Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të përpiqemi t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai

Të përpiqemi t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai

Të përpiqemi t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai

«Zoti nuk shikon si shikon njeriu.»​—1 SAMUELIT 16:7.

1, 2. Si ndryshonte pikëpamja e Jehovait për Eliabin nga ajo e Samuelit dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo gjë?

NË SHEKULLIN e 11-të p.e.s., Jehovai e dërgoi profetin Samuel për një mision të fshehtë. Ai e urdhëroi profetin të shkonte në shtëpinë e një njeriu të quajtur Jese dhe të miroste një prej bijve të tij si mbret të ardhshëm të Izraelit. Kur Samueli pa birin e parëlindur të Jeseut, Eliabin, ishte i sigurt se kishte gjetur atë që kishte zgjedhur Perëndia. Por Jehovai i tha: «Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti [Jehovai, BR] shikon zemrën.» (1 Samuelit 16:6, 7) Samueli nuk arrinte ta shihte Eliabin siç e shihte Jehovai. *

2 Sa e lehtë është për njerëzit t’i gjykojnë gabim të tjerët! Nga njëra anë, mund të mashtrohemi nga individë që nga jashtë duken tërheqës, por brenda janë të paskrupuj. Nga ana tjetër, mund të jemi të rreptë e të patundur në vlerësimin që u bëjmë individëve të sinqertë, veçoritë e personalitetit të të cilëve na acarojnë.

3, 4. (a) Nëse mes dy të krishterëve lind një problem, çfarë duhet të jetë i vendosur të bëjë secili prej tyre? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes kur kemi një mosmarrëveshje serioze me një bashkëbesimtar?

3 Mund të lindin probleme kur jemi të shpejtë për t’i gjykuar të tjerët, madje edhe ata që i njohim prej vitesh. Ndoshta kemi bërë fjalë me një të krishterë që dikur ishte miku ynë i ngushtë. A do të na pëlqente ta mbyllnim plagën e krijuar? Çfarë do të na ndihmojë për ta bërë këtë?

4 Pse të mos bëjmë një shqyrtim të shtruar dhe pozitiv të vëllait ose të motrës së krishterë? Këtë ta bëjmë nën dritën e fjalëve të Jezuit: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Pastaj le të pyesim veten: ‘Pse e tërhoqi Jehovai këtë person te Biri i tij? Çfarë cilësish të dëshirueshme zotëron ky individ? Mos vallë nuk i vija re ose i nënvlerësoja këto cilësi? Pse u bëmë miq më parë? Çfarë më tërhoqi drejt tij?’ Në fillim mund ta kemi të vështirë të mendojmë për anët e mira, sidomos nëse kemi ushqyer brenda vetes ndjenja negative prej disa kohësh. Megjithatë ky është një hap jetësor për të mbyllur plagën e krijuar. Për ta ilustruar se si mund të bëhet kjo, le të përpiqemi të gjejmë disa karakteristika pozitive te dy burra që ndonjëherë shihen në një dritë negative. Ata janë profeti Jonai dhe apostulli Pjetër.

Një shqyrtim i ndershëm i Jonait

5. Çfarë detyre iu dha Jonait dhe si reagoi ai?

5 Jonai shërbeu si profet në mbretërinë veriore të Izraelit në ditët e mbretit Jeroboami II, birit të Jehoasit. (2 Mbretërve 14:23-25) Një ditë Jehovai e urdhëroi Jonain që të ikte nga Izraeli e të shkonte në Ninevi, në kryeqytetin e perandorisë së fuqishme asiriane. Cili ishte caktimi i tij? Duhej të paralajmëronte banorët e Ninevisë se qyteti i tyre i madh së shpejti do të shkatërrohej. (Jonai 1:1, 2) Në vend që të ndiqte drejtimin e Perëndisë, Jonai ia mbathi tutje. Ai hipi në një anije që shkonte në Tarshish, shumë larg nga Ninevia.​—Jonai 1:3.

6. Pse Jehovai e zgjodhi Jonain që të shkonte në Ninevi?

6 Çfarë na vjen në mendje kur mendojmë për Jonain? A mendojmë se ishte një profet i pabindur? Po ta shohim përciptazi mund të arrijmë në këtë përfundim. Por, a e emëroi Perëndia Jonain si profet sepse ishte i pabindur? Patjetër që jo! Ai duhet të ketë pasur disa cilësi të dëshirueshme. Le të shqyrtojmë dokumentimin e tij si profet.

7. Nën cilat rrethana i kishte shërbyer Jonai në Izrael Jehovait dhe si ndikon njohja e kësaj gjëje në pikëpamjen që keni për të?

7 Në fakt, Jonai kishte punuar fort e me besnikëri në Izrael, i cili ishte një territor shumë i pafrytshëm. Profeti Amos, i cili jetoi pothuajse në të njëjtën kohë me Jonain, i përshkroi izraelitët e asaj kohe si kënaqësidashës dhe materialistë. * Në vend po ndodhnin gjëra të këqija, por izraelitët as që donin t’ia dinin fare. (Amosi 3:13-15; 4:4; 6:4-6) Prapëseprapë, ditë pas dite, Jonai me besnikëri e kreu detyrën për t’u predikuar atyre. Nëse jemi lajmëtarë të lajmit të mirë, e dimë se sa e vështirë është t’u flasim njerëzve që janë të vetëkënaqur dhe apatikë. Prandaj, ndërkohë që e pranojmë se Jonai kishte dobësitë e veta, të mos harrojmë cilësitë e tij, si besnikëria dhe qëndrueshmëria, ndërsa u predikonte izraelitëve jobesnikë.

8. Çfarë sfidash do të haste një profet izraelit në Ninevi?

8 Caktimi për të shkuar në Ninevi përfshinte një sfidë edhe më të madhe. Për të shkuar në atë qytet, Jonai duhej të udhëtonte rreth 800 kilometra më këmbë, një udhëtim i vështirë që mund të zgjaste rreth një muaj. Kur të mbërrinte, profeti duhej t’u predikonte asirianëve, të cilët njiheshin si mizorë. Shpesh luftërat që bënin karakterizoheshin nga torturat sadiste. Madje, ata mburreshin për egërsinë e tyre. Jo më kot Ninevia quhej «qyteti gjakatar».​—Naumi 3:1, 7.

9. Çfarë cilësish shfaqi Jonai kur një stuhi e fortë kërcënonte marinarët?

9 Meqë ngurronte t’i bindej urdhrit të Jehovait, Jonai hipi në një anije që e çonte gjithnjë e më larg nga caktimi i tij. Megjithatë Jehovai nuk e humbi besimin te profeti i tij ose nuk e zëvendësoi me një tjetër. Përkundrazi Jehovai veproi për ta sjellë në vete Jonain. Perëndia shkaktoi një stuhi të fortë në det. Anija ku ndodhej Jonai lëkundej sa andej-këtej nga dallgët. Njerëz të pafajshëm për pak vdiqën vetëm për shkak të Jonait. (Jonai 1:4) Si do të reagonte Jonai? Ngaqë nuk donte që marinarët e anijes të humbnin jetën për shkakun e tij, u tha atyre: «Më zini dhe më hidhni në det dhe deti do të qetësohet.» (Jonai 1:12) Kur marinarët më në fund e hodhën Jonain, ai nuk kishte më arsye për të menduar se Jehovai do ta shpëtonte nga deti. (Jonai 1:15) Sidoqoftë, Jonai ishte i gatshëm të vdiste që marinarët të mos vdisnin. A nuk na tregojnë veprimet e tij se kishte cilësinë e guximit, të përulësisë dhe të dashurisë?

10. Çfarë ndodhi pasi Jehovai i dha të njëjtin caktim Jonait?

10 Përfundimisht, Jehovai e shpëtoi Jonain. A bënë veprimet më të fundit të Jonait që ai të mos ishte më i denjë për të shërbyer si përfaqësues i Perëndisë? Jo, Jehovai me mëshirë dhe me dashuri ia përsëriti profetit detyrën për t’u predikuar ninevitëve. Kur Jonai arriti në Ninevi, ai u tha me guxim banorëve se Perëndia kishte vënë re të keqen e tyre të madhe dhe se qyteti do të shkatërrohej për 40 ditë. (Jonai 1:2; 3:4) Pasi dëgjuan mesazhin e drejtpërdrejtë të Jonait, ninevitët u penduan dhe qyteti i tyre nuk u shkatërrua.

11. Çfarë tregon se Jonai nxori një mësim të vlefshëm?

11 Prapëseprapë Jonai nuk kishte ende pikëpamjen e duhur. Megjithatë, me anë të një mësimi praktik, Jehovai me durim e ndihmoi Jonain që të mësonte se Ai sheh përtej pamjes së jashtme. Ai shqyrton zemrën. (Jonai 4:5-11) Jonai nxori një mësim të vlefshëm, dhe këtë e shohim nga tregimi i ndershëm që ai dokumentoi vetë. Gatishmëria për t’i shkruar të metat me hollësi është provë e mëtejshme e përulësisë së tij. Në të vërtetë kërkohet guxim për të pranuar një gabim.

12. (a) Si e dimë që Jezui ka për njerëzit të njëjtën pikëpamje si Jehovai? (b) Cilën pikëpamje ndaj njerëzve që u predikojmë lajmin e mirë nxitemi që të kemi vazhdimisht? (Shihni kutinë në faqen 18.)

12 Shekuj më vonë Jezu Krishti foli në mënyrë pozitive për një ngjarje të jetës së Jonait. Ai tha: «Ashtu siç Jonai ishte në barkun e peshkut të madh tri ditë e tri net, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemër të tokës tri ditë e tri net.» (Mateu 12:40) Pasi të ringjallet, Jonai do të mësojë se Jezui e krahasoi kohën e Tij në varr me këtë periudhë të errët të jetës së profetit. A nuk jemi të lumtur t’i shërbejmë një Perëndie që nuk i hedh poshtë shërbëtorët e tij kur bëjnë gabime? Psalmisti shkroi: «Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» (Psalmi 103:13, 14) Në të vërtetë ky «pluhur», që përfshin njerëzit e papërsosur sot, mund të bëjë shumë gjëra me mbështetjen e frymës së shenjtë të Perëndisë.

Një pikëpamje të ekuilibruar për Pjetrin

13. Cilat karakteristika të Pjetrit mund të na vijnë në mendje, por pse e zgjodhi Jezui atë si apostull?

13 Tani le të shqyrtojmë shkurtimisht një shembull të dytë, atë të apostullit Pjetër. Nëse do të na kërkonin të përshkruanim Pjetrin, a do të mendonim menjëherë për karakteristika të tilla, si njeri i nxituar, i rrëmbyer, madje me besim të tepruar te vetja? Ndonjëherë Pjetri vërtet i shfaqi këto karakteristika. Por, a do ta kishte zgjedhur Jezui Pjetrin si një prej 12 apostujve, nëse do të kishte qenë vërtet një njeri i nxituar, i rrëmbyer ose me besim të tepruar te vetja? (Luka 6:12-14) Patjetër që jo! Jezui shikoi përtej këtyre të metave dhe dalloi cilësitë pozitive të Pjetrit.

14. (a) Si mund të shpjegohet çiltërsia e Pjetrit? (b) Pse duhet të jemi mirënjohës që Pjetri shpesh bënte pyetje?

14 Ndonjëherë Pjetri fliste në emër të apostujve. Disa mund ta shohin këtë si dëshmi që ai nuk ishte modest. Por, a është medoemos kështu? Mendohet se Pjetri mund të ketë qenë më i moshuar se apostujt e tjerë, ndoshta madje më i moshuar se Jezui. Po të ishte kështu, kjo mund të shpjegojë se përse Pjetri fliste kaq shpesh i pari. (Mateu 16:22) Gjithsesi duhet të shqyrtojmë një faktor tjetër. Pjetri ishte një burrë frymor. Etja për njohuri e shtynte të bënte pyetje. Kjo gjë na ka sjellë dobi neve. Jezui tha shumë gjëra të çmuara si përgjigje ndaj pyetjeve të Pjetrit dhe këto janë ruajtur në Bibël. Për shembull, Jezui foli për ‘kujdestarin e besueshëm’ për t’iu përgjigjur një pyetjeje të Pjetrit. (Luka 12:41-44) Të shqyrtojmë edhe pyetjen e Pjetrit: «Ne i kemi lënë të gjitha gjërat dhe të ndoqëm; ç’do të ketë, në fakt, për ne?» Kjo çoi në premtimin forcues të Jezuit: «Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose baba, ose nënë, ose fëmijë, ose toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetë të përhershme.»​—Mateu 15:15; 18:21, 22; 19:27-29.

15. Pse mund të thuhet se Pjetri ishte vërtet besnik?

15 Pjetri kishte një cilësi tjetër të shkëlqyer, ai ishte besnik. Kur shumë dishepuj nuk e ndoqën më Jezuin, ngaqë nuk kuptuan një prej mësimeve të tij, ishte Pjetri që foli pa ngurruar në emër të 12 apostujve dhe tha: «Zotëri, te kush të ikim? Ti ke fjalë jete të përhershme.» (Gjoni 6:66-68) Sa shumë duhet t’ia kenë ngrohur zemrën Jezuit këto fjalë! Më vonë, kur një turmë erdhi për ta arrestuar Zotërinë, shumica e apostujve ia mbathën. Por Pjetri e ndoqi turmën nga njëfarë largësie dhe hyri drejt e në oborrin e kryepriftit. Ajo që e shtyu të shkonte aty nuk ishte burracakëria, por guximi. Ndërsa Jezuin po e merrnin në pyetje, Pjetri u bashkua me një grup judenjsh që po ngroheshin pranë zjarrit të shndritshëm. Një prej skllevërve të kryepriftit e njohu dhe e akuzoi se kishte qenë me Jezuin. Është e vërtetë se Pjetri e mohoi Zotërinë, por le të mos harrojmë se Pjetri u gjend në atë rrethanë të rrezikshme sepse ishte besnik ndaj Jezuit dhe ishte në merak për të. Pjesa më e madhe e apostujve nuk guxuan të gjendeshin në atë rrethanë.​—Gjoni 18:15-27.

16. Për ç’arsye praktike kemi shqyrtuar cilësitë pozitive të Jonait e të Pjetrit?

16 Cilësitë pozitive të Pjetrit i tejkalonin shumë të metat e tij. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Jonain. Ashtu si Jonain dhe Pjetrin i kemi parë nga një këndvështrim më pozitiv se sa do të bënim zakonisht, po kështu duhet të stërvitemi që t’i vlerësojmë në mënyrë më pozitive vëllezërit dhe motrat tona frymore sot. Po të veprojmë kështu do të kemi marrëdhënie më të mira me ta. Pse kemi vërtet nevojë për këtë?

Ta zbatojmë mësimin sot

17, 18. (a) Pse midis të krishterëve mund të lindin fërkime? (b) Cilat këshilla biblike mund të na ndihmojë t’i zgjidhim mosmarrëveshjet me bashkëbesimtarët?

17 Burra, gra dhe fëmijë nga të gjitha nivelet ekonomike, si edhe nga të gjitha prejardhjet raciale e arsimore, po i shërbejnë sot të bashkuar Jehovait. (Zbulesa 7:9, 10) Çfarë shumëllojshmërie personalitetesh që shohim në kongregacionin e krishterë! Meqenëse po i shërbejmë Perëndisë në shoqëri të ngushtë me njëri-tjetrin, është e pashmangshme që ndonjëherë të lindin fërkime.​—Romakëve 12:10; Filipianëve 2:3.

18 Edhe pse i shohim të metat e vëllezërve, nuk përqendrohemi në to. Përpiqemi të imitojmë Jehovain, për të cilin psalmisti këndoi: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte [të qëndronte në këmbë, BR], o Zot?» (Psalmi 130:3) Në vend që të ndalemi në veçori të personalitetit që mund të na ndajnë, ne «ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe gjërat që janë ndërtuese për njëri-tjetrin». (Romakëve 14:19) Përpiqemi t’i shohim individët siç i sheh Jehovai, duke parë përtej të metave dhe duke u përqendruar në cilësitë e mira. Kur e bëjmë këtë, kjo na ndihmon që ‘të vazhdojmë të durojmë njëri-tjetrin’.​—Kolosianëve 3:13.

19. Theksoni hapat praktikë që mund të marrë një i krishterë për të zgjidhur mosmarrëveshjet serioze.

19 Ç’të themi nëse lindin keqkuptime që vazhdojnë të na trazojnë? (Psalmi 4:4) A ka ndodhur kjo gjë mes nesh dhe një bashkëbesimtari? Pse të mos përpiqemi që ta zgjidhim çështjen? (Zanafilla 32:13-15) Së pari, le t’i afrohemi Jehovait në lutje, duke kërkuar drejtimin e tij. Pastaj, duke pasur në mendje karakteristikat e shkëlqyera të personit, le t’i afrohemi atij me «butësinë që i përket mençurisë». (Jakovit 3:13) T’i themi se duam të bëjmë paqe. Të kujtojmë këshillën e frymëzuar: ‘Të jemi të shpejtë për të dëgjuar, të ngadalshëm për të folur, të ngadalshëm për t’u zemëruar’. (Jakovit 1:19) Këshilla për të qenë ‘të ngadalshëm për t’u zemëruar’ nënkupton që personi tjetër mund të bëjë ose të thotë diçka që mund të na zemërojë. Po të ndodhë kjo, t’i kërkojmë Jehovait që të ruajmë vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Le ta shprehë vëllai atë që ka për të thënë dhe ta dëgjojmë me kujdes. Të mos e ndërpresim, edhe nëse nuk jemi të një mendjeje me gjithçka që thotë. Pikëpamja e tij mund të jetë e gabuar, por, sido që të jetë ajo, është pikëpamja e tij. Të përpiqemi ta shohim problemin nga këndvështrimi i tij. Kjo mund të përfshijë fare mirë që ta shohim veten nga këndvështrimi i vëllait.​—Fjalët e urta [Proverbat] 18:17.

20. Cilët hapa të mëtejshëm ka të ngjarë të përfundojnë me pajtim kur zgjidhim mosmarrëveshjet?

20 Kur është radha jonë për të folur, le të flasim me hir. (Kolosianëve 4:6) T’i themi vëllait se çfarë çmojmë tek ai. T’i kërkojmë falje për ndonjë gjë që kemi bërë, e cila ka shkaktuar keqkuptimin. Nëse përpjekjet tona të përulura përfundojnë me pajtim, të falënderojmë Jehovain. Nëse jo, le të vazhdojmë t’i kërkojmë drejtim atij, ndërkohë që kërkojmë mundësi të tjera për të bërë paqe.​—Romakëve 12:18.

21. Si ju ka ndihmuar ky trajtim për t’i parë të tjerët siç i sheh Jehovai?

21 Jehovai i do të gjithë shërbëtorët e tij. Ai kënaqet të na përdorë të gjithë në shërbimin e tij pavarësisht nga papërsosmëritë tona. Ndërsa mësojmë më shumë për mënyrën se si i sheh ai të tjerët, dashuria jonë për vëllezërit dhe motrat do të rritet. Në qoftë se dashuria për vëllezërit dhe motrat është ftohur, mund të gjallërohet përsëri. Ç’bekim që do të marrim nëse bëjmë një përpjekje këmbëngulëse për të shfaqur një pikëpamje pozitive për të tjerët, po, për t’i parë ata siç i sheh Jehovai!

[Shënimet]

^ par. 1 Më vonë u bë e dukshme se Eliabi i pashëm nuk i kishte cilësitë për të qenë mbret i përshtatshëm për Izraelin. Kur filisteu gjigant Goliad i sfidoi izraelitët për të luftuar, Eliabi dhe burrat e tjerë të Izraelit u strukën nga frika.​—1 Samuelit 17:11, 28-30.

^ par. 7 Për shkak të disa fitoreve të rëndësishme, të rikthimit të territorit të dikurshëm dhe të haraçit që ka të ngjarë të mblidhte pas kësaj, Jeroboami II me sa duket i shtoi pasuritë e mbretërisë veriore.​—2 Samuelit 8:6; 2 Mbretërve 14:23-28; 2 Kronikave 8:3, 4; Amosi 6:2.

Si do të përgjigjeshit?

• Si i sheh Jehovai të metat e shërbëtorëve të tij besnikë?

• Cilat cilësi pozitive të Jonait e të Pjetrit mund të përmendni?

• Cilën pikëpamje jeni të vendosur të mbani ndaj vëllezërve të krishterë?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 18]

Të mendojmë se si i sheh Perëndia të tjerët

Ndërsa meditojmë rreth tregimit biblik të Jonait, a vërejmë se kemi nevojë që t’i shohim me një sy tjetër njerëzit të cilëve u predikojmë rregullisht lajmin e mirë? Ata mund të na duken të vetëkënaqur ose apatikë, ashtu si izraelitët, ose mund ta kundërshtojnë mesazhin e Perëndisë. Megjithatë, si i duken Perëndisë Jehova? Edhe disa që kanë pozita me rëndësi në këtë sistem, një ditë mund të kthehen te Jehovai, ashtu si mbreti i Ninevisë, i cili u pendua si rezultat i predikimit të Jonait.​—Jonai 3:6, 7.

[Figura në faqen 15]

A i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai?

[Figura në faqet 16, 17]

Jezui gjeti për të thënë diçka pozitive rreth përvojës së Jonait