Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përpara dhe pas: Një e kaluar e errët, një e ardhme e shndritshme

Përpara dhe pas: Një e kaluar e errët, një e ardhme e shndritshme

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»

Përpara dhe pas: Një e kaluar e errët, një e ardhme e shndritshme

«FJALA e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Kështu tha apostulli Pavël për fuqinë depërtuese të mesazhit të Perëndisë. Aftësia e këtij mesazhi për të arritur zemrën ishte veçanërisht e dukshme gjatë shekullit të parë të e.s. Pavarësisht nga ndikimi jo i shëndetshëm i asaj kohe, ata që u bënë të krishterë veshën personalitetin e ri.—Romakëve 1:28, 29; Kolosianëve 3:8-10.

Fuqia transformuese e fjalës së Perëndisë, ashtu siç është dokumentuar në Bibël, është e dukshme edhe sot. Për shembull, le të shqyrtojmë rastin e një burri të fortë e të gjatë me emrin Rikard. Meqenëse ishte gjaknxehtë, Rikardi zihej me grushte për provokimin më të vogël. Jeta e tij ishte ndikuar në mënyrë të dëmshme nga dhuna. Madje Rikardi mori pjesë në një klub boksi. Ai u stërvit shumë dhe u bë kampion i peshave të rënda në boks për krahinën e Vestfalisë në Gjermani. Gjithashtu Rikardi pinte shumë dhe shpesh zihej keq me të tjerët. Në një rast të tillë, një person vdiq dhe Rikardi për pak sa nuk përfundoi në burg.

Ç’të themi për martesën e Rikardit? Ai kujton: «Para se Hajki dhe unë të studionim Biblën, bënim jetë të pavarur nga njëri-tjetri. Hajki kalonte shumë kohë me mikeshat e saj, kurse unë me hobitë e mia—kryesisht boks, sërf dhe zhytje në ujë.»

Kur Rikardi dhe Hajki filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, Rikardin e shqetësonte shumë mendimi se duhej të bënte ndryshime në dukje të pamundura, me qëllim që ta përputhte jetën e tij me normat e larta të paraqitura në Fjalën e Perëndisë. Gjithsesi, ndërsa njohu më mirë Perëndinë Jehova, Rikardi zhvilloi një dëshirë të fortë për t’i pëlqyer atij. Kuptoi se Perëndia nuk i miraton ata që e duan dhunën ose që e përdorin atë për zbavitje. Rikardi mësoi se «shpirti [i Jehovait] urren . . . atë që do dhunën».—Psalmi 11:5.

Për më tepër shpresa për të jetuar përgjithmonë në një parajsë tokësore i magjepsi Rikardin dhe Hajkin. Donin të ishin atje së bashku. (Isaia 65:21-23) Ftesa «afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve» e preku thellë Rikardin. (Jakovit 4:8) Ai e pa se sa e vlefshme ishte t’i kushtonte vëmendje kësaj këshille të frymëzuar: «Mos e ki smirë njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë prej udhëve të tij. Sepse njeriu hileqar është gjë e pështirë për Jehovain, ndërsa miqësia e Tij e ngushtë është me të drejtët.»—Proverbat 3:31, 32, BR.

Edhe pse kishte një dëshirë të fortë për të ndryshuar sjelljen, Rikardi e kuptoi se nuk mund ta bënte këtë gjë vetëm me forcat e tij, por kishte nevojë që të kërkonte ndihmën e Perëndisë në lutje. Kështu veproi në harmoni me fjalët e Jezuit drejtuar apostujve: «Lutuni vazhdimisht, që të mos hyni në tundim. Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.»—Mateu 26:41.

Pasi mësoi se si e sheh Perëndia dhunën dhe shpërthimet e zemërimit, Rikardi nuk kishte më asnjë dyshim se boksi është një sport i papranueshëm. Me ndihmën e Jehovait dhe me inkurajimin e atyre që studiuan Biblën me të, Rikardi nuk u përfshi më në veprime të dhunshme. Ai e la boksin e sherret dhe vendosi ta përmirësonte jetën familjare. «Mësimi i së vërtetës nga Bibla më ka ndihmuar që përpara se të veproj, të ndalem e të mendoj»,—thotë Rikardi, i cili tani është një mbikëqyrës me natyrë të butë që shërben në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai shton: «Në marrëdhënien me gruan dhe fëmijët tani drejtohem nga parimet e dashurisë e të respektit. Si rrjedhim, familja jonë është bashkuar.»

Njerëz të keqinformuar ndonjëherë i kanë akuzuar Dëshmitarët e Jehovait se prishin familjet. Megjithatë shembujt e individëve si Rikardi e hedhin poshtë këtë akuzë. Në fakt e vërteta biblike mund t’u sjellë qëndrueshmëri në familje dhe një të ardhme të shndritshme atyre që kanë pasur një të kaluar të errët.—Jeremia 29:11.

[Diçitura në faqen 9]

«Shpresa e një toke parajsore më motivoi për të ndryshuar»

[Kutia në faqen 9]

Parimet biblike në veprim

Bibla mund të ushtrojë një ndikim të fuqishëm në jetën e njerëzve. Më poshtë jepen disa parime nga Shkrimet që i kanë ndihmuar individët e dhunshëm të ndryshojnë:

«Kush është i ngadalshëm në zemërim është më mirë se një burrë i fuqishëm dhe kush e kontrollon frymën e tij më mirë se ai që merr një qytet.» (Proverbat 16:32, BR) Zemërimi i pakontrolluar është shenjë dobësie dhe jo force.

«Mençuria [gjykimi i thellë, BR] e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi.» (Fjalët e urta 19:11) Pasja e gjykimit të thellë dhe e kuptueshmërisë për një situatë e ndihmon një individ që të shohë përtej atyre që mund të duken arsye për t’u zënë dhe mund të parandalojë që të mos zemërohet menjëherë.

‘Mos lidh miqësi me njeriun zemërak që të mos mësosh rrugët e tij.’ (Fjalët e urta 22:24, 25) Të krishterët me mençuri shmangin shoqërinë me ata që janë të prirur drejt tërbimit.