Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të tregojmë «tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve»

Të tregojmë «tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve»

Të tregojmë «tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve»

«Vazhdo t’u kujtosh atyre që . . . të jenë të arsyeshëm, duke treguar tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve.»​—TITIT 3:1, 2.

1. Pse nuk është gjithmonë e lehtë të shfaqim butësi?

«BËHUNI imituesit e mi, ashtu si unë jam i Krishtit»,​—shkroi apostulli Pavël. (1 Korintasve 11:1) Të gjithë shërbëtorët e Perëndisë sot përpiqen shumë t’ia vënë veshin kësaj këshille. Pa dyshim që kjo nuk është e lehtë, sepse nga prindërit tanë të parë njerëzorë kemi trashëguar dëshira egoiste dhe temperamente që nuk përputhen me shembullin e Krishtit. (Romakëve 3:23; 7:21-25) Prapëseprapë, kur bëhet fjalë për të shfaqur butësi, që të gjithë mund t’ia dalim mbanë, nëse bëjmë përpjekje. Por nuk mjafton vetëm të mbështetemi te forca jonë e vullnetit. Ç’gjë tjetër nevojitet më shumë?

2. Si mund të tregojmë «tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve»?

2 Butësia e perëndishme është pjesë e frytit të frymës së shenjtë. Sa më shumë ta ndjekim drejtimin e forcës vepruese të Perëndisë, aq më shumë do të bëhet i dukshëm fryti i saj. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje të tregojmë «tërë butësinë» kundrejt cilitdo. (Titit 3:2) Le të shqyrtojmë se si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit dhe si t’ua bëjmë të mundur atyre që shoqërohen me ne që ‘të gjejnë freskim’.​—Mateu 11:29; Galatasve 5:22, 23.

Në familje

3. Cila gjendje në familje pasqyron frymën e botës?

3 Një fushë ku butësia është thelbësore është brenda familjes. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë llogaritet se dhuna në familje vë në rrezik shëndetin e grave më shumë se aksidentet automobilistike dhe malarja të marra së bashku. Për shembull, nga të gjitha krimet e dhunshme që janë raportuar në Londër të Anglisë, një e katërta e tyre ishin krime shtëpiake. Shpesh policia ndesh njerëz që i shfrejnë ndjenjat me ‘të bërtitura dhe sharje’. Edhe më keq, disa çifte kanë lejuar që ‘vreri shpirtlig’ të ndikojë në marrëdhënien e tyre. E gjithë kjo është një pasqyrim i trishtueshëm i ‘frymës së botës’ dhe nuk ka vend për një sjellje të tillë në familjet e krishtere.​—Efesianëve 4:31; 1 Korintasve 2:12.

4. Çfarë ndikimi mund të ketë butësia në familje?

4 Për t’iu kundërvënë prirjeve të botës kemi nevojë për frymën e Perëndisë. «Atje ku është fryma e Jehovait, atje është liria.» (2 Korintasve 3:17) Dashuria, mirëdashja, vetëkontrolli dhe shpirtgjerësia forcojnë unitetin e bashkëshortëve të papërsosur. (Efesianëve 5:33) Butësia e karakterit e bën atmosferën më të gëzueshme dhe është në kontrast me zënkat dhe grindjet që dëmtojnë shumë familje. Ajo që thuhet është e rëndësishme, por mënyra se si thuhet përcjell frymën që ndodhet në të vërtetë pas fjalëve. Ankthet dhe shqetësimet që shprehen me butësi i ulin tensionet. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Përgjigjja e ëmbël [e butë, BR] e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.»​—Fjalët e urta (Proverbat) 15:1.

5. Si mund të ndihmojë butësia në një shtëpi të ndarë nga ana fetare?

5 Butësia është veçanërisht e rëndësishme në një shtëpi të ndarë nga ana fetare. Bashkë me veprat dashamirëse, ajo mund të bëjë që të fitohen për Jehovain ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme. Pjetri i këshilloi gratë e krishtere: «Jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, me qëllim që nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nëpërmjet sjelljes së grave të tyre, pasi kanë qenë dëshmitarë okularë të sjelljes suaj të dëlirë bashkë me respekt të thellë. Stolisja juaj le të mos jetë e jashtme, ajo e gërshetimit të flokëve, e vënies së stolive prej ari ose e veshjes së rrobave, por le të jetë njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë.»​—1 Pjetrit 3:1-4.

6. Në ç’mënyrë i forcon lidhjet mes prindërve dhe fëmijëve shfaqja e butësisë?

6 Marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve mund të jenë të ndera, sidomos kur mungon dashuria për Jehovain. Por në të gjitha familjet e krishtere ka nevojë të tregohet butësi. Pavli i këshilloi etërit: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Kur në një familje mbizotëron butësia, forcohen lidhjet e ngushta mes prindërve e fëmijëve. Dini, një prej pesë fëmijëve të një familjeje, kujton për babanë e tij: «Babi ishte me natyrë të butë. Nuk kujtoj asnjëherë të kem bërë fjalë me të, madje edhe kur isha adoleshent. Ai ishte gjithnjë shumë i butë, edhe kur ishte i mërzitur. Ndonjëherë si ndëshkim më mbyllte në dhomë ose nuk më lejonte të merresha me gjërat që më pëlqenin, por kurrë nuk bëmë fjalë mes nesh. Ai nuk ishte vetëm babai, por edhe miku ynë, dhe nuk donim ta zhgënjenim.» Butësia ndihmon vërtet në përforcimin e lidhjeve mes prindërve dhe fëmijëve.

Në shërbim

7, 8. Pse është jetësore të shfaqim butësi në shërbimin në fushë?

7 Shërbimi në fushë është një fushë tjetër ku butësia është e rëndësishme. Ndërsa u flasim të tjerëve për lajmin e mirë të Mbretërisë, takojmë njerëz me natyra të ndryshme. Disa e dëgjojnë me gëzim mesazhin e shpresës që u sjellim. Të tjerë për arsye të ndryshme mund të reagojnë në mënyrë të pafavorshme. Pikërisht në këto raste cilësia e butësisë na ndihmon shumë të përmbushim detyrën për të qenë dëshmitarë deri në skajin më të largët të tokës.​—Veprat 1:8; 2 Timoteut 4:5.

8 Apostulli Pjetër shkroi: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’i paraqitur një mbrojtje kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën që është në ju, por duke e bërë këtë bashkë me frymë butësie dhe respekt të thellë.» (1 Pjetrit 3:15) Meqenëse e ruajmë Krishtin në zemër si Shembullin tonë, ne kemi kujdes që të shfaqim butësi dhe respekt kur u dëshmojmë atyre që flasin me ashpërsi. Kjo mënyrë sjelljeje shpesh jep rezultate të jashtëzakonshme.

9, 10. Tregoni një përvojë që tregon vlerën e butësisë në shërbimin në fushë.

9 Kur dikush trokiti, gruaja e Kithit shkoi për të hapur derën, ndërsa ai vetë qëndroi prapa. Sapo mori vesh se vizitori ishte një Dëshmitar i Jehovait, gruaja e Kithit me zemërim i akuzoi Dëshmitarët për mizori ndaj fëmijëve. Vëllai qëndroi i qetë. Me butësi ai u përgjigj: «Më vjen keq që mendoni kështu. A mund t’ju tregoj, ju lutem, se çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?» Kithi, që po e dëgjonte bisedën, erdhi te dera dhe i dha fund vizitës së vëllait.

10 Më vonë çiftit filloi t’i vinte keq që e kishin trajtuar me ashpërsi vizitorin. Sjellja e tij e butë i kishte prekur ata. Për çudinë e tyre, një javë më vonë vëllai u kthye dhe Kithi e gruaja e tij e lanë që t’u shpjegonte bazën biblike të gjërave që besonte. «Gjatë dy viteve të mëpasshme dëgjuam shumë prej gjërave që na thanë Dëshmitarë të tjerë»,​—treguan më vonë ata. Pranuan një studim biblik dhe së fundi që të dy u pagëzuan në simbol të kushtimit ndaj Jehovait. Sa shpërblyese ishte për atë Dëshmitar që e vizitoi për herë të parë Kithin dhe gruan e tij! Ai u takua me çiftin vite më vonë dhe mori vesh se tashmë ishin vëllai dhe motra e tij frymore. Butësia pati sukses.

11. Në ç’mënyrë butësia mund t’ia bëjë më të lehtë dikujt që të pranojë të vërtetën e krishterë?

11 Përvojat në ushtri e kishin mbushur me vrer Haroldin dhe e kishin bërë të dyshonte për ekzistencën e Perëndisë. Përveç këtyre problemeve, një aksident automobilistik i shkaktuar nga një i dehur e la përgjithmonë të gjymtuar. Kur Dëshmitarët e Jehovait i bënë një vizitë në shtëpinë e tij, Haroldi u kërkoi që të mos vinin më. Por, një ditë, një Dëshmitar me emrin Bill kishte ndër mend të vizitonte një person të interesuar që banonte vetëm dy dyer larg Haroldit. Gabimisht Billi trokiti te dera e Haroldit. Kur Haroldi duke ecur me paterica hapi derën, menjëherë Billi kërkoi ndjesë duke i shpjeguar se kishte ndër mend të vizitonte një shtëpi aty pranë. Si reagoi Haroldi? Billi nuk e dinte që Haroldi kishte parë në televizor një pjesë nga lajmet që tregonte se si Dëshmitarët punonin bashkë për të ndërtuar një Sallë të re Mbretërie brenda një kohe shumë të shkurtër. Meqenëse i kishte bërë përshtypje të shihte kaq shumë njerëz që punonin në unitet, ai kishte ndryshuar qëndrimin ndaj Dëshmitarëve. I prekur nga mënyra dashamirëse se si i kërkoi ndjesë Billi, e nga sjellja e butë dhe tërheqëse e tij, Haroldi vendosi të pranonte që Dëshmitarët t’i bënin vizita. Ai studioi Biblën, bëri përparim dhe u bë shërbëtor i pagëzuar i Jehovait.

Në kongregacion

12. Cilave karakteristika të botës duhet t’u kundërvihen pjesëtarët e kongregacionit të krishterë?

12 Një fushë e tretë ku butësia është jetësore është në kongregacionin e krishterë. Konfliktet janë të zakonshme në shoqërinë e sotme. Debatet, grindjet dhe zënkat janë normale mes atyre që nuk kanë një pikëpamje frymore për jetën. Ndonjëherë këto karakteristika të botës futen tinëzisht në kongregacionin e krishterë dhe shfaqen në formën e grindjeve dhe të debateve të ashpra. Vëllezërit përgjegjës trishtohen kur u duhet të merren me këto situata. Megjithatë dashuria për Jehovain dhe për vëllezërit i nxit që të përpiqen t’i ndihmojnë ata që kanë gabuar të pendohen dhe të kthehen në rrugë të drejtë.​—Galatasve 5:25, 26.

13, 14. Cili mund të jetë rezultati kur ‘mësojmë me butësi ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme’?

13 Në shekullin e parë, Pavli dhe shoku i tij, Timoteu, hasën vështirësi nga disa individë brenda kongregacionit. Pavli e paralajmëroi Timoteun të ruhej nga vëllezërit që ngjanin me vazot që ishin për «një qëllim pa nder». Pavli bëri këtë arsyetim: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë, i kualifikuar për të mësuar, duke e frenuar veten kur gjendet nën të ligën, duke i mësuar me butësi ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme.» Kur ruajmë një frymë të butë edhe nën provokime, ata që nuk janë të një mendjeje me ne shpesh nxiten që t’i korrigjojnë kritikat e tyre. Si rrjedhim, siç shkruan më tej Pavli, Jehovai mund ‘t’u japë atyre pendimin që i çon në njohurinë e saktë të së vërtetës’. (2 Timoteut 2:20, 21, 24, 25) Vërejmë se Pavli e lidh sjelljen e butë dhe vetëpërmbajtjen me butësinë.

14 Pavli e praktikonte atë që predikonte. Kur kishte të bënte me ‘apostujt tejet të shquar’ në kongregacionin e Korintit, ai i nxiti vëllezërit: «Tani, vetë unë, Pavli, ju përgjërohem me anë të butësisë dhe mirëdashjes së Krishtit, unë që ndër ju jam i përulur nga pamja, por i guximshëm ndaj jush, kur nuk jam i pranishëm.» (2 Korintasve 10:1; 11:5) Pavli e imitoi vërtet Krishtin. Vërejmë se ai u bëri thirrje këtyre vëllezërve «me anë të butësisë» së Krishtit. Pra nuk mbajti një qëndrim diktatorial dhe prepotent. Pa dyshim nxitja e tij i bëri për vete ata në kongregacion që kishin një zemër të ndjeshme. Ai i zbuti marrëdhëniet e ndera dhe ndihmoi që të vendosej paqja dhe uniteti në kongregacion. A nuk është kjo një mënyrë veprimi të cilën mund të përpiqemi ta imitojmë të gjithë? Pleqtë sidomos duhet t’i imitojnë veprimet e Krishtit dhe të Pavlit.

15. Pse butësia është e rëndësishme kur jepen këshilla?

15 Përgjegjësia për t’i ndihmuar të tjerët patjetër që nuk kufizohet vetëm në rastet kur kërcënohen paqja dhe uniteti i kongregacionit. Shumë kohë para se të tendosen marrëdhëniet, vëllezërit kanë nevojë për udhëheqje të dashur. Pavli dha nxitjen: «Vëllezër, edhe sikur një njeri të hedhë ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të, ju që keni kualifikime frymore përpiquni ta ndreqni një njeri të tillë.» Por në ç’mënyrë? «Me një frymë butësie, ndërkohë që je vigjilent për veten, nga frika se mos tundohesh edhe ti.» (Galatasve 6:1) Të mbash «një frymë butësie» nuk është gjithnjë e lehtë, veçanërisht ngaqë të gjithë të krishterët, përfshirë edhe burrat e emëruar, ndikohen nga prirjet mëkatare. Gjithsesi butësia do t’ia bëjë më të lehtë që të ndreqet atij që ka gabuar.

16, 17. Çfarë mund të ndihmojë për të larguar çdo mungesë gatishmërie për të zbatuar këshillat?

16 Në greqishten origjinale fjala e përkthyer «ndreq» mund t’i referohet edhe vënies në vend të kockave të thyera, e cila është një procedurë e dhembshme. Doktori që vë në vend një kockë të thyer, për ta siguruar pacientin flet në mënyrë pozitive për dobitë e kësaj procedure. Mënyra e tij e qetë e sjelljes është ngushëlluese. Pak fjalë të thëna më parë ndihmojnë për të pasur sa më pak shqetësim. Po ashtu ndreqja frymore mund të jetë e dhembshme. Por butësia do të ndihmojë që ta pranojë më lehtë atë dhe kështu do të rivendosë marrëdhënie të këndshme e do t’ia sheshojë udhën individit që ka gabuar që të ndryshojë sjellje. Edhe kur mund t’i kundërvihet në fillim këshillës, butësia nga ana e atij që e jep ndihmën mund të largojë çdo mungesë gatishmërie për të ndjekur këshillën e shëndoshë nga Shkrimet.​—Fjalët e urta 25:15.

17 Kur ndihmojmë të tjerët që të ndreqen, ekziston gjithmonë rreziku që këshilla të merret si një kritikë. Një shkrimtar e shpreh këtë kështu: «Kur qortojmë të tjerët, ekziston rreziku që të jemi tepër imponues, prandaj kemi shumë nevojë për të qenë të butë.» Kultivimi i butësisë që buron nga përulësia do ta ndihmojë të krishterin që jep këshilla ta shmangë këtë rrezik.

«Kundrejt të gjithë njerëzve»

18, 19. (a) Pse mund ta kenë të vështirë të krishterët që të tregojnë butësi në marrëdhëniet me autoritetet shekullare? (b) Çfarë do t’i ndihmojë të krishterët që të tregojnë butësi kundrejt atyre me autoritet dhe me cilat rezultate të mundshme?

18 Njëra fushë ku shumë veta e kanë të vështirë të tregojnë butësi është në marrëdhëniet me autoritetet shekullare. Pa dyshim që mënyra se si veprojnë disa që kanë pozita autoriteti zbulon ashpërsinë dhe mungesën e empatisë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 4:1; 8:9) Megjithatë dashuria për Jehovain do të na ndihmojë të pranojmë autoritetin e tij më të lartë dhe të shfaqim ndaj autoriteteve qeveritare nënshtrimin relativ që u detyrohemi. (Romakëve 13:1, 4; 1 Timoteut 2:1, 2) Edhe kur ata me pozita të larta përpiqen ta kufizojnë shprehjen publike të adhurimit tonë ndaj Jehovait, me gëzim kërkojmë mënyra që mund të ekzistojnë ende, për të ofruar flijime lëvdimi.​—Hebrenjve 13:15.

19 Në asnjë rrethanë nuk marrim një qëndrim luftarak. Përkundrazi përpiqemi të jemi të arsyeshëm ndërkohë që kurrë nuk bëjmë kompromis me parimet e drejta. Në këtë mënyrë vëllezërit kanë arritur të kryejnë shërbimin në 234 vende anembanë botës. I vëmë veshin këshillës së Pavlit ‘që të jemi të nënshtruar dhe të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve si sundimtarë, të jemi gati për çdo vepër të mirë, të mos flasim keq për askënd, të mos kemi një qëndrim luftarak, të jemi të arsyeshëm, duke treguar tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve’.​—Titit 3:1, 2.

20. Çfarë shpërblimesh ekzistojnë për ata që tregojnë butësi?

20 Të gjithë ata që tregojnë butësi i presin bekime të bollshme. Jezui tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Për vëllezërit e Krishtit, të mirosur nga fryma, ruajtja e butësisë ua bën të sigurt lumturinë dhe privilegjin që të sundojnë mbi zotërimet tokësore të Mbretërisë. Kurse ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’ vazhdon të shfaqë butësi e të presë me padurim jetën në Parajsë këtu në tokë. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16; Psalmi 37:11) Çfarë e ardhme e mrekullueshme shtrihet përpara nesh! Atëherë, le të mos e shpërfillim kurrë përkujtuesin që u dha Pavli të krishterëve të Efesit: «Unë, pra, i burgosuri në Zotërinë, ju përgjërohem që të ecni në mënyrë të denjë për thirrjen me të cilën u thirrët, me përulësi të plotë mendjeje, me butësi.»​—Efesianëve 4:1, 2.

Rishikim

• Çfarë bekimesh vijnë kur shfaqim butësi

• në familje?

• në shërbimin në fushë?

• në kongregacion?

• Çfarë shpërblimesh u premtohen atyre që janë me natyrë të butë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

Butësia është veçanërisht e rëndësishme në një shtëpi të ndarë nga ana fetare

[Figura në faqen 21]

Butësia forcon lidhjet familjare

[Figura në faqen 23]

Të paraqitim një mbrojtje me butësi dhe respekt të thellë

[Figura në faqen 24]

Butësia nga ana e atij që jep këshilla mund ta ndihmojë atë që ka gabuar