Çfarë po ndodh me bamirësitë?
Çfarë po ndodh me bamirësitë?
PAS sulmeve të 11 shtatorit 2001 në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Uashington D.C., njerëzit u ofruan mbështetje të jashtëzakonshme viktimave të tragjedisë. Pati një vërshim fondesh në organizatat bamirëse, deri në 2,7 miliardë dollarë, për të ndihmuar familjet e viktimave. Të tronditur nga shkalla e madhe e shkatërrimit, njerëzit kudo donin të ndihmonin.
Mirëpo, te disa njerëz kjo frymë ndryshoi menjëherë kur dolën hipoteza se disa organizata bamirëse shumë të njohura po përvetësonin fondet e derdhura në to. Kur u mor vesh se një organizatë e fuqishme bamirëse kishte në plan të mbante për vete afro gjysmën e 546 milionë dollarëve që u derdhën në të dhe t’i përdorte për qëllime të tjera, pati një shpërthim zemërimi. Ndonëse më pas organizata e ndryshoi vendimin e saj dhe kërkoi falje, një reportere komentoi: «Kritikët e shohin këtë kthesë të re të ngjarjeve ‘si kofini pas të vjelave’, pra, që s’hyn më në punë për të rikthyer besimin» që këto organizata gëzonin para sulmeve. Po ju? A ju është tronditur edhe juve kohët e fundit besimi te organizatat bamirëse?
Ia vlen apo s’ia vlen?
Të japësh para për organizatat bamirëse në përgjithësi shihet si veprim i virtytshëm. Por jo çdokush e sheh me këtë sy. Më shumë se 200 vjet më parë, eseisti anglez Samuel Xhonson shkroi: «Je shumë më i sigurt se po bën mirë duke paguar ata që punojnë, si një shpërblim për punën e tyre, sesa kur jep para thjesht për bamirësi.» Disa veta sot në mënyrë të ngjashme kanë rezerva për këto organizata bamirëse. Po ashtu, raportet për organizata bamirëse që keqpërdorin fondet e derdhura në to nuk bëjnë shumë për t’ua forcuar sigurinë njerëzve. Shqyrtoni dy shembuj të kohëve të fundit.
Drejtori i një organizate bamirëse fetare në San-Francisko u pushua nga puna pas supozimeve se i kishte ngarkuar agjencisë së tij faturën për një operacion plastik që kishte bërë dhe faturat 500-dollarëshe të restoranteve ku kishte ngrënë çdo javë, për një periudhë prej dy vjetësh. Në Britani, organizuesit e një bamirësie të madhe nëpërmjet televizionit u turpëruan kur u zbulua se nga 6,5 milionë paunde (rreth 10 milionë dollarë amerikanë), që u ishin dhënë për të ndërtuar jetimore të reja në Rumani, ishin ndërtuar vetëm 12 shtëpi që ishin jashtë standardit, kurse qindra mijë dollarë kishin humbur pa
lënë gjurmë. Raporte negative si këto, me të drejtë i kanë bërë disa individë bamirës që të jenë më të kujdesshëm se sa para japin dhe kujt ia japin.Të japësh a të mos japësh
Gjithsesi, do të ishte për të ardhur keq të lejonim që veprimet e disa individëve ose organizatave të na e shuanin interesimin e sinqertë dhe dhembshurinë për të tjerët. Bibla thotë: «Forma e adhurimit që është e pastër dhe e pandotur nga këndvështrimi i Perëndisë dhe Atit tonë është kjo: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre dhe ta ruash veten pa njollë nga bota.» (Jakovit 1:27) Po, interesimi me vepra për të varfrit dhe për nevojtarët është pjesë përbërëse e krishterimit.
Mirëpo, ndoshta ju mund të pyesni: ‘A duhet të vazhdoj t’u jap para organizatave bamirëse apo thjesht të përpiqem t’i ndihmoj njerëzit duke u bërë dhurata personalisht?’ Çfarë lloj dhënieje pret Perëndia nga ne? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.