Kur predikimi është veçanërisht i paharrueshëm
Kur predikimi është veçanërisht i paharrueshëm
«Dielli të përvëlon. Shtegu malor duket i pafund. Pasi kapërcejmë pengesa të shumta, më në fund e arrijmë synimin: fshatin më të largët. Lodhja kthehet në gëzim kur trokasim në derën e parë dhe na presin ngrohtë. Nga fundi i ditës kemi lënë gjithë literaturën që sollëm dhe kemi filluar disa studime biblike. Njerëzit janë të etur për të mësuar. Tani duhet të ikim, por premtojmë se do të kthehemi.»
PËRVOJA të tilla janë të zakonshme për një grup pionierësh në Meksikë. Ata kanë si qëllim të marrin pjesë me zell në përmbushjen e detyrës që Jezu Krishti u dha dishepujve: «Do të jeni dëshmitarët e mi . . . deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Në Meksikë organizohen fushata speciale predikimi, të quajtura itineraret e pionierëve, që të arrihen territoret që nuk i janë caktuar një kongregacioni dhe ku si pasojë nuk predikohet rregullisht lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë. Në përgjithësi këto janë territore të largëta ose të vështira për t’u arritur. Gjithashtu u jepet ndihmë kongregacioneve të veçuara që kanë një territor të gjerë për të predikuar.
Zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait shqyrton nevojat e territorit, që të përcaktojë se cilat zona të vendit do të mbulohen nga itineraret e pionierëve. * Pasi është bërë kjo, caktohen grupe pionierësh specialë për të mbuluar territorin. Ato pajisen me automjete të përshtatshme për rrugët e pashtruara dhe gropa-gropa. Kur është e nevojshme, automjetet shërbejnë edhe si depo literature, edhe si vende për të fjetur.
Përgjigjen me gatishmëri
Që prej tetorit 1996 iu bë ftesa edhe predikuesve të tjerë të lajmit të mirë që të merrnin pjesë në këtë veprimtari, duke shoqëruar pionierët specialë. Në faza të ndryshme të fushatës përfshihen lajmëtarë të Mbretërisë, si edhe pionierët e rregullt që janë të gatshëm për të shërbyer aty ku nevoja është më e madhe. Disa caktohen nëpër kongregacionet përgjatë itinerarit, me qëllim që të kujdesen për territorin dhe të kultivojnë interesin e gjetur. Shumë të rinj, lajmëtarë e pionierë, kanë pranuar këto ftesa dhe jeta e tyre është pasuruar me përvoja shumë inkurajuese.
Për shembull, Abimaeli, një i ri i krishterë që kishte një rrogë të majme në një shoqëri telefonash celularë, vendosi të merrte pjesë në veprën e predikimit në këto krahina të thella. Kur punëdhënësit morën vesh se kishte ndër mend ta linte punën, i ofruan një ngritje në përgjegjësi dhe një rritje rroge. Kolegët i bënë presion, duke ngulur këmbë se ky ishte një rast unik dhe se ishte një marrëzi të mos e pranoje ofertën. Megjithatë Abimaeli ishte i vendosur ta mbështeste fushatën speciale të predikimit për tre muaj. Pasi e shijoi këtë shërbim, vendosi të qëndrojë për një kohë të pacaktuar në një kongregacion të veçuar ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë është e madhe. Tani ka një punë modeste dhe ka mësuar ta thjeshtojë jetën.
Në një rast tjetër, Hulisa duhej të udhëtonte 22 orë me autobus për të mbërritur në caktimin e saj. Në etapën e fundit të udhëtimit nuk e kapi dot autobusin e fundit të asaj dite. Gjithsesi aty ishte një kamion që transportonte punëtorë. Hulisa mori guximin dhe u
kërkoi që të udhëtonte me ta. Siç mund të kuptohet, ajo ishte e shqetësuar, sepse ishte e vetmja grua midis kaq shumë burrave. Kur filloi t’i predikonte një të riu, mori vesh se ai ishte një Dëshmitar i Jehovait. «Përveç kësaj,—kujton Hulisa,—shoferi i kamionit doli se ishte plak në kongregacionin në të cilin isha caktuar.»Marrin pjesë të moshuarit
Sidoqoftë kjo vepër nuk është vetëm për të rinjtë. Adela, një motër e moshuar, kishte dashur gjithmonë t’i kushtonte më shumë kohë veprës së predikimit. Iu dha rasti kur mori një ftesë për të marrë pjesë në këtë vepër të veçantë predikimi. Ajo thotë: «U kënaqa kaq shumë në caktimin tim, saqë u kërkova pleqve në kongregacion që të qëndroja për një kohë të pacaktuar. Jam e lumtur, pasi edhe pse jam e moshuar, mund të jem ende e dobishme për Jehovain.»
Po ashtu edhe 60-vjeçarja Marta, e nxitur nga mirënjohja për Jehovain dhe nga dashuria për të afërmin, u vu në dispozicion për të marrë pjesë në fushatë. Pasi vërejti që grupi i saj e kishte të vështirë të arrinte njerëzit për shkak të largësive dhe të terrenit të vështirë në territor, ajo bleu një makinë që ta përdornin pionierët. Ky kontribut i motrës bëri të mundur që të mbulohej më shumë territor dhe që e vërteta biblike t’iu predikohej më shumë njerëzve.
Reagim që të ngroh zemrën
Ata që marrin pjesë në këto fushata speciale predikimi kanë si qëllim që ‘të bëjnë dishepuj’. Në këtë drejtim rezultatet kanë qenë të shkëlqyera. Njerëzit që jetojnë në zonat e veçuara kanë marrë të vërtetat jetëshpëtuese të Biblës. (Mateu 28:19, 20) Janë filluar shumë studime biblike. Ato drejtohen nga lajmëtarët në atë zonë ose nga ungjillëzuesit që kanë qëndruar në territor. Në disa raste janë organizuar grupe lajmëtarësh dhe në raste të tjera madje janë formuar kongregacione të vogla.
Magdalenoja dhe shokët e tij përdorën mjetet e transportit publik për të arritur në territorin e veçuar ku ishin caktuar. Gjatë udhëtimit përfituan nga rasti që t’i predikonin shoferit. «Ky burrë na tha se një javë më parë në shtëpinë e tij kishin ardhur disa Dëshmitarë, por ai nuk kishte qenë aty. Kur ishte kthyer, pjesëtarët e familjes i përsëritën atë që
kishin dëgjuar. I thamë se nuk ishim nga zonat aty afër, por kishim ardhur nga disa shtete të vendit që të mbështetnim këtë fushatë speciale predikimi dhe se i kishim paguar vetë shpenzimet. I mahnitur, shoferi tha se do të fillonte të studionte Biblën bashkë me familjen atë javë. Madje kontribuoi për veprën duke mos na marrë paratë e udhëtimit.»Gjithashtu Magdalenos i bëri përshtypje reagimi i indigjenëve të maleve të Çiapas. «Unë dhe ime shoqe patëm përvojën që t’i flitnim për mesazhin e Mbretërisë një grupi prej 26 të rinjsh që shkonin në kishën presbiteriane. Të gjithë dëgjuan me vëmendje për 30 minuta. Ata morën Biblat dhe ne qemë në gjendje t’u jepnim dëshmi të plotë rreth qëllimeve të Jehovait. Shumica e njerëzve kishin Biblat e tyre në gjuhën celtale.» U filluan shumë studime biblike të frytshme.
Kundërshtimi zbutet
Një bashkësi në Çiapas nuk e kishte dëgjuar mesazhin e Biblës prej më tepër se dy vjetësh, për shkak të kundërshtimit të disa njerëzve. Teresa, një ungjillëzuese në kohë të plotë, vuri re se disa Dëshmitarë ngurronin të predikonin në atë fshat. «Për habinë e të gjithëve, njerëzit ishin të gatshëm të dëgjonin. Kur mbaruam së predikuari, filloi të binte një shi i fortë. Në kërkim të një strehimi, shkuam në shtëpinë e një njeriu mikpritës të quajtur Sebastian, i cili na ftoi brenda, dhe kështu gjetëm strehim nga shiu. Ndërsa ishim brenda e pyetëm nëse e kishin vizituar tashmë Dëshmitarët. Kur tha jo, fillova t’i jepja dëshmi dhe nisa një studim biblik duke përdorur librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. * Pasi mbaruam, Sebastiani na u lut me lot në sy që të ktheheshim për të studiuar me të.»
Një grup tjetër pionierësh që vizitoi Çiapasin raporton: «Falë Jehovait patëm rezultate të mira. Në javën e parë filluam 27 studime; javën e dytë i ftuam njerëzit që të shihnin videokasetën tonë Bibla: Fuqia e saj në jetën tuaj. Ishin gjashtëdhjetë të pranishëm. Të gjithëve u pëlqeu. Në fund propozuam që të fillonim një grup studimi të Biblës. Çuditërisht u formuan dy grupe studimi në këtë fshat.
«Pasi i punuam territoret e caktuara, u kthyem për të vizituar fshatin që të forconim të interesuarit dhe të shihnim se si po shkonin grupet e organizuara të studimit të Biblës. I ftuam në një mbledhje publike dhe në Studimin e Kullës së Rojës. Megjithatë nuk kishte një vend mjaft të madh për të mbajtur mbledhjet. Ai që ofroi shtëpinë për grupin e studimit tregoi me
gisht drejt oborrit prapa shtëpisë dhe tha: ‘Mbledhjet mund të mbahen në oborr.’»Atë fundjavë pionierët vizitues bashkë me të interesuarit iu futën punës me entuziazëm për ta përgatitur oborrin që të përdorej për mbledhjet. Në mbledhjen e parë ishin 103 të pranishëm. Tani në atë fshat drejtohen 40 studime biblike.
«Një përvojë e mrekullueshme»
Përveçse kanë pasur rezultate të shkëlqyera në veprën e predikimit, ata që kanë marrë pjesë në këtë vepër ungjillëzimi i kanë sjellë shumë dobi vetes. Maria, një e re pioniere që mori pjesë në një nga këto fushata, i shpreh kështu ndjenjat e saj: «Ishte një përvojë e mrekullueshme për dy arsye. Gëzimi im në veprën e predikimit u shtua dhe marrëdhënia ime me Jehovain u bë më e ngushtë. Njëherë ndërsa po ngjiteshim në një mal u ndiem të lodhur. Pasi i kërkuam ndihmë Jehovait përjetuam atë që Isaia 40:29-31 thotë: ‘Ata që shpresojnë te Zoti [Jehovai, BR] fitojnë forca të reja.’ Kështu mbërritëm atje dhe drejtuam studime me njerëz që na pritën shumë ngrohtë.»
Një tjetër e re pioniere, 17-vjeçarja Klaudia, na thotë: «Kam nxjerrë shumë dobi. Kam mësuar që të jem më e aftë në shërbim, i cili më ka dhënë shumë gëzim, dhe kjo gjë ka bërë që të vë synime frymore. Gjithashtu jam bërë e pjekur nga ana frymore. Në shtëpi mamaja m’i bënte të gjitha gjërat. Tani, me më shumë përvojë, jam bërë më e përgjegjshme. Për shembull, isha shumë nazelie ndaj ushqimit. Por tani që më është dashur të përshtatem me rrethana të ndryshme, nuk ankohem më për ushqimin. Kjo formë shërbimi më ka ndihmuar të kultivoj miqësi shumë të mira. Ne ndajmë gjithçka që kemi dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin.»
Një korrje e gëzueshme
Cilat janë rezultatet e kësaj përpjekjeje të veçantë? Nga fillimi i vitit 2002, në këto itinerare të pionierëve morën pjesë rreth 28.300 pionierë. Ata drejtuan më tepër se 140.000 studime biblike, duke kushtuar më shumë se dy milionë orë në veprën e predikimit. Për t’i ndihmuar njerëzit që të mësojnë të vërtetën biblike, ata lanë pothuajse 121.000 libra dhe afërsisht 730.000 revista. Nuk është e pazakontë për disa pionierë që të drejtojnë 20 ose më shumë studime biblike.
Ata që përfituan nga kjo dashamirësi janë thellësisht mirënjohës për përpjekjen e veçantë që u bë për t’i arritur me mesazhin e Biblës. Edhe pse të varfër, shumë ngulin këmbë që lajmëtarët të pranojnë kontributet. Një zonjë 70-vjeçare nevojtare u jep gjithmonë diçka pionierëve që e vizitojnë. Po qe se ata nuk duan ta pranojnë, ajo qan. Një familje e varfër u thotë ungjillëzuesve të plotkohor se pula bëri vezë posaçërisht për ta dhe i nxit që t’i marrin vezët.
Ç’është më e rëndësishmja, këta njerëz të sinqertë shfaqin çmueshmëri të vërtetë për gjërat frymore. Për shembull, një zonjë e re ecën më këmbë e vetme për tri orë e gjysmë që të ndjekë mbledhjet e krishtere dhe nuk mungon në asnjë prej tyre. Një e moshuar e interesuar, edhe pse kishte probleme me gjunjtë, udhëtoi dy orë për të marrë udhëzime nga Bibla gjatë vizitës së mbikëqyrësit udhëtues. Disa që ishin analfabetë donin të mësonin të lexonin e të shkruanin me qëllim që të mund të nxirrnin më shumë dobi nga arsimimi biblik. Përpjekjet e tyre janë bekuar me bollëk.
Në librin e Veprave, Luka përshkruan një vegim që pa apostulli Pavël: «Një burrë maqedonas po qëndronte në këmbë dhe po i përgjërohej, duke thënë: ‘Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.’ » Pavli pranoi me gatishmëri. Sot në zonat e thella të Meksikës shumë veta janë përgjigjur me të njëjtën frymë, duke u vënë në dispozicion për të shpallur lajmin e mirë «deri në skajin më të largët të tokës».—Veprat 1:8; 16:9, 10.
[Shënimet]
^ par. 4 Në një nga vitet e fundit, më tepër se 8 për qind e territorit në Meksikë nuk mbulohej rregullisht nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo do të thotë se ka më tepër se 8.200.000 njerëz që jetojnë në zona të veçuara ku predikimi është i kufizuar.
^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 9]
Shumë Dëshmitarë meksikanë kanë marrë pjesë në fushata speciale predikimi