Darka e Zotërisë ka domethënie të madhe për ty
Darka e Zotërisë ka domethënie të madhe për ty
A KA domethënie të madhe e të përhershme për ty Darka e Zotërisë? Për ta zbuluar, le të tregojmë së pari se ç’domethënie i dha vetë Jezu Krishti kësaj ngjarjeje të veçantë.
Mbrëmjen e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui u mblodh me 12 apostujt në një dhomë të sipërme në Jerusalem për të kremtuar Pashkën e përvitshme. Pasi kishin ngrënë darkën e Pashkës, tradhtari Juda iku që të tradhtonte Jezuin. (Gjoni 13:21, 26-30) Jezui themeloi në prani të 11 apostujve «darkën e Zotërisë». (1 Korintasve 11:20) Ajo quhet edhe Përkujtimi, pasi Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» Kjo është e vetmja ngjarje që u është urdhëruar të krishterëve për ta përkujtuar.—1 Korintasve 11:24.
Sipas fjalorit Webster, një përkujtim është diçka që ndihmon «për të ruajtur kujtimin» ose «që e mban të gjallë kujtimin». Në shumë vende njerëzit ngrenë një monument ose caktojnë një ditë të veçantë për të përkujtuar dikë ose për të kremtuar diçka të rëndësishme. Në këtë rast, Jezui themeloi një darkë përkujtimore, pra një darkë që do të shërbente si një ndihmë për kujtesën e dishepujve, duke i ndihmuar ata të kujtonin ngjarjet me domethënie të madhe të asaj dite të rëndësishme. Në brezat e ardhshëm, kjo darkë përkujtimore do t’u sillte ndër mend kremtuesve domethënien e thellë të asaj që bëri Jezui atë natë, sidomos simbolet që përdori. Cilat simbole ose emblema përdori Jezui dhe ç’domethënie kanë ato? Le të shqyrtojmë tregimin biblik të asaj që ndodhi atë natë në vitin 33 të e.s.
Simbolizma të shenjta
«Mori një bukë, dha falënderime, e theu dhe ua dha atyre, duke thënë: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që ka për t’u dhënë për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.’»—Luka 22:19.
Kur Jezui mori bukën dhe tha «kjo përfaqëson trupin tim», po tregonte se buka pa maja përfaqësonte ose ishte simbol i trupit të tij mishor pa mëkat, të cilin e dha «për jetën e botës». (Gjoni 6:51) Edhe pse disa përkthime të Biblës thonë «ky është [në greqisht es·tinʹ] trupi im», fjalori i Thejërit, Greek-English Lexicon of the New Testament, thotë se shpesh kjo folje ka kuptimet «tregon, do të thotë, nënkupton». Ajo të jep idenë e përfaqësimit ose të simbolizimit.—Mateu 26:26.
E njëjta gjë ishte e vërtetë edhe për kupën e verës. Jezui tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që ka për t’u derdhur për ju.»—Luka 22:20.
Në tregimin e Mateut Jezui tha për kupën: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që ka për t’u derdhur në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.» (Mateu 26:28) Jezui po përdorte verën në kupë si paraqitje ose simbol të gjakut të tij. Gjaku i derdhur do të ishte baza e ‘një besëlidhjeje të re’ për dishepujt e mirosur nga fryma, të cilët do të sundonin me të në qiell si mbretër dhe priftërinj.—Jeremia 31:31-33; Gjoni 14:2, 3; 2 Korintasve 5:5; Zbulesa 1:5, 6; 5:9, 10; 20:4, 6.
Gjithashtu vera në kupë shërben si një përkujtues që gjaku i derdhur i Jezuit do të ishte baza për të siguruar «faljen e mëkateve». Në këtë mënyrë do të hapej rruga për pjesëmarrësit që të thirreshin në jetën qiellore si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. Kuptohet që vetëm ata që kanë këtë thirrje qiellore, pra një numër i kufizuar, marrin bukën dhe verën në Përkujtim.—Luka 12:32; Efesianëve 1:13, 14; Hebrenjve 9:22; 1 Pjetrit 1:3, 4.
Por, ç’të themi për ata ithtarë të Jezuit që nuk bëjnë pjesë në besëlidhjen e re? Këta janë ‘delet e tjera’ të Zotërisë, të cilët presin me padurim, jo të sundojnë me Krishtin në qiell, por të gëzojnë jetën e përhershme në një tokë parajsore. (Gjoni 10:16; Luka 23:43; Zbulesa 21:3, 4) Si «një shumicë e madhe» të krishterësh besnikë që «i bëjnë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë», ata janë të lumtur të jenë vëzhgues mirënjohës në Darkën e Zotërisë. Në të vërtetë me fjalët dhe veprat e tyre ata shpallin: «Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë tonë, i cili rri ulur në fron dhe Qengjit.»—Zbulesa 7:9, 10, 14, 15.
Sa herë duhet kremtuar?
«Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.»—Luka 22:19.
Sa herë duhet kremtuar Përkujtimi me qëllim që të ruhet kujtimi i vdekjes së Jezuit? Jezui nuk e tha në mënyrë specifike. Megjithatë, meqë ai e themeloi Darkën e Zotërisë më 14 nisan, mbrëmjen e Pashkës, të cilën izraelitët e kremtonin çdo vit, është e qartë se Jezui kishte ndër mend që Përkujtimi të kremtohej në të njëjtën mënyrë. Izraelitët kremtonin çdo vit çlirimin nga skllavëria në Egjipt, kurse të krishterët kremtojnë çdo vit çlirimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.—Dalja 12:11, 17: Romakëve 5:20, 21.
Mendimi që të kremtojmë çdo vit, për të kujtuar një ngjarje domethënëse, patjetër që nuk është i pazakontë. Të mendojmë, për shembull, për rastet kur një çift kremton përvjetorin e martesës ose kur një komb kremton një ngjarje të rëndësishme në historinë e tij. Zakonisht kremtimi bëhet një herë në vit në përvjetorin e asaj ngjarjeje. Është interesant fakti që disa shekuj pas Krishtit shumë nga ata që pohonin se ishin të krishterë quheshin katërmbëdhjetëshit, që do të thotë «ata të ditës së katërmbëdhjetë», sepse e kremtonin vdekjen e Jezuit një herë në vit, më 14 nisan.
Një ceremoni e thjeshtë, por shumë domethënëse
Apostulli Pavël shpjegoi se kremtimi i Darkës së Zotërisë do t’u jepte mundësi 1 Korintasve 11:26) Kështu ky përkujtim do të përqendrohej në rolin jetësor që luajti Jezui me anë të vdekjes së tij në plotësimin e qëllimit të Perëndisë.
dishepujve të Jezuit që ‘të vazhdonin të shpallnin vdekjen e Zotërisë’. (Me anë të besnikërisë së tij deri në vdekje, Jezu Krishti shfajësoi Perëndinë Jehova si një Krijues i mençur e i dashur dhe si një Sovran i drejtë. Në kundërshtim me pohimet e Satanait dhe ndryshe nga Adami, Jezui tregoi se është e mundur që një njeri t’i qëndrojë besnik Perëndisë, madje edhe nën presione ekstreme.—Jobi 2:4, 5.
Darka e Zotërisë ruan edhe kujtimin e çmuar të dashurisë vetëmohuese të Jezuit. Pavarësisht nga sprovat e ashpra, Jezui mbeti i bindur në mënyrë të përsosur ndaj Atit të tij. Kështu që ishte në gjendje të jepte jetën e tij të përsosur njerëzore për të mbuluar koston tejet të madh të mëkatit të Adamit. Siç e shpjegoi edhe vetë Jezui, ai erdhi që «të japë shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave». (Mateu 20:28) Si rrjedhim, të gjithëve atyre që kanë besim te Jezui mund t’u falen mëkatet dhe mund të marrin jetën e përhershme, siç ishte edhe qëllimi fillestar i Jehovait për njerëzimin.—Romakëve 5:6, 8, 12, 18, 19; 6:23; 1 Timoteut 2:5, 6. *
E gjithë kjo nxjerr në pah gjithashtu mirësinë e bollshme dhe dashamirësinë e pamerituar të Jehovait që ka marrë masa për të shpëtuar njerëzimin. Bibla thotë: «Dashuria e Perëndisë u shfaq në rastin tonë nga fakti që Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria, jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por se ai na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona.»—1 Gjonit 4:9, 10.
Vërtet, ç’kremtim i mrekullueshëm që është Përkujtimi! Nga njëra anë është aq i thjeshtë dhe praktik, sa mund të kremtohet në mbarë botën nën shumë rrethana të ndryshme, por, nga ana tjetër, është edhe aq simbolik, sa mund të mbesë një përkujtues i fuqishëm për një periudhë të gjatë kohe.
Domethënia e tij për ty
Vdekja flijuese e Zotërisë tonë Jezu Krisht i kushtoi shumë atij dhe Atit të tij, Jehovait. Si Romakëve 5:12; Hebrenjve 7:26) Ai mund të kishte vazhduar të jetonte përgjithmonë. Askush nuk mund t’ia kishte marrë jetën, madje as me forcë, nëse ai nuk do ta lejonte këtë gjë. Ai tha: «Askush nuk ma ka hequr [jetën], por e jap me nismën time.»—Gjoni 10:18.
njeri i përsosur, Jezui nuk e kishte trashëguar vdekjen siç e kemi trashëguar ne. (Po, Jezui e dha me gatishmëri jetën e tij të përsosur njerëzore si flijim në mënyrë që «nëpërmjet vdekjes së vet të asgjësonte atë që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, domethënë, Djallin; dhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar skllavërisë gjatë gjithë jetës së tyre». (Hebrenjve 2:14, 15) Dashuria vetëmohuese e Krishtit është gjithashtu e dukshme edhe nga lloji i vdekjes që iu nënshtrua. Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm për mënyrën se si do të vuante e do të vdiste.—Mateu 17:22; 20:17-19.
Po ashtu Përkujtimi na kujton shprehjen më të madhe të dashurisë, të shfaqur nga Ati ynë qiellor Jehovai. Sa angështuese ishte për të, i cili «është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm», të dëgjonte e të shihte ‘klithmat e forta dhe lotët’ e Jezuit në kopshtin e Getsemanisë, fshikullimat sadiste, shtyllëzimin mizor dhe vdekjen e ngadaltë agonike. (Jakovit 5:11, shënimi në fund të faqes, anglisht; Hebrenjve 5:7; Gjoni 3:16; 1 Gjonit 4:7, 8) Edhe tani, shekuj më pas, vetëm mendimi rreth kësaj vdekje u shkakton dhembje emocionale shumë njerëzve.
Mendo që Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti paguan një çmim kaq të lartë për ne mëkatarët! (Romakëve 3:23) Çdo ditë përballemi me realitetin e dhembshëm të natyrës sonë mëkatare dhe të papërsosmërive tona. Megjithatë, në bazë të besimit te flijimi shpërblerës i Jezuit, mund t’i lutemi Perëndisë për faljen e mëkateve. (1 Gjonit 2:1, 2) Kjo na e bën të mundur të kemi çiltërsi fjale me Perëndinë dhe një ndërgjegje të pastër. (Hebrenjve 4:14-16; 9:13, 14) Për më tepër mund të kemi shpresën për të jetuar në një tokë parajsore për gjithë përjetësinë. (Gjoni 17:3; Zbulesa 21:3, 4) Këto dhe shumë bekime të tjera janë të gjitha rrjedhojë e aktit më të lartë të vetëmohimit nga ana e Jezuit.
Të tregojmë çmueshmëri për Darkën e Zotërisë
Pa dyshim, Darka e Zotërisë është një shfaqje e mrekullueshme e «dashamirësisë së pamerituar tejet të madhe të Perëndisë». Gjithashtu masa e flijimit shpërblerës nga Perëndia Jehova, e cila u bë e mundur nga dashuria vetëmohuese e Jezuit, është vërtet ‘dhurata e tij e papërshkrueshme falas’. (2 Korintasve 9:14, 15) A nuk ngjallin te ty një ndjenjë të thellë e të vazhdueshme mirënjohjeje dhe çmueshmërie këto shprehje të mirësisë së Jehovait nëpërmjet Jezu Krishtit?
Jemi të sigurt se përgjigjja është po! Prandaj me ngrohtësi të ftojmë të mblidhesh me Dëshmitarët e Jehovait në kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit. Këtë vit Përkujtimi do të mbahet të mërkurën më 16 prill pas perëndimit të diellit. Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde do të jenë të lumtur të të tregojnë kohën e saktë dhe vendin ku do të mbahet ngjarja më e rëndësishme.
[Shënimi]
^ par. 19 Për një trajtim më të hollësishëm të shpërblesës, të lutemi shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figurat në faqen 6]
«KY ËSHTË TRUPI IM» APO «KJO PËRFAQËSON TRUPIN TIM»? CILA PREJ TYRE?
Kur Jezui tha «unë jam dera» dhe «unë jam hardhia e vërtetë», askush nuk mendoi se ai ishte një derë ose hardhi në kuptimin e mirëfilltë. (Gjoni 10:7; 15:1) Në të njëjtën mënyrë, kur në përkthimin Diodati i Ri lexojmë që Jezui thotë «kjo kupë është besëlidhja e re», nuk arrijmë në përfundimin se vetë kupa ishte në kuptimin e mirëfilltë besëlidhja e re. Po ashtu, kur tha se buka ‘ishte’ trupi i tij, s’ka dyshim se buka përfaqësonte ose simbolizonte trupin e tij. Prandaj në përkthimin Charles B. Williams thuhet: «Kjo përfaqëson trupin tim.»—Luka 22:19, 20.
[Figura në faqen 5]
Buka pa maja dhe vera janë simbole të përshtatshme të trupit pa mëkat të Jezuit dhe të gjakut të tij të derdhur
[Figura në faqen 7]
Përkujtimi na kujton dashurinë e madhe që ka shfaqur Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti