I shërbejnë vëllazërisë së krishterë në shkallë ndërkombëtare
I shërbejnë vëllazërisë së krishterë në shkallë ndërkombëtare
A I KENI dëgjuar fjalët «shërbëtorë ndërkombëtarë» dhe «vullnetarë ndërkombëtarë»? Dëshmitarët e Jehovait që bëjnë pjesë në këto grupe japin vullnetarisht kohën dhe aftësitë e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e godinave që shërbejnë për të shtypur e për të shpërndarë mesazhin biblik rreth Mbretërisë. Këta vullnetarë ndihmojnë gjithashtu në ndërtimin e Sallave të Asambleve dhe të Sallave të Mbretërisë, të cilat shërbejnë si qendra të arsimimit biblik. Tani këta vullnetarë ndihmojnë në projektet e ndërtimit në 34 vende, kryesisht në vende me të ardhura të pakta. Çfarë sfidash dhe gëzimesh të veçanta përjetojnë këta shërbëtorë, ndërsa i shërbejnë vëllazërisë së krishterë në shkallë ndërkombëtare? Si ndihen për ‘shërbimin e shenjtë’ që kryejnë? (Zbulesa 7:9, 15) Për ta zbuluar, le të takojmë disa vullnetarë që shërbyen në Meksikë.
Vullnetarët e huaj mbërritën në Meksikë për herë të parë në maj të vitit 1992. Menjëherë pas kësaj ata morën drejtimin në zgjerimin e degës që mbikëqyr veprimtaritë e Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë. Zgjerimi përfshinte 14 ndërtesa të sapondërtuara, ku bëjnë pjesë vendbanimet për vullnetarët që shërbejnë në zyrën e degës, një shtypshkronjë dhe një godinë me zyra.
Për të ndihmuar në këtë projekt ndërtimi, më shumë se 730 vullnetarë nga Kanadaja, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vende të tjera shërbyen sup më sup bashkë me qindra vullnetarë nga të gjitha anët e Meksikës. Përveç kësaj më tepër se 28.000 Dëshmitarë që bëjnë pjesë në rreth 1.600 kongregacionet e ndodhura në zonën pranë zyrës së degës ndihmuan në veprimtaritë e ndërtimit gjatë fundjavëve. Të gjithë shërbyen me një frymë të gatshme dhe i ofruan bujarisht aftësitë e tyre. Ata e quajtën një privilegj t’i shërbenin Jehovait në këtë mënyrë. Gjatë gjithë projektit të ndërtimit mbajtën në mendje fjalët e frymëzuara që gjenden te Psalmi 127:1: «Në qoftë se Zoti [Jehovai, BR] nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit.»
Sfidat që hasin
Cilat janë sfidat që hasin vullnetarët ndërkombëtarë ndërsa shërbejnë në një caktim në
vend të huaj? Më poshtë jepen disa nga komentet e tyre. Kërtisi dhe Sali, një çift nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ndihmuar në projektet e ndërtimit në Gjermani, Indi, Meksikë, Paraguaj, Rumani, Rusi, Senegal dhe Zambia. Kërtisi tregon: «Sfida e parë ishte të largoheshim nga vajza, e cila shërbente si pioniere [shërbëtore në kohë të plotë], dhe nga kongregacioni ynë në Minesota. Gruaja ime dhe unë bënim pjesë në atë kongregacion që prej 24 vjetësh dhe ndiheshim shumë rehat atje.»Sali vëren: «Të jetosh në kushte me të cilat nuk je mësuar është një sfidë, ndoshta për një grua më shumë sesa për një burrë, por mësova se është e mundur të përshtatesh. Madje mësova të duroja insektet, të cilat ishin me shumicë.» Ajo thotë më tej: «Në një vend dhjetë prej nesh që ishim vullnetarë banonim në të njëjtin apartament pa kuzhinë dhe me vetëm dy banja. Atje mësova të jem më e durueshme.»
Të mësosh një gjuhë të re është një sfidë tjetër që kërkon përpjekje dhe përulësi. Sharoni, e cila ka shërbyer me të shoqin në projektet e ndërtimit në vende të ndryshme, thotë: «Është një sfidë të mos njohësh gjuhën e vendit ku shërben. Në fillim është e vështirë t’u afrohesh vëllezërve dhe motrave të tua frymore, sepse nuk mund t’i shprehësh lehtësisht ndjenjat. Kjo është shkurajuese. Por vëllezërit që takojmë në caktimet në vende të huaja janë shumë të durueshëm me ne dhe interesohen thellë për mirëqenien tonë. Pas një kohe të shkurtër fillojmë të komunikojmë paksa.»
Pjesëmarrja në shërbim kërkon guxim
Edhe pse këta vullnetarë vetëmohues ndihmojnë shumë në çuarjen përpara të veprës së ndërtimit, ata e kuptojnë se para së gjithash janë predikues të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj e mbështetin plotësisht veprën e predikimit që kryhet nga kongregacionet në të cilat marrin pjesë. Okeji dhe
In-Maria, një çift që ndihmoi në projektet e ndërtimit në Guadelupë, Malavi, Meksikë dhe Nigeri, e pranojnë se të flasësh në një gjuhë tjetër kur merr pjesë në shërbimin në fushë në një vend të huaj kërkon guxim.In-Maria tregon: «Në fillim pjesëmarrja jonë ishte e kufizuar, sepse gjithmonë shoqëronim Dëshmitarët vendës dhe ngaqë ndiheshim në siklet shpesh i linim ata të flitnin. Megjithatë një mëngjes vendosëm të dilnim vetë në shërbimin në fushë. U nisëm me këmbët që na dridheshin dhe me zemrat që na rrihnin shpejt. Takuam një grua të re e cila dëgjoi prezantimin që kisha përgatitur. Lexova një shkrim dhe lashë ca literaturë. Atëherë gruaja tha: ‘A të pyes për diçka? Kam një kushërirë që studion Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Si mund të bëj edhe unë një studim?’ Mbeta pa fjalë. Pastaj e mblodha veten dhe i ofrova një studim biblik.»
In-Maria shton: «Përfytyroni gëzimin dhe mirënjohjen time ndaj Jehovait që e bekoi iniciativën dhe dëshirën tonë për të folur për të vërtetën.» Kjo grua bëri shumë përparim dhe u pagëzua si Dëshmitare në një kongres krahinor në Meksiko. Okeji dhe In-Maria e përmbledhin në këtë mënyrë shërbimin e tyre: «I vlerësojmë shumë caktimet në projektet e ndryshme të ndërtimit, por asgjë nuk e tejkalon gëzimin dhe kënaqësinë që vjen kur ndihmon një person të përqafojë të vërtetën.»
Një frymë vetëmohuese
Është e vërtetë se vullnetarët që lënë familjen dhe miqtë bëjnë sakrifica për t’i shërbyer vëllezërve në vende të huaja, por ata gjithashtu përjetojnë gëzime të pashoqe. Cilat janë?
Hauardi, i cili ka shërbyer me gruan, Pamelën, në Angolë, Kolumbi, Ekuador, Salvador, Guajanë, Meksikë dhe Porto-Riko, shpjegon: «Është një privilegj të takosh vëllezër e motra në vende të ndryshme dhe të përjetosh drejtpërdrejt lidhjen e dashurisë që ekziston në vëllazërinë tonë ndërkombëtare. Shpesh lexojmë për të, por kur jeton dhe shërben me të tjerë me kultura e prejardhje të ndryshme, e vlerëson edhe më shumë vëllazërinë tonë të çmuar.»
Edhe Geri, i cili ka ndihmuar në projektet e ndërtimit në Kolumbi, Kosta-Rikë, Ekuador, Meksikë dhe Zambia, mendon se ky program i ka sjellë shumë dobi atij. Ai tregon: «Stërvitja që mora gjatë viteve në shoqëri me vëllezër të pjekur, që shërbenin në degët e vendeve ku kam qenë caktuar, më ka ndihmuar të jem më i pajisur për sfidat në caktimet e mia. Ka qenë besimforcuese, sepse të jep mundësinë për të përjetuar unitetin që karakterizon organizatën mbarëbotërore të Jehovait—unitet i cili i kapërcen ndryshimet gjuhësore, raciale ose kulturore.»
Ndërkaq veprimtaria e ndërtimit në Meksikë përfundoi dhe ndërtesat e zgjeruara të degës u kushtuan këtë vit. Të nxitur nga dashuria për Perëndinë, shërbëtorët ndërkombëtarë dhe vullnetarët ndërkombëtarë kanë dhënë një ndihmesë të madhe në përhapjen e adhurimit të vërtetë në Meksikë e kudo gjetkë. Fryma e tyre e gatshme dhe vetëmohuese për t’u shërbyer vëllezërve të krishterë në shkallë ndërkombëtare çmohet shumë nga Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës.
[Figura në faqen 25]
Ekuador
[Figura në faqen 25]
Kolumbi
[Figura në faqen 25]
Angolë
[Figura në faqen 26]
Fillon puna për godinat e reja në degën e Meksikës
[Figura në faqen 26]
Kopshti në degën e Meksikës
[Figura në faqen 26]
Poshtë: Disa pjesëtarë të Repartit të Ndërtimit përballë disa godinave të reja
[Figura në faqen 27]
Vullnetarët e ndërtimit gëzojnë duke e mbështetur veprën e predikimit bashkë me kongregacionet vendëse