Gëzime të pakrahasueshme!
Jetëshkrim
Gëzime të pakrahasueshme!
TREGUAR NGA REXHINALD UOLLUORKU
«S’ka asgjë në këtë botë që mund të krahasohet me gëzimet që kemi pasur në shërbimin misionar në kohë të plotë ndaj Jehovait!» E gjeta këtë shënim të shkruar shpejt e shpejt mes gjërave të shkruara të gruas pak pas vdekjes së saj në maj të vitit 1994.
KUR meditoj rreth fjalëve të Irenës, kujtoj 37 vitet e lumtura e të kënaqshme që i kaluam si misionarë në Peru. Gjetëm kënaqësi në bashkëpunimin e çmuar të krishterë që patëm që kur u martuam në dhjetor të vitit 1942—dhe është më se e përshtatshme ta filloj nga këtu historinë e jetës sime.
Irena u rrit si Dëshmitare e Jehovait në Liverpul të Anglisë. Ajo ishte njëra prej tri vajzave të familjes dhe babai i vdiq gjatë Luftës së Parë Botërore. Më pas mamaja u martua me Uinton Freizërin dhe atyre u lindi një djalë, Sidni. Tamam para Luftës së Dytë Botërore, familja u shpërngul në Bangor, në veri të Uellsit, ku Irena u pagëzua në vitin 1939. Sidni ishte pagëzuar një vit më parë, kështu që ai dhe Irena shërbyen së bashku si pionierë—ungjillëzues në kohë të plotë—përgjatë bregut verior të Uellsit, nga Bangori deri në Karnarvon, përfshirë ishullin e Anglsisë.
Në atë kohë bëja pjesë në kongregacionin e Rankornit, rreth 20 kilometra në juglindje të Liverpulit, dhe shërbeja si ai që sot e quajmë mbikëqyrës drejtues. Irena m’u afrua në një asamble qarkore për të kërkuar territor ku të mund të predikonte, meqenëse do të rrinte për ca kohë te Vera, e motra e martuar që banonte në Rankorn. Irena dhe unë ia kaluam mirë bashkë gjatë dy javëve që qe me ne dhe më vonë shkova tek ajo në Bangor disa herë. Sa i lumtur isha kur një fundjavë Irena pranoi propozimin për t’u martuar me mua!
Me t’u kthyer në shtëpi të dielën, fillova menjëherë të bëja planet e dasmës, por të martën më erdhi një telegram. Aty thuhej: «Më vjen keq që ky telegram do të të lëndojë. Po e anuloj dasmën. Do të marrësh një letër për këtë.» Isha i tronditur. Çfarë kishte që nuk shkonte?
Letra e Irenës arriti të nesërmen. Ajo më thoshte se do të shkonte në Horsforth të Jorkshirit për të shërbyer si pioniere bashkë me Hilda Paxhetin. * Shpjegonte se 12 muaj më parë kishte vendosur që po t’i kërkohej, do të shërbente aty ku të kishte më shumë nevojë. Ajo shkruante: «Ky për mua ishte si një betim ndaj Jehovait dhe mendoj se meqë ia bëra premtimin përpara se të të njihja, duhet ta mbaj atë.» Edhe pse isha i trishtuar, e admirova shumë për besnikërinë e saj dhe i dërgova përgjigjen me telegram: «Shko. Do të të pres.»
Ndërsa shërbente në Jorkshir, Irenën e dënuan me tre muaj burgim, sepse për shkak të ndërgjegjes nuk pranoi të përkrahte veprimtaritë e luftës. Gjithsesi 18 muaj më vonë, në dhjetor të vitit 1942, u martuam.
Vitet e para të jetës sime
Në vitin 1919 mamaja ime kishte blerë vëllimet e botimit Studime mbi Shkrimet. * Edhe pse mamaja nuk kishte lexuar kurrë më parë ndonjë libër, siç tha me të drejtë në atë kohë babai im, ajo ishte e vendosur t’i studionte me kujdes këto vëllime bashkë me Biblën. Ajo i studioi dhe u pagëzua në vitin 1920.
Babai ishte tolerues dhe nuk e pengonte mamanë për të bërë atë që dëshironte, dhe kjo përfshinte që të rriste në udhën e së vërtetës të katër fëmijët—dy motrat, Guenën dhe Ivin; tim vëlla, Alekun; dhe mua. Stenli Roxhers bashkë me Dëshmitarë të tjerë besnikë nga Liverpuli vinin për të mbajtur fjalime biblike në Rankorn, ku shumë shpejt u formua një kongregacion i ri. Familja jonë lulëzoi frymësisht bashkë me kongregacionin.
Guena merrte leksione për t’u pranuar si anëtare e Kishës Anglikane, por i ndërpreu sapo filloi të studionte Biblën me mamanë. Kur famullitari na vizitoi për të parë se përse ajo nuk i ndiqte më leksionet e tij, u gjend përballë një breshërie pyetjesh për të cilat nuk ishte i përgatitur mirë. Guena e pyeti për domethënien e Lutjes së Zotërisë, por përfundoi duke ia shpjeguar atij. Ajo përfundoi duke cituar 1 Korintasve 10:21, duke ia bërë të qartë se nuk mund të vazhdonte më ‘të hante në dy tryeza’. Kur po ikte nga shtëpia, famullitari tha se do të lutej për Guenën dhe do të kthehej për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj, por nuk u kthye kurrë. Pas pagëzimit, Guena shumë shpejt u bë një ungjillëzuese në kohë të plotë.
Kujdesi që tregohej për fëmijët e vegjël në kongregacionin tonë ishte shembullor. Kur isha shtatë vjeç, më kujtohet që dëgjova një fjalim që mbajti një plak vizitues. Pas fjalimit ai erdhi të fliste me mua. I thashë se kisha lexuar rreth Abrahamit dhe se si ishte përpjekur të flijonte birin e tij, Isakun. «Shko në cep të podiumit dhe më fol për këtë»,—tha ai. Sa i lumtur u ndjeva të qëndroja atje dhe të mbaja «fjalimin tim të parë publik»!
U pagëzova në moshën 15-vjeçare në vitin 1931, vitin kur më vdiq mamaja dhe lashë shkollën për të mësuar zanatin e elektricistit. Në vitin 1936 mbaheshin në publik fjalime biblike të regjistruara dhe një motër e moshuar më inkurajoi mua dhe tim vëlla që të angazhoheshim në këtë aspekt të veprës. Kështu Aleku dhe unë shkuam në Liverpul për të blerë një biçikletë dhe për të montuar anash saj një kosh me rrotë ku të mbanim gramafonin. Prapa koshit, në majë të një tubi 2 metra të lartë që mund të mblidhej, ishte montuar një altoparlant. Mekaniku na tha se nuk kishte bërë kurrë më parë një gjë të tillë, por funksionoi mirë. Me entuziazëm e mbuluam të gjithë territorin,
duke qenë mirënjohës për inkurajimin e motrës dhe për privilegjet që na u besuan.Lufta e Dytë Botërore—Një kohë sprove
Ndërsa mblidheshin retë e luftës, Stenli Roxhers dhe unë ishim të angazhuar në njoftimin e fjalimit publik «Pranoni faktet», që do të mbahej në Sallën Mbretërore Albert, në Londër, më 11 shtator 1938. Më vonë mora pjesë në shpërndarjen e këtij fjalimi të shtypur në formë broshure, si dhe të broshurës Fashizëm ose liri (anglisht), botuar një vit më pas. Të dy broshurat demaskonin qartë ambiciet totalitare të Gjermanisë hitleriane. Në atë kohë isha bërë i njohur në Rankorn për shërbimin tim publik dhe më respektonin për këtë. Në të vërtetë fakti që kisha qenë gjithmonë në ballë të veprimtarive teokratike do të më sillte dobi në të ardhmen.
Firma për të cilën punoja kishte bërë një kontratë me një fabrikë të re në periferi të qytetit për të bërë instalimet elektrike të pajisjeve të saj. Sapo mësova se do të ishte një fabrikë armësh, e bëra të qartë se nuk mund të punoja atje. Edhe pse punëdhënësit nuk ishin të kënaqur, përgjegjësi më mbrojti dhe më dhanë një punë tjetër. Më vonë mora vesh se ai kishte një teze Dëshmitare të Jehovait.
Një koleg më dha shumë zemër kur tha: «E prisnim qëndrimin tënd Rexh, sepse ke kaq vjet që angazhohesh në këtë veprimtari biblike.» Sidoqoftë m’u desh të isha vigjilent, pasi shumë shokë të punës donin të më shkaktonin telashe.
Isha regjistruar si kundërshtar për arsye ndërgjegjeje dhe në qershor të vitit 1940 gjykata e Liverpulit e miratoi këtë regjistrim, me kusht që të vazhdoja të punoja si elektricist. Kjo patjetër që më dha mundësi të vazhdoja shërbimin e krishterë.
Në shërbimin në kohë të plotë
Ndërsa afrohej fundi i luftës, vendosa të lija punën dhe të bashkohesha me Irenën në shërbimin në kohë të plotë. Në vitin 1946 ndërtova një dhomë-rimorkio 5 metra të gjatë, e cila u bë shtëpia jonë, dhe një vit më pas na kërkuan që të transferoheshim në Alveston, një fshat në Glostershir. Më pas shërbyem si pionierë në qytezën e lashtë të Sajrensesterit dhe në qytetin Bath. Më 1951 më ftuan të vizitoja kongregacionet në jug të Uellsit si mbikëqyrës udhëtues, por pothuajse dy vjet më vonë ishim në udhë për në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, për t’u stërvitur si misionarë.
Klasa e 21-të e shkollës u mbajt në Lansingun Jugor, në veri të Nju-Jorkut dhe u diplomuam në vitin 1953 në asamblenë «Shoqëria e botës së re» që u mbajt në qytetin e Nju-Jorkut. Deri
në ditën e diplomimit Irena dhe unë nuk e dinim se ku do të ishte caktimi ynë. Sa të lumtur u ndiem kur morëm vesh se ishim caktuar në Peru. Pse? Sepse Sidni Freizër, gjysmëvëllai i Irenës dhe gruaja e tij Margaret, po shërbenin në zyrën e degës në Limë prej më tepër se një viti. Ata kishin shkuar atje pas diplomimit në klasën e 19-të të Galaadit.Ndërkohë që prisnim për vizat, kaluam një periudhë të shkurtër kohe duke punuar në bethelin e Bruklinit, por shpejt ishim udhës për në Limë. I pari nga dhjetë caktimet misionare ishte Kalao, porti kryesor i Perusë në perëndim të Limës. Megjithëse kishim marrë disa njohuri bazë të spanjishtes, në atë kohë, as Irena, as unë nuk ishim në gjendje të bënim një bisedë në spanjisht. Si do t’ia bënim?
Probleme dhe privilegje në predikim
Në Galaad na u tha se një nënë nuk i jep mësime gjuhe foshnjës. Përkundrazi, foshnja mëson teksa i flet e ëma. Prandaj këshilla që na u dha ishte: «Dilni menjëherë në predikim dhe mësojeni gjuhën nga njerëzit. Ata do t’ju ndihmojnë.» Ndërsa përpiqesha të bëja diçka për të mësuar këtë gjuhë të re, përfytyroni se si u ndjeva kur brenda dy javësh pas mbërritjes sonë më caktuan mbikëqyrës drejtues në kongregacionin e Kalaos. Shkova të takoja Sidni Freizërin, por ai më dha të njëjtën këshillë si në Galaad—shoqërohu me kongregacionin dhe me njerëzit në territor. Vendosa ta ndiqja këtë këshillë.
Një të shtunë në mëngjes takova një marangoz në dyqanin e vet. «Duhet të vazhdoj punën,—më tha ai,—por, të lutem ulu dhe mund të flasësh.» I thashë se do ta bëja këtë, por me një kusht: «Kur të bëj ndonjë gabim, të lutem më korrigjo. Nuk do të ofendohem.» Ai qeshi dhe e pranoi kërkesën time. E vizitoja dy herë në javë dhe siç më kishin thënë, zbulova se kjo ishte një mënyrë ideale për të mësuar gjuhën e re.
Rastësisht, në Ika, caktimi ynë i dytë misionar, takova një marangoz tjetër dhe i shpjegova për marrëveshjen që kisha me marangozin në Kalao. Pranoi të më ndihmonte në të njëjtën mënyrë dhe si rrjedhojë vazhdova të përmirësohesha shumë në gjuhën spanjolle, edhe pse kaluan tre vjet para se ta zotëroja mirë. Ky burrë ishte gjithnjë shumë i zënë, por arrita të drejtoja një studim biblik duke lexuar Shkrimet dhe pastaj duke ia shpjeguar kuptimin e tyre. Kur shkova ta takoja gjatë një jave, punëdhënësi i tij më tha se kishte ikur në Limë për të filluar një punë të re. Ca kohë më vonë, kur Irena dhe unë shkuam në Limë me rastin e një kongresi, e takova përsëri këtë burrë. Sa i lumtur u ndjeva kur mora vesh se ishte lidhur me Dëshmitarët vendës për të vazhduar studimin dhe ai bashkë me familjen ishin bërë që të gjithë shërbëtorë të kushtuar të Jehovait!
Në një kongregacion zbuluam se një çift i ri nuk ishin të martuar, megjithatë ishin pagëzuar. Pasi shqyrtuam së bashku parimet biblike përkatëse, ata vendosën ta ligjëronin martesën. Kjo do t’i kualifikonte si Dëshmitarë të pagëzuar. Kështu i shoqërova në bashki për të regjistruar martesën. Por pastaj doli një problem, sepse ata kishin katër fëmijë që gjithashtu nuk ishin regjistruar dhe kjo ishte një kërkesë ligjore. Natyrisht që pyetëm veten se si do vepronte kryetari i bashkisë. Ai tha: «Meqenëse këta njerëz të mirë, miqtë tuaj Dëshmitarë të Jehovait, kanë marrë masa që ju të martoheni sipas ligjit, nuk do t’ju jap fletëthirrjet për në gjyq, të cilat jepen normalisht për çdo fëmijë të paregjistruar, por do t’i regjistroj ata pa pagesë.» Sa mirënjohës ishim, meqë ata ishin një familje e varfër dhe çdo lloj gjobe do të kishte qenë një barrë e rëndë për ta!
Më vonë na vizitoi Albert Shrëderi nga selia qendrore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Ai rekomandoi që të ngrihej një shtëpi e re misionare në një anë tjetër të Limës. Kështu Irena e unë, bashkë me dy motra, Fransis e Elizabet Gudi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe një çift kanadez, u transferuam në rajonin e San-Borhës. Brenda dy-tre vjetësh patëm bekimin që të formohej një kongregacion tjetër i begatë.
Shërbyem gjithashtu në Uankajo, në malësitë qendrore, në një lartësi më tepër se 3.000 metra, ku u shoqëruam me kongregacionin e atij qyteti me 80 Dëshmitarë. Atje mora pjesë në
ndërtimin e Sallës së dytë të Mbretërisë në vend. U caktova si përfaqësues ligjor i Dëshmitarëve të Jehovait, meqë na u desh të shkonim tri herë në gjykatë për të vendosur të drejtat ligjore ndaj tokës që kishim blerë. Këto gjëra bashkë me veprën mjaft të përhapur të bërjes së dishepujve që kryen shumë misionarë besnikë në ato vite të hershme, vendosën një themel të sigurt për rritjen e shkëlqyer që shohim tani në Peru—nga 283 Dëshmitarë në vitin 1953, në më shumë se 83.000 veta sot.Një largim i trishtueshëm
Gjetëm kënaqësi në shoqërinë me misionarët e tjerë në të gjitha shtëpitë misionare, në të cilat pata shpesh privilegjin që të shërbeja si mbikëqyrësi i shtëpisë. Çdo të hënë në mëngjes mblidheshim që të diskutonim për veprimtaritë e javës që na priste dhe që të caktonim detyrat për t’u kujdesur për shtëpinë. Të gjithë ishim të vetëdijshëm se gjëja kryesore ishte predikimi dhe me këtë synim në mendje që të gjithë punuam së bashku në harmoni. Ndihem i lumtur të kujtoj se kurrë nuk patëm ndonjë mosmarrëveshje serioze në ndonjë shtëpi misionare.
Caktimi ynë i fundit qe Brenja, një zonë tjetër periferike e Limës. Kongregacioni i dashur me 70 Dëshmitarë shpejt u rrit në më tepër se 100 veta dhe kështu u formua një kongregacion tjetër në Palominia. Pikërisht në këtë kohë Irena u sëmur. Në fillim vura re se në disa raste nuk mund të kujtonte se çfarë kishte thënë dhe ndonjëherë kishte vështirësi të kujtonte se si të kthehej në shtëpi. Megjithë kujdesin e shkëlqyer mjekësor që iu tregua, gjendja e saj dalëngadalë u keqësua.
Mjerisht në vitin 1990 m’u desh të bëja përgatitjet për t’u kthyer në Angli, ku motra ime Ivi na mirëpriti me dashamirësi në shtëpinë e saj. Katër vite më vonë, në moshën 81-vjeçare, Irena vdiq. E kam vazhduar shërbimin në kohë të plotë, duke shërbyer edhe si plak në njërin prej tri kongregacioneve në qytetin tim të lindjes. Ndonjëherë shkoj gjithashtu në Mançester për të inkurajuar grupin e atjeshëm në gjuhën spanjolle.
Kohët e fundit pata një përvojë të gëzueshme, e cila filloi disa dhjetëvjeçarë më parë ndërsa mbaja gramafonin që pronarët e shtëpive të dëgjonin fjalimet pesëminutëshe të regjistruara. Kujtoj si tani një vajzë të vogël në moshë shkollore që qëndronte pas së ëmës te dera, duke dëgjuar mesazhin e Mbretërisë.
Më vonë kjo vajzë mërgoi në Kanada dhe një mikeshë e saj, e cila jeton ende në Rankorn e që tani është Dëshmitare, i mbajti lidhjet me të. Kohët e fundit ajo vajzë e atëhershme shkroi se dy Dëshmitare kishin shkuar tek ajo dhe kishin përdorur shprehje që papritur i sollën në mendje kujtime të gjërave që kishte dëgjuar në atë fjalim pesëminutësh të regjistruar. E njohu tingullin e së vërtetës e tani është një shërbëtore e kushtuar e Jehovait. Ajo kërkoi që falënderimet e saj t’i jepeshin të riut që shkoi te shtëpia e së ëmës më tepër se 60 vjet më parë. Vërtet, kurrë nuk e dimë se si farërat e së vërtetës zënë rrënjë e rriten.—Predikuesi 11:6.
Po, kujtoj me mirënjohje të thellë jetën që kam kaluar në shërbimin e çmuar të Jehovait. Që prej kushtimit tim në vitin 1931 nuk kam munguar në asnjë asamble të popullit të Jehovait. Edhe pse Irena dhe unë nuk patëm fëmijë, jam i lumtur që kam më tepër se 150 djem e vajza në kuptimin frymor, të cilët që të gjithë i shërbejnë Atit tonë qiellor, Jehovait. Siç tha edhe gruaja ime e shtrenjtë, privilegjet që kemi pasur kanë qenë vërtet gëzime të pakrahasueshme.
[Shënimet]
^ par. 9 Jetëshkrimi i Hilda Paxhetit, me titull «Kam ndjekur gjurmët e prindërve» gjendet në Kullën e Rojës, 1 tetor 1995, faqet 19-24, anglisht.
^ par. 12 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 24]
Mamaja, në fillim të shekullit të 20-të
[Figura në faqet 24, 25]
Majtas: Hilda Paxheti, unë, Irena, Xhojs Roulei në Lids të Anglisë, më 1940
[Figura në faqet 24, 25]
Sipër: Irena dhe unë përballë dhomës-rimorkio
[Figura në faqen 27]
Duke njoftuar një fjalim publik në Kardif, Uells, më 1952