Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Djegia e temjanit: A ka vend në adhurimin e vërtetë?

Djegia e temjanit: A ka vend në adhurimin e vërtetë?

Djegia e temjanit: A ka vend në adhurimin e vërtetë?

«PERËNDIVE u pëlqejnë aromat e këndshme.» Kjo ishte një thënie e zakonshme ndër egjiptianët e lashtë. Për ta, djegia e temjanit ishte pjesë e rëndësishme e adhurimit. Duke besuar se perënditë ishin pranë tyre, egjiptianët digjnin temjan çdo ditë në tempujt e tyre dhe në altarët që kishin në shtëpi, e madje edhe gjatë punës. Edhe kombe të tjera kishin zakone të ngjashme.

Çfarë është temjani? Përbëhet nga disa rrëshira aromatike, si temjani i bardhë dhe balsami. Këto bluhen derisa bëhen pluhur dhe shpesh përzihen me substanca të tjera, si erëza, lëvore pemësh dhe lule, për të krijuar aroma të ndryshme për përdorime specifike.

Në kohët e lashta, temjani ishte një produkt kaq i dëshiruar dhe me vlerë, saqë përbërësit e tij u bënë mallra të rëndësishme tregtie. Karvanet që udhëtonin nëpër rrugët tregtare i sillnin këto nga vende të largëta. Ndoshta ju kujtohet që Jozefi, djali i vogël i Jakobit, iu shit tregtarëve ismaelitë që ‘vinin nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë dhe udhëtonin për t’i çuar në Egjipt’. (Zanafilla 37:25) Kërkesat për temjan u shtuan kaq shumë, saqë rruga tregtare për temjanin e bardhë, pa dyshim e filluar nga tregtarët e temjanit, mundësoi udhëtimet ndërmjet Azisë dhe Evropës.

Sot, në shumë fe, ende digjet temjan në ceremonitë dhe në ritet që bëhen. Veç kësaj, gjithnjë e më shumë njerëz duan të djegin temjan në shtëpitë e tyre thjesht për shkak të aromës së këndshme. Si duhet ta shohin të krishterët djegien e temjanit? A e pranon Perëndia këtë gjë në adhurim? Le të shqyrtojmë se çfarë na thotë Bibla për këtë çështje.

«Diçka e shenjtë për Jehovain»

Ndër Izraelitët e lashtë, djegia e temjanit zinte vend të rëndësishëm në detyrat e priftërinjve në tabernakull. Cyclopedia e Meklintokut dhe Strongut, thotë: «Në të vërtetë, te hebrenjtë djegia e temjanit shihej kaq shumë si një akt adhurimi ose si një blatim i shenjtë, saqë nuk lexojmë për ndonjë përdorim tjetër të temjanit tek ata.»

Perëndia Jehova rekomandoi përdorimin e katër përbërësve që duheshin përzier dhe djegur në tabernakull: «Merr parfume: pika stakti, guaskë erëmirë, galban të parfumuar dhe temjan të bardhë të kulluar. Nga secila duhet të ketë të njëjtën masë. Do t’i bësh temjan, një përzierje erëzash, punë e një pomadëbërësi, të kripur, të kulluar, diçka të shenjtë. Ca prej tij do ta bluash në pluhur të imët dhe vër ca para Dëshmisë në tendën e mbledhjes.» (Dalja [Eksodi] 30:34-36, BR) Studiuesit sugjerojnë se më vonë, judenjtë rabinikë shtuan disa përbërës të tjerë për t’i përdorur në tempull.

Temjani që digjej në tabernakull ishte i shenjtë, përdorej vetëm në adhurimin e Perëndisë. Jehovai urdhëroi: «Mos bëj për vete si temjani që do të bësh me këtë përbërje. Ka për të mbetur për ty diçka e shenjtë për Jehovain. Kushdo që do të bëjë diçka ngjashëm tij, për t’u kënaqur me erën e tij, do të shfaroset prej popullit të tij.» (Dalja 30:37, 38, BR) Priftërinjtë digjnin temjan dy herë në ditë në një altar të caktuar. (2 Kronikave 13:11) Pastaj, në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti digjte temjan në Më të Shenjtën.—Levitiku 16:12, 13.

Jo të gjitha ofertat e temjanit ishin të pranueshme për Perëndinë. Ai i ndëshkoi ata që s’ishin priftërinj e që me arrogancë ofruan temjan sikur të ishin të tillë. (Numrat 16:16-18, 35-40; 2 Kronikave 26:16-20) Temjani që i ofronte kombi judaik ishte një gjë fyese për Jehovain, kur në të njëjtën kohë ata përfshiheshin në akte të adhurimit të rremë dhe i përlyenin duart në gjakderdhje. Për shkak të hipokrizisë së tyre Jehovai shpalli: «Temjani është neveri për mua.» (Isaia 1:13, 15) Izraelitët e lanë kaq shumë pas dore adhurimin që u kishte caktuar Jehovai, saqë e mbyllën tempullin dhe digjnin temjan në altarë të tjerë. (2 Kronikave 28:24, 25) Vite më vonë, temjani i shenjtë u përdor madje edhe në adhurimin e degjeneruar të perëndive të rremë. Këto praktika ishin të neveritshme për Jehovain.—Ezekieli 16:2, 17, 18.

Temjani dhe të krishterët e hershëm

Besëlidhja e Ligjit, duke përfshirë edhe dekretin priftëror për të ofruar temjan të shenjtë, përfundoi kur Krishti themeloi besëlidhjen e re në vitin 33 të e.s. (Kolosianëve 2:14) Nuk ka asnjë dokumentim se të krishterët e hershëm digjnin temjan për arsye fetare. Lidhur me këtë, Cyclopedia e Meklintokut dhe Strongut thotë: «Është e sigurt se [të krishterët e hershëm] nuk përdornin temjan. Në të vërtetë, përdorimi i tij ishte shenjë dalluese e paganizmit . . . Pak temjan që një njeri i devotshëm hidhte mbi një altar pagan përbënte një akt adhurimi.»

Po ashtu, të krishterët e hershëm nuk pranonin të digjnin temjan në shenjë pranimi të «pozitës hyjnore» të perandorit romak, edhe pse kjo mund t’u vinte në rrezik jetën. (Luka 4:8; 1 Korintasve 10:14, 20) Po të merret parasysh që temjani në ato kohë përdorej për idhujt, s’është për t’u habitur që të krishterët e hershëm as nuk merreshin me tregtinë e temjanit.

Djegia e temjanit sot

Si përdoret sot temjani? Në shumë kisha të të ashtuquajturit krishterim, temjani ofrohet nëpër ceremoni dhe në liturgji. Ndër aziatikët, shumë familje djegin temjan nëpër tempuj ose në altarë të shtëpive të tyre, për të nderuar perënditë e tyre dhe për të ruajtur të vdekurit. Në shërbimet fetare, temjani është përdorur në mënyra të ndryshme, për të mbushur një dhomë me aromë, për të shëruar, për të pastruar dhe për të mbrojtur.

Kohët e fundit temjani ka fituar shumë popullaritet edhe te njerëzit që nuk janë fetarë. Disa djegin temjan për të medituar. Një manual me udhëzime sugjeron që temjani mund të përdoret për të arritur «nivele misterioze të vetëdijes» dhe «energji» përtej botës fizike. Për të gjetur zgjidhje për problemet e jetës, manuali rekomandon po ashtu rite të djegies së temjanit që përfshijnë kontaktin me «qenie të mbinatyrshme». A janë këto praktika për të krishterët?

Jehovai i dënon rreptësisht ata që përpiqen ta përziejnë adhurimin e pastër me praktikat e rreme fetare. Apostulli Pavël citoi profecinë e Isaisë dhe i bëri një zbatim për të krishterët, duke i nxitur ata që të mbeteshin të lirë nga ndikimi i papastër i fesë së rreme. Ai shkroi: «‘Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,—thotë Jehovai,—dhe mjaft e prekët gjënë e ndyrë’; ‘dhe unë do t’ju pranoj’.» (2 Korintasve 6:17; Isaia 52:11) Të krishterët e vërtetë bëjnë shumë kujdes që të shmangin çfarëdo gjëje të lidhur me adhurimin e rremë ose me okultizmin.—Gjoni 4:24.

Meqë temjani përdoret në ceremonitë fetare dhe në spiritizëm, a do të thotë kjo se çfarëdolloj djegie e temjanit është e gabuar? Jo medoemos. Ndoshta dikush dëshiron të djegë temjan si aromatizues në shtëpinë e tij thjesht për t’u kënaqur me aromën e këndshme që lëshon temjani. (Fjalët e urta 27:9) Gjithsesi, kur të vendosë nëse duhet të djegë temjan apo jo, një i krishterë duhet të marrë parasysh disa faktorë. Të tjerët që jetojnë në një zonë me të a do ta lidhin përdorimin e temjanit me një praktikë të rremë fetare? Në zonën e tij, a lidhet shpesh përdorimi i temjanit me ritet spiritiste? Apo përdoret në përgjithësi për arsye jofetare?

Nëse një individ vendos të djegë temjan, në vendimin e tij duhet të marrë parasysh edhe ndërgjegjen e tij, edhe ndjenjat e të tjerëve. (1 Korintasve 10:29) Këtu zbatohen fjalët e apostullit Pavël drejtuar romakëve. Ai shkroi: «Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe gjërat që janë ndërtuese për njëri-tjetrin. Mos e shembni më veprën e Perëndisë vetëm për hir të ushqimit. Vërtet, të gjitha gjërat janë të pastra, por është e dëmshme për atë që ha në një rast për pengesë. Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh asgjë, në të cilën yt vëlla pengohet.»—Romakëve 14:19-21.

Lutje të përgatitura «si temjani»

Për izraelitët, ofrimi i temjanit ishte simbol i përshtatshëm i lutjeve që Perëndia i dëgjon. Kështu, psalmisti David i këndoi Jehovait: «Le të arrijë lutja ime para teje si temjani.»—Psalmi 141:2.

Izraelitët besimplotë nuk e shihnin ofrimin e temjanit si një rit të pakuptimtë. Ata e përgatitnin me shumë kujdes dhe e digjnin temjanin në mënyrën që kishte përshkruar Jehovai. Në vend që të përdorin temjan të mirëfilltë, të krishterët sot bëjnë lutje që pasqyrojnë një çmueshmëri të thellë dhe respekt për Atin tonë qiellor. Ngjashëm temjanit erëmirë që ofrohej nga priftërinjtë në tempull, Fjala e Perëndisë na siguron: «Lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.»—Fjalët e urta 15:8.

[Figurat në faqen 29]

Temjani që digjej në tabernakull dhe në tempull ishte i shenjtë

[Figura në faqen 30]

A është për të krishterët djegia e temjanit për meditim?