Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse Kulla e Rojës e 1 prillit 2002 thoshte në faqen 11, në paragrafin 7, se pagëzimi në ujë i besimtarëve të rinj judenj në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. ishte në simbol të ‘kushtimit të tyre personal ndaj Perëndisë nëpërmjet Krishtit’, kurse pikëpamja e mëparshme ishte se zhytja në ujë e judenjve nga viti 33 i e.s. e deri në vitin 36 të e.s. nuk kërkonte një kushtim të tillë personal?

Në vitin 1513 p.e.s., Perëndia Jehova u dha izraelitëve mundësinë që të bëheshin një komb i shenjtë për të me kusht që ‘ta dëgjonin me vëmendje zërin e tij dhe të zbatonin besëlidhjen e tij’. Ata u përgjigjën: «Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti [Jehovai, BR].»—Eksodi [Dalja] 19:3-8; 24:1-8.

Duke pranuar se do të përmbushnin kërkesat e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut, izraelitët iu kushtuan Perëndisë. Më pas në këtë komb të kushtuar lindën breza të tjerë judenjsh. Megjithatë pagëzimi i judenjve që u bënë ithtarë të Jezu Krishtit, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më tutje, përfshinte më shumë sesa të paraqiteshin përpara Perëndisë si pjesëtarë të një kombi të kushtuar. Ai simbolizonte kushtimin e tyre ndaj Perëndisë Jehova në një marrëdhënie të re me të nëpërmjet Jezu Krishtit. Pse themi kështu?

Pas derdhjes së frymës së shenjtë mbi rreth 120 dishepujt e mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër u ngrit në këmbë dhe filloi t’i predikonte turmës me judenj e prozelitë që ishte mbledhur për të parë se çfarë kishte ndodhur. Pasi dha një dëshmi të plotë, ai u tha judenjve me ndërgjegje të vrarë: «Pendohuni e secili nga ju le të pagëzohet në emrin e Jezu Krishtit për faljen e mëkateve tuaja.» Në përgjigje të nxitjes së mëtejshme të Pjetrit, «ata që e përqafuan me zemër fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirtra».—Veprat 2:1-41.

A nuk ishin tashmë ata judenj që u pagëzuan pas nxitjes së Pjetrit, pjesëtarë të një kombi të kushtuar? A nuk gëzonin një marrëdhënie të kushtuar me Perëndinë? Jo. Apostulli Pavël shkroi se ‘Perëndia e hoqi Ligjin nga mesi, duke e gozhduar në shtyllën e torturës’. (Kolosianëve 2:14) Me anë të vdekjes së Krishtit në vitin 33 të e.s., Perëndia Jehova e hoqi besëlidhjen e Ligjit—vetë bazën që bënte që izraelitët të kishin një marrëdhënie të kushtuar me Të. Kombi i cili hodhi poshtë Birin e Perëndisë tani u hodh poshtë nga vetë Perëndia. ‘Ai që ishte Izrael sipas mishit’ nuk mund të pretendonte më se ishte një komb i kushtuar Perëndisë.—1 Korintasve 10:18; Mateu 21:43.

Besëlidhja e Ligjit u shfuqizua në vitin 33 të e.s., por periudha kur Perëndia shfaqi miratim dhe vëmendje të veçantë ndaj judenjve nuk mbaroi në atë kohë. * Ajo periudhë u shtri deri në vitin 36 të e.s., kur Pjetri i predikoi italianit me frikë Perëndie, Kornelit, dhe familjes së tij, si edhe johebrenjve të tjerë. (Veprat 10:1-48) Mbi ç’bazë e shtriu miratimin e tij Perëndia?

«[Mesia] duhet ta mbajë në fuqi besëlidhjen për shumë veta për një javë»,—thuhet te Danieli 9:27, BR. Besëlidhja që mbeti në fuqi për shtatë vjet ose «një javë» që nga pagëzimi i Jezuit dhe fillimi i shërbimit publik të Mesisë në vitin 29 të e.s., ishte besëlidhja abrahamike. Për të qenë në atë marrëdhënie besëlidhjeje një individ thjesht duhej të ishte një pasardhës hebre i Abrahamit. Ajo besëlidhje e njëanshme nuk i siguronte individit një bazë për një marrëdhënie të kushtuar me Jehovain. Kështu, besimtarët judenj, që u pagëzuan pas fjalimit të Pjetrit në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ndonëse po u tregohej vëmendje e veçantë si judenj natyrorë, nuk mund të pretendonin një marrëdhënie të kushtuar me Perëndinë tani që besëlidhja e Ligjit ishte hequr. Ata duhej t’i kushtoheshin personalisht Perëndisë.

Një kushtim personal nga ana e judenjve dhe e prozelitëve, që u paraqitën për t’u pagëzuar në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ishte i domosdoshëm edhe për një arsye tjetër. Apostulli Pjetër i nxiti dëgjuesit e tij që të pendoheshin e të pagëzoheshin në emër të Jezuit. Për ta bërë këtë kërkohej që të braktisnin mënyrën e sjelljes së botës dhe të pranonin Jezuin si Zotëri e Mesi, si Kryeprift dhe si ai që ulet në të djathtë të Perëndisë në qiell. Ata duhej të thërritnin emrin e Perëndisë Jehova për shpëtim nëpërmjet Jezu Krishtit. Kjo gjë përfshinte të ushtronin besim te Krishti dhe ta pranonin atë si Udhëheqësin e tyre. E tërë baza për të pasur një marrëdhënie me Perëndinë dhe për të fituar faljen e mëkateve tani kishte ndryshuar. Si individë, judenjtë besimtarë duhej ta pranonin këtë rregullim të ri. Si? Duke i bërë një kushtim Perëndisë dhe duke e shpallur këtë publikisht me anë të zhytjes në ujë në emër të Jezu Krishtit. Pagëzimi në ujë ishte simbol i kushtimit të tyre ndaj Perëndisë, duke i sjellë ata në një marrëdhënie të re me të nëpërmjet Jezu Krishtit.—Veprat 2:21, 33-36; 3:19-23.

[Shënimi]

^ par. 7 Kur Jezu Krishti u ngjit në qiell dhe i paraqiti Perëndisë Jehova vlerën e jetës së tij njerëzore të flijuar, besëlidhja e Ligjit të Moisiut u shfuqizua dhe u hodh baza për ‘besëlidhjen e re’ të parathënë.—Jeremia 31:31-34.