Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kultivojmë një pikëpamje të ekuilibruar për punën?

Si të kultivojmë një pikëpamje të ekuilibruar për punën?

Si të kultivojmë një pikëpamje të ekuilibruar për punën?

NË BOTËN e sotme të egër të tregjeve globale, të konkurrencës së pamëshirshme dhe të prodhimit në masë, ndodh që shumë njerëz nuk dëshirojnë të shkojnë në punë çdo ditë. Gjithsesi, ne duhet të kënaqemi me punën tonë. Përse? Sepse u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe Perëndia gjen kënaqësi në punën e tij. Për shembull, pasi Perëndia pa atë që kishte bërë në fund të gjashtë «ditëve», ose të periudhave të gjata kohore të krijimit, Zanafilla 1:31 thotë se «Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë».

Dashuria e Jehovait për punën është pa dyshim një nga arsyet që ai quhet ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) A nuk është e arsyeshme atëherë që, sa më shumë ta imitojmë atë, aq më të lumtur bëhemi? Në lidhje me këtë mbreti i Izraelit të lashtë, Solomoni, një ndërtues dhe organizues i jashtëzakonshëm, shkroi: «Çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.»​—Predikuesi 3:13.

Meqenëse njerëzit sot e ndryshojnë vendin e punës shpesh, të kultivosh një pikëpamje të shëndetshme e të ekuilibruar për punën mund të jetë një sfidë. Por Perëndia Jehova i bekon ata që i vënë veshin drejtimit të tij të dashur. (Psalmi 119:99, 100) Këta bëhen punonjës të vlefshëm e të besueshëm dhe për këtë arsye ka më pak të ngjarë që ta humbin punën. Po ashtu mësojnë që ta shohin jetën dhe punën jo vetëm nga këndvështrimi material, por edhe nga ai frymor. Kjo u jep mundësi atyre të marrin vendime të përgjegjshme në jetë dhe të shohin se lumturia dhe ndjenja e sigurisë nuk varen nga puna dhe nga tregu i punës, i cili shpesh është i paqëndrueshëm. (Mateu 6:31-33; 1 Korintasve 2:14, 15) Ajo i ndihmon të kultivojnë një qëndrim vërtet të ekuilibruar ndaj punës.

Të kultivojmë një qëndrim të perëndishëm ndaj punës

Disa njerëz janë të varur nga puna, duke e vënë atë mbi gjithçka tjetër. Të tjerë mezi presin të mbarojë dita e punës që të shkojnë në shtëpi. Cila është pikëpamja e ekuilibruar? Bibla përgjigjet: «Vlen më tepër një grusht me pushim se sa dy grushte me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën.» (Predikuesi 4:6) Në fakt, të stërmundohesh ose të punosh me orar të zgjatur, në vend që të sjellë dobi, shkakton probleme, është ‘një përpjekje për të kapur erën’. Përse? Sepse kjo mund të dëmtojë gjërat që na sjellin vërtet lumturi: marrëdhënien me familjen dhe miqtë, gjendjen frymore, shëndetin e madje jetëgjatësinë tonë. (1 Timoteut 6:9, 10) Pikëpamja e ekuilibruar është që të kënaqemi me më pak gjëra materiale, ndërkohë që gëzojmë në një masë të arsyeshme paqe, në vend që të rëndohemi nga dyfishi i punës dhe të stërmundohemi e të jemi në mjerim.

Kur Bibla na nxit të kemi këtë pikëpamje të ekuilibruar nuk po miraton dembelizmin. (Fjalët e urta 20:4) Dembelizmi na gërryen respektin për veten dhe respektin që mund të kenë të tjerët për ne. Ç’është më e keqja na dëmton marrëdhënien me Perëndinë. Bibla thotë hapur se ai që refuzon të punojë, as nuk meriton të hajë në kurriz të të tjerëve. (2 Selanikasve 3:10) Përkundrazi duhet të ndryshojë rrugë e të punojë shumë, të plotësojë në mënyrë të nderuar nevojat e tij dhe të atyreve që varen nga ai. Madje duke punuar shumë mund të jetë në gjendje të ndihmojë ata që janë vërtet në nevojë, praktikë kjo të cilën Fjala e Perëndisë e nxit.​—Fjalët e urta 21:25, 26; Efesianëve 4:28.

Të stërvitur që në fëmijëri për ta çmuar punën

Zakonet e mira të punës nuk vijnë rastësisht; ato mësohen që në fëmijëri. Prandaj Bibla i nxit prindërit: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.» (Fjalët e urta 22:6) Përveçse t’u lënë vetë një shembull të mirë si njerëz punëtorë, prindërit e mençur fillojnë t’i stërvitin të vegjlit e tyre duke u caktuar punë në shtëpi sipas moshës. Edhe pse fëmijët mund të mërziten nga disa punë shtëpie, ata do ta shohin veten si pjesëtarë të vlefshëm të familjes, sidomos kur mami dhe babi i lavdërojnë sepse e kanë bërë mirë një punë. Mjerisht, disa prindër bëjnë pothuajse gjithçka për fëmijët, ndoshta të shtyrë nga dashamirësia e gabuar. Këta prindër bëjnë mirë të meditojnë për Fjalët e urta (Proverbat) 29:21 që thotë: «Nëse dikush e llaston shërbëtorin [ose të birin] që në rini, më vonë, nga fundi i jetës së tij, ai do të bëhet madje bukëshkalë.» (BR)

Prindërit e ndërgjegjshëm interesohen thellë edhe për arsimimin e fëmijëve, duke i nxitur që të mësojnë e të punojnë shumë kur janë në shkollë. Kjo do t’u sjellë dobi të rinjve kur të hyjnë në punë.

Jini të mençur në zgjedhjen e punës

Ndonëse nuk thotë se ç’lloj pune të bëjmë, Bibla na jep udhëzime të shkëlqyera në mënyrë që të mos vihet në rrezik përparimi frymor, shërbimi ndaj Perëndisë dhe përgjegjësitë e tjera të rëndësishme. Për shembull, apostulli Pavël shkroi: «Koha që mbetet është shkurtuar. Që sot e tutje, ata . . . që përdorin këtë botë, [të jenë] si ata që nuk e përdorin plotësisht; sepse skena e kësaj bote po ndryshon.» (1 Korintasve 7:29-31) Në sistemin e tanishëm nuk ka asgjë të përhershme ose plotësisht të qëndrueshme. T’i japim atij gjithë kohën dhe energjitë tona është sikur t’i investojmë kursimet e tërë jetës në një shtëpi që është ndërtuar në një zonë ku ndodhin përmbytje. Ç’investim i pamatur do të ishte!

Përkthime të tjera të Biblës, frazën «që nuk e përdorin plotësisht» e përkthejnë «që nuk zhyten në të» dhe «që nuk janë plotësisht të zënë me to». (The Jerusalem Bible; Today’s English Version) Njerëzit e mençur kurrë nuk e humbin nga sytë faktin se koha e sistemit të tanishëm «është shkurtuar» dhe se po «të zhyten» ose të jenë «plotësisht të zënë» në të do të shkojnë në mënyrë të pashmangshme në zhgënjim dhe keqardhje.​—1 Gjonit 2:15-17.

‘Perëndia kurrsesi nuk do t’ju braktisë’

Jehovai i njeh nevojat tona madje më mirë sesa i njohim ne. Gjithashtu e di se ku jemi në rrjedhën e kohës për sa i përket plotësimit të qëllimit të tij. Për këtë arsye ai na kujton: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat e pranishme. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ » (Hebrenjve 13:5) Sa ngushëlluese janë këto fjalë! Duke imituar interesimin e dashur të Perëndisë për njerëzit, Jezui e kaloi një pjesë të madhe të Predikimit të tij të famshëm në Mal duke u mësuar dishepujve pikëpamjen e drejtë për punën dhe për gjërat materiale.​—Mateu 6:19-33.

Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’ua vënë veshin këtyre mësimeve. Për shembull, kur një punëdhënës e ftoi një Dëshmitar elektricist që të punonte rregullisht jashtë orarit, ai nuk pranoi. Përse? Sepse nuk donte që puna të ndërhynte në kohën që ia kushtonte familjes dhe gjërave frymore. Meqë ishte punonjës i shkëlqyer dhe i besueshëm, punëdhënësi e respektoi dëshirën e tij. Patjetër që jo gjithmonë gjërat do të përfundojnë në këtë mënyrë dhe dikush duhet të kërkojë një punë tjetër me qëllim që të mbajë një mënyrë të ekuilibruar jetese. Megjithatë, ata që e vendosin plotësisht besimin te Jehovai zakonisht shohin se sjellja dhe qëndrimi i tyre i mirë ndaj punës bën që të fitojnë pëlqimin e punëdhënësit.​—Fjalët e urta 3:5, 6.

Një kohë kur e gjithë puna do të jetë shpërblyese

Në sistemin e tanishëm të papërsosur, puna dhe e ardhmja e saj nuk do të jenë kurrë pa probleme dhe plotësisht të sigurta. Në fakt, gjërat mund të keqësohen ndërkohë që bota bëhet më e paqëndrueshme dhe ekonomia pëson luhatje ose madje edhe tronditje. Por kjo gjendje është e përkohshme. Së shpejti askush nuk do të jetë pa punë. Ç’është më e rëndësishmja, e gjithë puna do të jetë vërtet tërheqëse dhe shpërblyese. Si është e mundur kjo? Çfarë do ta shkaktojë këtë ndryshim?

Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai tregoi që më përpara për këtë kohë. Jehovai tha: «Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje.» (Isaia 65:17) Ai po fliste për qeverinë e tij të re nën të cilën do të bëhet realitet një shoqëri njerëzore krejt e re dhe e ndryshme.​—Danieli 2:44.

Për sa i përket mënyrës se si do të jetojnë e do të punojnë njerëzit atëherë, profecia vazhdon: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimtarët e tyre bashkë me ata.»​—Isaia 65:21-23.

Ç’ndryshim që do të sjellë bota e re që ka përgatitur Perëndia! A nuk do të donit të jetonit në një botë të tillë, në një botë ku ‘nuk do të lodheni më kot’, por do të gëzoni plotësisht «frytin» e mundit tuaj? Megjithatë vini re se cilët do t’i gëzojnë këto bekime: «Do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit [Jehovait, BR].» Edhe ju mund të jeni midis «të bekuarve», duke mësuar për Jehovain dhe duke plotësuar kërkesat e tij. Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Dëshmitarët e Jehovait do të ishin të lumtur t’ju ndihmonin që të fitoni këtë njohuri jetëdhënëse me anë të një studimi të rregullt të Fjalës së Perëndisë, të Biblës.

[Kutia në faqen 6]

«I KËRKOJNË VAZHDIMISHT»

«Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.» (Kolosianëve 3:23) Sigurisht që një person, qëndrimi i të cilit ndaj punës drejtohet nga ky parim i shkëlqyer, do të ishte një punonjës i dëshiruar. Për këtë arsye J. J. Luna, në librin e tij How to Be Invisible (Si të jemi të padukshëm), i këshillon punëdhënësit që po kërkojnë punëtorë, të kërkojnë pjesëtarët aktivë të disa grupeve fetare. Por ai shton: «Në fakt, zakonisht vendosim të punësojmë Dëshmitarë [të Jehovait].» Ndër arsyet që jep ai është se Dëshmitarët janë shumë të njohur për ndershmërinë e tyre dhe prandaj «i kërkojnë vazhdimisht» në fusha të ndryshme.

[Figurat në faqen 5]

Drejtpeshimi i punës me veprimtaritë frymore dhe zbavitjen sjell kënaqësi