Sa e rëndësishme është dashamirësia?
Sa e rëndësishme është dashamirësia?
«GJËJA e dëshirueshme në njeriun tokësor është dashamirësia e tij»,—thotë Bibla. (Proverbat 19:22, BR) Vërtet, veprat e dashamirësisë të motivuara nga dashuria janë shumë të dëshirueshme. Megjithatë në Bibël fjala «dashamirësi» i referohet një dashamirësie që mund të bazohet në një marrëdhënie që tashmë ekzistonte e tillë, si ajo e mbështetur në një akt të mëparshëm dashamirësie të kryer nga individi tjetër. Kështu, ajo përfshin konceptin e besnikërisë.
Mbreti i Judës, Jehoasi, nuk arriti të zhvillonte këtë cilësi të dëshirueshme. Ai i detyrohej shumë hallës dhe Jehojadës, xhaxhait. Kur Jehoasi ishte më pak se një vjeç, gjyshja e tij e ligë e shpalli veten mbretëreshë dhe vrau të gjithë vëllezërit e Jehoasit, të cilët ishin trashëgimtarë për fronin. Megjithatë ajo nuk arriti ta vriste Jehoasin e vogël, sepse halla dhe xhaxhai i tij e fshehën me kujdes. Gjithashtu ata i mësuan Jehoasit Ligjin e Perëndisë. Kur Jehoasi ishte shtatë vjeç, xhaxhai përdori autoritetin e tij si kryeprift për ta ekzekutuar mbretëreshën e ligë dhe për të vendosur në fron Jehoasin.—2 Kronikave 22:10–23:15.
Jehoasi i ri sundoi si mbret në mënyrë të shkëlqyer deri sa i vdiq xhaxhai, por më pas filloi adhurimin e idhujve. Perëndia dërgoi Zakarinë, i cili ishte biri i Jehojadës, për ta paralajmëruar Jehoasin për apostazinë e tij. Jehoasi bëri që ta vritnin me gurë Zakarinë. Çfarë akti tronditës jobesnikërie kundrejt një familjeje të cilës i detyrohej kaq shumë!—2 Kronikave 24:17-21.
Bibla thotë: «Mbreti Jehoas nuk e kujtoi dashamirësinë që i kishte treguar Jehojada, ati [i Zakarisë], kështu që ia vrau të birin.» Ndërsa ishte duke vdekur, Zakaria tha: «Jehovai shikoftë dhe kërkoftë!» Në vërtetësi të fjalëve të Zakarisë, Jehoasi u sëmur keq dhe u vra nga shërbëtorët e tij.—2 Kronikave 24:17-25, BR.
Në vend që të bëhen si mbreti Jehoas, të gjithë ata që ndjekin këshillën e këtij shkrimi do të kenë një të ardhme të bekuar: «Mirësia [dashamirësia, BR] dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; . . . do të gjesh kështu hir . . . në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.»—Fjalët e urta 3:3, 4.