Duke kërkuar më parë mbretërinë pata një jetë të sigurt dhe të lumtur
Jetëshkrim
Duke kërkuar më parë mbretërinë pata një jetë të sigurt dhe të lumtur
TREGUAR NGA XHETHA SANËLLI
Pasi hëngrëm mëngjes, dëgjuam njoftimin në radio: «Dëshmitarët e Jehovait janë të paligjshëm dhe veprimtaria e tyre është ndaluar.»
ISHTE viti 1950 dhe ne, katër vajza Dëshmitare të Jehovait në të njëzetat, po shërbenim si misionare në Republikën Domenikane. Kishim një vit që ishim atje.
Shërbimi si misionare nuk ka qenë gjithmonë qëllimi im në jetë. Vërtet që shkoja në kishë kur isha fëmijë. Megjithatë babai im gjatë Luftës I Botërore nuk vazhdoi më të shkonte. Ditën kur u bëra anëtare në Kishën Episkopale në vitin 1933, peshkopi lexoi vetëm një varg nga Bibla dhe pastaj filloi të fliste për politikë. Mamaja u mërzit kaq shumë, saqë nuk shkoi më në kishë.
Ndryshon drejtimi i jetës sonë
Prindërit e mi, Uilliam Karl dhe Meri Adams, patën pesë fëmijë. Djemtë ishin Doni, Joeli dhe Karli. Xhoi, motra ime, ishte më e vogla nga fëmijët dhe unë isha më e madhja. Një ditë, kur sapo isha kthyer nga shkolla, isha gati 13 vjeçe atëherë, pashë mamanë që po lexonte një broshurë të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Titullohej: Mbretëria, shpresa e botës. «Kjo është e vërteta»,—më tha ajo.
Mamaja na fliste të gjithëve për ato që mësonte në Bibël. Me fjalë dhe me vetë shembullin e saj nguliti te ne rëndësinë e këshillës së Jezuit: «Kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij.»—Mateu 6:33.
Jo gjithmonë doja ta dëgjoja. Njëherë i thashë: «Mami, mos më prediko më, se nuk do të t’i thaj më pjatat.» Por, ajo me takt ngulmonte. Rregullisht na merrte neve fëmijët në mbledhjet që mbaheshin në shtëpinë e Klara
Rajanit, që jetonte afër shtëpisë sonë në Elmhërst, Ilinois, SHBA.Klara jepte edhe leksione pianoje. Kur nxënësit e saj jepnin recitalet vjetore, shfrytëzonte rastin për t’u folur atyre rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe shpresës së ringjalljes. Meqenëse kisha mësuar t’i bija violinës që në moshën 7-vjeçare, më interesonte muzika, kështu që dëgjoja se ç’thoshte Klara.
Shpejt, ne së bashku me mamanë, filluam të ndiqnim mbledhjet në pjesën perëndimore të Çikagos. Bënim një udhëtim të gjatë me autobus dhe me tramvaj. Kjo na stërviti që në fëmijëri që të mësonim të kërkonim më parë Mbretërinë. Në vitin 1938, tre vjet pas pagëzimit të mamasë, shkova me të në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Çikago. Ky ishte një nga 50 qytetet që në këtë rast kishin ndërlidhje radiofonike. Ajo që dëgjova atje më preku zemrën.
Megjithatë edhe muzika më tërhiqte shumë. U diplomova në shkollën e mesme në vitin 1938 dhe babai e rregulloi të studioja në Konservatorin Amerikan të Muzikës në Çikago. Kështu që gjatë dy vjetëve që pasuan studioja muzikë, luaja në dy orkestra dhe mendoja të bëja një karrierë.
Mësuesi im i violinës, Herbert Batleri ishte larguar nga Evropa për të jetuar në Shtetet e Bashkuara. Kështu i dhashë broshurën Refugjatët, * duke menduar se mund ta lexonte. Ai e lexoi dhe javën pasuese kur mbaroi mësimi tha: «Xhetha ti luan mirë dhe nëse vazhdon studimet do të gjesh një punë të mirë në një orkestër të radios ose si mësuese muzike.» Duke treguar me gisht broshurën që i kisha dhënë, ai shtoi: «Por mendoj se ti e ke zemrën te kjo. Përse nuk e bën këtë synimin tënd në jetë?»
U mendova seriozisht për atë që më tha. Në vend që të vazhdoja konservatorin, pranova ftesën e mamasë për të shkuar në kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait në Detroit, në Miçigan, në korrik të vitit 1940. Qëndruam në tenda në një kamp të përkohshëm me dhoma të rimorkiuara. Natyrisht që e mora violinën me
vete dhe luajta në orkestrën e kongresit. Në kamp takova shumë pionierë (ungjillëzues në kohë të plotë). Ishin të gjithë shumë të lumtur. Vendosa të pagëzohesha dhe të plotësoja kërkesën për shërbimin e pionierit. Iu luta Jehovait të më ndihmonte të vazhdoja në shërbimin e plotkohor gjatë gjithë jetës sime.Fillova si pioniere në qytetin e lindjes. Më vonë shërbeva në Çikago. Në vitin 1943 u transferova në Kentaki. Atë verë, pak para kongresit krahinor, mora një ftesë për të ndjekur klasën e dytë të Shkollës së Galaadit ku do të stërvitesha për veprën misionare. Klasa do të fillonte në shtator të vitit 1943.
Gjatë kongresit qëndrova me një Dëshmitare e cila më ofroi çdo gjë që doja nga veshjet e vajzës së saj. E bija kishte shkuar në ushtri dhe i kishte thënë së ëmës t’i dhuronte të gjitha rrobat e saj. Për mua këto gjëra të nevojshme ishin një përmbushje të premtimit të Jezuit: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mateu 6:33) Pesë muajt në Galaad kaluan shpejt. Pasi u diplomova më 31 janar 1944 mezi pritja të filloja shërbimin si misionare.
Edhe ata zgjodhën shërbimin në kohë të plotë
Mamaja kishte filluar si pioniere në vitin 1942. Në atë kohë tre vëllezërit dhe motra po shkonin ende në shkollë. Mamaja shpesh i takonte pas shkolle dhe i merrte me vete në shërbim. Gjithashtu i mësonte si të ndihmonin në punët e shtëpisë. E kishte zakon të qëndronte deri natën vonë duke hekurosur e duke bërë punë të tjera të nevojshme kështu që gjatë ditës të ishte në shërbim.
Në janar të vitit 1943, ndërkohë që shërbeja si pioniere në Kentaki, edhe vëllai im Doni filloi si pionier. Kjo e zhgënjeu babanë, i cili shpresonte që të gjithë fëmijët të mbaronin kolegjin, ashtu siç kishte bërë ai dhe mamaja. Pasi shërbeu për gati dy vjet, Donin e ftuan të vazhdonte shërbimin në kohë të plotë si anëtar në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork.
Joeli filloi si pionier në qershor të vitit 1943, kur jetonte ende në shtëpi. Gjatë kësaj kohe u përpoq, por nuk mundi ta bindte babanë të ndiqte një kongres. Sidoqoftë, pasi Joeli ishte përpjekur pa sukses të fillonte një studim biblik në territorin e tij, babai e lejoi që ai t’i bënte një studim me librin «E vërteta do t’ju lirojë». Ai u përgjigjej me lehtësi pyetjeve, por këmbëngulte që Joeli t’ia provonte atë që thuhej në libër me anë të shkrimeve. Kjo e ndihmoi Joelin t’i mësonte shumë mirë të vërtetat e Biblës.
Joeli shpresonte se Komisioni i Rekrutimit Ushtarak do ta përjashtonte nga shërbimi ushtarak, siç kishte bërë me Donin. Por, kur panë se Joeli ishte shumë i ri për t’u klasifikuar si një shërbëtor fetar, i dërguan një letër që të shkonte në ushtri. Pasi refuzoi të shkonte, nxorën një urdhër arresti. Më vonë kur e gjeti FBI-ja kaloi tri ditë në burgun Kuk-Kaunti.
Babai përdori shtëpinë si garanci për ta liruar. Më pas bëri të njëjtën gjë dhe me të rinjtë e tjerë Dëshmitarë të cilët u përballën me të njëjtën rrethanë. Padrejtësia në këtë çështje e inatosi babanë dhe shkoi me Joelin në Uashington, D.C., për të apeluar. Më në fund Joeli mori klasifikimin si shërbëtor dhe çështja mori fund. Kur isha në caktimin tim si misionare, babai më shkroi: «Mendoj se për këtë
fitore meritën duhet t’ia japim Jehovait.» Nga fundi i gushtit 1946, edhe Joeli u ftua të shërbente në selinë qendrore në Bruklin.Karli shërbeu si pionier gjatë pushimeve të verës disa herë para se të mbaronte shkollën e mesme në fillim të vitit 1947 dhe të fillonte shërbimin si pionier i rregullt. Babai nuk ndihej mirë me shëndet, kështu që Karli e ndihmoi në biznesin e tij për njëfarë kohe, para se të fillonte një caktim si pionier në ndonjë vend tjetër. Nga fundi i vitit 1947, Karli filloi të shërbente me Donin dhe Joelin në selinë qendrore në Bruklin si anëtar i familjes Bethel.
Kur Xhoi mbaroi shkollën e mesme, filloi si pioniere. Më pas, më 1951, u bashkua me vëllezërit e saj në Bethel. Ajo punonte në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe në repartin e Abonimit. Në vitin 1955 u martua me Roxher Morganin, një anëtar tjetër i familjes Bethel. Afro shtatë vjet më vonë zgjodhën të kishin një familje më vete dhe u larguan nga Betheli. Me kalimin e kohës, rritën dy fëmijë që gjithashtu i shërbejnë Jehovait.
Ndërsa të gjithë fëmijët ishin në shërbimin e plotkohor, mamaja siguronte atë inkurajim që nevojitej, prandaj edhe babai ia kushtoi jetën Jehovait dhe u pagëzua më 1952. Për 15 vjet deri sa vdiq, ai gjente mënyra të gjithanshme për të ndarë me të tjerët të vërtetën e Mbretërisë, ndonëse sëmundja e kufizonte.
Pas një periudhe të shkurtër shkëputjeje për shkak të sëmundjes së babait, mamaja vazhdoi si pioniere deri sa vdiq. Ajo kurrë nuk pati një makinë; as nuk përdori një biçikletë. Kishte një shtat të shkurtër dhe shkonte kudo, shpesh edhe thellë në fshatra që të drejtonte studime.
Në fushën misionare
Pas diplomimit në Shkollën e Galaadit, një grup prej nesh shërbyem si pionierë në veri të qytetit të Nju-Jorkut për një vit derisa të merrnim dokumentet që na nevojiteshin për të udhëtuar. Më në fund, në vitin 1945 shkuam në Kubë, në caktimin tonë, ku dalëngadalë u përshtatëm me mënyrën e re të jetesës. Rezultatet e predikimit ishin të mira dhe shpejt të gjithë filluam të drejtonim shumë studime biblike. Shërbyem atje për disa vjet. Më pas u caktuam në Republikën Domenikane. Një ditë takova një grua që më nxiti të vizitoja një klienten e saj, një franceze me emrin Suzana Enfrua, e cila donte të kuptonte Biblën.
Suzana ishte judeje dhe kur Hitleri pushtoi Francën, i shoqi e kishte çuar atë dhe dy fëmijët në një vend tjetër. Suzana menjëherë filloi të fliste me të tjerët për gjërat që mësonte. Në fillim foli me gruan që më kishte thënë që ta vizitoja, më pas me Blanshën, një mikeshë nga Franca. Të dyja bënë përparim dhe u pagëzuan.
«Çfarë të bëj për të ndihmuar fëmijët e mi?»—më pyeti Suzana. I biri po studionte për mjekësi
dhe e bija për balet, duke shpresuar që të vallëzonte në një teatër të njohur në Nju-Jork, Radio City Music Hall. Suzana dërgoi abonimet e saj të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Si rrjedhim, i biri i Suzanës, e shoqja e të birit dhe motra e saj binjake u bënë Dëshmitarë. I shoqi i Suzanës, Luisi, ishte i shqetësuar që e shoqja tregonte interes për Dëshmitarët e Jehovait, sepse qeveria e Republikës Domenikane tashmë e kishte vënë në ndalim veprën tonë. Por, pasi e gjithë familja u transferua në Shtetet e Bashkuara, edhe ai u bë më në fund një Dëshmitar.Nën ndalim, por ende duke shërbyer
Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua në Republikën Domenikane jo shumë kohë pasi ne kishim marrë caktimin atje në vitin 1949. Megjithatë vendosmëria jonë ishte t’i bindeshim Perëndisë si Sundimtar në vend të njerëzve. (Veprat 5:29) Vazhduam të kërkonim më parë Mbretërinë e Perëndisë duke shpallur lajmin e mirë rreth saj, ashtu si Jezui i udhëzoi ithtarët e tij të bënin. (Mateu 24:14) Nga ana tjetër, mësuam të jemi «të kujdesshëm si gjarpërinjtë e megjithatë të pafaj si pëllumbat», ndërsa përmbushnim veprën e predikimit. (Mateu 10:16) Për shembull, më erdhi shumë në ndihmë violina ime. E merrja me vete kur drejtoja studime biblike. Studentët e mi nuk u bënë violinistë, por disa familje u bënë shërbëtorë të Jehovait.
Kur u vu ndalimi, ne katër vajzat, Meri Anioli, Sofia Soviaku, Edit Morgani dhe unë u transferuam nga shtëpia misionare në një shtëpi tjetër misionare në San-Françisko-de-Makoris që gjendej në degën e Santo-Domingos, në kryeqytet. Por çdo vit bëja një udhëtim te caktimi ynë i parë për të dhënë një mësim në muzikë. Kjo bënte të mundur që së bashku me violinën, në kutinë e saj të merrja edhe ushqim frymor për vëllezërit tanë të krishterë dhe të kthehesha me raportet për aktivitetin e tyre të predikimit.
Kur vëllezërit në San-Françisko-de-Makoris u burgosën në Santiago për asnjanësinë e krishterë, m’u kërkua që t’u çoja para. Gjithashtu, nëse ishte e mundur, t’u çoja disa Bibla, si edhe lajme nga familjet e tyre. Në burgun e Santiagos, kur rojet e panë violinën në sqetull, më pyetën: «Për çfarë e ke këtë?» «Për t’i zbavitur»,—u përgjigja.
Shoqërova shumë këngë me violinë. Njërën prej tyre e kishte shkruar një Dëshmitar kur ishte në një kamp përqendrimi nazist. Kënga e ka titullin «Përpara, ju Dëshmitarë» dhe ka numrin 29 në librin e këngëve të Dëshmitarëve të Jehovait. E shoqërova me violinë kështu që vëllezërit e burgosur mund të mësonin ta këndonin.
Mësova se shumë nga Dëshmitarët ishin transferuar në një fermë që i përkiste Truhijos, kreut të qeverisë. Më thanë se ishte afër rrugës ku kalonte autobusi. Kështu
që nga mesdita zbrita nga autobusi dhe pyeta se ku ishte ferma. Pronari i një dyqani të vogël më tregoi me gisht një varg malesh. Ai më ofroi kalin e tij dhe një djalë që të më shoqëronte, nëse do t’ia lija violinën si garanci.Prapa atyre kodrave, duhej të kalonim një lumë të dy të hipur mbi kalë. Atje pamë një tufë papagajsh me pupla jeshile dhe blu që shkëlqenin në dritën e diellit. Ishte një pamje e mrekullueshme! Prandaj u luta: «Të falënderoj Jehova që i ke bërë kaq të bukur.» Më në fund në orën katër mbasdite mbërritëm në fermë. Ushtari roje me mirësjellje më lejoi të flisja me vëllezërit dhe t’u jepja të gjitha gjërat që kisha sjellë për ta, madje edhe një Bibël të vogël.
Gjatë rrugës së kthimit, u luta gjithë kohës, sepse tashmë ishte errësuar. Mbërritëm te dyqani të bërë qull nga shiu. Meqenëse autobusi i fundit ishte larguar, e pyeta pronarin e dyqanit të ndalonte ndonjë maune që kalonte andej. A do të ishte e sigurt të shkoja me dy burra në maune? Njëri prej tyre më pyeti: «E njihni Sofinë? Ajo studionte me motrën time.» Patjetër që kjo ishte përgjigjja e Jehovait ndaj lutjes sime. Ata më çuan shëndoshë e mirë në Santo-Domingo.
Në vitin 1953, isha mes atyre nga Republika Domenikane që ndoqën kongresin ndërkombëtar të Dëshmitarëve të Jehovait në stadiumin Janki në Nju-Jork. E gjithë familja ime bashkë me babanë ishin atje. Pas një raporti që tregonte përparimin e veprës së predikimit në Republikën Domenikane, shoqja ime misionare, Meri Anioli, dhe unë kishim një pjesë në program për të demonstruar si predikonim kur vepra ishte në ndalim.
Gëzimet e veçanta në veprën udhëtuese
Atë verë takova Rudolf Sanëllin, i cili një vit më vonë u bë burri im. Të gjithë familjarët e tij ishin Dëshmitarë në Allegeni, Pensilvani, që prej Luftës I Botërore. Pasi kishte kaluar kohë në burg për shkak të asnjanësisë së krishterë gjatë Luftës II Botërore, filloi të shërbente në Bethelin e Bruklinit, Nju-Jork. Pak kohë pasi u martuam, e ftuan të vizitonte kongregacionet si mbikëqyrës udhëtues. Për 18 vjetët pasues e shoqërova në veprën e qarkut.
Për shkak të shërbimit shkuam në Pensilvani, në Virxhinian Perëndimore, në Nju-Hempshër dhe në Masaçusets, përveç vendeve të tjera. Zakonisht qëndronim me vëllezërit e krishterë në shtëpitë e tyre. Ishte një gëzim i veçantë t’i njihja mirë ata dhe t’i shërbenim Jehovait së bashku. Dashuria dhe mikpritja që na u tregua ishte gjithmonë e ngrohtë dhe e sinqertë. Pasi Joeli u martua me ish-shoqen time misionare, Meri Anioli, ata kaluan tre vjet në veprën udhëtuese, duke vizituar kongregacionet në Pensilvani dhe Miçigan. Më vonë, në vitin 1958, Joelin e ftuan përsëri të bëhej anëtar i familjes Bethel, këtë herë me Merin.
Karli kishte qenë në Bethel për rreth shtatë vjet kur u caktua në veprën qarkore për pak muaj që të fitonte përvojë. Më vonë u bë instruktor në Shkollën e Galaadit. Në vitin 1963 u martua me Barbarën, e cila shërbeu me besnikëri në Bethel derisa vdiq në tetor 2002.
Gjatë shumë viteve në Bethel, Doni udhëtoi herë pas here në vende të tjera për të ndihmuar ata që shërbenin në zyrat e degës dhe në fushën misionare. Gjatë caktimeve të tij ka qenë në Lindje, Afrikë, Evropë dhe në pjesë të ndryshme të Amerikës. Gruaja besnike e Donit, Doloresi, shpesh udhëton me të.
Ndryshojnë rrethanat
Pas një sëmundjeje të gjatë, babai vdiq. Para se të vdiste më tha se ishte shumë i lumtur që kishim zgjedhur t’i shërbenim Perëndisë Jehova. Tha se bekimet ishin shumë më të mëdha sesa ato që do të kishim sikur të vazhdonim kolegjin, ashtu siç donte ai. E ndihmova mamanë të paketonte gjërat për të shkuar në një vend afër motrës sime, Xhoit. Pas kësaj, im shoq dhe unë pranuam disa caktime si pionierë në Nju-Inglënd, kështu që do të ishim afër mamasë së tij, e cila në atë kohë kishte nevojë për ne. Pasi ajo vdiq, mamaja ime ndenji me ne 13 vjet. Pastaj, më 18 janar 1987, në moshën 93-vjeçare, ajo përfundoi caktimin e saj në tokë.
Zakonisht, kur miqtë e lavdëronin se i kishte rritur të gjithë fëmijët e saj në mënyrë që këta ta donin dhe t’i shërbenin Jehovait, mamaja me modesti përgjigjej: «Thjesht ndodhi që kisha ‘tokën’ e shkëlqyer për të punuar.» (Mateu 13:23) Çfarë bekimi ka qenë të kishim prindër me frikë Perëndie të cilët lanë një shembull të shkëlqyer për ne, për sa i përket zellit dhe përulësisë!
Mbretëria ende në vend të parë
Kemi vazhduar ta vendosim Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë në jetën tonë. Gjithashtu jemi përpjekur të zbatojmë këshillën e Jezuit për të ndarë me të tjerët gjërat që kishim. (Luka 6:38; 14:12-14) Nga ana e tij, Jehovai na ka plotësuar nevojat tona dhe e ka bërë këtë me bujari. Jeta jonë ka qenë një jetë e sigurt dhe e lumtur.
Rudi dhe unë nuk e kemi humbur dashurinë për muzikën. Kënaqemi shumë kur ndonjë mbrëmje në shtëpinë tonë vijnë edhe të tjerët që e duan muzikën dhe së bashku u biem veglave muzikore. Por muzika nuk është karriera ime. Është një kënaqësi shtesë e jetës. Tani bashkë me tim shoq kënaqemi ndërsa shohim frytet e shërbimit tonë si pionierë, pra, njerëzit që kemi ndihmuar gjatë viteve.
Pavarësisht nga problemet shëndetësore të kohëve të fundit, mund të them se jeta jonë ka qenë shumë e lumtur dhe e sigurt gjatë më shumë se 60 vjetëve në shërbim të plotkohor. Çdo mëngjes kur çohem falënderoj Jehovain që iu përgjigj lutjes sime shumë kohë më parë kur hyra në shërbimin e plotkohor dhe përsëri mendoj: «Si ta kërkoj sot më parë Mbretërinë?»
[Shënimi]
^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por nuk shtypet më.
[Figura në faqen 24]
Familja jonë në vitin 1948 (nga e majta në të djathtë): Xhoi, Doni, mamaja, Joeli, Karli, unë dhe babai
[Figura në faqen 25]
Mamaja la një shembull zelli në shërbim
[Figura në faqen 26]
Karli, Doni, Joeli, Xhoi dhe unë më shumë se 50 vjet më vonë
[Figura në faqen 27]
Nga e majta në të djathtë: Unë, Meri Anioli, Sofia Soviaku dhe Edit Morgani, si misionare në Republikën Domenikane
[Figura në faqen 28]
Me Merin (majtas) në stadiumin Janki, 1953
[Figura në faqen 29]
Me tim shoq kur ishte në veprën qarkore