Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Si mund të nxjerrim dobi nga ajo që kemi mësuar rreth familjes së Shafanit?

Shafani ishte një kopjues dhe sekretar i mbretit të Judës, i Josias. Si një njeri me influencë në mbretëri, ai mbështeti fushatën e mbretit për të rivendosur adhurimin e vërtetë. Dy djem të Shafanit i qëndruan pranë profetit Jeremia. Gjithashtu një djalë tjetër dhe dy nipër e përdorën influencën e tyre në dobi të adhurimit të vërtetë. Ngjashëm, edhe ne duhet të përdorim pasuritë dhe influencën për të mbështetur adhurimin e vërtetë.​—15/12, faqet 19-22.

Si ia ka dalë mbanë Irena Hokstenbaku kundër një mangësie fizike serioze dhe si ka arritur t’i shërbejë Jehovait?

Kur ishte shtatë vjeçe, ajo humbi dëgjimin. Edhe pse nuk dëgjon, ka mësuar të komunikojë me të tjerët dhe tani udhëton bashkë me të shoqin (një mbikëqyrës udhëtues) ndërsa ai shërben nëpër kongregacione në Holandë.​—1/1, faqet 23-26.

Cilat dy mjete të reja studimi dolën në kongreset krahinore «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë»?

Të krishterë anembanë botës u kënaqën që morën librin Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë, i cili është përgatitur që të studiohet me të rinjtë në të vërtetën pasi të kenë mbaruar studimin e librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Libri tjetër i ri është T’i afrohemi Jehovait, i cili përqendrohet në cilësitë dhe në veprat e Jehovait. Gjithashtu tregon se si mund ta imitojmë Perëndinë në shfaqjen e cilësive të tij.​—15/1, faqet 23-24.

Cili është kuptimi i thënies te Proverbat 12:5: «Mendimet e të drejtëve janë gjykim.»

Madje edhe mendimet e njerëzve të mirë janë moralisht të shëndosha dhe drejtohen tek ajo që është e paanshme dhe e drejtë. Meqenëse të drejtët motivohen nga dashuria për Perëndinë dhe për njerëzit, qëllimet e tyre janë të mira.​—15/1, faqja 30.

Çfarë mund ta ndihmojë dikë që të kultivojë një pikëpamje të ekuilibruar për punën?

Është e dobishme të stërvitet që nga fëmijëria që ta çmojë punën. Bibla na nxit që të kemi një qëndrim të mirë ndaj punës, duke shmangur dembelizmin. (Fjalët e urta 20:4) Gjithashtu ajo i nxit të krishterët që të mos rrëmbehen pas punës. Duhet të kuptojmë se shërbimi ndaj Perëndisë meriton vendin kryesor në jetën tonë. (1 Korintasve 7:29-31) Për më tepër, të krishterët e vërtetë janë të sigurt se Perëndia nuk do t’i braktisë.​—1/2, faqet 4-6.

Ku përmendet për herë të parë në Bibël një altar?

Te Zanafilla 8:20, ku flitet për altarin që ndërtoi Noeja pasi doli nga arka, pas Përmbytjes. Megjithatë ka të ngjarë që Kaini dhe Abeli t’i kenë përdorur altarët për të bërë blatimet e tyre. (Zanafilla 4:3, 4)​—15/2, faqja 28.

Si mund t’i shfrytëzojnë sa më mirë disa të krishterë rrethanat e reja në jetë?

Disa kanë pranuar ose kanë bërë ndryshime në punë, të cilat u kanë lejuar më shumë kohë për shërbimin. Të tjerë kanë kushtuar më shumë kohë dhe kanë marrë përsipër më shumë privilegje në shërbimin e Perëndisë, kur u janë pakësuar përgjegjësitë në familje, si për shembull, kur fëmijët janë rritur dhe janë martuar.​—1/3, faqet 19-22.

Si na ndihmojnë shembujt e Jonait e të apostullit Pjetër që t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai?

Edhe Jonai, edhe Pjetri kishin të meta të njohura në mënyrën e të menduarit dhe se si reagonin ndaj sprovave të besimit dhe të bindjes. Megjithatë Jehovai pa dyshim pa cilësitë e mira që kishin ata dhe vazhdoi t’i përdorte në shërbimin e tij. Kur të tjerët na lëndojnë ose na zhgënjejnë, mund të përqendrohemi në cilësitë e tyre të mira që ndoshta na tërhiqnin dikur dhe tek e mira që sheh Jehovai tek ata.​—15/3, faqet 16-19.

Pse përkthimet e Biblës ndryshojnë në numërtimin e librit të Psalmeve?

Ka një ndryshim në numërtim mes librit në gjuhën origjinale hebraike dhe përkthimit në greqisht te Septuaginta. Përkthimet më bashkëkohore mund të ndryshojnë në varësi se ku u bazuan: në tekstin hebraik ose në Septuagintë.​—1/4, faqja 31.