Pse duhet ta kremtojmë Darkën e Zotërisë?
Pse duhet ta kremtojmë Darkën e Zotërisë?
«Unë mora nga Zotëria atë që ju transmetova edhe juve.»—1 Korintasve 11:23.
1, 2. Çfarë bëri Jezui natën e Pashkës së vitit 33 të e.s.?
NË ATË rast ishte i pranishëm Biri i vetëmlindur i Jehovait. Gjithashtu ishin edhe 11 burra që ‘kishin qëndruar bashkë me të në sprovat e tij’. (Luka 22:28) Ishte e enjte, 31 mars i vitit 33 të e.s. Atë mbrëmje ndoshta hëna e plotë zbukuronte qiellin e Jerusalemit. Jezu Krishti dhe apostujt sapo kishin kremtuar Pashkën. Tradhtarin Juda Iskarioti e kishin larguar, por ky nuk ishte çasti që të largoheshin edhe të tjerët. Pse? Sepse Jezui do të bënte diçka shumë të rëndësishme. Çfarë?
2 Le të na e thotë Mateu, shkrimtari i ungjillit, i cili ishte i pranishëm. Ai shkroi: «Jezui mori një bukë dhe pasi tha një bekim, e theu dhe duke ua dhënë dishepujve, tha: ‘Merrni, hani. Kjo përfaqëson trupin tim.’ Mori, gjithashtu, një kupë dhe pasi dha falënderime, ua dha atyre, duke thënë: ‘Pini prej saj, të gjithë ju; sepse kjo përfaqëson «gjakun tim të besëlidhjes», që ka për t’u derdhur në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.’ » (Mateu 26:26-28) A duhej të ishte kjo një ngjarje që do të ndodhte vetëm një herë? Cila ishte domethënia e saj? A ka ndonjë kuptim për ne sot?
«Vazhdoni ta bëni këtë»
3. Pse ishte e rëndësishme ajo që bëri Jezui natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s.?
3 Ajo që bëri Jezu Krishti natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s. nuk ishte thjesht një ndodhi e rastësishme në jetën e tij. Apostulli Pavël foli për të kur u shkroi të krishterëve të mirosur në Korint, të cilët më shumë se 20 vjet më pas po e ndiqnin ende atë model. Edhe pse Pavli nuk kishte qenë me Jezuin dhe 11 apostujt në vitin 33 të e.s., sigurisht që e kishte marrë vesh prej disa apostujve se çfarë kishte ndodhur në atë 1 Korintasve 11:23-25.
rast. Për më tepër, Pavlit i ishin vërtetuar qartë me anë të një zbulese hyjnore veçoritë e asaj ngjarjeje. Ai tha: «Unë mora nga Zotëria atë që ju transmetova edhe juve, se Zotëria Jezu, natën që do të tradhtohej, mori një bukë dhe pasi dha falënderime, e theu dhe tha: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që është për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.’ Ai bëri po ashtu edhe me kupën, pasi hëngri darkën, duke thënë: ‘Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim. Vazhdoni ta bëni këtë, sa herë që ta pini, në përkujtimin tim.’ »—4. Pse të krishterët duhet ta kremtojnë Darkën e Zotërisë?
4 Shkrimtari i ungjillit, Luka, vërteton se Jezui urdhëroi: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» (Luka 22:19) Këto fjalë janë përkthyer edhe: «Bëjeni këtë në kujtimin tim.» (Today English Version) Në fakt ky kremtim quhet shpesh Përkujtimi i vdekjes së Krishtit. Po ashtu Pavli e quan Darka e Zotërisë, një shprehje e përshtatshme meqë u themelua në mbrëmje. (1 Korintasve 11:20) Të krishterëve u është urdhëruar ta kremtojnë Darkën e Zotërisë. Por, pse u themelua ky kremtim?
Pse u themelua?
5, 6. (a) Cila ishte një arsye që Jezui themeloi Përkujtimin? (b) Thoni një arsye tjetër se përse u themelua Darka e Zotërisë.
5 Një arsye që u themelua Përkujtimi kishte të bënte me një qëllim që përfshihej në vdekjen e Jezuit. Ai vdiq si përkrahës i sovranitetit të Atit të tij qiellor. Në këtë mënyrë Krishti tregoi se Satana Djalli, i cili hodhi akuzën e rreme se njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për motive egoiste, është gënjeshtar. (Jobi 2:1-5) Vdekja besnike e Jezuit tregoi se ky pohim ishte i rremë dhe ia gëzoi zemrën Jehovait.—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.
6 Një arsye tjetër që u themelua Darka e Zotërisë ishte për të na kujtuar se nëpërmjet vdekjes së tij si njeri i përsosur dhe pa mëkat, Jezui ‘dha shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave’. (Mateu 20:28) Kur njeriu i parë mëkatoi kundër Perëndisë, humbi jetën e përsosur njerëzore bashkë me perspektivat e saj për të ardhmen. Sidoqoftë Jezui tha: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Vërtet, «paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë». (Romakëve 6:23) Kremtimi i Darkës së Zotërisë na kujton dashurinë e madhe që tregoi Jehovai dhe Biri i tij në rastin e vdekjes flijuese të Jezuit. Sa mirënjohës duhet të jemi për këtë dashuri!
Kur duhet kremtuar?
7. Në ç’kuptim sa herë që të krishterët e mirosur marrin pjesë në Përkujtim vazhdojnë të shpallin vdekjen e Zotërisë?
7 Pavli tha në lidhje me Darkën e Zotërisë: «Sa herë që hani këtë bukë e pini këtë kupë, ju vazhdoni të shpallni vdekjen e Zotërisë, derisa ai të mbërrijë.» (1 Korintasve 11:26) Secili nga të krishterët e mirosur do të merrte emblemat e Përkujtimit derisa të vdiste. Në këtë mënyrë do të shpallnin vazhdimisht përpara Perëndisë Jehova dhe botës, besimin te masa e Perëndisë, pra te flijimi shpërblerës i Jezuit.
8. Deri kur duhej ta kremtonte Darkën e Zotërisë grupi i të krishterëve të mirosur?
8 Deri kur do ta kremtonte Përkujtimin e vdekjes së Krishtit grupi i të krishterëve të mirosur? «Derisa ai të mbërrijë»,—tha Pavli, i cili me sa duket donte të thoshte se këto kremtime do të vazhdonin derisa të vinte Jezui për të marrë në qiell ithtarët e mirosur me anë të ringjalljes gjatë ‘pranisë’ së tij. (1 Selanikasve 4:14-17) Kjo është në harmoni me fjalët e Jezuit drejtuar 11 apostujve besnikë: «Nëse shkoj e ju përgatit një vend, do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku jam unë, të jeni edhe ju.»—Gjoni 14:3.
9. Çfarë nënkuptohet nga fjalët e Jezuit të dokumentuara te Marku 14:25?
Marku 14:25) Meqenëse Jezui nuk do të pinte verë të mirëfilltë në qiell, patjetër që kishte në mendje gëzimin i cili ndonjëherë simbolizohet nga vera. (Psalmi 104:15; Predikuesi [Eklisiastiu] 10:19) Për Jezuin dhe ithtarët e tij të ishin së bashku në Mbretërinë do të ishte një përvojë e gëzueshme që mezi e pritnin.—Romakëve 8:23; 2 Korintasve 5:2.
9 Kur Jezui themeloi Përkujtimin, duke folur për kupën me verë, u tha apostujve besnikë: «Unë nuk do të pi më kurrsesi nga fryti i hardhisë, deri atë ditë kur ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë.» (10. Sa herë duhet kremtuar Përkujtimi?
10 A duhet përkujtuar vdekja e Jezuit çdo muaj, çdo javë ose madje çdo ditë? Jo. Jezui e themeloi Darkën e Zotërisë dhe u vra ditën e Pashkës, e cila kremtohej «si përkujtim» i çlirimit të Izraelit nga robëria egjiptiane në vitin 1513 p.e.s. (Eksodi [Dalja] 12:14, BR) Pashka mbahej vetëm një herë në vit, ditën e katërmbëdhjetë të muajit judaik nisan. (Eksodi 12:1-6; Levitiku 23:5) Kjo tregon se vdekja e Jezuit duhet kremtuar po aq herë sa Pashka, pra çdo vit dhe jo çdo muaj, çdo javë ose çdo ditë.
11, 12. Çfarë zbulon historia për kremtimet e hershme të Përkujtimit?
11 Pra është e përshtatshme që Përkujtimi të kremtohet çdo vit më 14 nisan. Një vepër referimi thotë: «Të krishterët në Azinë e Vogël quheshin katërmbëdhjetëshit [ata të ditës së katërmbëdhjetë] për shkak të zakonit që ta kremtonin gjithmonë Pashkën [Darkën e Zotërisë] më 14 nisan . . . Kjo datë mund të binte të premten ose në çdo ditë tjetër të javës.»—The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, vëllimi IV, faqja 44.
12 Në komentin e tij për zakonin e shekullit të dytë të e.s., historiani Xh. L. fon Moshaim thotë se katërmbëdhjetëshit e kremtonin Përkujtimin më 14 nisan, sepse «e shihnin shembullin e Krishtit si të kishte forcën e ligjit». Një historian tjetër thotë: «Zakoni i kishave të katërmbëdhjetëshve në Azi përputhej me atë të kishës së Jerusalemit. Në shekullin e dytë, në Pashkën e tyre më 14 nisan, këto kisha kremtonin shpengimin që vinte nga vdekja e Krishtit.»—Studia Patristica, vëllimi V, 1962, faqe 8.
Domethënia e bukës
13. Çfarë buke përdori Jezui kur themeloi Darkën e Zotërisë?
13 Kur Jezui themeloi Përkujtimin, «ai mori një bukë, tha një bekim, e theu, ua dha [apostujve]». (Marku 14:22) Buka që ishte në dispozicion në atë rast ishte e njëjtë me bukën që sapo ishte përdorur për Pashkën. (Eksodi 13:6-10) Ngaqë ishte përgatitur pa maja, ajo ishte si petë dhe e brishtë dhe duhej thyer për ta shpërndarë. Kur Jezui me anë të një mrekullie shumoi bukë për mijëra veta, edhe ajo ishte si biskotë, e thatë, sepse e theu për ta shpërndarë. (Mateu 14:19; 15:36) Pra, me sa duket, thyerja e bukës së Përkujtimit nuk ka ndonjë domethënie frymore.
14. (a) Pse është e përshtatshme që buka e Përkujtimit të jetë pa maja? (b) Çfarë buke mund të sigurohet ose të përgatitet për Darkën e Zotërisë?
14 Jezui tha për bukën që përdori kur themeloi Përkujtimin: «Kjo përfaqëson trupin tim, që është për ju.» (1 Korintasve 11:24; Marku 14:22) Ishte e përshtatshme që buka të ishte pa maja. Pse? Sepse majaja mund të paraqesë të keqen, ligësinë ose mëkatin. (1 Korintasve 5:6-8) Buka përfaqësonte trupin njerëzor pa mëkat e të përsosur të Jezuit, i cili në mënyrë të përshtatshme u ofrua si flijim shpërblerës. (Hebrenjve 7:26; 10:5-10) Dëshmitarët e Jehovait e kanë parasysh këtë dhe ndjekin shembullin e lënë nga Jezui duke përdorur bukë pa maja në kremtimet e Përkujtimit. Në disa raste përdorin një lloj buke të gatshme judaike matzo që nuk ka përbërës të tjerë si qepë ose vezë. Në rast të kundërt mund të bëjnë bukë pa maja duke përdorur një sasi të vogël mielli me krunde (kur është e mundur, miell gruri) të përzier me pak ujë. Brumi duhet punuar si një petë e hollë dhe mund të piqet në një tepsi të lyer me pak vaj, derisa të thahet dhe të bëhet i brishtë.
Domethënia e verës
15. Çfarë kishte në kupën që përdori Krishti kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij?
15 Pasi kaloi bukën pa maja, Jezui mori një kupë, «ofroi falënderime dhe ua dha [apostujve], e të gjithë ata pinë prej saj». Ai shpjegoi: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që ka për t’u derdhur në dobi të shumë vetave.» (Marku 14:23, 24) Çfarë kishte në kupë? Verë të fermentuar dhe jo lëng rrushi të pafermentuar. Kur Shkrimet përmendin verën nuk e kanë fjalën për lëngun e pafermentuar të rrushit. Për shembull, siç tha Jezui, vera e fermentuar mund t’i çajë ‘calikët e vjetër të verës’, por jo lëngu i rrushit. Po ashtu armiqtë e akuzuan Krishtin se ishte «i dhënë pas verës». Kjo do të kishte qenë një akuzë pa kuptim, nëse vera do të ishte thjesht lëng rrushi. (Mateu 9:17; 11:19) Vera pihej gjatë kremtimit të Pashkës dhe Krishti e përdori kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij.
16, 17. Ç’lloj vere është e përshtatshme për kremtimet e Përkujtimit dhe pse?
16 Vetëm vera e kuqe është simbol i përshtatshëm i asaj që përfaqëson përmbajtja e kupës, domethënë gjakun e derdhur të Jezuit. Vetë ai tha: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që ka për t’u derdhur në dobi të shumë vetave.» Edhe apostulli Pjetër shkroi: «Ju [të krishterë të mirosur] e dini se u çliruat nga mënyra e pafryt e sjelljes që ju lanë paraardhësit me anë të traditës, jo me gjëra të prishshme, me argjend ose ar, por me gjak të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, po, të Krishtit.»—1 Pjetrit 1:18, 19.
17 Pa dyshim që vera që përdori Jezui kur themeloi Përkujtimin ishte verë e kuqe rrushi. Megjithatë disa verëra të sotme të kuqe janë të papranueshme, sepse janë të forcuara me alkool a konjak ose u janë shtuar barëra dhe erëza. Gjaku i Jezuit ishte i mjaftueshëm, nuk kishte nevojë të shtohej asnjë gjë. Prandaj verëra të tilla, si: porto, sheri dhe vermuti nuk do të ishin të përshtatshme. Kupa e Përkujtimit duhet të përmbajë verë të kuqe që nuk është ëmbëlsuar dhe forcuar. Mund të përdoren verëra të kuqe rrushi, të cilat nuk janë ëmbëlsuar dhe janë bërë vetë ose verëra të tjera të kuqe (të tilla si red burgundy dhe claret).
18. Pse Jezui nuk kreu një mrekulli me bukën dhe verën e Përkujtimit?
18 Kur themeloi Darkën e Zotërisë Jezui nuk kreu një mrekulli duke i shndërruar emblemat në mish dhe gjak të mirëfilltë. Të haje mish njeriu dhe të pije gjakun e tij do të përbënte kanibalizëm, një dhunim të ligjit të Perëndisë. (Zanafilla 9:3, 4; Levitiku 17:10) Atë mbrëmje, Jezui e kishte ende krejt trupin dhe gjakun e tij. Trupi u ofrua si flijim i përsosur dhe gjaku u derdh pasditen tjetër të së njëjtës ditë judaike, 14 nisanit. Prandaj buka dhe vera e Përkujtimit janë simbole që përfaqësojnë mishin dhe gjakun e Krishtit. *
Përkujtimi—një darkë e përbashkët
19. Pse mund të përdoren më shumë se një pjatë dhe një kupë në kremtimin e Darkës së Zotërisë?
19 Kur themeloi Përkujtimin Jezui i ftoi apostujt besnikë të pinin nga e njëjta kupë. Ungjilli i Mateut thotë: «[Jezui] mori, gjithashtu, një kupë dhe pasi dha falënderime, ua dha atyre, duke thënë: ‘Pini prej saj, të gjithë ju!’ » (Mateu 26:27) Meqë në atë rast ishin vetëm 11 pjesëmarrës në një tryezë të vetme dhe mund ta kalonin shpejt kupën te njëri-tjetri, nuk përbënte një problem të përdorej vetëm «një kupë» dhe jo disa. Këtë vit në Darkën e Zotërisë do të mblidhen miliona njerëz në më tepër se 94.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Me kaq mbledhje brenda një nate për këtë kremtim nuk mund të përdoret vetëm një kupë për të gjithë. Por parimi ruhet në kongregacione të mëdha duke përdorur disa kupa me qëllim që ato të mund të kalohen nëpër auditor brenda një kohe të arsyeshme. Edhe për bukën mund të përdoren disa pjata. Asgjë në Shkrime nuk tregon që kupa ose gota e verës duhet të ketë ndonjë formë të veçantë. Sidoqoftë, ajo dhe pjata duhet të pasqyrojnë dinjitetin e kësaj ngjarjeje. Do të ishte e mençur që kupa të mos mbushej aq shumë me verë, sa të rrezikonte të derdhej kur të kalohej.
20, 21. Pse mund të themi se Përkujtimi është një darkë e përbashkët?
20 Megjithëse mund të përdoren më shumë se një pjatë me bukë dhe një kupë me verë, Përkujtimi është një darkë e përbashkët. Në Izraelin e lashtë një person mund të mbante një darkë të përbashkët, duke sjellë një kafshë në shenjtëroren e Perëndisë, ku edhe therej. Një pjesë e kafshës digjej në altar, një tjetër i jepej priftit që shërbente dhe tjetra u jepej priftërinjve që ishin bij të Aaronit. Këta të fundit hanin bashkë me personin dhe familjen e tij. (Levitiku 3:1-16; 7:28-36) Edhe përkujtimi është një darkë e përbashkët, sepse përfshin pjesëmarrjen e shumë personave bashkë.
21 Jehovai përfshihet në këtë darkë të përbashkët si Autori i kësaj mase. Jezui është flijimi dhe të krishterët e mirosur përfshihen duke marrë emblemat. Ngrënia në tryezën e Jehovait do të thotë se pjesëmarrësit janë në paqe me të. Për këtë arsye Pavli shkroi: «A nuk është kupa e bekimit, që ne bekojmë, një pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? A nuk është buka që ne thyejmë, një pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Meqë ka një bukë të vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm, sepse të gjithë po marrim pjesë nga ajo bukë e vetme.»—1 Korintasve 10:16, 17.
22. Cilat pyetje rreth Përkujtimit mbeten për t’u shqyrtuar?
22 Darka e Zotërisë është i vetmi kremtim fetar i përvitshëm për Dëshmitarët e Jehovait. Kjo është e përshtatshme, sepse Jezui i urdhëroi ithtarët: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» Në ditën e Përkujtimit kremtojmë vdekjen e Jezuit, e cila mbështeti sovranitetin e Jehovait. Siç e kemi parë, në këtë darkë të përbashkët buka nënkupton trupin njerëzor të flijuar të Krishtit dhe vera gjakun e tij të derdhur. Por shumë pak veta i marrin emblemat, pra bukën dhe verën. Pse? A ka domethënie të vërtetë Përkujtimi për miliona të tjerë që nuk i marrin emblemat? Çfarë domethënieje duhet të ketë në të vërtetë Darka e Zotërisë për ju?
[Shënimi]
^ par. 18 Shihni librin Mendjehollësi për Shkrimet Vëllimi 2, faqja 271, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse e themeloi Jezui Darkën e Zotërisë?
• Sa shpesh duhet kremtuar Përkujtimi?
• Çfarë domethënieje ka buka pa maja e Përkujtimit?
• Çfarë përfaqëson vera e Përkujtimit?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 15]
Jezui themeloi Darkën e Zotërisë