Përpara dhe pas: Jeta e saj ndryshoi krejtësisht
«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»
Përpara dhe pas: Jeta e saj ndryshoi krejtësisht
SA E pakëndshme dhe e pakuptimtë ishte bërë jeta për Matsepangun! Ajo ishte një e re nga Lezoto, një shtet në zemër të Afrikës së Jugut. Matsepangu u rrit në një familje katolike. Por, në vend që ta ndihmonin t’i afrohej Perëndisë, për vite të tëra, murgeshat abuzonin me të, duke i dhënë para që të përfshihej në vepra imorale me to.
Si pasojë, Matsepangu ishte e zhgënjyer nga feja dhe nuk arrinte të besonte te një Krijues i dashur që kujdeset vërtet për krijesat njerëzore. Për shkak se e shpërfillnin dhe abuzonin me të, Matsepangu kishte vraga të thella emocionale dhe ndihej fare e pavlefshme. Kur u rrit, u bë shumë e dhunshme dhe agresive. Kjo çoi në sjellje kriminale.
Së fundi, Matsepangu bënte pjesë në një bandë që plaçkiste njerëzit që udhëtonin me tren. U arrestua dhe u dënua me burgim në Afrikën e Jugut. Më vonë e dëbuan në vendin e saj, në Lezoto, ku vazhdoi një jetë me krime, dehje, dhunë dhe imoralitet.
Kur ndodhej në një gjendje shumë të dëshpëruar, Matsepangu iu lut Perëndisë për ndihmë. Ajo bëri këtë premtim: «O Zot, nëse mbijetoj, do të bëj gjithçka që mundem për të të shërbyer.»
Pak pas kësaj, takoi dy misionarë që ishin Dëshmitarë të Jehovait. Ata i thanë të studionte Biblën me ta. Nga studimi kuptoi se Perëndia nuk është indiferent dhe mospërfillës. Në të vërtetë kuptoi se Satanai, «ati i gënjeshtrës», përdor taktika dinake dhe mashtruese për të ushqyer te disa njerëz ndjenjën e pavlefshmërisë dhe t’i bëjë të mendojnë se Jehovai nuk mund t’i dojë kurrë.—Gjoni 8:44; Efesianëve 6:11.
Përkundrazi, sa u ngushëllua Matsepangu kur mësoi se mund të kemi respekt për veten në qoftë se pendohemi për mëkatet e së kaluarës, kërkojmë faljen e Perëndisë dhe përpiqemi fort t’i pëlqejmë atij! Atë e ndihmuan të kuptonte se «Perëndia është më i madh se zemra jonë» dhe na sheh në një mënyrë që mund të jetë krejt e ndryshme nga mënyra se si e shohim ne veten.—1 Gjonit 3:19, 20.
Matsepangu u drithërua kur lexoi këto fjalë të psalmistit David: «Zoti [Jehovai, BR] qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Si një prej atyre ‘me frymë të dërrmuar’, ajo arriti të kuptonte se Jehovai nuk i braktis shërbëtorët e tij, edhe nëse disa prej tyre ndihen të brengosur ose të parëndësishëm. Asaj iu ngroh zemra kur mësoi se Perëndia kujdeset për të gjitha delet e tij dhe i mbështet në kohë të vështira. (Psalmi 55:22; 1 Pjetrit 5:6, 7) Veçanërisht u prek nga fjalët: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.»—Jakovit 4:8.
Fuqia e Fjalës së Perëndisë, Biblës, u bë shpejt e dukshme në jetën e Matsepangut. Ajo filloi t’i ndiqte rregullisht mbledhjet e krishtere dhe i braktisi praktikat e saj jobiblike. Cili ishte rezultati? Nuk ndihet më e pavlefshme për dashurinë dhe pëlqimin e Jehovait. Që nga koha që është pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait, ka kaluar mijëra orë në shërbimin e krishterë si lajmëtare e lajmit të mirë të Mbretërisë. Pavarësisht nga plagët e së kaluarës, tani bën një jetë të lumtur dhe domethënëse. Çfarë shfaqje e fuqisë së Perëndisë për të përmirësuar jetën e njerëzve!—Hebrenjve 4:12.
[Diçitura në faqen 9]
«O Zot, nëse mbijetoj, do të bëj gjithçka që mundem për të të shërbyer»
[Kutia në faqen 9]
Parimet biblike në veprim
Më poshtë jepen disa nga parimet biblike që kanë ngushëlluar viktimat e keqtrajtimeve:
«Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua [të Perëndisë] nisën të ma ledhatonin shpirtin.» (Psalmi 94:19, BR) «Ngushëllimet» e Jehovait, të cilat gjenden në Fjalën e tij, janë një burim ngushëllimi të madh. Kur mendojmë për këto ngushëllime gjatë meditimit dhe lutjes, marrim ndihmë që t’i fashitim mendimet turbulluese, dhe na ndërtohet besimi se Perëndia është një Mik që na kupton.
«Ai [Jehovai] shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.» (Psalmi 147:3) Nëse e çmojmë mëshirën e Jehovait dhe masën që ka marrë ai për të mbuluar mëkatet tona me anë të flijimit shpërblerës të Jezuit, atëherë mund t’i afrohemi Perëndisë me siguri, pa na dënuar më zemra jonë. Kjo mund të sjellë ngushëllim të pashoq dhe paqe mendore.
«Askush nuk mund të vijë tek unë [Jezu Krishti], nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq; e unë do ta ringjall atë ditën e fundit.» (Gjoni 6:44) Nëpërmjet frymës së tij të shenjtë dhe veprës së predikimit të Mbretërisë, Jehovai vetë na tërheq drejt Birit të tij dhe na jep shpresën e jetës së përhershme.