Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Altari: Ç’vend zë në adhurim?

Altari: Ç’vend zë në adhurim?

Altari: Ç’vend zë në adhurim?

A E QUANI altarin pjesë themelore të adhurimit tuaj? Për shumë veta që shkojnë në kishat e të ashtuquajturit krishterim, altari mund të jetë qendra e vëmendjes. A keni shqyrtuar ndonjëherë se çfarë zbulon Bibla për përdorimin e altarëve në adhurim?

Altari i parë i përmendur në Bibël është ai që ndërtoi Noeja për të flijuar kafshë kur doli nga arka, pas Përmbytjes. *​—Zanafilla 8:20.

Pas ngatërrimit të gjuhëve në Babel, njerëzimi u shpërnda në gjithë sipërfaqen e tokës. (Zanafilla 11:1-9) Meqë kishin një prirje të lindur për të adhuruar, njerëzit u përpoqën t’i afroheshin Perëndisë, të cilin e njihnin gjithnjë e më pak, duke ‘e kërkuar me të prekur’ si të ishin të verbër. (Veprat 17:27; Romakëve 2:14, 15) Që nga koha e Noesë, shumë popuj u kanë ndërtuar altarë hyjnive të tyre. Fetë e popujt i kanë përdorur altarët në adhurimin e rremë. Meqenëse ishin të larguar nga Perëndia i vërtetë, disa i kanë përdorur altarët për rite të tmerrshme, ku përfshiheshin viktima njerëzore e madje edhe fëmijë. Kur largoheshin nga Jehovai, disa mbretër në Izrael u ngrinin altarë perëndive pagane, si Baalit. (1 Mbretërve 16:29-32) Por, ç’të themi për përdorimin e altarëve në adhurimin e vërtetë?

Altarët dhe adhurimi i vërtetë në Izrael

Pas Noesë pati burra të tjerë besimplotë që ndërtuan altarë për t’i përdorur në adhurimin që i bënin Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Abrahami ndërtoi altarë në Shekem, në një vend afër Bethelit, në Hebron dhe në malin Moriah, ku flijoi një dash që Perëndia ia siguroi në vend të Isakut. Më vonë, edhe Isaku, Jakobi e Moisiu ndërtuan me nismën e tyre altarë për t’i përdorur në adhurimin që i bënin Perëndisë.​—Zanafilla 12:6-8; 13:3, 18; 22:9-13; 26:23-25; 33:18-20; 35:1, 3, 7; Eksodi 17:15, 16; 24:4-8.

Kur Perëndia i dha popullit të Izraelit Ligjin e tij, i urdhëroi të ndërtonin tabernakullin, një tendë të lëvizshme, e cila quhej edhe «tenda e mbledhjes». Ajo ishte veçoria kryesore e rregullit që kishte vënë Perëndia për t’iu afruar. (Eksodi 39:32, 40) Tabernakulli ose tenda kishte dy altarë. Ai që përdorej për blatimet e djegura, i bërë me dru akacieje dhe i veshur me bakër, ishte vendosur në hyrje dhe përdorej për të flijuar kafshë. (Eksodi 27:1-8; 39:39; 40:6, 29) Altari i temjanit, i bërë edhe ky me dru akacieje, por i veshur me ar, ishte vendosur brenda tabernakullit, para perdes së Më të Shenjtës. (Eksodi 30:1-6; 39:38; 40:5, 26, 27) Një temjan i veçantë digjej në këtë altar dy herë në ditë, në mëngjes e në mbrëmje. (Eksodi 30:7-9) Tempulli, që ishte një ndërtesë e jo diçka e lëvizshme si tabernakulli, u ndërtua nga mbreti Solomon. Ai u ndërtua sipas projektit të tabernakullit, prandaj kishte dy altarë.

‘Tenda e vërtetë’ dhe altari simbolik

Kur ia dha Izraelit Ligjin, Jehovai nuk siguroi vetëm rregulla për të drejtuar jetën e popullit të tij dhe mënyrën se si i bënin atij flijime e lutje. Shumë nga masat që gjendeshin në të përbënin atë që apostulli Pavël e quajti «një paraqitje tipike», «një ilustrim» ose «hije të gjërave qiellore». (Hebrenjve 8:3-5; 9:9; 10:1; Kolosianëve 2:17) Me fjalë të tjera, shumë aspekte të Ligjit jo vetëm që i udhëhoqën izraelitët deri në ardhjen e Krishtit, por edhe treguan paraprakisht qëllimet e Perëndisë që do të përmbusheshin nëpërmjet Jezu Krishtit. (Galatasve 3:24) Po, disa aspekte të Ligjit kishin vlerë profetike. Për shembull, qengji i Pashkës, gjaku i të cilit përdorej si shenjë shpëtimi për izraelitët, parafytyronte Jezu Krishtin. Ai është «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës», gjaku i të cilit u derdh për të na çliruar nga mëkati.​—Gjoni 1:29; Efesianëve 1:7.

Shumë gjëra që lidheshin me shërbimin në tabernakull e në tempull paraqitnin realitetet frymore. (Hebrenjve 8:5; 9:23) Në të vërtetë, Pavli shkruan për ‘tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu’. Ai vazhdon: «Krishti erdhi si kryeprift i gjërave të mira që kanë ndodhur, nëpër tendën më të madhe dhe më të përsosur të bërë jo me duar, domethënë, jo e këtij krijimi.» (Hebrenjve 8:2; 9:11) ‘Tenda më e madhe dhe më e përsosur’ ishte rregulli i tempullit të madh frymor të Jehovait. Gjuha që përdorin Shkrimet tregon se tempulli i madh frymor është rregulli me anë të të cilit njerëzit mund t’i afrohen Jehovait në bazë të flijimit shlyes të Jezu Krishtit.​—Hebrenjve 9:2-10, 23-28.

Kur mësojmë nga Fjala e Perëndisë se disa masa dhe rregulla të Ligjit paraqesin realitete më të mëdha e më domethënëse, patjetër që kjo na e forcon besimin se Bibla është e frymëzuar. Gjithashtu, na e shton çmueshmërinë për mençurinë hyjnore që shfaqet në mënyrë të pashoqe në Shkrime.​—Romakëve 11:33; 2 Timoteut 3:16.

Altari i blatimeve të djegura ka edhe vlerë profetike. Duket se ai paraqet «vullnetin» e Perëndisë ose gatishmërinë e tij për të pranuar flijimin e përsosur njerëzor të Jezuit.​—Hebrenjve 10:1-10.

Më pas, po në librin e Hebrenjve, Pavli bën këtë koment interesant: «Ne kemi një altar, nga i cili nuk kanë fare autoritet të hanë ata që bëjnë shërbim të shenjtë në tendë.» (Hebrenjve 13:10) Për cilin altar po fliste?

Shumë interpretues katolikë pohojnë se altari i përmendur te Hebrenjve 13:10 është ai që përdoret për Eukaristinë. Kjo ishte një «ceremoni e shenjtë» me anë të së cilës thuhet se flijimi i Krishtit përsëritet gjatë meshës. Por nga konteksti mund ta shihni se altari për të cilin po fliste Pavli është simbolik. Disa studiues thonë se termi «altar» në këtë shkrim ka kuptim të figurshëm. Për Xhuzepe Bonsirvenin, i cili është jezuit, «kjo përputhet plotësisht me gjithë simbolikën e letrës [drejtuar hebrenjve]». Ai komenton: «Në gjuhën e krishterë, fjala ‘altar’ fillimisht përdorej në kuptimin jo të mirëfilltë dhe, vetëm pas Ireneut e sidomos pas Tertulianit e shën Ciprianit, filloi të përdorej për Eukaristinë e më specifike për tryezën e Eukaristisë.»

Siç thuhet në një revistë katolike, përdorimi i altarit u përhap në «epokën e Kostandinit» me «ndërtimin e bazilikave». Rivista di Archeologia Cristiana (Revista e Arkeologjisë së Krishterë) komentonte: «Është e sigurt se për dy shekujt e parë, askush nuk mund të flasë për ndonjë vend të caktuar adhurimi, por për grumbullime liturgjike të mbajtura në dhoma nëpër shtëpi private . . . , që në fund të ceremonisë riktheheshin menjëherë në funksionin e tyre fillestar.»

Përdorimi i altarit në të ashtuquajturin krishterim

«Altari,​—thuhet në gazetën katolike La Civiltà Cattolica​—është pjesa qendrore jo vetëm e ndërtesës së kishës, por edhe e Kishës së gjallë.» E megjithatë Jezu Krishti nuk themeloi as edhe një ceremoni fetare që duhej kryer në ndonjë altar, as nuk i urdhëroi dishepujt e tij të kryenin ceremoni duke përdorur një të tillë. Fakti që Jezui e përmend altarin te Mateu 5:23, 24 e në vende të tjera i referohet praktikave fetare që mbizotëronin te judenjtë, por nuk tregon se ithtarët e tij duhej ta adhuronin Perëndinë duke përdorur një altar.

Historiani amerikan Xhorxh Fut Mur (1851-1931) shkroi: «Aspektet kryesore të adhurimit të krishterë ishin gjithnjë të njëjtat, por me kalimin e kohës ritet e thjeshta që përshkruante Justini në mesin e shekullit të dytë u ndërlikuan derisa u kthyen në një kult madhështor e hijerëndë.» Ritet dhe ceremonitë publike katolike janë kaq të shumta e të ndërlikuara, sa përbëjnë një lëndë studimi në seminaret katolike, liturgjinë. Historiani Mur vazhdonte: «Kjo prirje, pjesë përbërëse e të gjitha riteve, u shtua më tej nga ndikimi i Besëlidhjes së Vjetër, kur kleri i krishterë filloi të shihej si pasardhës i priftërisë së sistemit të mëparshëm fetar. Veshjet madhështore të kryepriftit, veshjet ceremoniale të priftërinjve të tjerë, procesionet solemne, koret e këngëtarëve levitikë që këndonin psalme, temjani që digjej në temjanicën që tundte prifti​—që të gjitha dukeshin një model hyjnor i adhurimit fetar. Ky model e justifikonte kishën që t’i bënte konkurrencë pompozitetit të kulteve të lashta.»

Ndoshta do të habiteni po të merrni vesh se shumë rite, ceremoni, veshje dhe sende të tjera të përdorura në adhurim nga kishat e ndryshme nuk ndjekin mësimet e krishtere që gjejmë në ungjij, por zakonet dhe ritet e judenjve dhe të paganëve. Enciclopedia Cattolica thotë se katolicizmi «e ka trashëguar përdorimin e altarit nga judaizmi dhe pjesërisht nga paganizmi». Minukius Feliksi, një apologjet i shekullit të tretë të e.s. shkroi se të krishterët ‘s’kishin as tempuj, as altarë’. Edhe fjalori enciklopedik Religioni e Miti (Fe the mite) shton: «Të krishterët e hershëm e hodhën poshtë përdorimin e altarit, me qëllim që të veçoheshin nga adhurimi judaik e pagan.»

Meqenëse krishterimi mbi të gjitha bazohej në parimet që duheshin pranuar dhe zbatuar në jetën e përditshme dhe në çdo vend, nuk kishte më nevojë për një qytet të shenjtë në tokë ose për një tempull fizik me altar, as për priftërinj njerëzorë me rangje të veçanta, të veshur me rroba fetare madhështore. «Po vjen ora,​—tha Jezui,​—kur ju nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. . . . Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:21, 23) Duke bërë rite të ndërlikuara dhe duke përdorur altarë, shumë kisha shpërfillin atë që tha Jezui për mënyrën se si duhet adhuruar Perëndia i vërtetë.

[Shënimi]

^ par. 3 Edhe më parë Kaini dhe Abeli mund t’ia kenë bërë blatimet e tyre Jehovait duke përdorur altarë.​—Zanafilla 4:3, 4.