëjë që keqbërësi të frikësohet dhe të largohet. Një e re e krishtere që u sulmua nga një përdhunues tha: «Bërtita me sa kisha fuqi dhe ai u zmbraps. Kur m’u afrua përsëri, bërtita dhe vrapova. Shpesh, në të kaluarën mendoja: ‘Si mund të më ndihmojë e bërtitura kur një burrë i fuqishëm më mbërthen, duke pasur vetëm një qëllim të tillë në mendje?’ Por kam mësuar se ajo është e efektshme.»

Madje edhe në rastin e trishtueshëm kur gruaja mposhtet dhe përdhunohet, përpjekjet e fuqishme dhe e bërtitura për ndihmë nuk janë të kota. Përkundrazi tregojnë se bëri gjithçka që mundej për t’iu kundërvënë keqbërësit. (Ligji i përtërirë 22:26) Pavarësisht nga kjo përvojë shumë e keqe, ajo mund të ketë ende një ndërgjegje të pastër e respekt për veten dhe të jetë e sigurt se është e pastër në sytë e Perëndisë. Përvoja e tmerrshme mund t’i lërë plagë emocionale, por dijenia se bëri gjithçka që mundej për t’i rezistuar sulmit, do ta ndihmojë shumë që dalëngadalë të shërohet.

Për të kuptuar zbatimin e Ligjit të përtërirë 22:23-27, duhet të pranojmë se ky tregim i shkurtër nuk përfshin të gjitha rrethanat e mundshme. Për shembull, nuk përmend rastin e një gruaje të sulmuar që nuk mund të bërtasë, sepse është memece, pa ndjenja, e paralizuar nga frika ose ia kanë mbyllur gojën me dorë apo me shirit ngjitës. Sidoqoftë, meqë Jehovai është në gjendje të vlerësojë të gjithë faktorët, duke përfshirë edhe motivet, ai i trajton këto raste me kuptueshmëri dhe drejtësi, sepse «në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi». (Ligji i Përtërirë 32:4) Ai është në dijeni të asaj që ndodhi në të vërtetë dhe të përpjekjeve të viktimës për t’i rezistuar keqbërësit. Prandaj, viktima që nuk mund të bërtiste, por megjithatë bëri ç’të mundte në rrethanat e saj, mund ta lërë çështjen në duart e Jehovait.​—Psalmi 55:22; 1 Pjetrit 5:7.

Megjithatë disa gra të krishtere të sulmuara dhe të dhunuara vuajnë vazhdimisht nga ndjenja e fajit. Kur kujtojnë atë ngjarje, ato mendojnë se duhet të kishin bërë më shumë për të parandaluar atë që ndodhi. Megjithatë, në vend që të fajësojnë veten, këto viktima duhet t’i luten Jehovait, t’i kërkojnë ndihmë dhe të kenë besim në dashamirësinë e tij të bollshme.​—Eksodi 34:6; Psalmi 86:5.

Prandaj, gratë e krishtere që po përballen me brengat emocionale nga përvoja e një përdhunimi, duhet të jenë të sigurta se Jehovai i kupton plotësisht ndjenjat e dhembshme që provojnë. Fjala e Perëndisë i siguron: «Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.» (Psalmi 34:18) Një ndihmë tjetër për të përballuar tronditjen mund të vijë duke pranuar empatinë e sinqertë dhe mbështetjen e përzemërt të bashkëbesimtarëve në kongregacionin e krishterë. (Jobi 29:12; 1 Selanikasve 5:14) Për më tepër, përpjekjet e viktimës për t’u përqendruar në mendime pozitive do ta ndihmojnë të përjetojë ‘paqen e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim’.​—Filipianëve 4:6-9.

[Shënimi]

^ par. 3 Edhe pse ky artikull flet për viktimat femra, parimet që trajtohen këtu zbatohen edhe për meshkujt që rrezikojnë të përdhunohen.