Qëndroni të palëkundur dhe fitoni garën për jetë!
Qëndroni të palëkundur dhe fitoni garën për jetë!
NËSE do t’ju duhej të udhëtonit në det të trazuar, ç’lloj mjeti lundrimi do të parapëlqenit? A do të donit një barkë të vogël të brishtë apo një anije të fortë e të fuqishme? Pa dyshim, do të zgjidhnit anijen, sepse ajo mund të lundrojë me sukses përmes dallgëve të furishme.
Ndërsa ecim në këtë sistem të trazuar e të rrezikshëm hasim sfida tronditëse. Për shembull, të rinjtë disa herë mund të ndihen të çorientuar e të pasigurt mes ideve dhe prirjeve pështjelluese të kësaj bote. Disa individë që para pak kohësh filluan udhën e krishterë mund të ndihen ende paksa të paqëndrueshëm. Madje edhe ata të palëkundur që po i shërbejnë besnikërisht Perëndisë prej shumë vitesh mund të jenë duke kaluar një sprovë, sepse gjërat që prisnin nuk janë realizuar ende plotësisht.
Këto ndjenja nuk janë diçka e re. Edhe shërbëtorë besnikë të Jehovait të tillë, si Moisiu, Jobi e Davidi u tronditën herë pas here gjatë jetës së tyre. (Numrat 11:14, 15; Jobi 3:1-4; Psalmi 55:4) Megjithatë mënyra e tyre e jetesës u karakterizua nga përkushtimi i palëkundur ndaj Jehovait. Shembulli i tyre i shkëlqyer na jep zemër që edhe ne të jemi të palëkundur, por Satana Djalli do që të na largojë nga gara për jetën e përhershme. (Luka 22:31) Atëherë, si mund të qëndrojmë të palëkundur e «të fortë në besim»? (1 Pjetrit 5:9) Po ashtu, si mund t’i forcojmë bashkëbesimtarët tanë?
Jehovai do që të jemi të palëkundur
Po të jemi besnikë ndaj Jehovait, ai do të jetë gjithmonë gati për të na ndihmuar që të qëndrojmë të palëkundur. Psalmisti David hasi shumë rrethana të vështira, por ai shpresoi te Perëndia e prandaj mund të këndonte: «[Jehovai] më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.»—Psalmi 40:2.
Jehovai na forcon që të luftojmë «luftën e shkëlqyer të besimit» me qëllim që të mund ‘të rrokim jetën e përhershme’. (1 Timoteut 6:12) Gjithashtu na siguron mjetet që të qëndrojmë të patundur dhe të dalim fitimtarë në luftën tonë frymore. Apostulli Pavël i nxiti të bashkëkrishterët që ‘të vazhdonin të merrnin fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij’ dhe ‘të vishnin armaturën e plotë të Perëndisë, që të ishin në gjendje të qëndronin të patundur kundër intrigave të Djallit’. (Efesianëve 6:10-17) Por cilat gjëra mund të na tronditin? Dhe si mund të mbrohemi nga ndikime të tilla të rrezikshme?
Të ruhemi nga faktorët që na bëjnë të paqëndrueshëm
Është e mençur të kujtojmë këtë fakt jetësor: Vendimet që marrim së fundi ndikojnë qoftë pozitivisht, qoftë negativisht në stabilitetin tonë të krishterë. Të rinjtë përballen me vendime në lidhje me çështje të tilla, si karriera, arsimimi shtesë dhe martesa. Të rriturit ndoshta duhet të vendosin nëse të shkojnë në një vend tjetër ose të
fillojnë një punë të dytë. Ne marrim vendime çdo ditë në lidhje me përdorimin e kohës dhe për shumë çështje të tjera. Çfarë do të na ndihmojë që të marrim vendime të mençura të cilat do të na e forcojnë stabilitetin si shërbëtorë të Perëndisë? Një e krishterë prej shumë vitesh në të vërtetën tha: «Kur marr vendime i kërkoj ndihmë Jehovait. Besoj se është e rëndësishme t’i pranoj dhe t’i zbatoj këshillat që jepen në Bibël, në mbledhjet e krishtere, nga pleqtë dhe në botimet e bazuara në Bibël.»Kur marrim vendime do të bënim mirë të pyetnim veten: ‘A do të ndihem i lumtur pas pesë ose dhjetë vjetësh për vendimet që po marr sot apo do të më vijë keq për to? A bëj përpjekje për t’u siguruar se vendimet e mia nuk do të më bëjnë të paqëndrueshëm frymësisht, por do të më ndihmojnë në përparimin tim frymor?’—Filipianëve 3:16.
Për shkak se janë dorëzuar përpara tundimeve ose e kanë lejuar veten që të arrijnë deri në atë pikë ku mund të dhunonin ligjet e Perëndisë, disa individë të pagëzuar kanë bërë një jetë të paqëndrueshme. Disa që janë përjashtuar nga kongregacioni për shkak se kanë ndjekur një udhë mëkatare pa u penduar, janë përpjekur fort që të rivendosen, por më pas janë përjashtuar përsëri—ndonjëherë vetëm pas pak kohe—për shkak të një keqbërjeje të ngjashme. A mos ndoshta nuk janë lutur për ndihmën hyjnore që ‘të urrejnë të keqen dhe të ngjiten pas së mirës’? (Romakëve 12:9; Psalmi 97:10) Që të gjithë duhet ‘të vazhdojmë të bëjmë shtigje të drejta për këmbët tona’. (Hebrenjve 12:13) Le të shqyrtojmë atëherë disa pika që mund të na ndihmojnë të ruajmë stabilitetin frymor.
Të qëndrojmë të palëkundur nëpërmjet veprimtarive të krishtere
Një mënyrë për të mbajtur një ritëm të qëndrueshëm në garën e jetës është që të kemi shumë për të bërë në veprën e predikimit të Mbretërisë. Po, shërbimi i krishterë është një ndihmë e vlefshme për të mbajtur zemrën dhe mendjen të përqendruar në bërjen e vullnetit të Perëndisë dhe të ngulitur fort në çmimin e jetës së përhershme. Lidhur me këtë Pavli i nxiti korintasit: «Vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të palëkundur e të patundur, duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.» (1 Korintasve 15:58) Fjala ‘i palëkundur’ do të thotë ‘që ndjek me vendosmëri një rrugë të caktuar’, kurse ‘i patundur’, në gjuhën origjinale mund të nënkuptojë ‘që nuk e lejon veten të zgjidhet nga vendi i ankorimit’. Pra, të qenët të zënë në shërbim mund të ketë një ndikim stabilizues në udhën tonë të krishterë. Ndihma që u japim të tjerëve për të njohur Jehovain i jep kuptim jetës sonë dhe na sjell lumturi.—Veprat 20:35.
Paulina, një e krishterë e cila ka kaluar më tepër se 30 vjet si misionare dhe në veprimtari të tjera të predikimit në kohë të plotë, thotë: «Shërbimi është një mbrojtje, sepse dëshmia që u jap të tjerëve më bën të ndihem e sigurt se kam të vërtetën.» Një bindje e ngjashme vjen gjithashtu kur jemi rregullisht të zënë me veprimtari të tjera të krishtere të tilla si ndjekja e mbledhjeve dhe bërja e një studimi të zellshëm personal të Biblës.
Të qëndrueshëm prej një vëllazërie të dashur
Fakti që jemi pjesë e një organizate mbarëbotërore të adhuruesve të vërtetë mund të ketë një ndikim të fuqishëm stabilizues te ne. Ç’bekim është të shoqërohesh me një vëllazëri të tillë të dashur mbarëbotërore! (1 Pjetrit 2:17) Gjithashtu ne mund të kemi një ndikim stabilizues te bashkëbesimtarët tanë.
Të mendojmë për veprimet e dobishme të njeriut të drejtë Job. Madje edhe ngushëlluesit të rremë Elifaz iu desh të pranonte: «Fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.» (Jobi 4:4) Si po veprojmë në këtë drejtim? Secili prej nesh ka përgjegjësinë për t’i ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona frymore që të qëndrojnë në shërbimin e Perëndisë. Në marrëdhëniet me ta mund të veprojmë sipas frymës së këtyre fjalëve: «Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!» (Isaia 35:3) Atëherë, pse nuk vini si synim që të forconi dhe të inkurajoni një ose dy të bashkëkrishterë sa herë që i takoni? (Hebrenjve 10:24, 25) Fjalët inkurajuese që thuhen për të lavdëruar e për të shprehur mirënjohje ndaj përpjekjeve të tyre të vazhdueshme për t’i pëlqyer Jehovait mund t’i ndihmojnë vërtet ata që të qëndrojnë të palëkundur me synimin që të fitojnë garën për jetë.
Pleqtë e krishterë mund të bëjnë shumë duke u dhënë zemër më të rinjve në të vërtetën. Kjo mund të bëhet e mundur duke u dhënë sugjerime të dobishme e këshilla të shëndosha nga Shkrimet dhe duke punuar me ta në shërbimin në fushë. Apostulli Pavël gjithnjë shfrytëzonte rastet për të forcuar të tjerët. Ai digjej nga dëshira për t’i parë të krishterët në Romë me qëllim që të mund t’i forconte frymësisht. (Romakëve 1:11) Ai i shihte vëllezërit e motrat e tij të dashura në Filipi si «gëzimi dhe kurora» e tij dhe i nxiti ata që ‘të qëndronin të patundur në këtë mënyrë në Zotërinë’. (Filipianëve 4:1) Sapo dëgjoi për vështirësitë që po hasnin vëllezërit në Selanik, Pavli dërgoi Timoteun që ‘t’i bënte të patundur dhe t’i ngushëllonte, që askush të mos lëkundej nga shtrëngimet’.—1 Selanikasve 3:1-3.
Apostujt Pavël dhe Pjetër i pranuan dhe i çmuan përpjekjet me gjithë shpirt të bashkadhuruesve. (Kolosianëve 2:5; 1 Selanikasve 3:7, 8; 2 Pjetrit 1:12) Po kështu edhe ne, le të përqendrohemi, jo në dobësitë e vëllezërve tanë, por në cilësitë e tyre të shkëlqyera dhe në luftën e tyre të suksesshme për të qëndruar të palëkundur dhe për të nderuar Jehovain.
Në qoftë se jemi negativë ose kritikë, pa dashje mund t’ua bëjmë më të vështirë disave që të qëndrojnë të patundur në besim. Sa e përshtatshme është të kujtojmë se vëllezërit tanë janë ‘të keqtrajtuar e të hallakatur’ në këtë sistem! (Mateu 9:36) Në kongregacionin e krishterë ata me të drejtë presin që të gjejnë ngushëllim dhe freskim. Prandaj, le të bëjmë që të gjithë më të mirën tonë për t’i forcuar dhe për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët që të qëndrojnë të palëkundur.
Të tjerë ndonjëherë mund të na trajtojnë në një mënyrë që mund të na bëjë të lëkundemi pak. A do të lejojmë që një koment i ashpër ose një veprim i pasjellshëm të na bëjë të jemi më pak aktivë në shërbimin ndaj Jehovait? Mos lejofshim askënd që të na largojë nga palëkundshmëria jonë!—2 Pjetrit 3:17.
Premtimet e Perëndisë—Një ndikim stabilizues
Premtimi i Jehovait për një të ardhme të mrekullueshme nën sundimin e Mbretërisë na jep shpresën e cila na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur. (Hebrenjve 6:19) Po ashtu bindja se Perëndia gjithmonë i përmbush premtimet e tij, na nxit që ‘të rrimë zgjuar dhe të qëndrojmë të patundur në besim’. (1 Korintasve 16:13; Hebrenjve 3:6) Një vonesë në dukje në përmbushjen e disa premtimeve të Perëndisë mund të na e sprovojë besimin. Prandaj është tejet e rëndësishme që të ruhemi se mos mashtrohemi nga mësimet e rreme dhe të mos luajmë nga shpresa që kemi.—Kolosianëve 1:23; Hebrenjve 13:9.
Shembulli i keq i izraelitëve që vdiqën ngaqë nuk patën besim te premtimet e Jehovait duhet të na shërbejë si një paralajmërim. (Psalmi 78:37) Në vend që të jemi si ata, le të qëndrojmë të palëkundur, duke i shërbyer Perëndisë me një ndjenjë urgjence në këto ditë të fundit. Një plak me përvojë tha: «Çdo ditë jetoj sikur dita e madhe e Jehovait do të vijë të nesërmen.»—Joeli 1:15.
Po, dita e madhe e Jehovait është afër. Sidoqoftë nuk duhet të kemi frikë nga asgjë përsa kohë që qëndrojmë pranë Perëndisë. Nëse u përmbahemi me vendosmëri normave të tij të drejta dhe qëndrojmë të palëkundur, mund të vrapojmë me sukses në garën për jetën e përhershme!—Proverbat 11:19, BR; 1 Timoteut 6:12, 17-19.
[Figura në faqen 23]
A po bëni gjithçka që mundni për t’i ndihmuar të bashkëkrishterët që të qëndrojnë të palëkundur?
[Burimi i figurës në faqen 21]
The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck