Taciani—Apologjet apo heretik?
Taciani—Apologjet apo heretik?
NGA fundi i udhëtimit të tij të tretë misionar, apostulli Pavël organizoi një mbledhje me pleqtë e kongregacionit në Efes. Ai u tha atyre: «E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër që shtypin e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi dhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.»—Veprat 20:29, 30.
Në vërtetësi të fjalëve të Pavlit shekulli i dytë i e.s. doli se ishte koha e ndryshimeve dhe e apostazisë së parathënë. Gnosticizmi, një lëvizje e përhapur fetare dhe filozofike që ndoti besimin e disa besimtarëve, po zhvillohej. Gnostikët besonin se gjërat frymore janë të mira, kurse e gjithë materia është e keqe. Duke arsyetuar se të gjithë trupat njerëzorë janë të ligj, ata hodhën poshtë martesën dhe riprodhimin me pohimin se këto e kanë origjinën nga Satanai. Disa prej tyre besonin se meqë vetëm ajo që i përket frymës është e mirë, nuk ka rëndësi se çfarë bën një njeri me trupin e tij fizik. Këto pikëpamje çuan në mënyra jetese ekstreme, ose në asketizëm, ose në dhënien pas kënaqësive të mishit. Pohimi i gnostikëve se shpëtimi vinte vetëm nga gnosticizmi mistik ose njohja e vetvetes, nuk linte vend për të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.
Si reaguan ata që pohonin se ishin të krishterë ndaj rrezikut të gnosticizmit? Disa njerëz të arsimuar protestuan kundër doktrinës së tij të gabuar, ndërsa të tjerë iu nënshtruan ndikimit të tij. Për shembull, Ireneu nisi një betejë të përjetshme kundër mësimeve heretike. Ai ishte arsimuar nga Polikarpi, një burrë që ishte bashkëkohës me apostujt. Polikarpi rekomandonte ndjekjen me besnikëri të mësimeve të Jezu Krishtit dhe të apostujve. Megjithatë Florini, miku i Ireneut, edhe pse ishte arsimuar po ashtu nga Polikarpi, gradualisht pranoi mësimet e Valentinit, udhëheqësit më të shquar të lëvizjes gnostike. Ato ishin vërtet kohë të turbullta.
Ajo që hedh dritë në mendimin fetar të asaj periudhe janë veprat e Tacianit, një shkrimtar i shquar i shekullit të dytë. Ç’njeri ishte Taciani? Si u bë një i ashtuquajtur i krishterë? Me gjithë ndikimin e herezisë gnostike, si ia doli mbanë Taciani? Përgjigjet e tij interesante dhe vetë shembulli i tij sigurojnë mësime të vlefshme për kërkuesit e së vërtetës sot.
Kontakti me «ca shkrime barbare»
Taciani ishte me origjinë nga Siria. Udhëtimet e gjata dhe leximi frytdhënës bënë që ai të ishte i mirinformuar për kulturën
greko-romake të kohës së tij. Taciani erdhi në Romë si orator udhëtues. Megjithatë, ndërsa ishte në Romë vëmendja e tij u drejtua ndaj krishterimit. Ai filloi të shoqërohej me Justin Martirin dhe ndoshta u bë nxënës i tij.Në një tregim që na zbulon për kthimin e tij në besimin e krishterë të asaj kohe, Taciani pohon: «Kërkova se si mund të arrija të zbuloja të vërtetën.» Duke komentuar për përvojën e tij personale kur lexoi për herë të parë Shkrimet, ai thotë: «Rastisi që të bija në kontakt me ca shkrime barbare, të cilat ishin tepër të vjetra për t’i krahasuar me veprat e grekëve dhe tepër hyjnore për t’i krahasuar me gabimet e këtyre veprave; dhe u binda të besoja në to për shkak të gjuhës së thjeshtë, të çiltërsisë së shkrimtarëve, të paranjohjes së ngjarjeve të së ardhmes, të cilësisë së shkëlqyer të parimeve dhe të shpalljes së qeverisjes së universit si të përqendruar në një Qenie.»
Taciani nuk ngurroi t’i ftonte bashkëkohësit e tij që të shqyrtonin krishterimin e asaj kohe dhe të vërenin thjeshtësinë e qartësinë e tij në kontrast me pështjellimin e paganizmit. Çfarë mund të mësojmë nga shkrimet e tij?
Çfarë zbulojnë shkrimet e tij?
Shkrimet e Tacianit e portretizojnë atë si një apologjet, një shkrimtar që flet me guxim në mbrojtje të besimit të tij. Ai kishte një qëndrim të ashpër e antagonist kundrejt filozofisë pagane. Në veprën e tij Fjalim drejtuar grekëve, Taciani vë theksin në pavlefshmërinë e paganizmit dhe në arsyetueshmërinë e krishterimit që ai njihte. Stili i tij është shumë i ashpër ndërsa shpreh përbuzje për zakonet greke. Për shembull, duke iu referuar filozofit Heraklit, ai thotë: «Vdekja e Heraklitit, megjithatë, tregon budallallëkun e këtij njeriu, sepse duke qenë i sëmurë nga hidropizia, ndërsa kishte studiuar artin e mjekësisë, si edhe të filozofisë, ai e mbuloi trupin e vet me jaki me bajga lope, e cila pasi u ngurtësua, ia tkurri mishin e krejt trupit, saqë iu shqye copa-copa dhe kështu vdiq.»
Taciani e vlerësonte shumë besimin te një Perëndi, Krijuesi i të gjitha gjërave. (Hebrenjve 3:4) Në veprën Fjalim drejtuar grekëve, ai e quan Perëndinë «një Frymë» dhe thotë: «Vetëm ai nuk ka fillim dhe Ai Vetë është fillimi i të gjitha gjërave.» (Gjoni 4:24; 1 Timoteut 1:17) Duke hedhur poshtë përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim, Taciani shkruan: «Si mund ta quaj drurin dhe gurin perëndi?» (1 Korintasve 10:14) Ai besonte se Fjala ose Logosi erdhi në ekzistencë si i parëlinduri i veprave të Atit qiellor dhe pastaj u përdor në krijimin e universit. (Gjoni 1:1-3; Kolosianëve 1:13-17) Lidhur me ringjalljen në kohën e caktuar, Taciani thotë: «Besoj se do të ketë një ringjallje të trupave pas fundit të të gjitha gjërave.» Në lidhje me arsyen se përse vdesim Taciani shkruan: «Nuk u krijuam për të vdekur, por vdesim prej fajit tonë. Vullneti ynë i lirë na ka shkatërruar; ne që ishim të lirë jemi bërë skllevër; jemi shitur për shkak të mëkatit.»
Shpjegimi që jep Taciani për shpirtin është i ngatërruar. Ai thotë: «Shpirti, o grekë, nuk është në vetvete i pavdekshëm, por i vdekshëm. Megjithatë ai ka mundësi që të mos vdesë. Po qe se në fakt nuk e njeh të vërtetën ai vdes dhe shpërbëhet bashkë me trupin, por ngrihet përsëri së fundi në përfundim të botës bashkë me trupin, duke marrë vdekjen me anë të ndëshkimit të përjetshëm.» Është e paqartë se çfarë donte të thoshte saktësisht Taciani me anë të këtyre pohimeve. A mund të jetë që ndërsa u përmbahej disa mësimeve biblike, u përpoq gjithashtu t’u pëlqente bashkëkohësve të tij dhe si pasojë i ndoti të vërtetat e Shkrimeve me filozofitë pagane?
Një libër tjetër i njohur i Tacianit është Diatessaron ose Harmonia e katër ungjijve. Taciani ishte i pari që u dha kongregacioneve në Siri ungjijtë në gjuhën e tyre. Kjo vepër për të cilën tregohej konsideratë e lartë i ndërthurte katër ungjijtë në një përmbledhje të vetme. Ajo u përdor nga Kisha Siriane.
Një i krishterë apo një heretik?
Një shqyrtim i kujdesshëm i shkrimeve të Tacianit zbulon se ai i njihte mirë Shkrimet dhe kishte shumë respekt për to. Taciani shkruan për ndikimin që patën Shkrimet tek ai: «Nuk jam në ankth për të qenë i pasur; nuk e pranoj autoritetin ushtarak; ndiej neveri ndaj kurvërisë; nuk më shtyn dashuria e pangopshme për pasuri që të bëhem marinar; . . . Jam i lirë nga etja e çmendur për famë . . . I njëjti diell është për të gjithë dhe një vdekje për të gjithë, pavarësisht nëse jetojnë në kënaqësi ose në skamje.» Taciani këshillon: «Ji i vdekur për botën, duke e hedhur poshtë çmendurinë që është në të. Jeto për Perëndinë dhe duke e kuptuar Atë flake natyrën tënde të vjetër.»—Mateu 5:45; 1 Korintasve 6:18; 1 Timoteut 6:10.
Le të shqyrtojmë megjithatë shkrimin e Tacianit të titulluar Për përsosmërinë sipas doktrinës së Shpëtimtarit. Në këtë vepër ai e quan Djallin shkaktarin e martesës. Duke pohuar se nëpërmjet martesës individët do t’i skllavëroheshin botës së prishshme, Taciani e dënon fuqimisht martesën.
Duket se rreth vitit 166 të e.s., pas vdekjes së Justin Martirit, Taciani ose e themeloi, ose u shoqërua me një sekt asketik të quajtur enkratitët. Anëtarët e këtij sekti e vinin theksin te vetëkontrolli i rreptë dhe te zotërimi i trupit. Ata praktikonin një asketizëm që kërkonte heqjen dorë nga vera, nga martesa dhe nga zotërimet materiale.
Një mësim për t’u mësuar
Pse Taciani u shmang kaq shumë nga Shkrimet? A u bë «dëgjues harraq»? (Jakovit 1:23-25) A mos nuk i hodhi poshtë përrallat dhe si pasojë ra pre e filozofisë njerëzore? (Kolosianëve 2:8; 1 Timoteut 4:7) A mos dyshohet të ketë qenë jo i kthjellët nga mendja, meqë pikëpamjet që përkrahu ishin shumë të gabuara?
Cilado qoftë arsyeja, shkrimet dhe shembulli i Tacianit na sigurojnë një vështrim të shkurtër të klimës fetare të kohës së tij. Ato tregojnë se sa mund të na dëmtojë ndikimi i filozofisë botërore. Le të marrim për zemër këshillën e apostullit Pavël për t’u larguar «nga fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë dhe nga kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’ ».—1 Timoteut 6:20.