Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj që ia gëzojnë zemrën Jehovait

Të rinj që ia gëzojnë zemrën Jehovait

Të rinj që ia gëzojnë zemrën Jehovait

Këta artikuj studimi u përgatitën veçanërisht për të rinjtë mes Dëshmitarëve të Jehovait. Prandaj i inkurajojmë të rinjtë që t’i studiojnë me kujdes dhe të japin shumë komente kur të trajtohen në Studimin e Kullës së Rojës në kongregacion.

«Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.»​—Fjalët e urta 27:11.

1, 2. (a) Vetëm tërheqja ndaj gjërave të botës, a do të thotë se je i papërshtatshëm për të qenë i krishterë? (Shpjego) (Romakëve 7:21) (b) Çfarë mëson nga shembulli i Asafit? (Shih kutinë në faqen 13.)

PËRFYTYRO sikur ke dalë për të blerë rroba. Ndërsa shikon, të zë syri kalimthi një veshje që të tërheq menjëherë. Ngjyrat dhe stili duken tamam për ty dhe etiketa e çmimit tregon se është me leverdi. Por pastaj e shikon më nga afër. Për habinë tënde të madhe, vëren se veshja është e ngrënë te buzët dhe qepja është paksa e keqe. Veshja është me cilësi të dobët, edhe pse duket tërheqëse. A do t’i harxhoje paratë për një produkt të tillë jocilësor?

2 Krahasoje këtë me një situatë që mund të hasësh si një i ri i krishterë. Në pamje të parë, gjërat e kësaj bote, shumë ngjashëm me veshjen, mund të duken tepër tërheqëse. Për shembull, shokët e tu të shkollës mund të shkojnë në festa entuziazmuese, mund të marrin drogë, të pijnë pije alkoolike, të marrin takime të rastit me individë të seksit të kundërt dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale pa qenë të martuar. A të tërheq ndonjëherë kjo mënyrë jetese? A ke dëshirë të madhe të provosh sikur edhe pak të ashtuquajturën liri të tyre? Në qoftë se po, mos nxirr me nxitim përfundimin se je i lig në zemër dhe se nuk je i përshtatshëm për të qenë i krishterë. Në fund të fundit, Bibla e pranon se bota mund të jetë joshëse në mënyrë të fuqishme, madje edhe për një individ që dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë.​—2 Timoteut 4:10.

3. (a) Pse është e kotë të ndjekësh gjërat e botës? (b) Si e përshkruan një e krishterë kotësinë e ndjekjes së gjërave të botës?

3 Tani të lutemi shih më nga afër gjërat që të ofron kjo botë, ashtu siç do të bëje me një veshje që do të të interesonte ta blije. Pyet veten: ‘I çfarë cilësie është ky sistem?’ Bibla thotë se «bota po kalon». (1 Gjonit 2:17) Çdo kënaqësi që do të vinte prej saj, shumë-shumë do të ishte e përkohshme. Për më tepër, sjellja e paperëndishme ka një çmim të lartë. Patjetër që nuk është e leverdishme. Një e krishterë, së cilës i është dashur të durojë ato që i quan «dhembjet që erdhën nga një rini e çuar dëm», thotë: «Bota mund të duket magjepsëse dhe tërheqëse e do që të besosh se mund të argëtohesh sipas mënyrës së saj pa pasur dhembje. Por kjo sigurisht që nuk është e mundur. Bota do të të përdorë dhe, kur të ketë mbaruar, do të të flakë.» * Pse ta çosh dëm rininë me një mënyrë jetese jocilësore?

Mbrojtje nga ‘i ligu’

4, 5. (a) Çfarë i kërkoi Jezui në lutje Jehovait pak para se të vdiste? (b) Pse kjo ishte një kërkesë e përshtatshme?

4 Duke e kuptuar se ky sistem nuk ofron asgjë cilësore, të rinjtë mes Dëshmitarëve të Jehovait përpiqen të shmangin miqësinë me këtë botë. (Jakovit 4:4) A je një prej këtyre të rinjve besnikë? Nëse po, je për t’u lavdëruar. Vërtet nuk është e lehtë t’i bësh ballë presionit të bashkëmoshatarëve dhe të dallohesh si i ndryshëm nga të tjerët, por ke dikë që mund të të ndihmojë.

5 Pak para se të vdiste, Jezui u lut që Jehovai ‘t’i ruante’ dishepujt «për shkak të të ligut». (Gjoni 17:15) Jezui e bëri këtë kërkesë për arsye të vlefshme. Ai e dinte se udha e besnikërisë nuk do të ishte e lehtë për ithtarët e tij, pavarësisht nga mosha e tyre. Pse? Siç e pranoi Jezui, një arsye ishte se dishepujt do të hasnin një armik të padukshëm, të fuqishëm​—‘të ligun’, Satana Djallin. Bibla thotë se kjo krijesë frymore e ligë «vjen rrotull si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë».​—1 Pjetrit 5:8.

6. Si e dimë se Satanai nuk ka dhembshuri për të rinjtë?

6 Gjatë historisë Satanai ka provuar kënaqësi sadiste duke u shkaktuar njerëzve mizoritë më të egra. Mendo për gjëmat e tmerrshme që i shkaktoi Satanai Jobit dhe familjes së tij. (Jobi 1:13-19; 2:7) Ndoshta mund të sjellësh ndër mend ngjarje të bujshme gjatë jetës sate që mbajnë vulën e frymës së dhunshme të Satanait. Djalli vjen rrotull tinëzisht dhe, në kërkimin e tij për të përpirë dikë, ai nuk tregon mëshirë ndaj të rinjve. Për shembull, në fillim të shekullit të parë të e.s., Herodi kurdisi një plan për të vrarë të gjithë djemtë në Betlehem nga dy vjeç e poshtë. (Mateu 2:16) Ka të ngjarë që ishte Satanai ai që e nxiti Herodin. Të gjithë këtë e bëri në përpjekje për të asgjësuar fëmijën i cili do të bëhej një ditë Mesia i premtuar i Perëndisë dhe do të ekzekutonte gjykimin e Perëndisë ndaj Satanait. (Zanafilla 3:15) Është e qartë se Satanai nuk ka aspak dhembshuri të butë për të rinjtë. Qëllimi i tij i vetëm është të përpijë sa më shumë njerëz. Kjo është e vërtetë sidomos tani, sepse Satanai është hedhur nga qielli poshtë në tokë, «duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe».​—Zbulesa 12:9, 12.

7. (a) Në ç’mënyrë Jehovai është krejt ndryshe nga Satanai? (b) Si ndihet Jehovai për faktin që ti do që ta gëzosh jetën?

7 Në kontrast të plotë me Satanain, i cili ka «zemërim të madh», Jehovai ka ‘dhembshuri të butë’. (Luka 1:78) Ai është vetë personifikimi i dashurisë. Në të vërtetë kjo cilësi kryesore e Perëndisë e karakterizon aq shumë Krijuesin, saqë Bibla thotë: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Çfarë ndryshimi midis perëndisë së këtij sistemi dhe Perëndisë, të cilin ke privilegjin ta adhurosh! Ndërsa Satanai kërkon të përpijë, Jehovai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë». (2 Pjetrit 3:9) Ai e sheh si të çmuar çdo jetë njerëzore, përfshirë edhe tënden. Kur në Fjalën e tij Jehovai të nxit që të mos jesh pjesë e botës, nuk po përpiqet të të ndrydhë që të mos e gëzosh jetën ose të të kufizojë lirinë. (Gjoni 15:19) Përkundrazi po të ruan për shkak të të ligut. Ati yt qiellor do që ti të kesh diçka shumë më të mirë sesa kënaqësitë kalimtare të kësaj bote. Dëshiron që të fitosh «jetën e vërtetë», jetën e përhershme në një tokë parajsore. (1 Timoteut 6:17-19) Jehovai do që t’ia dalësh mbanë dhe po të nxit drejt këtij qëllimi. (1 Timoteut 2:4) Për më tepër Jehovai po të bën një ftesë të veçantë. Cila është ajo?

«Gëzo zemrën time»

8, 9. (a) Çfarë dhurate mund t’i japësh Jehovait? (b) Si e tall Satanai Jehovain, siç ilustrohet në rastin e Jobit?

8 A ke blerë ndonjëherë një dhuratë për një mikun tënd të ngushtë dhe a e ke parë fytyrën e tij të rrezatojë me habi dhe mirënjohje kur e ka marrë atë? Ndoshta mendove shumë dhe për një kohë të gjatë se çfarë lloj dhurate do të ishte e përshtatshme për atë individ. Tani mendo për këtë pyetje: Çfarë lloj dhurate mund t’i japësh Krijuesit tënd, Perëndisë Jehova? Në fillim thjesht një ide e tillë mund të tingëllojë absurde. Për çfarë ka nevojë i Plotfuqishmi nga një njeri? Çfarë gjëje ka të ngjarë t’i japësh që tashmë nuk e zotëron? Bibla përgjigjet te Fjalët e urta (Proverbat) 27:11: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet [më tall, BR] kundër meje.»

9 Ndoshta nga studimi i Biblës e di që është Satana Djalli ai që e tall Jehovain. Ai thotë se kushdo që i shërben Perëndisë e bën këtë, jo nga dashuria, por për arsye egoiste. Lëri të hasin vështirësi dhe ata do ta braktisin shpejt adhurimin e vërtetë​—thotë Satanai. Mendo për shembull, se çfarë i tha Satanai Jehovait për njeriun e drejtë Job: «A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend. Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi.»​—Jobi 1:10, 11.

10. (a) Si e dimë se Satanai nuk vuri në diskutim vetëm besnikërinë e Jobit? (b) Si je i përfshirë në çështjen e sovranitetit?

10 Ashtu si zbulohet në tregimin biblik, Satanai vuri në diskutim jo vetëm besnikërinë e Jobit, por edhe të të tjerëve që i shërbejnë Perëndisë, përfshirë edhe ty. Në fakt, duke folur për njerëzimin në përgjithësi, Satanai i tha Jehovait: «Gjithçka që zotëron, njeriu [jo vetëm Jobi, por kushdo] është gati ta japë për jetën e tij.» (Jobi 2:4) A e kupton se ç’rol luan ti në këtë çështje jetësore? Siç tregohet te Fjalët e urta 27:11, Jehovai po të thotë se ka diçka që mund t’i japësh, domethënë një bazë për t’i dhënë një përgjigje atij që e tall, Satanait. Mendo pak, Sovrani Universal po të bën thirrje që t’i japësh edhe ti vetë një përgjigje çështjes më të madhe të të gjitha kohërave. Ç’përgjegjësi dhe privilegj madhështor që ke! A mund ta bësh atë që po të kërkon Jehovai? Jobi e bëri. (Jobi 2:9, 10) Po ashtu bëri edhe Jezui, si edhe shumë të tjerë të panumërt gjatë gjithë historisë, përfshirë edhe shumë të rinj. (Filipianëve 2:8; Zbulesa 6:9) Edhe ti mund të bësh të njëjtën gjë. Por për një gjë duhet të jesh i sigurt, nuk ka një qëndrim asnjanës në këtë çështje. Me mënyrën se si do të veprosh do të tregosh se mbështet ose talljen e Satanait, ose përgjigjen e Jehovait. Cilën do të zgjedhësh për të mbështetur?

Jehovai interesohet për ty

11, 12. A ka rëndësi për Jehovain nëse zgjedh t’i shërbesh ose jo atij? Shpjego.

11 A i intereson vërtet Jehovait se çfarë zgjedhjeje bën ti? A nuk kanë mbetur tashmë mjaft njerëz besnikë ndaj Perëndisë, aq sa për t’i dhënë një përgjigje të mjaftueshme Satanait? Vërtet, Djalli tha se askush nuk i shërben Jehovait nga dashuria, akuzë e cila tashmë ka dalë se është e rreme. Megjithatë, Jehovai do që të marrësh anën e tij në çështjen e sovranitetit, sepse ai interesohet për ty si individ. Jezui tha: «Për Atin tim që është në qiell nuk është gjë e dëshirueshme që një prej këtyre të vegjëlve të marrë fund.»​—Mateu 18:14.

12 Është e qartë se Jehovai interesohet për udhën që zgjedh. Për më tepër ai ndikohet nga kjo udhë. Bibla e bën të qartë se Jehovai ka ndjenja të thella që preken nga veprimet e mira ose të këqija të njerëzve. Për shembull, kur izraelitët rebeloheshin herë pas here, Jehovai provonte «dhembje». (Psalmi 78:40, 41, BR) Përpara Përmbytjes së ditëve të Noesë, kur «ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë», Jehovai «u brengos për këtë në zemër të vet». (Zanafilla 6:5, 6) Mendo se çfarë do të thotë kjo! Nëse do të ndiqje një udhë të gabuar, mund t’i shkaktoje dhembje Krijuesit. Kjo nuk do të thotë se Perëndia është i dobët ose drejtohet nga emocionet. Përkundrazi, ai të do dhe interesohet për mirëqenien tënde. Nga ana tjetër, kur ti bën atë që është e drejtë, zemra e Jehovait gëzon. Ai është i lumtur jo vetëm sepse ka një përgjigje më shumë për t’i dhënë Satanait, por edhe sepse tani mund të bëhet Shpërblyesi yt. Dhe kjo është diçka që ai dëshiron. (Hebrenjve 11:6) Sa Atë i dashur është Perëndia Jehova!

Bekime të bollshme tani

13. Si marrim bekime që tani duke i shërbyer Jehovait?

13 Bekimet që vijnë ngaqë i shërbejmë Jehovait nuk do t’i përjetojmë vetëm në të ardhmen. Shumë të rinj mes Dëshmitarëve të Jehovait bekohen me gëzim e kënaqësi që tani, dhe me të drejtë. «Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën»,​—shkroi psalmisti. (Psalmi 19:8) Jehovai e di më mirë se çdo njeri se çfarë është e mirë për ne. Nëpërmjet profetit Isaia Jehovai tha: «Unë jam Zoti [Jehovai, BR], Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»​—Isaia 48:17, 18.

14. Si mund të të ndihmojnë parimet biblike që të shmangësh dhembjen nga borxhet?

14 Ndjekja e parimeve biblike do të të ndihmojë që të shmangësh shumë dhembje dhe brenga. Për shembull, Bibla thotë se ata që kanë zhvilluar dashuri për para «janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje». (1 Timoteut 6:9, 10) A e ka përjetuar ndonjë prej bashkëmoshatarëve të tu realitetin e hidhur të këtij shkrimi? Disa të rinj e të reja janë të zhytur në borxhe, vetëm sepse mendojnë se duhet të kenë veshjet më të fundit të një firme të njohur dhe pajisjet teknologjike më të fundit. Të ngarkohesh me pagesa afatgjata e me kamatë të lartë për gjëra që në të vërtetë nuk ke mundësi t’i paguash është një formë e dhembshme skllavërie.​—Fjalët e urta 22:7.

15. Në cilat mënyra të mbrojnë parimet biblike nga dhembjet që vijnë prej imoralitetit seksual?

15 Shqyrto edhe çështjen e imoralitetit seksual. Anembanë botës çdo vit shumë adoleshente të pamartuara ngelin shtatzënë. Disa lindin një fëmijë që as nuk e dëshirojnë dhe as nuk kanë aftësinë për ta rritur. Të tjera kryejnë abort dhe paguajnë çmimin e një ndërgjegjeje që i mundon. Pastaj ka të rinj e të reja që marrin sëmundje të transmetuar në rrugë seksuale të tilla si SIDA. Për dikë që e njeh Jehovain, patjetër që pasoja më e rëndë nga të gjitha do të ishte një marrëdhënie e dëmtuar me Jehovain. * (Galatasve 5:19-21) Me të drejtë Bibla thotë: «Ikni nga kurvëria.»​—1 Korintasve 6:18.

T’i shërbesh «Perëndisë së lumtur»

16. (a) Si e dimë se Jehovai do që ta gëzosh rininë? (b) Pse Jehovai të jep udhëzime për të ndjekur?

16 Bibla e përshkruan Jehovain si ‘Perëndia i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Ai do që edhe ti të jesh i lumtur. Në të vërtetë vetë Fjala e tij thotë: «Gëzoje rininë. Ji i lumtur sa je ende i ri.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 11:9, Today’s English Version) Por Jehovai sheh përtej së tashmes dhe mund të dallojë pasojat afatgjata si të sjelljes së mirë, edhe të së keqes. Ja pse të këshillon: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»​—Predikuesi 12:1.

17, 18. Si e shprehu një e krishterë lumturinë që ndjen duke i shërbyer Jehovait dhe si mund të gjesh të njëjtin gëzim?

17 Sot shumë të rinj kanë gjetur shumë lumturi duke i shërbyer Jehovait. Për shembull, 15-vjeçarja Lina thotë: «Mund të eci ballëlart. Kam një trup të shëndetshëm, sepse nuk pij duhan dhe nuk marr drogë. Nëpërmjet kongregacionit marr udhëheqje të vlefshme që më ndihmon të luftoj presionet jashtëzakonisht të mëdha të Satanait. Më ndrit fytyra nga gëzimi për shkak të shoqërisë ndërtuese që kam në Sallën e Mbretërisë. Mbi të gjitha, kam shpresën e jetës së përhershme në tokë.»

18 Ashtu si Lina, shumë të rinj të krishterë po luftojnë shumë për besimin, dhe kjo u sjell atyre gëzim. E kuptojnë se jeta e tyre, edhe pse ndonjëherë plot me probleme e presione, ka një qëllim dhe një të ardhme të vërtetë. Vazhdo, pra, t’i shërbesh Perëndisë, i cili ka për zemër interesat e tua më të mira. Gëzoja zemrën dhe ai do të bëjë ty që të gëzohesh tani dhe në kohë të pacaktuara!​—Psalmi 5:11.

[Shënimet]

^ par. 3 Shih artikullin «E vërteta më riktheu në jetë», në numrin e 22 tetorit 1996 të revistës Zgjohuni!, anglisht.

^ par. 15 Është ngushëlluese të dimë se kur një individ pendohet, nuk e bën më të keqen dhe i rrëfen mëkatet, Jehovai ‘do ta falë bujarisht’.​—Isaia 55:7.

A të kujtohet?

• Çfarë rreziku has prej «të ligut», Satanait?

• Si mund t’ia gëzosh zemrën Jehovait?

• Si e tregon Bibla se Jehovai interesohet për ty?

• Cilat janë disa bekime që vijnë ngaqë i shërben Jehovait?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 13]

Një i drejtë gati sa nuk pengohet

Asafi ishte një muzikant levit i shquar që shërbente në tempullin e Jehovait në Izraelin e lashtë. Ai madje kompozoi këngë që u përdorën në adhurimin publik. Megjithatë pavarësisht nga privilegjet e tij unike, për njëfarë kohe Asafin e tërhoqi sjellja e paperëndishme e bashkëmoshatarëve të tij, të cilët dukej se i thyenin ligjet e Perëndisë pa asnjë pasojë. Asafi e pranoi më vonë: «Gati-gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.»​—Psalmi 73:2, 3.

Më vonë, Asafi shkoi në shenjtëroren e Perëndisë dhe u lut për këtë çështje. Me një këndvështrim frymor të përtërirë, ai e kuptoi se Jehovai e urren të keqen dhe që me kalimin e kohës, si i ligu edhe i drejti, do të korrin atë që mbjellin. (Psalmi 73:17-20; Galatasve 6:7, 8) Vërtet, të ligjtë janë në vende të rrëshqitshme. Në fund ata do të bien kur Jehovai do të shkatërrojë këtë sistem të paperëndishëm.​—Zbulesa 21:8.

[Figurat në faqen 15]

Jehovai ka për zemër interesat e tua më të mira, kurse qëllimi i Satanait është të të përpijë

[Figura në faqen 16]

Shumë të rinj po gjejnë lumturinë më të madhe duke i shërbyer Jehovait me të bashkëkrishterët