Ata ngadhënjyen mbi përndjekjen
Ata ngadhënjyen mbi përndjekjen
FRIDA JESI ka lindur në Danimarkë në vitin 1911. Që andej u shpërngul me prindërit në Husum, në veri të Gjermanisë. Vite më vonë gjeti një punë në Magdeburg dhe në vitin 1930 u pagëzua si një Studente e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Hitleri erdhi në pushtet më 1933, dhe për Fridën kjo ngjarje shënoi fillimin e 23 vjetëve të keqtrajtimit jo vetëm nga duart e njërës, por të dy qeverive totalitare.
Në mars të 1933-shit, qeveria gjermane shpalli zgjedhjet e përgjithshme. Dr. Detlef Garbe, drejtori i Muzeut të Kampit të Përqendrimit të Noingamit, pranë Hamburgut, shpjegon: «Nacional-socialistët donin të detyronin një shumicë të madhe njerëzish që të votonin për kancelarin dhe udhëheqësin e tyre, Adolf Hitlerin.» Dëshmitarët e Jehovait ndoqën këshillën e Jezuit për të qëndruar asnjanës në çështjet politike dhe për të mos qenë «pjesë e botës», kështu që nuk votuan. Cilat ishin pasojat? Dëshmitarët u vunë nën ndalim.—Gjoni 17:16.
Frida i vazhdoi veprimtaritë e krishtere në fshehtësi, duke ndihmuar madje në shtypjen e revistës Kulla e Rojës. «Disa prej revistave u futën fshehurazi për bashkëbesimtarët tanë në kampet e përqendrimit»,—thotë ajo. Në vitin 1940 u arrestua dhe u mor në pyetje nga Gestapoja. Pas kësaj kaloi muaj të tërë në izolim. Si arriti ta përballonte këtë situatë? Ajo thotë: «Lutja u bë streha ime. Lutesha që herët në mëngjes dhe disa herë edhe gjatë ditës. Lutja më dha forcë dhe më ndihmoi të mos isha tepër në ankth.»—Filipianëve 4:6, 7.
Frida u lirua, por, më 1944, Gestapoja e arrestoi përsëri. Këtë radhë e dënuan me shtatë vjet burgim në burgun e Valthajmit. Frida kujton: «Rojat e burgut më vunë të punoja me disa gra të tjera në dhomat e larjes. Shpesh isha me një të burgosur nga Çekosllovakia, kështu që i flisja shumë asaj për Jehovain dhe për besimin tim. Këto biseda më mbajtën të fortë në besim.»
E lirë, por jo për shumë kohë
Burgun e Valthajmit e çliruan trupat sovjetike në maj të vitit 1945 dhe Frida ishte e lirë të kthehej në Magdeburg e të rifillonte shërbimin publik, por jo për shumë kohë. Dëshmitarët u bënë përsëri shënjestër e diskriminimit, por këtë radhë nga autoritetet në zonën e pushtuar nga sovjetikët. Gerald Hake, në Institutin e kërkimeve rreth regjimeve totalitare «Hana
Arent», shkruan: «Dëshmitarët e Jehovait ishin një prej pak grupeve shoqërore që u përndoqën gati pa ndërprerje nga të dy diktaturat në tokën gjermane.»Pse përsëri diskriminim? Edhe një herë arsyeja kryesore ishte asnjanësia e krishterë. Në vitin 1948, në Gjermaninë Lindore u mbajt një plebishit ose një votim i drejtpërdrejtë popullor dhe, siç shpjegon Hake, «arsyeja kryesore [e përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait] ishte se nuk morën pjesë në plebishit». Në gusht të vitit 1950, Dëshmitarët e Jehovait në Gjermaninë Lindore u vunë nën ndalim. U arrestuan qindra prej tyre, përfshirë edhe Fridën.
Frida ishte përsëri në gjyq dhe u dënua me gjashtë vjet burgim. Ajo tregon: «Këtë herë isha me bashkëbesimtarët dhe shoqëria e tyre më ndihmoi shumë.» Kur u lirua më 1956, u shpërngul në Gjermaninë Perëndimore. Tani Frida është 90 vjeçe. Jeton në Husum dhe i shërben ende Perëndisë së vërtetë, Jehovait.
Frida u përndoq për 23 vjet nga dy diktatura. Ajo shpjegon: «Nazistët u përpoqën të më shkatërronin fizikisht, komunistët u përpoqën të më thyenin moralisht. Ku e gjeta forcën? E gjeta te zakonet e mira të studimit të Biblës kur isha e lirë, te lutjet e vazhdueshme kur isha në izolim, te shoqëria e bashkëbesimtarëve kurdo që ishte e mundur dhe ngaqë në çdo rast u flisja të tjerëve për bindjet e mia.»
Fashizmi në Hungari
Hungaria ishte një tjetër vend ku Dëshmitarët e Jehovait u diskriminuan për dhjetëvjeçarë të tërë. Kësaj here disa u përndoqën jo vetëm nga dy, por nga tri regjime totalitare. Një shembull është Adam Singeri. Adami lindi në Paksh të Hungarisë në vitin 1922 dhe u rrit në një familje protestante. Në vitin 1937 disa Studentë të Biblës vizituan shtëpinë e Adamit dhe ai tregoi menjëherë interes për mesazhin që i dhanë. Ajo që mësoi nga Bibla e bindi se mësimet e kishës nuk ishin biblike. Kështu e la kishën protestante dhe u bashkua me Studentët e Biblës në shërbimin e tyre publik.
Ndikimi i fashizmit në Hungari po rritej. Shumë herë xhandarët e panë Adamin që predikonte shtëpi më shtëpi dhe e çuan në xhandarmëri për ta marrë në pyetje. Presionet ndaj Dëshmitarëve u shtuan shumë dhe, më 1939, veprimtaria e tyre u shpall e paligjshme. Në vitin 1942 Adamin e arrestuan, e futën në burg dhe e rrahën ashpërsisht. Çfarë e ndihmoi që në moshën 19-vjeçare të duronte vuajtjet dhe muajt e burgimit? Ai thotë: «Para se të burgosesha, studioja Biblën me kujdes dhe mora një kuptueshmëri të thellë për qëllimet e Jehovait.» Vetëm pasi u lirua nga burgu, Adami u pagëzua më në fund si Dëshmitar i Jehovait. Kjo ndodhi në errësirën e natës, në gusht të vitit 1942, në një lumë pranë shtëpisë së tij.
Në burg në Hungari, në kamp pune në Serbi
Ndërkohë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hungaria u bashkua me Gjermaninë kundër Bashkimit Sovjetik dhe, në vjeshtë të 1942-shit, Adamin e thirrën për shërbimin ushtarak. Ai tregon: «U thashë që nuk mund të shërbeja në ushtri, për shkak të asaj që kisha mësuar në Bibël. Shpjegova qëndrimin tim asnjanës.» E dënuan me 11 vjet burg. Por Adami nuk kaloi shumë kohë në Hungari.
Më 1943 rreth 160 Dëshmitarë të Jehovait i grumbulluan, i hipën në lundra dhe i çuan nëpërmjet lumit Danub në Serbi. Mes tyre ishte edhe Adami. Në Serbi këta të burgosur tani ishin nën kontrollin e Rajhut të Tretë të Hitlerit. Ata i internuan në kampin e punës në Bor dhe i detyruan të punonin në një minierë bakri. Rreth një vit më vonë i kthyen në Hungari ku Adami u lirua nga trupat sovjetike në pranverën e vitit 1945.
Hungaria nën kontrollin e komunistëve
Liria nuk zgjati shumë. Nga fundi i viteve 40, autoritetet komuniste në Hungari i kufizuan veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait, siç kishin bërë fashistët përpara luftës. Në vitin 1952 Adamin, që tashmë ishte 29 vjeç dhe i martuar
e me dy fëmijë, e arrestuan dhe e akuzuan kur nuk pranoi përsëri të kryente shërbimin ushtarak. Adami i shpjegoi gjykatës: «Kjo nuk është hera e parë që nuk pranoj të kryej shërbimin ushtarak. Gjatë luftës më futën në burg dhe më internuan në Serbi për të njëjtën arsye. Nuk pranoj të marr pjesë në ushtri për shkak të ndërgjegjes. Jam Dëshmitar i Jehovait dhe qëndroj asnjanës në çështjet politike.» Adamin e dënuan me tetë vjet burgim, më vonë dënimin e ulën në katër vjet.Adamin vazhduan ta diskriminonin deri në mes të viteve 70, më tepër se 35 vjet pasi Studentët e Biblës e kishin vizituar për herë të parë te shtëpia e prindërve. Gjatë gjithë kësaj kohe, gjashtë gjykata e dënuan me 23 vjet burgim që i vuajti në të paktën dhjetë burgje dhe kampe pune. U përndoq pa ndërprerje nga tri regjime: nga fashistët në Hungari, para Luftës së Dytë Botërore, nga nacional-socialistët gjermanë në Serbi dhe nga komunistët në Hungari, gjatë luftës së ftohtë.
Adami jeton ende në qytetin e lindjes në Paksh dhe i shërben Perëndisë me besnikëri. A ka aftësi të jashtëzakonshme, të cilat e bënë të duronte me sukses vështirësitë? Jo. Ai shpjegon:
«Studimi i Biblës, lutja dhe shoqëria me bashkëbesimtarët ishin jetësore. Por do të doja të theksoja dy gjëra të tjera. Së pari, Jehovai është Burimi i forcës. Marrëdhënia e ngushtë me të ishte për mua si një litar shpëtimi. Së dyti, mbaja në mendje kapitullin 12 të Romakëve ku thuhet: ‘Mos u hakmerrni për veten.’ Kështu që kurrë nuk mbaja mëri. Disa herë pata rastin të hakmerresha kundër atyre që më përndoqën, por kurrë nuk e bëra këtë. Nuk duhet ta përdorim forcën që na jep Jehovai për t’ua kthyer të tjerëve të keqen me të keqe.»
Fundi i të gjitha përndjekjeve
Frida dhe Adami tani mund ta adhurojnë Jehovain pa pengesë. Megjithatë çfarë tregojnë këto përvoja rreth përndjekjes fetare? Ato tregojnë se përndjekja nuk ka sukses, të paktën kur drejtohet ndaj të krishterëve të vërtetë. Edhe pse përndjekja e Dëshmitarëve të Jehovait shkaktoi shumë vuajtje mizore dhe humbjen e shumë pasurive, ajo nuk e arriti qëllimin. Sot Dëshmitarët e Jehovait po lulëzojnë në Evropë, atje ku dikur sundonin dy diktaturat e mëdha.
Si reaguan Dëshmitarët ndaj përndjekjes? Siç tregojnë rrëfimet e Fridës dhe të Adamit, ata zbatuan këshillën e Biblës: «Mos lër të mundesh nga e keqja, por vazhdo ta mundësh të keqen me të mirën.» (Romakëve 12:21) A arrin e mira ta mundë vërtet të keqen? Po, nëse kjo e mirë buron nga një besim i fortë te Perëndia. Ngadhënjimi i Dëshmitarëve të Jehovait mbi përndjekjen në Evropë ishte ngadhënjim i frymës së Perëndisë, një shfaqje e fuqisë që ndikon për mirë, e cila vjen nga besimi që prodhon fryma e shenjtë te të krishterët e përulur. (Galatasve 5:22, 23) Në botën e sotme të dhunshme, ky është një mësim që duhet ta marrim për zemër të gjithë.
[Figurat në faqen 5]
Frida Jesi (tani Tile) në kohën e arrestimit dhe tani
[Figurat në faqen 7]
Adam Singeri në kohën e burgimit dhe tani