Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Të jemi të fortë dhe guximtarë!’

‘Të jemi të fortë dhe guximtarë!’

‘Të jemi të fortë dhe guximtarë!’

«Merrni kurajë! Unë e kam mundur botën.»​—GJONI 16:33.

1. Çfarë inkurajimi morën izraelitët, duke pasur parasysh atë që i priste në Kanaan?

PAK para se izraelitët të kalonin lumin Jordan për të hyrë në Tokën e Premtuar, Moisiu u tha: «Jini të fortë dhe guximtarë. Mos kini frikë e mos u tronditni para tyre, se me ty marshon vetë Jehovai, Perëndia yt.» Pastaj Moisiu thirri Josiun, i cili do të udhëhiqte izraelitët në Kanaan, dhe ia përsëriti drejtpërdrejt këshillën për të qenë guximtar. (Ligji i përtërirë 31:6, 7, BR) Më vonë, vetë Jehovai i dha zemër Josiut duke i thënë: «Ji i fortë dhe guximtar . . . Ti veç ji shumë i fortë dhe guximtar.» (Jozueu [Josiu] 1:6, 7, 9, BR) Këto fjalë ishin në kohën e duhur. Izraelitëve do t’u duhej guxim për të përballuar armiqtë e fuqishëm që banonin në anën tjetër të Jordanit.

2. Në cilën gjendje ndodhemi sot dhe për çfarë kemi nevojë?

2 Të krishterët e vërtetë sot, së shpejti do të hyjnë në botën e re të premtuar dhe, ashtu si Josiu, duhet të jenë guximtarë. (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 7:14) Megjithatë gjendja jonë është e ndryshme nga ajo e Josiut. Ai luftoi me shpata e me heshta. Ne marrim pjesë në një luftë frymore dhe kurrë nuk marrim armë të mirëfillta. (Isaia 2:2-4; Efesianëve 6:11-17) Për më tepër, Josiut iu desh të merrte pjesë në shumë beteja të ashpra edhe pasi hyri në Tokën e Premtuar, kurse ne po përjetojmë betejat më të ashpra tani, para se të hyjmë në botën e re. Le të shohim disa rrethana për të cilat kërkohet guxim.

Pse duhet të luftojmë?

3. Çfarë zbulon Bibla rreth kundërshtarit tonë kryesor?

3 Apostulli Gjon shkroi: «Ne e dimë se jemi nga Perëndia, por e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19) Këto fjalë tregojnë arsyen kryesore se përse të krishterët duhet të luftojnë për të ruajtur besimin. Kur një i krishterë qëndron besnik, kjo është në njëfarë mënyre një disfatë për Satana Djallin. Prandaj, Satanai vjen rrotull si «një luan që vrumbullit», duke u përpjekur të frikësojë dhe të përpijë të krishterët besnikë. (1 Pjetrit 5:8) Në të vërtetë ai lufton të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre. (Zbulesa 12:17) Në këtë luftë, ai përdor njerëzit që me dashje ose pa dashje u shërbejnë qëllimeve të tij. Kërkohet guxim për të qëndruar të palëkundur përballë Satanait dhe të gjithë agjentëve të tij.

4. Çfarë paralajmërimi dha Jezui, megjithatë çfarë cilësie kanë shfaqur të krishterët e vërtetë?

4 Meqë Jezui e dinte se Satanai dhe agjentët e tij do ta kundërshtonin energjikisht lajmin e mirë, Ai i paralajmëroi ithtarët: «Do t’ju dorëzojnë në shtrëngim e do t’ju vrasin dhe do të jeni objekt urrejtjeje për të gjitha kombet, për shkak të emrit tim.» (Mateu 24:9) Këto fjalë dolën të vërteta në shekullin e parë dhe po dalin të vërteta edhe sot. Vërtet, përndjekja që kanë hasur disa Dëshmitarë të Jehovait të ditëve tona ka qenë më e ashpër se kurrë më parë në histori. Gjithsesi të krishterët e vërtetë janë guximtarë përballë këtyre presioneve. E dinë se «frika e njeriut përbën një lak», dhe ata nuk duan të zihen në një lak.​—Fjalët e urta (Proverbat) 29:25.

5, 6. (a) Cilat rrethana kërkojnë guxim nga ana jonë? (b) Si reagojnë të krishterët besnikë, kur guximi i tyre vihet në sprovë?

5 Përveç përndjekjes, ka edhe sfida të tjera që kërkojnë guxim nga ana jonë. Disa e kanë të vështirë t’u flasin për lajmin e mirë njerëzve që nuk i njohin. Guximi i disa nxënësve sprovohet kur u kërkohet të recitojnë betimin e besnikërisë ndaj atdheut ose të këndojnë himnin e flamurit. Meqë këto veprime janë pothuaj si akte fetare, fëmijët e krishterë kanë vendosur me guxim të veprojnë në atë mënyrë që i pëlqen Perëndisë dhe qëndrimi i tyre i shkëlqyer na ka ngrohur zemrën.

6 Po ashtu kemi nevojë për guxim kur kundërshtarët i manovrojnë mediat që të përhapin lajme të këqija rreth shërbëtorëve të Perëndisë ose kur përpiqen ta kufizojnë adhurimin e vërtetë duke thurur «padrejtësi në emër të ligjit». (Psalmi 94:20) Për shembull, si duhet të ndihemi kur lajmet në gazeta, në radio ose në televizor në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait janë shtrembërime ose gënjeshtra kokë e këmbë? A duhet të tronditemi? Jo. I presim këto gjëra. (Psalmi 109:2) Gjithashtu nuk çuditemi kur disa u besojnë gënjeshtrave dhe shtrembërimeve, sepse «kushdo që është pa përvojë tregon besim në çdo fjalë». (Proverbat 14:15, BR) Megjithatë të krishterët besnikë nuk i besojnë aspak çdo fjale të thënë për vëllezërit e tyre. Patjetër që nuk lejojnë edhe që lajmet e gënjeshtërta t’i bëjnë të mos shkojnë në mbledhje, të marrin pjesë më pak në shërbimin në fushë ose të lëkunden në besim. Përkundrazi ‘e rekomandojnë veten si administrues të Fjalës së Perëndisë . . . nëpërmjet lavdisë dhe çnderimit, nëpërmjet një emri të keq e një emri të mirë; si mashtrues [sipas kundërshtarëve], e megjithatë [në fakt] që thonë të vërtetën’.​—2 Korintasve 6:4, 8.

7. Çfarë pyetjesh hulumtuese duhet t’i bëjmë vetes?

7 Duke i shkruar Timoteut, Pavli tha: «Perëndia nuk na dha frymën e burracakërisë, por atë të fuqisë . . . Prandaj, mos të të vijë turp nga dëshmia për Zotërinë tonë.» (2 Timoteut 1:7, 8; Marku 8:38) Pasi kemi lexuar këto fjalë mund të pyesim veten: ‘A më vjen turp për besimin tim apo jam guximtar? A u them të tjerëve në vendin e punës (ose në shkollë) se jam Dëshmitar i Jehovait apo përpiqem ta fsheh këtë gjë? A më vjen turp të jem ndryshe nga të tjerët apo jam krenar të dallohem nga ta për shkak të marrëdhënies sime me Jehovain?’ Nëse dikush ka frikë të predikojë lajmin e mirë ose ka frikë se mos e kritikojnë të tjerët, le të kujtojë këshillën që i dha Jehovai Josiut: «Ji i fortë dhe guximtar.» Kurrë të mos harrojmë se ajo që ka rëndësi nuk është se çfarë mendojnë shokët e punës ose të shkollës, por cila është pikëpamja e Jehovait dhe e Jezu Krishtit.​—Galatasve 1:10.

Si ta kultivojmë guximin?

8, 9. (a) Në ç’mënyrë u vu në sprovë në një rast guximi i të krishterëve të hershëm? (b) Si reaguan Pjetri e Gjoni përballë kërcënimeve dhe çfarë përjetuan ata e vëllezërit e tyre?

8 Si mund të kultivojmë atë lloj guximi që do të na jepte mundësinë të qëndronim besnikë në këto kohë të vështira? Mirë pra, si e kultivuan guximin të krishterët e hershëm? Le të shqyrtojmë se çfarë ndodhi kur krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Jerusalemit i thanë Pjetrit dhe Gjonit që të mos predikonin më në emër të Jezuit. Dishepujt nuk pranuan, kështu që i kërcënuan dhe pastaj i liruan. Pas kësaj, ata u bashkuan me vëllezërit dhe të gjithë u lutën së bashku, duke thënë: «Jehova, kushtoju vëmendje kërcënimeve të tyre dhe lejoju skllevërve të tu të vazhdojnë ta thonë fjalën tënde me plot guxim.» (Veprat 4:13-29) Si përgjigje Jehovai i forcoi me frymën e shenjtë dhe, ashtu siç dëshmuan edhe vetë udhëheqësit judenj, ‘e mbushën Jerusalemin’ me mësimin e tyre.​—Veprat 5:28.

9 Le të analizojmë se çfarë ndodhi në atë rast. Kur udhëheqësit judenj i kërcënuan dishepujt, këta as që e menduan të dorëzoheshin para presioneve. Përkundrazi u lutën për guxim që të vazhdonin të predikonin. Pastaj vepruan në harmoni me lutjen dhe Jehovai i forcoi me frymën e tij. Përvoja e tyre tregon se ajo që shkroi Pavli disa vite më vonë në një kontekst të ndryshëm zbatohet për të krishterët kur janë të përndjekur. Pavli tha: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.»​—Filipianëve 4:13.

10. Si i ndihmon përvoja e Jeremisë ata që janë të ndrojtur nga natyra?

10 Po sikur dikush të jetë i ndrojtur nga natyra? A mund t’i shërbejë prapëseprapë Jehovait me guxim pavarësisht nga kundërshtimi? Patjetër! Kujtoni reagimin e Jeremisë kur Jehovai e caktoi si profet. I riu tha: «Jam një djalosh.» Është e qartë se ai nuk ndihej i aftë. Megjithatë Jehovai i dha zemër me këto fjalë: «Mos thuaj: ‘Jam një djalosh’, sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë dhe do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj. Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar.» (Jeremia 1:6-10) Jeremia kishte siguri te Jehovai dhe si rrjedhim me forcën e Jehovait e kapërceu ngurrimin dhe u bë një dëshmitar jashtëzakonisht i guximshëm në Izrael.

11. Çfarë i ndihmon të krishterët sot që të jenë si Jeremia?

11 Të krishterëve të mirosur sot u është ngarkuar një detyrë e ngjashme me atë të Jeremisë. Me mbështetjen e ‘shumicës së madhe’ të ‘deleve të tjera’ vazhdojnë të shpallin qëllimet e Jehovait madje edhe përballë apatisë, talljeve dhe përndjekjes. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Ata marrin zemër nga fjalët që i tha Jehovai Jeremisë: «Mos ki frikë.» Kurrë nuk harrojnë se kjo detyrë u është ngarkuar nga Perëndia dhe po predikojnë mesazhin e tij.​—2 Korintasve 2:17.

Shembuj besimi që ia vlen t’i imitojmë

12. Çfarë shembulli të shkëlqyer guximi la Jezui dhe si u dha zemër ithtarëve?

12 Në qoftë se meditojmë rreth shembujve të individëve të tjerë, të cilët kanë vepruar me guxim si Jeremia, kjo mund të na ndihmojë në përpjekjet tona për të kultivuar guximin. (Psalmi 77:12) Për shembull, kur shqyrtojmë shërbimin e Jezuit, na lë mbresa guximi i tij kur u tundua nga Satanai dhe kur udhëheqësit judenj e kundërshtuan me vendosmëri. (Luka 4:1-13; 20:19-47) Me ndihmën e forcës së Jehovait, Jezui ishte i palëkundur dhe pak para vdekjes së tij u tha dishepujve: «Në botë jeni duke pasur shtrëngim, por merrni kurajë! Unë e kam mundur botën.» (Gjoni 16:33; 17:16) Nëse dishepujt e Jezuit do të kishin ndjekur shembullin e tij, edhe ata do ta kishin mundur botën. (1 Gjonit 2:6; Zbulesa 2:7, 11, 17, 26) Por për këtë duhej ‘të merrnin kurajë’.

13. Çfarë inkurajimi u dha Pavli filipianëve?

13 Disa vite pas vdekjes së Jezuit, Pavlin dhe Silën i burgosën në Filipi. Më vonë Pavli u dha zemër pjesëtarëve të kongregacionit të Filipisë që të vazhdonin ‘të qëndronin të patundur në një frymë, duke u përpjekur krah për krah me një shpirt për besimin e lajmit të mirë dhe të mos trembeshin në asgjë prej kundërshtarëve të tyre’. Për t’i forcuar në lidhje me këtë, Pavli tha: «Kjo gjë [përndjekja e të krishterëve] është për [përndjekësit] provë shkatërrimi, por për ju shpëtimi; dhe ky tregues është nga Perëndia, sepse juve ju është dhënë privilegji në lidhje me Krishtin, jo vetëm që të tregoni besim tek ai, por edhe të vuani për të.»​—Filipianëve 1:27-29.

14. Si ndikoi te vëllezërit në Romë guximi i Pavlit?

14 Kur Pavli i shkroi kongregacionit në Filipi, ishte përsëri në burg, por këtë herë në Romë. Megjithatë vazhdonte t’u predikonte me guxim të tjerëve. Me çfarë rezultati? Ai shkroi: «Vargonjtë e mi janë bërë publikisht të njohur në lidhje me Krishtin ndër të gjithë Gardën Pretoriane e mes gjithë të tjerëve; dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotërinë, duke u ndier të sigurt për shkak të vargonjve të mi, janë duke shfaqur edhe më shumë kurajë për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë.»​—Filipianëve 1:13, 14.

15. Ku mund të gjejmë shembuj të shkëlqyer besimi që do të na e forcojnë vendosmërinë për të qenë guximtarë?

15 Shembulli i Pavlit na jep zemër. Po ashtu edhe shembujt e shkëlqyer që na kanë lënë të krishterët e ditëve të sotme, të cilët kanë hasur përndjekje në vendet nën sundimin diktatorial ose të klerit. Historitë e shumë prej tyre janë raportuar në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si dhe në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërsa lexoni këto tregime kujtoni se individët, historia e të cilëve përshkruhet aty, ishin njerëz të zakonshëm si ne, por kur u ndodhën në rrethana shumë të vështira Jehovai u dha fuqi përtej asaj që është normale dhe ata qëndruan. Mund të jemi të sigurt se ai do të bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj nesh, në rast se e kërkojnë rrethanat.

Qëndrimi ynë i guximshëm i pëlqen Jehovait dhe e nderon atë

16, 17. Si mund të zhvillojmë sot një qëndrim të guximshëm?

16 Nëse dikush qëndron i patundur për të vërtetën dhe drejtësinë ai është guximtar. Në rast se dikush vepron kështu megjithëse brenda vetes ka ndjenja frike ai është edhe më guximtar. Në fakt çdo i krishterë mund të jetë guximtar nëse do vërtet të bëjë vullnetin e Jehovait, në qoftë se është i vendosur të qëndrojë besnik, në qoftë se mbështetet vazhdimisht te Perëndia dhe në rast se kujton gjithmonë se Jehovai në të kaluarën ka forcuar shumë individë si ai. Për më tepër kur e kuptojmë se qëndrimi ynë i guximshëm i pëlqen Jehovait dhe e nderon atë, jemi edhe më të vendosur për të mos e dobësuar këtë qëndrim. Jemi gati të durojmë talljet ose trajtime edhe më të këqija, sepse e duam fort atë.​—1 Gjonit 2:5; 4:18.

17 Kurrë të mos harrojmë se kur vuajmë për besimin tonë kjo nuk do të thotë se vuajmë ngaqë kemi bërë ndonjë mëkat. (1 Pjetrit 3:17) Por vuajmë sepse po përkrahim sovranitetin e Jehovait, se po bëjmë të mirën dhe se nuk jemi pjesë e botës. Lidhur me këtë apostulli Pjetër tha: «Nëse duroni kur bëni të mirën dhe vuani, kjo është e pëlqyeshme pranë Perëndisë.» Po ashtu Pjetri tha: «Ata që vuajnë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, ndërsa bëjnë të mirën, le të vazhdojnë t’ia besojnë shpirtrat e tyre një Krijuesi të besueshëm.» (1 Pjetrit 2:20; 4:19) Po, besimi ynë i pëlqen Perëndisë tonë të dashur Jehova dhe i sjell atij nder. Ç’arsye e fortë për të qenë guximtarë!

Kur flasim me autoritetet

18, 19. Çfarë mesazhi po përçojmë në të vërtetë kur marrim një qëndrim të guximshëm përpara një gjykatësi?

18 Kur Jezui u tha ithtarëve se do të përndiqeshin, ai tha gjithashtu: «[Njerëzit] do t’ju dorëzojnë në gjykatat lokale dhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre. Po, për shkakun tim do t’ju detyrojnë të shkoni përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për një dëshmi para tyre dhe kombeve.» (Mateu 10:17, 18) Kërkohet guxim të paraqitesh përpara një gjykatësi ose një sundimtari për shkak të akuzave të rreme. Sidoqoftë, kur me guxim i përdorim këto raste për t’u dëshmuar këtyre individëve, po e shndërrojmë një rrethanë të vështirë në një mundësi për të kryer diçka të rëndësishme. Në fakt u përcjellim atyre që po na gjykojnë fjalët e Jehovait të dokumentuara te psalmi i dytë: «Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut. Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.» (Psalmi 2:10, 11) Shpesh kur Dëshmitarët e Jehovait janë akuzuar në mënyrë të rreme nëpër gjykata, gjykatësit kanë mbështetur lirinë e adhurimit dhe e vlerësojmë këtë. Megjithatë disa gjykatës kanë lejuar që të ndikohen nga kundërshtarët. Këtyre të fundit shkrimi u thotë: «Pranoni ndreqjen.»

19 Gjykatësit duhet të jenë të vetëdijshëm se ligji më i lartë është ai i Perëndisë Jehova. Duhet të kujtojnë se të gjithë njerëzit, përfshirë edhe gjykatësit, do t’i japin llogari Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit. (Romakëve 14:10) Kurse ne, pavarësisht nëse e fitojmë apo jo të drejtën nga një gjykatës njerëzor, kemi çdo arsye për të qenë guximtarë, sepse Jehovai na mbështet. Bibla thotë: «Lum ata që gjejnë strehë tek ai.»​—Psalmi 2:12.

20. Pse mund të jemi të lumtur në qoftë se na duhet të durojmë përndjekje dhe shpifje?

20 Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim. Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, pasi i madh është shpërblimi juaj në qiej; sepse në këtë mënyrë i persekutuan profetët që qenë përpara jush.» (Mateu 5:11, 12) Natyrisht që përndjekja në vetvete nuk është e këndshme, por qëndrimi ynë i palëkundur është një shkak për gëzim, pavarësisht nga përndjekja, përfshirë edhe lajmet shpifëse në mediat. Ky qëndrim nënkupton se po i pëlqejmë Jehovait dhe do të marrim shpërblim prej tij. Qëndrimi ynë i guximshëm tregon që kemi besim të vërtetë dhe na siguron se kemi miratimin e Perëndisë. Në të vërtetë ai tregon se kemi besim të plotë te Jehovai. Një besim i tillë është jetësor për një të krishterë, siç do ta tregojë artikulli vijues.

Çfarë keni mësuar?

• Cilat rrethana sot kërkojnë guxim?

• Si mund ta kultivojmë cilësinë e guximit?

• Cilët janë disa shembuj të shkëlqyer guximi?

• Pse dëshirojmë të veprojmë me guxim?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

Simona Arnoldi (tani Libstëri) në Gjermani, Uidës Madona në Malavi dhe Lidia e Aleksei Kurdasi në Ukrainë treguan guxim e i rezistuan të ligut

[Figurat në faqen 10]

Nuk na vjen turp për lajmin e mirë

[Figura në faqen 11]

Guximi që shfaqi Pavli në burg ndihmoi në përhapjen e lajmit të mirë

[Figura në faqen 12]

Nëse me guxim i shpjegojmë një gjykatësi qëndrimin tonë sipas Shkrimeve, po përçojmë një mesazh të rëndësishëm