Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Butësia​—Një cilësi e krishterë thelbësore

Butësia​—Një cilësi e krishterë thelbësore

Butësia​—Një cilësi e krishterë thelbësore

‘Vishuni me . . . butësinë.’​—KOLOSIANËVE 3:12.

1. Çfarë e bën butësinë një cilësi të shquar?

KUR koha është e butë, është e pëlqyeshme dhe e këndshme. Kur dikush është i butë, është një kënaqësi të jesh me të. Megjithatë, siç theksoi mbreti i mençur Solomon, «gjuha e butë mund të thyejë kocka». (Fjalët e urta [Proverbat] 25:15, BR) Butësia është një cilësi e shquar që ndërthur hijeshinë me forcën.

2, 3. Çfarë lidhjeje ka ndërmjet butësisë e frymës së shenjtë dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Apostulli Pavël e përfshiu butësinë në përshkrimin e ‘frytit të frymës’. Ky përshkrim gjendet te Galatasve 5:22, 23. Fjala greke që në Përkthimin Bota e Re në vargun 23 është përkthyer «butësi», shpesh në versione të tjera të Biblës është përkthyer «zemërbutësi» ose «sjellje e butë». Në fakt, në pjesën më të madhe të gjuhëve, është e vështirë të gjesh një fjalë që të ketë të njëjtin kuptim të saktë me këtë fjalë greke. Kjo pasi fjala origjinale nuk përshkruan sjelljen e butë dhe zemërbutësinë e jashtme, por butësinë dhe hirin e brendshëm; nuk përshkruan mënyrën se si sillet dikush, por gjendjen e mendjes dhe të zemrës së dikujt.

3 Për të na ndihmuar që ta kuptojmë sa më plotësisht domethënien dhe vlerën e butësisë, le të shqyrtojmë katër shembuj biblikë. (Romakëve 15:4) Duke e bërë këtë, do të mësojmë jo vetëm se çfarë është kjo cilësi, por edhe se si mund ta fitojmë dhe ta shfaqim në të gjitha marrëdhëniet tona.

Ka «vlerë të madhe në sytë e Perëndisë»

4. Si e dimë se Jehovai e vlerëson butësinë?

4 Meqenëse butësia është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë, është e logjikshme që ajo lidhet ngushtë me personalitetin e mrekullueshëm të Perëndisë. Apostulli Pjetër shkroi se një ‘frymë e qetë dhe e butë’ ka «vlerë të madhe në sytë e Perëndisë». (1 Pjetrit 3:4) Vërtet, butësia është një cilësi e veçantë e Jehovait; ai e vlerëson jashtëzakonisht atë. Patjetër kjo në vetvete është një arsye e mjaftueshme që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë të kultivojnë butësinë. Megjithatë, si e shfaq butësinë Perëndia i plotfuqishëm, Autoriteti më i lartë në univers?

5. Çfarë shprese për të ardhmen kemi për shkak të butësisë së Jehovait?

5 Adami dhe Eva, çifti i parë njerëzor, vepruan qëllimisht kur nuk iu bindën urdhrit të qartë të Perëndisë për të mos ngrënë nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. (Zanafilla 2:16, 17) Ky veprim i vullnetshëm mosbindjeje çoi në mëkat, vdekje dhe largim nga Perëndia, si për ta, edhe për pasardhësit e tyre të ardhshëm. (Romakëve 5:12) Edhe pse Jehovai ishte plotësisht i justifikuar të jepte këtë gjykim, ai nuk hoqi dorë nga familja njerëzore sikur të ishte krejt e pandreqshme dhe e pashpengueshme. (Psalmi 130:3) Përkundrazi, për shkak të hirit të tij dhe të prirjes për të mos qenë kërkues ose i rreptë​—shprehje këto të butësisë​—Jehovai siguroi mjetin nëpërmjet të cilit njerëzimi mëkatar mund t’i afrohej dhe të fitonte pëlqimin e tij. Po, me anë të dhuratës së flijimit shpërblerës të Birit të tij, Jezu Krishtit, Jehovai bëri të mundur që t’i afrohemi fronit të tij të lartë pa frikë ose tmerr.​—Romakëve 6:23; Hebrenjve 4:14-16; 1 Gjonit 4:9, 10, 18.

6. Si ishte e dukshme butësia e Perëndisë në marrëdhënien me Kainin?

6 Shumë kohë para se Jezui të vinte në tokë, butësia e Jehovait u shfaq kur Kaini dhe Abeli, bijtë e Adamit, i paraqitën flijime Perëndisë. Meqenëse dalloi gjendjen e tyre të zemrës, Jehovai hodhi poshtë blatimin e Kainit, por ‘e pa me pëlqim’ Abelin dhe blatimin e tij. Qëndrimi mirëdashës i Perëndisë ndaj Abelit dhe ndaj flijimit të tij ngjalli te Kaini një reagim armiqësor. Tregimi biblik thotë: «Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar.» Si reagoi Jehovai? A u fye nga qëndrimi i keq i Kainit? Jo. Me butësi ai e pyeti Kainin se përse ishte kaq i zemëruar. Madje Jehovai i shpjegoi se çfarë mund të bënte Kaini për të fituar ‘pëlqimin e tij’ (BR). (Zanafilla 4:3-7) Vërtet Jehovai është personifikimi i butësisë!​—Eksodi (Dalja) 34:6.

Butësia të tërheq e të freskon

7, 8. (a) Si mund të arrijmë ta kuptojmë butësinë e Jehovait? (b) Çfarë zbulojnë fjalët e Mateut 11:27-29 për Jehovain dhe Jezuin?

7 Një nga mënyrat më të mira për të kuptuar cilësitë e pashoqe të Jehovait është nëpërmjet studimit të jetës dhe të shërbimit të Jezu Krishtit. (Gjoni 1:18; 14:6-9) Kur ishte në Galile, gjatë vitit të dytë të fushatës së tij të predikimit, Jezui kreu shumë vepra të fuqishme në Korazin, Betsaidë, Kapernaum dhe në zonën përreth. Gjithsesi shumica e njerëzve ishin krenarë e indiferentë dhe nuk deshën të besonin. Si reagoi Jezui? Edhe pse u kujtoi qartë pasojat e mungesës së tyre të besimit, ai ndjeu keqardhje për gjendjen e mjerë frymore të të ashtuquajturve am haarets, njerëzve të zakonshëm e të përvuajtur që ndodheshin mes tyre.​—Mateu 9:35, 36; 11:20-24.

8 Veprimet e mëvonshme të Jezuit treguan se ai ‘e njihte plotësisht Atin’ dhe e imitoi atë. Jezui u bëri këtë ftesë të ngrohtë njerëzve të zakonshëm: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj.» Sa ngushëllim dhe freskim u sollën këto fjalë atyre që ishin të shkelur e të shtypur! Madje këto fjalë na tërheqin edhe neve sot. Nëse me gjithë zemër vishemi me butësi, atëherë do të jemi midis atyre që ‘Biri është i gatshëm t’ua zbulojë’ Atin e tij.​—Mateu 11:27-29.

9. Cila cilësi lidhet me butësinë dhe në ç’mënyrë Jezui është një shembull i shkëlqyer në këtë drejtim?

9 E lidhur ngushtë me butësinë është përulësia, të qenët «i përulur në zemër». Krenaria nga ana tjetër çon në lartësimin e vetes dhe shpesh mund ta bëjë dikë që t’i trajtojë të tjerët në mënyrë të ashpër e të pandjeshme. (Fjalët e urta 16:18, 19) Jezui shfaqi përulësi gjatë gjithë shërbimit të tij tokësor. Edhe gjashtë ditë para se të vdiste, kur hyri në Jerusalem i hipur mbi një kafshë dhe e brohoritën si Mbret të judenjve, Jezui ishte krejt ndryshe nga sundimtarët botërorë. Ai përmbushi profecinë mesianike të Zakarisë: «Ja, Mbreti yt po vjen te ti, me natyrë të butë dhe i hipur mbi një gomar, po, mbi një kërriç, pasardhësi i një kafshe barre.» (Mateu 21:5; Zakaria 9:9) Profeti besnik, Danieli, pa një vegim në të cilin Jehovai ia delegoi autoritetin sundues Birit të tij. Por, në një profeci më të hershme, ai e përshkroi Jezuin si «më të përvuajturin e njerëzve». Vërtet butësia dhe përulësia lidhen ngushtë me njëra-tjetrën.​—Danieli 4:17, BR; 7:13, 14.

10. Pse butësia e krishterë nuk nënkupton dobësinë?

10 Butësia e mrekullueshme e shfaqur nga Jehovai dhe nga Jezui na ndihmon t’u afrohemi atyre. (Jakovit 4:8) Sigurisht që butësia nuk nënkupton aspak dobësinë. Jehovai, Perëndia i plotfuqishëm, shfaq një bollëk energjie dhe fuqie dinamike. Zemërimi i tij ndizet kundër padrejtësisë. (Isaia 30:27; 40:26) Po ashtu edhe Jezui shfaqi vendosmëri për të mos bërë kompromis, madje edhe kur ishte nën sulmin e Satana Djallit. Ai nuk i toleroi praktikat e paligjshme tregtare të udhëheqësve fetarë të kohës së tij. (Mateu 4:1-11; 21:12, 13; Gjoni 2:13-17) Sidoqoftë shfaqi butësi karakteri kur kishte të bënte me të metat e dishepujve dhe me qetësi i duroi dobësitë e tyre. (Mateu 20:20-28) Në mënyrë të përshtatshme një studiues biblik e përshkruan kështu butësinë: «Pas sjelljes së butë qëndron forca e çeliktë.» Shfaqshim këtë cilësi të krishterë, butësinë!

Më zemërbuti i kohës së tij

11, 12. Çfarë e bënte të jashtëzakonshme butësinë e Moisiut kur shohim mënyrën se si ishte rritur?

11 Shembulli i tretë që do të shqyrtojmë është ai i Moisiut. Bibla e përshkruan atë si «një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut». (Numrat 12:3) Ky përshkrim u shkrua nën frymëzimin hyjnor. Butësia e jashtëzakonshme e Moisiut e bëri atë që të ishte i ndjeshëm ndaj drejtimit të Jehovait.

12 Mënyra se si u rrit Moisiu ishte e pazakontë. Jehovai bëri të mundur që ky djalë me prindër hebrenj besnikë të mbetej gjallë në një kohë me pabesi dhe vrasje. Moisiu i kaloi vitet e para të jetës nën kujdesin e së ëmës, e cila e mësoi me kujdes rreth Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Më vonë Moisiun e morën nga shtëpia që të jetonte në një mjedis që ishte shumë i ndryshëm nga shtëpia e tij. Martiri i hershëm i krishterë, Stefani, tha: «Moisiu u arsimua me gjithë mençurinë e egjiptianëve. Në fakt ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra.» (Veprat 7:22) Besimi i tij doli në pah kur vuri re padrejtësitë e shumta që u bëheshin vëllezërve të tij nga mbikëqyrësit e skllevërve të faraonit. Moisiut iu desh të ikte nga Egjipti për në vendin e Midianit, sepse vrau një egjiptian të cilin e pa të godiste një hebre.​—Eksodi 1:15, 16; 2:1-15; Hebrenjve 11:24, 25.

13. Çfarë ndikimi pati për Moisiun qëndrimi 40-vjeçar në Midian?

13 Në moshën 40-vjeçare, Moisiut iu desh të kujdesej për veten në shkretëtirë. Në Midian ai takoi shtatë vajzat e Reuelit dhe i ndihmoi që të nxirrnin ujë për kopenë e madhe të të atit të tyre. Kur u kthyen në shtëpi, vajzat i shpjeguan me gëzim Reuelit se «një egjiptas» i kishte çliruar nga barinjtë që u binin më qafë. Me ftesë të Reuelit Moisiu banoi me atë familje. Mundimet që kishte hequr nuk e lanë të vrerosur dhe as nuk e penguan që të mësonte se si ta përshtaste mënyrën e tij të jetesës me mjedisin e ri. Dëshira e tij për të bërë vullnetin e Jehovait nuk u lëkund kurrë. Gjatë 40 viteve të gjata, ndërsa u kujdes për delet e Reuelit, u martua me Ziporën dhe rriti djemtë, Moisiu zhvilloi dhe mprehu cilësinë që do ta karakterizonte atë. Po, nga mundimet Moisiu mësoi butësinë.​—Dalja 2:16-22; Veprat 7:29, 30.

14. Përshkruani një ngjarje të kohës kur Moisiu ishte udhëheqës i Izraelit, e cila vuri në dukje butësinë e tij.

14 Pasi Jehovai e emëroi udhëheqës të kombit të Izraelit, cilësia e butësisë ishte ende e dukshme te Moisiu. Një i ri i tha Moisiut se Eldadi dhe Medadi po vepronin si profetë në kamp, edhe pse nuk kishin qenë të pranishëm kur Jehovai kishte derdhur frymën e tij mbi 70 pleqtë që duhej të shërbenin si ndihmës të Moisiut. Josiu tha: «Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!» Moisiu iu përgjigj me butësi: «Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit [Jehovait, BR] dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!» (Numrat 11:26-29) Butësia ndihmoi që të zbutej ajo gjendje e nderë.

15. Pse shembulli i tij është për t’u ndjekur edhe pse Moisiu ishte i papërsosur?

15 Në një rast duket se Moisiut i mungonte butësia. Në Meribë, pranë Kadeshit, ai u shkujdes për t’ia dhënë lavdinë Jehovait, Bërësit të mrekullive. (Numrat 20:1, 9-13) Edhe pse Moisiu ishte i papërsosur, besimi i palëkundur e mbështeti gjatë gjithë jetës dhe butësia e tij e jashtëzakonshme na bën për vete madje edhe neve sot.​—Hebrenjve 11:23-28.

Ashpërsia në kundërshtim me butësinë

16, 17. Çfarë paralajmërimi marrim nga tregimi i Nabalit dhe Abigailës?

16 Një shembull paralajmërues vjen nga koha e Davidit pak pas vdekjes së profetit të Perëndisë, Samuelit. Ka të bëjë me një çift të martuar, Nabalin dhe gruan e tij, Abigailën. Sa të ndryshëm që ishin ata! Ndërsa Abigaila ishte «me gjykim të shëndoshë», burri i saj ishte «i ashpër dhe i keq në veprimet e tij». Nabali e refuzoi me vrazhdësi kërkesën për pije dhe ushqime të burrave të Davidit, të cilët e kishin ndihmuar për t’i ruajtur nga hajdutët kopetë e mëdha të tij. I indinjuar me të drejtë, Davidi dhe një grup burrash ngjeshën shpatat dhe u nisën për t’i dalë përpara Nabalit.​—1 Samuelit 25:2-13.

17 Kur Abigaila dëgjoi se ç’kishte ndodhur, menjëherë përgatiti bukë, verë, mish, kuleçë prej rrushi të thatë e bukëfiqe dhe shkoi të takonte Davidin. Ajo iu përgjërua atij: «Imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji! Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë dhe ti dëgjo fjalët e saj.» Davidit iu zbut zemra nga përgjërimi i butë i Abigailës. Pasi dëgjoi shpjegimin e saj, Davidi tha: «Qoftë i bekuar Zoti [Jehovai, BR], Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje! E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak.» (1 Samuelit 25:18, 24, 32, 33) Së fundi, ashpërsia e çoi në vdekje Nabalin. Cilësitë e shkëlqyera të Abigailës i sollën asaj në fund gëzimin që të bëhej gruaja e Davidit. Butësia e saj lë një model për të gjithë ata që i shërbejnë sot Jehovait.​—1 Samuelit 25:36-42.

Të ndjekim butësinë

18, 19. (a) Cilat ndryshime bëhen të dukshme ndërsa vishemi me butësinë? (b) Çfarë mund të na ndihmojë që të bëjmë një vetëshqyrtim të efektshëm?

18 Butësia pra është një cilësi e domosdoshme. Ajo është më shumë sesa vetëm sjellja e butë; është një cilësi tërheqëse e temperamentit, e cila i freskon të tjerët. Në të kaluarën mund ta kishim zakon që të flitnim me ashpërsi dhe të vepronim në mënyrë të pasjellshme. Gjithsesi kur mësuam të vërtetën biblike ndryshuam dhe u bëmë më të pëlqyeshëm e të këndshëm. Pavli foli për këtë ndryshim kur i nxiti të bashkëkrishterët: «Vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë.» (Kolosianëve 3:12) Bibla e krahason këtë transformim me ndryshimin nga bisha të egra​—ujku, leopardi, luani, ariu dhe kobra​—në kafshë shtëpiake paqësore​—qengji, keci, viçi dhe lopa. (Isaia 11:6-9; 65:25) Këto ndryshime të personalitetit janë kaq të jashtëzakonshme, saqë ata që i vënë re habiten. Megjithatë për këtë transformim ne ia japim meritën veprimit të frymës së shenjtë të Perëndisë, sepse fryti i saj vërtet i jashtëzakonshëm përfshin butësinë.

19 A do të thotë kjo që pasi kemi bërë ndryshimet e nevojshme dhe pasi i jemi kushtuar Jehovait, nuk kemi më nevojë të punojmë për të qenë njerëz me natyrë të butë? Patjetër që jo! Për shembull, rrobat e reja kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm për t’i mbajtur të pastra dhe të rregullta. Po të ndalemi të shikojmë në Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë rreth shembujve që përmban ajo, kjo do të na ndihmojë ta shohim veten nga një këndvështrim i ri dhe objektiv. Çfarë zbulon rreth nesh pasqyra e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë?​—Jakovit 1:23-25.

20. Si mund të arrijmë të shfaqim butësi?

20 Temperamentet ndryshojnë sipas natyrës. Disa shërbëtorë të Perëndisë e kanë më të lehtë se të tjerët që të shfaqin butësi. Gjithsesi gjithë të krishterët duhet të kultivojnë frytin e frymës së Perëndisë, përfshirë butësinë. Pavli e këshilloi me dashuri Timoteun: «Ndiq më mirë drejtësinë, devocionin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit.» (1 Timoteut 6:11) Fjala «ndiq» nënkupton se nevojiten përpjekje. Një përkthim i Biblës e përkthen këtë nxitje me shprehjen «jepu me gjithë shpirt». (DSF) Nëse përpiqemi të meditojmë rreth shembujve të shkëlqyer nga Fjala e Perëndisë, ata bëhen të pashlyeshëm, të rrënjosur në mendje. Do të na modelojnë e do të na drejtojnë.​—Jakovit 1:21.

21. (a) Pse duhet ta ndjekim butësinë? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?

21 Mënyra se si sillemi ndaj të tjerëve tregon se në ç’masë po shfaqim butësi. Dishepulli Jakov bëri pyetjen: «Kush ndër ju është i mençur dhe me kuptueshmëri? Le të tregojë me sjelljen e vet të shkëlqyer veprat e tij, me butësinë që i përket mençurisë.» (Jakovit 3:13) Si mund ta shfaqim këtë cilësi të krishterë në shtëpi, në shërbim dhe në kongregacion? Artikulli vijues na jep këshilla të dobishme në lidhje me këtë.

Rishikim

• Çfarë mësuat rreth butësisë nga shembulli i

• Jehovait?

• Jezuit?

• Moisiut?

• Abigailës?

• Pse duhet ta ndjekim butësinë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 16]

Pse Jehovai e pa me pëlqim blatimin e Abelit?

[Figura në faqen 17]

Jezui tregoi se butësia dhe përulësia lidhen ngushtë me njëra-tjetrën

[Figura në faqen 18]

Moisiu la një shembull të shkëlqyer butësie