Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A pyet: «Ku është Jehovai?»

A pyet: «Ku është Jehovai?»

A pyet: «Ku është Jehovai?»

«Ata janë larguar nga unë . . . Dhe nuk kanë thënë: ‘Ku është Jehovai?’»​—JEREMIA 2:5, 6, BR.

1. Çfarë mund të kenë në mendje njerëzit kur pyesin: «Ku është Perëndia?»

«KU ËSHTË Perëndia?» Këtë pyetje e kanë bërë shumë njerëz. Disa prej tyre vetëm sa janë përpjekur të kuptojnë një fakt thelbësor rreth Krijuesit, domethënë, ku ndodhet ai. Të tjerë e bëjnë pyetjen pas një katastrofe ose kur ata vetë janë nën vështirësi të mëdha dhe nuk mund ta kuptojnë pse nuk ndërhyn Perëndia. Por disa të tjerë nuk e bëjnë fare këtë pyetje, sepse nuk pranojnë madje as edhe idenë se Perëndia ekziston.​—Psalmi 10:4.

2. Cilët kanë sukses në kërkimin e Perëndisë?

2 Sigurisht, janë shumë ata që i pranojnë provat e bollshme se ka një Perëndi. (Psalmi 19:1; 104:24) Disa prej tyre janë të kënaqur thjesht që kanë ndonjë lloj feje. Por dashuria e zjarrtë për të vërtetën i ka shtyrë miliona të tjerë, nga të gjitha vendet, që të kërkojnë Perëndinë e vërtetë. Përpjekjet e tyre nuk kanë shkuar më kot, sepse ai «nuk është larg nga secili prej nesh».​—Veprat 17:26-28.

3. (a) Ku është vendbanimi i Perëndisë? (b) Çfarë nënkuptohet nga pyetja biblike: «Ku është Jehovai?»

3 Kur një njeri e gjen vërtet Jehovain, kupton se «Perëndia është Frymë», i padukshëm për sytë njerëzorë. (Gjoni 4:24) Jezui foli për Perëndinë e vërtetë si ‘Ati im që është në qiell’. Çfarë do të thotë kjo? Që vendi në të cilin banon Ati ynë qiellor është, në kuptimin frymor, i lartë, ashtu si qielli mbi tokën. (Mateu 12:50; Isaia 63:15) Edhe pse nuk mund ta shohim Perëndinë me sytë fizikë, prapëseprapë ai na e bën të mundur që ta njohim e të mësojmë shumë rreth qëllimeve të tij. (Eksodi [Dalja] 33:20; 34:6, 7) Ai u përgjigjet pyetjeve që bëjnë njerëzit e sinqertë, të cilët kërkojnë të dinë kuptimin e jetës. Në lidhje me çështjet që ndikojnë në jetën tonë, na siguron një bazë të shëndoshë që të përcaktojmë se në ç’pozitë qëndron ai, domethënë si i sheh këto çështje dhe nëse dëshirat tona janë në harmoni me qëllimet e tij. Ai do që të bëjmë pyetje rreth këtyre gjërave dhe të bëjmë përpjekje të zellshme për të gjetur përgjigjet. Nëpërmjet profetit Jeremia, Jehovai e qortoi popullin e Izraelit të lashtë, sepse nuk e bënë këtë gjë. E dinin emrin e Perëndisë, por nuk pyetën: «Ku është Jehovai?» (Jeremia 2:6, BR) Qëllimi i Jehovait nuk ishte shqetësimi i tyre kryesor. Nuk po kërkonin drejtimin e tij. A e bën pyetjen, «ku është Jehovai» kur duhet të marrësh vendime, të mëdha a të vogla?

Ata që e kërkuan Perëndinë

4. Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Davidit për të kërkuar Jehovain?

4 Ndërsa ishte ende i ri, Davidi, biri i Jeseut, zhvilloi një besim të fortë te Jehovai. Ai e njihte Jehovain si ‘Perëndia i gjallë’. Davidi e kishte përjetuar vetë mbrojtjen e Jehovait. I nxitur nga besimi dhe nga dashuria për ‘emrin e Zotit [Jehovait, BR]’, ai vrau gjigantin filistin të armatosur rëndë, Goliadin. (1 Samuelit 17:26, 34-51) Sidoqoftë suksesi i Davidit nuk e bëri atë që t’i besonte vetes. Ai nuk arsyetoi se çfarëdo që të bënte tani e tutje, Jehovai do ta bekonte. Vazhdimisht gjatë viteve që pasuan Davidi e kërkoi Jehovain kur duhej të merrte vendime. (1 Samuelit 23:2; 30:8; 2 Samuelit 2:1; 5:19) Ai vazhdoi të lutej: «O Zot [Jehova, BR], më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua. Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.» (Psalmi 25:4, 5) Çfarë shembulli i shkëlqyer për t’u ndjekur nga ne!

5, 6. Si e kërkoi Jehozafati Jehovain në periudha të ndryshme të jetës?

5 Në ditët e mbretit Jehozafat, mbreti i pestë në linjën mbretërore që rridhte nga Davidi, forcat e përbashkëta të tri kombeve erdhën për të luftuar kundër Judës. Përballë kësaj gjendjeje alarmuese për kombin Jehozafati «kërkoi me zjarr Jehovain». (2 Kronikave 20:1-3, BR) Kjo nuk ishte hera e parë që kërkonte Jehovain. Ky mbret i kishte qëndruar larg adhurimit të Baalit, në të cilin ishte zhytur mbretëria veriore apostate e Izraelit, dhe kishte zgjedhur të ecte në udhët e Jehovait. (2 Kronikave 17:3, 4) Kështu, pra, si e ‘kërkoi Jehovain’ Jehozafati tani që po përballej me një krizë?

6 Në një lutje publike që bëri në Jerusalem në këtë kohë kritike, Jehozafati tregoi se kishte kujtuar fuqinë e gjithëpushtetshme të Jehovait. Kishte menduar thellë për qëllimin e Jehovait siç ishte zbuluar nga fakti që Ai kishte dëbuar kombet e tjera dhe i kishte dhënë Izraelit një vend si trashëgimi. Mbreti e pranoi se kishte nevojë për ndihmën e Jehovait. (2 Kronikave 20:6-12) A lejoi në atë rast Jehovai që ta gjenin? Sigurisht që po. Nëpërmjet Jahazielit, një leviti, Jehovai siguroi udhëzime specifike dhe të nesërmen i dha popullit fitoren. (2 Kronikave 20:14-28) Si mund të jesh i sigurt se po ashtu Jehovai do të të lejojë që ta gjesh kur t’i kërkosh drejtim?

7. Lutjet e kujt dëgjon Perëndia?

7 Jehovai nuk është i njëanshëm. Ai i fton njerëzit nga të gjitha kombet që ta kërkojnë në lutje. (Psalmi 65:2; Veprat 10:34, 35) E vëren çfarë kanë në zemër ata që i luten atij. Na siguron se i dëgjon lutjet e të drejtëve. (Fjalët e urta [Proverbat] 15:29) Ai lejon ta gjejnë disa që dikur nuk interesoheshin për të, por që tani e kërkojnë përulësisht drejtimin e tij. (Isaia 65:1) Madje dëgjon lutjet e atyre që kanë dështuar ta zbatojnë ligjin e tij, por që tani pendohen me përulësi. (Psalmi 32:5, 6; Veprat 3:19) Gjithsesi kur zemra e një individi nuk është e nënshtruar ndaj Perëndisë, lutjet e tij janë të kota. (Marku 7:6, 7) Të shqyrtojmë disa shembuj.

Ata pyetën, por nuk morën përgjigje

8. Çfarë i bëri lutjet e mbretit Saul të papranueshme për Jehovain?

8 Pasi profeti Samuel i tha mbretit Saul se Perëndia e kishte hedhur poshtë si mbret për shkak të mosbindjes, Sauli ra përmbys para Jehovait. (1 Samuelit 15:30, 31) Por kjo ishte vetëm sa për sy e faqe. Ajo që donte Sauli nuk ishte bindja Perëndisë, por që të nderohej përpara popullit. Më vonë, ndërsa filistinët po luftonin kundër Izraelit, Sauli pyeti sa për formë Jehovain. Megjithatë kur nuk mori përgjigje, u këshillua me një ndërmjetëse spiritiste, edhe pse e dinte se kjo gjë dënohej nga Jehovai. (Ligji i përtërirë 18:10-12; 1 Samuelit 28:6, 7) Duke e përmbledhur çështjen, 1 Kronikave 10:14 thotë për Saulin: «Ai nuk pyeti Jehovain.» (BR) Pse thuhet kështu? Sepse lutjet e Saulit nuk ishin me besim. Prandaj ishte sikur të mos ishte lutur fare.

9. Çfarë kishte të gabuar në lutjen e Zedekisë për drejtimin e Jehovait?

9 Ngjashëm, kur po afrohej fundi i mbretërisë së Judës, u bënë shumë lutje dhe profetët e Jehovait u këshilluan mes tyre. Sidoqoftë populli po e përziente idhujtarinë me të ashtuquajturin nderim të thellë për Jehovain. (Sofonia 1:4-6) Edhe pse pyetën sa për formë Perëndinë, nuk e përgatitën zemrën për t’iu nënshtruar vullnetit të tij. Mbreti Zedekia iu lut shumë Jeremisë që ta pyeste Jehovain për të. Jehovai i kishte thënë tashmë mbretit se çfarë duhej të bënte. Por duke mos pasur besim dhe duke u dorëzuar para frikës së njerëzve, mbreti nuk iu bind zërit të Jehovait dhe Jehovai nuk i dha më një përgjigje tjetër, të cilën mbreti do të kishte dashur ta dëgjonte.​—Jeremia 21:1-12; 38:14-19.

10. Çfarë kishte të gabuar në mënyrën se si Johanani kërkoi drejtimin e Jehovait dhe çfarë mësojmë nga gabimi i tij?

10 Pasi Jerusalemi ishte shkatërruar dhe ushtria babilonase ishte larguar me të mërguarit judenj, Johanani u përgatit për të marrë në Egjipt grupin e vogël të judenjve që mbetën në Judë. Ata i kishin bërë planet, por para se të iknin i kërkuan Jeremisë që të lutej për ta dhe të kërkonte drejtim nga Jehovai. Sidoqoftë, kur nuk morën përgjigjen që donin, vazhduan sipas asaj që kishin planifikuar. (Jeremia 41:16–43:7) A sheh në këto ngjarje mësime që mund të të sjellin dobi, në mënyrë që kur ta kërkosh vazhdimisht Jehovain ai të të lërë që ta gjesh?

«Vazhdoni të siguroheni»

11. Pse duhet ta zbatojmë parimin që gjendet tek Efesianëve 5:10?

11 Adhurimi i vërtetë përfshin më shumë sesa të simbolizojmë kushtimin tonë me anë të zhytjes në ujë, të ndjekim mbledhjet e kongregacionit dhe të marrim pjesë në shërbimin publik. Përfshihet e tërë jeta jonë. Çdo ditë hasim presione​—disa tinëzare, disa më të drejtpërdrejta​—të cilat mund të na largojnë nga udha që është në harmoni me përkushtimin hyjnor. Si do të reagojmë ndaj tyre? Kur po u shkruante të krishterëve besnikë në Efes, apostulli Pavël i nxiti: «Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.» (Efesianëve 5:10) Që një këshillë e tillë është e mençur ilustrohet nga shumë situata të raportuara në Shkrime.

12. Pse Jehovai ishte i pakënaqur kur Davidi mori masa që arka e besëlidhjes të zhvendosej në Jerusalem?

12 Pasi arkën e besëlidhjes e kishin kthyer në Izrael dhe e kishin mbajtur për shumë vite në Kiriat-Jearim, mbreti David dëshiroi që ta zhvendoste në Jerusalem. Ai u këshillua me krerët e popullit dhe tha se Arka do të zhvendosej ‘nëse u dukej mirë atyre dhe nëse ishte e pranueshme për Jehovain’. Por nuk tregoi kujdesin e duhur që të kërkonte aq sa duhej për të zbuluar se cili ishte vullneti i Jehovait për këtë çështje. Po ta kishte bërë këtë, kurrë nuk do ta kishin ngarkuar Arkën në një qerre. Atë do ta kishin mbajtur levitët kehathitë mbi supe, ashtu si Perëndia kishte udhëzuar qartë. Ndonëse Davidi e pyeste shpesh Jehovain, në këtë rast ai nuk e bëri këtë në mënyrën e duhur. Rezultati qe shkatërrimtar. Më vonë Davidi e pranoi: «Jehovai, Perëndia ynë, na u kthye kundër, sepse nuk e kërkuam sipas mënyrës së duhur.»​—1 Kronikave 13:1-3; 15:11-13, BR; Numrat 4:4-6, 15; 7:1-9.

13. Cili përkujtues përfshihej në këngën që u këndua kur Arka u zhvendos me sukses?

13 Kur Arka u transportua më në fund prej levitëve, nga shtëpia e Obed-Edomit në Jerusalem, u këndua një këngë e kompozuar nga Davidi. Ajo përfshinte përkujtuesin e përzemërt: «Kërkoni Jehovain dhe forcën e tij, kërkojeni vazhdimisht atë. Kujtoni veprat e mrekullueshme që ka kryer, mrekullitë dhe vendimet gjyqësore që dalin nga goja e tij.»​—1 Kronikave 16:11, 12, BR.

14. Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i mirë i Solomonit dhe nga gabimet e mëvonshme në jetën e tij?

14 Para se të vdiste, Davidi e këshilloi të birin, Solomonin: «Në rast se ti e kërkon [Jehovain], ai do të të lërë ta gjesh.» (1 Kronikave 28:9) Me të marrë fronin, Solomoni shkoi në Gibeon, ku ndodhej tenda e mbledhjes, dhe i bëri flijime Jehovait. Atje Jehovai e ftoi Solomonin: «Më kërko atë që do dhe unë do të ta jap.» Në përgjigje të kërkesës së Solomonit, Jehovai i dha atij bujarisht mençuri e njohuri për të gjykuar Izraelin dhe përveç kësaj i dha pasuri e nder. (2 Kronikave 1:3-12) Duke përdorur projektin arkitektural që i kishte dhënë Jehovai Davidit, Solomoni ndërtoi një tempull madhështor. Por përsa i përket çështjeve të tij martesore, Solomoni nuk e kërkoi Jehovain. Solomoni u martua me gra që nuk ishin adhuruese të Jehovait. Në vitet e tij të mëvonshme, ato ia prirën zemrën që të largohej nga Jehovai. (1 Mbretërve 11:1-10) Pavarësisht se sa të shquar, të mençur ose të ditur që mund të dukemi, është e rëndësishme që ‘të vazhdojmë të sigurohemi se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’.

15. Pse Asai mundi të lutej me siguri se Jehovai do ta çlironte Judën kur etiopasi Zerah erdhi kundër Judës?

15 Që kjo gjë është e nevojshme theksohet më tej nga dokumentimi i mbretërimit të Asait, një stërnip i Solomonit. Njëmbëdhjetë vjet pasi Asai u bë mbret, etiopasi Zerah udhëhoqi një ushtri me një milion veta kundër Judës. A do ta shpëtonte Jehovai Judën? Më tepër se 500 vjet më parë, Jehovai kishte shpallur qartë se çfarë mund të priste populli i tij nëse do ta dëgjonin e do të ruanin urdhërimet e tij dhe çfarë mund të prisnin nëse nuk do ta bënin këtë. (Ligji i përtërirë 28:1, 7, 15, 25) Në fillim të mbretërimit të tij, Asai kishte hequr nga Juda altarët dhe shtyllat e përdorura në adhurimin e rremë. Ai e kishte nxitur popullin që «të kërkonte Jehovain» (BR). Nuk kishte pritur që ta bënte këtë kur t’i ndodhte ndonjë gjëmë. Prandaj, me besim te Jehovai, Asai iu lut që të vepronte për ta. Cili qe rezultati? Judës iu dha një fitore e bujshme.​—2 Kronikave 14:2-12.

16, 17. (a) Çfarë përkujtuesi i dha Jehovai Asait, megjithëse kishte dalë fitimtar? (b) Çfarë ndihme iu dha Asait kur veproi pa mençuri, por si reagoi ai? (c) Si mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i sjelljes së Asait?

16 Megjithatë, kur Asai u kthye fitimtar, Jehovai dërgoi Azariahun që të takonte mbretin e t’i thoshte: «O Asa, gjithë Juda dhe Beniamini, më dëgjoni! Jehovai është me ju për sa kohë të tregoni se jeni me të. Nëse e kërkoni, ai do t’ju lërë ta gjeni, por nëse e lini, do t’ju lërë.» (2 Kronikave 15:2, BR) Me zell të përtërirë, Asai e nxiti adhurimin e vërtetë. Por 24 vjet më vonë, kur u përball përsëri me luftën, ai nuk e kërkoi Jehovain. Nuk u këshillua me Fjalën e Perëndisë dhe nuk kujtoi atë që kishte bërë Jehovai atëherë kur ushtria etiopase kishte pushtuar Judën. Në mënyrë të pamend bëri aleancë me Sirinë.​—2 Kronikave 16:1-6.

17 Për këtë arsye, Jehovai bëri që Hanani, parashikuesi, ta qortonte Asain. Madje edhe në çastin kur iu shpjegua pikëpamja e Jehovait për çështjen, Asai mund të kishte nxjerrë ende dobi. Në vend të kësaj, ai u fye dhe e vuri Hananin në shtëpinë e vargonjve. (2 Kronikave 16:7-10) Sa e trishtueshme! Ç’të themi për ne? A e kërkojmë Perëndinë, por pastaj nuk i pranojmë këshillat? Ç’të themi nëse jemi përzier me botën?A tregojmë mirënjohje në këtë rast për ndihmën e dashur që po na jepet për të ditur se «çfarë është e pranueshme para Zotërisë», kur një plak i shqetësuar dhe i kujdesshëm përdor Biblën për të na këshilluar?

Mos harro të pyesësh

18. Si mund të nxjerrim dobi nga fjalët e Elihut drejtuar Jobit?

18 Nën stres, mund të dështojë madje edhe një individ që ka bërë një emër të mirë në shërbimin e Jehovait. Pasi Jobi u sëmur rëndë nga një sëmundje e neveritshme, humbi fëmijët dhe zotërimet materiale dhe u akuzua në mënyrë të rreme nga shokët, ai i përqendroi mendimet tek vetja e tij. Elihu i kujtoi atij: «Asnjeri nuk thotë: ‘Ku është Perëndia, krijuesi im?’ » (Jobi 35:10) Jobit iu desh ta kthente vëmendjen te Jehovai dhe të shqyrtonte se si e shihte Ai situatën. Jobi e pranoi me përulësi këtë përkujtues dhe shembulli i tij mund të na ndihmojë të bëjmë të njëjtën gjë.

19. Çfarë nuk bënë shpesh izraelitët?

19 Izraelitët e njihnin historinë e veprave të Perëndisë me kombin e tyre. Por shumë shpesh nuk i kujtuan ato teksa kishin të bënin me rrethana konkrete në jetën e tyre. (Jeremia 2:5, 6, 8) Kur duhej të merrnin vendime në jetë, ndiqnin kënaqësitë e tyre në vend që të pyetnin: «Ku është Jehovai?»​—Isaia 5:11, 12.

Vazhdo të pyesësh: «Ku është Jehovai?»

20, 21. (a) Cilët kanë shfaqur frymën e Eliseut në kërkimin e drejtimit të Jehovait sot? (b) Si mund ta imitojmë dhe të nxjerrim dobi nga shembulli i tyre i besimit?

20 Kur shërbimi publik i Elijas përfundoi, shërbëtori i tij, Eliseu, mori veshjen zyrtare që i kishte rënë Elijas, shkoi në lumin Jordan, goditi ujin dhe pyeti: «Ku është Jehovai, Perëndia i Elijas, po, Ai?» (2 Mbretërve 2:14, BR) Jehovai u përgjigj duke treguar se tani fryma e tij ishte mbi Eliseun. Çfarë mund të mësojmë nga kjo?

21 Diçka e ngjashme ndodhi në kohët e sotme. Disa shërbëtorë të mirosur të Jehovait që kishin marrë drejtimin në veprën e predikimit e përfunduan jetën e tyre në tokë. Ata të cilëve më pas iu besuan pozita mbikëqyrjeje shqyrtuan Shkrimet dhe iu lutën Jehovait për drejtim. Ata pyetën gjithmonë: «Ku është Jehovai?» Si rrjedhim Jehovai ka vazhduar ta udhëheqë popullin e tij dhe t’ia begatojë veprën. A e imitojmë besimin e tyre? (Hebrenjve 13:7) Nëse po, do të qëndrojmë pranë organizatës së Jehovait, do t’i përgjigjemi drejtimit të saj dhe do të marrim pjesë plotësisht në veprën që po kryen nën drejtimin e Jezu Krishtit.​—Zakaria 8:23.

Si do të përgjigjeshe?

• Me cilin qëllim duhet të vazhdojmë të pyesim: «Ku është Jehovai?»

• Si mund ta gjejmë sot përgjigjen e pyetjes: «Ku është Jehovai?»

• Pse disa lutje për drejtim hyjnor nuk marrin përgjigje?

• Cilët shembuj biblikë ilustrojnë nevojën që ‘të vazhdojmë të sigurohemi se çfarë është e pranueshme para Zotërisë’?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

Si e kërkoi Jehovain mbreti Jehozafat?

[Figura në faqen 10]

Pse Sauli u këshillua me një ndërmjetëse spiritiste?

[Figurat në faqen 12]

Studio, lutu dhe medito për të zbuluar se «ku është Jehovai»