Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i shfrytëzojmë sa më mirë rrethanat e reja në jetë

T’i shfrytëzojmë sa më mirë rrethanat e reja në jetë

T’i shfrytëzojmë sa më mirë rrethanat e reja në jetë

Pami, Jani, Drisi dhe Otoja janë katër pleq të krishterë që jetojnë në Holandë, të cilët kanë shumë gjëra të përbashkëta. Që të katër janë të martuar dhe me fëmijë. Përveç kësaj, disa vjet më parë punonin të gjithë në kohë të plotë dhe banonin në shtëpi të rehatshme. Megjithatë të gjithë e lanë punën në botë dhe filluan të përkushtonin kohën dhe fuqitë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Çfarë u dha mundësi të bënin këtë ndryshim? Që të katër i shfrytëzuan mirë rrethanat e reja në jetën e tyre.

SHUMICËS prej nesh, herët a vonë, na ndodh që të na ndryshojnë rrethanat në jetë. Shumë ndryshime, si martesa, lindja e një fëmije ose kujdesi për prindërit e moshuar, sjellin më shumë përgjegjësi. Gjithsesi disa ndryshime na japin më shumë liri për ta zgjeruar shërbimin e krishterë. (Mateu 9:37, 38) Për shembull, mund të dalim në pension ose fëmijët e rritur mund të largohen nga shtëpia.

Përveç kësaj, edhe pse është e vërtetë që rrethanat mund të ndryshojnë pavarësisht nëse duam apo s’duam, disa të krishterë kanë arritur t’i krijojnë vetë rrethanat e reja të cilat u kanë dhënë kështu mundësi për të marrë pjesë më shumë në shërbim. Pikërisht kështu vepruan Pami, Jani, Drisi dhe Otoja. Në ç’mënyrë?

Kur fëmijët largohen nga shtëpia

Pami punonte si llogaritar në një firmë farmaceutike. Shpesh ai, gruaja e tij, Ani, dhe dy vajzat shërbenin si pionierë ndihmës. Gjithashtu Pami dhe Ani kujdeseshin që të zbaviteshin në shoqëri me pionierë të tjerë. Ata tregojnë: «Kjo gjë siguronte një mbrojtje nga problemet që mund të ishin shkaktuar nga llojet e tjera të shoqërive.» Të nxitur nga shembulli i prindërve, të dy vajzat u bënë pioniere të rregullta sapo mbaruan shkollën e mesme.

Kur vajzat u larguan nga shtëpia, Pami dhe Ani kuptuan se kjo rrethanë e re u jepte mundësi të kishin më shumë liri dhe para. Pra mund të përfitonin për të udhëtuar në vende interesante ose për t’u dëfryer në mënyra të tjera. Megjithatë, në vend të kësaj, çifti vendosi t’i shfrytëzonte rrethanat e reja për të zgjeruar shërbimin e krishterë. Kështu Pami i kërkoi punëdhënësit që të punonte një ditë më pak në javë. Më vonë, Pami i rregulloi gjërat në atë mënyrë që ta fillonte punën në orën 7.00 e ta mbaronte në orën 14.00. Patjetër që të punonte më pak do të thoshte të jetonte me më pak të ardhura. Gjithsesi ia dolën mbanë dhe, në vitin 1991, Pami u bë pionier i rregullt, ashtu si gruaja e tij.

Pastaj Pamit i kërkuan që të bëhej ndihmëspërgjegjës i një Salle Asamblesh të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo ftesë do të thoshte që çifti duhej të linte shtëpinë ku kishte jetuar për 30 vjet dhe të transferohej në një apartament te Salla e Asambleve. Ata u transferuan. A ishte e vështirë? Ani përgjigjet se kurdoherë që kishte mall për shtëpinë pyeste veten: ‘A jam si gruaja e Lotit?’ Ani nuk pranoi ‘të shikonte prapa’.​—Zanafilla 19:26; Luka 17:32.

Pami dhe Ani shohin se vendimi i tyre u ka sjellë shumë bekime. Midis shumë gjërave të tjera gjejnë kënaqësi në shërbimin në Sallën e Asambleve, në veprimtaritë përgatitore për kongreset krahinore dhe nga kontaktet me mbikëqyrësit qarkorë (shërbëtorë udhëtues) që mbajnë fjalime në sallë. Ndonjëherë vizitojnë disa kongregacione kur Pami shërben si zëvendësmbikëqyrës qarkor.

Çfarë i dha mundësi këtij çifti që ta zgjeronte shërbimin? Pami thotë: «Kur të ndryshon jeta rrënjësisht, duhet të jesh i vendosur për t’i shfrytëzuar sa më mirë rrethanat e reja.»

Të bëjmë një jetë më të thjeshtë

Jani dhe gruaja e tij, Uoti, kanë tri fëmijë. Ashtu si Pami e familja e tij, edhe Jani i shfrytëzoi me mençuri rrethanat e reja në jetën e tij. Për vite me radhë, Jani kishte një punë me rrogë goxha të mirë në një bankë dhe i siguronte familjes një mënyrë jetese të rehatshme. Sidoqoftë kishte gjithnjë e më shumë dëshirë ta zgjeronte shërbimin. Ai shpjegon: «Gjatë jetës çmueshmëria ime për të vërtetën u bë më e thellë dhe dashuria për Jehovain u rrit edhe më shumë.» Kështu në vitin 1986 Jani i ndryshoi rrethanat. Ai thotë: «Përfitova nga një organizim i ri në zyrë dhe fillova të punoja më pak orë. Kolegët e mi të habitur më thirrnin me nofkën Divudo, sepse punoja vetëm në këto ditë të javës: dinsdag [të martën], woensdag [të mërkurën] dhe donderdag [të enjten]. Rroga u ul rreth 40 për qind. Shita shtëpinë dhe bleva një varkë-shtëpi, që të shërbeja atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Më pas përfitova nga një rast për të dalë përpara kohe në pension; të ardhurat e mia u ulën edhe 20 për qind, por në vitin 1993 arrita të filloja shërbimin si pionier i rregullt.»

Sot Jani është pjesëtar i një Komiteti të Lidhjes me Spitalet dhe ka shërbyer rregullisht si mbikëqyrës kongresi. Uoti, edhe pse me shëndet jo të mirë, herë pas here shërben si pioniere ndihmëse. Të tre fëmijët tani janë martuar dhe bashkë me bashkëshortët janë shërbëtorë të zellshëm të Mbretërisë.

Si ia kanë arritur Jani dhe Uoti të përshtaten me një nivel më të ulët jetese? Jani përgjigjet: «Kur kishim me bollëk nga ana materiale përpiqeshim të mos lidheshim tepër pas këtyre gjërave. Sot mund të jetë paksa e papëlqyeshme të na duhet të presim ca, para se të blejmë diçka, por bekimet dhe privilegjet frymore që kemi marrë plotësojnë me bollëk çdo gjë që mund të na mungojë.»

Ashtu si Jani dhe Uoti, edhe Drisi dhe Jeni vendosën të bënin një jetë të thjeshtë për t’u kushtuar më shumë kohë interesave të Mbretërisë. Drisi dhe Jeni shërbyen si pionierë derisa u lindi një fëmijë. Pastaj për t’u kujdesur për familjen Drisi filloi të punonte si administrator në një firmë të madhe. Punëdhënësit e çmonin punën e tij dhe i ofruan një ngritje në detyrë. Por Drisi nuk e pranoi, sepse ta pranonte atë do të thoshte të kishte më pak kohë për veprimtaritë e krishtere.

Çifti duhej të kushtonte shumë kohë dhe energji për të rritur fëmijët, si dhe për t’u kujdesur për nënën e sëmurë të Jenit. Prapëseprapë vazhduan të kultivonin frymën e pionierit. Çfarë i ndihmoi ta bënin këtë? Jeni shpjegon: «Ftonim në shtëpi pionierë për të banuar me ne, për të ngrënë bashkë dhe u ofronim strehim mbikëqyrësve qarkorë.» Drisi shton: «Mbanim një jetë të thjeshtë dhe nuk hynim në borxhe. Vendosëm të mos i futeshin ndonjë sipërmarrjeje të madhe ose të mos blinim shtëpi, që në të ardhmen të mos pengoheshim nga këto gjëra.»

Vendimi i Drisit dhe i Jenit për të krijuar rrethana që do t’u lejonin më shumë kohë për interesat e Mbretërisë pati rezultate shpërblyese. Të dy djemtë e tyre tani shërbejnë si pleq dhe njëri shërben si pionier bashkë me gruan. Drisi dhe Jeni shërbyen si pionierë specialë dhe më vonë Jeni e shoqëroi Drisin në veprën qarkore. Tani janë vullnetarë në Bethel ku Drisi shërben si anëtar i Komitetit të Degës.

Në pension para kohe

Ashtu si Drisi e Jeni, edhe Otoja dhe gruaja e tij, Xhudi, shërbenin si pionierë para se të bëheshin me dy vajza. Kur Xhudi priste fëmijën e parë, Otoja gjeti punë si mësues.

Ndërsa fëmijët rriteshin, Otoja dhe Xhudi ftonin shpesh në shtëpi pionierë që vajzat të shihnin gëzimin e të krishterëve që shërbenin në kohë të plotë. Me kalimin e kohës, vajza e madhe filloi shërbimin si pioniere. Më vonë ndoqi Shkollën e Galaadit dhe tani bashkë me burrin shërbejnë si misionarë në një vend afrikan. Vajza e vogël filloi shërbimin si pioniere në vitin 1987 dhe po ashtu edhe Xhudi.

Kur rrethanat e reja e lejuan Oton të punonte më pak orë në shkollë, ai e përdori kohën shtesë për të shërbyer si pionier. Së fundi e la punën. Sot, si mbikëqyrës udhëtues, Otoja e përdor aftësinë si mësues për t’i forcuar kongregacionet nga ana frymore.

Cila është këshilla e Otos për ata që dalin në pension para kohe? «Kur dilni në pension, mos vendosni ta merrni shtruar për një vit ose më shumë. Është e lehtë të mësohesh ‘ta marrësh shtruar’. Përpara se ta kuptoni, do ta keni harruar shërbimin e pionierit. Përkundrazi filloni menjëherë të merrni pjesë më shumë në veprimtaritë e shërbimit dhe të kongregacionit.»

Ta vëmë në punë përvojën e jetës

Është e vërtetë se vëllezërit si Pami, Jani, Drisi dhe Otoja nuk kanë forcën dhe fuqinë që kishin kur ishin më të rinj. Por zotërojnë më shumë pjekuri, përvojë dhe mençuri. (Fjalët e urta 20:29) E dinë se ç’do të thotë të jesh baba dhe, ngaqë kanë punuar bashkë me gratë e tyre, e kanë njëfarë ideje se sa shumë gjëra përfshin të jesh nënë. Bashkë me gratë e tyre kanë përballuar problemet familjare dhe kanë vënë synime teokratike për fëmijët. Otoja thotë: «Kur jap këshilla si mbikëqyrës qarkor për çështjet e familjes, më ndihmon fakti që kam rritur vetë fëmijë.» Po ashtu përvoja e Drisit si baba e bën atë një pjesëtar më të vlefshëm të familjes Bethel ku punojnë shumë të rinj.

Po, përvoja personale i ndihmon këta vëllezër të kujdesen për nevojat e ndryshme nëpër kongregacione. Kjo përvojë ua ka mprehur aftësitë që zotërojnë, në atë mënyrë që t’i përdorin energjitë për të nxjerrë sa më shumë dobi. (Predikuesi 10:10) Në fakt në periudha të caktuara shpesh mund të bëjnë më shumë se ata që janë më të fortë fizikisht, por me më pak përvojë.

Këta vëllezër bashkë me gratë e tyre janë shembuj të shkëlqyer për të rinjtë që ndodhen mes popullit të Perëndisë. Të rinjtë vërejnë se çifte të tilla i kanë përjetuar vetë shumë prej sfidave dhe bekimeve që raportohen në botimet e krishtere. Është inkurajuese të shohësh burra e gra që shfaqin një frymë si ajo e Kalebit, i cili, edhe pse në moshë të thyer, kërkoi një caktim sfidues.​—Jozueu 14:10-12.

Të imitojmë besimin e tyre

A mund të imitoni besimin dhe mënyrën se si vepruan çiftet e përmendura në këtë artikull? Kujtoni se mënyra e tyre e të jetuarit përqendrohej tek e vërteta. Ata zhvilluan te fëmijët dëshirën për të shërbyer si pionierë. E bënë këtë, siç thotë Jani, «duke qenë shembull të dashurisë për Jehovain dhe për organizatën e tij, duke pasur kujdes që të kishin shoqëri të mirë dhe duke u mësuar fëmijëve të mbahen vetë nga ana financiare». Gjithashtu punonin dhe luanin bashkë si familje. Pami kujton: «Gjatë pushimeve e gjithë familja si zakonisht në mëngjes shkonte në veprën e predikimit dhe pasdite zbaviteshim së bashku.»

Po ashtu këta të krishterë i planifikonin gjërat që më përpara kështu që kur ndryshonin rrethanat, ishin gati të nxirrnin dobi nga rrethana e re. Ata vinin synime dhe merrnin vendime për t’i arritur më shpejt synimet. Kërkonin mënyra për të punuar më pak në botë dhe ishin gati të jetonin me më pak të ardhura. (Filipianëve 1:10) Gratë i mbështetnin plotësisht burrat e tyre. Të gjithë kishin një dëshirë të fortë për të hyrë në ‘derën e gjerë që çon në aktivitet’ dhe, si rezultat, përjetojnë me bollëk bekime nga Jehovai.​—1 Korintasve 16:9; Fjalët e urta 10:22.

A keni dëshirë edhe ju për ta zgjeruar shërbimin? Nëse po, duke shfrytëzuar sa më mirë rrethanat e reja mund të shihni se ky është çelësi për ta realizuar këtë dëshirë.

[Figura në faqen 20]

Pami dhe Ani ndërsa kujdesen për Sallën e Asambleve

[Figura në faqen 20]

Jani dhe Uoti duke marrë pjesë në veprën e predikimit

[Figura në faqen 21]

Drisi dhe Jeni ndërkohë që shërbejnë në Bethel

[Figura në faqen 21]

Otoja dhe Xhudi duke u përgatitur për të vizituar një kongregacion tjetër