Rrini pa lëvizur dhe shihni shpëtimin e Jehovait!
Rrini pa lëvizur dhe shihni shpëtimin e Jehovait!
«Zini vend, rrini pa lëvizur dhe shihni shpëtimin e Jehovait në dobinë tuaj.»—2 KRONIKAVE 20:17, BR.
1, 2. Pse sulmi i afërt i «Gogut të vendit të Magogut» është me pasoja më të mëdha sesa kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar?
TERRORIZMI është përshkruar nga disa si një sulm ndaj të gjithë njerëzimit, madje edhe ndaj vetë qytetërimit. Është e kuptueshme se një kërcënim i tillë duhet marrë seriozisht. Por nga ana tjetër me pasoja edhe më të mëdha është një sulm tjetër të cilit njerëzimi i kushton pak ose nuk i kushton aspak vëmendje. Cili është?
2 Është sulmi i «Gogut të vendit të Magogut» për të cilin flitet në Bibël në kapitullin e 38-të të Ezekielit. A mos po e teprojmë kur themi se ky sulm është me pasoja më të mëdha sesa kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar? Aspak, sepse sulmi i Gogut shkon përtej një sulmi ndaj qeverive njerëzore. Ai drejtohet kundër qeverisë qiellore të Perëndisë. Megjithatë, ndryshe nga njerëzit të cilët mund të kenë vetëm sukses të kufizuar në përballimin e sulmeve ndaj sistemit të tyre, Krijuesi është plotësisht i aftë të përballojë sulmin që është edhe më i egër, sulmin e Gogut.
Një sulm ndaj qeverisë së Perëndisë
3. Çfarë janë ftuar të bëjnë sundimtarët botërorë që prej vitit 1914 dhe si janë përgjigjur?
3 Që kur Mbretëria e Perëndisë u vendos në qiej në vitin 1914, mes Mbretit të caktuar nga Perëndia, që tani është në fron, dhe sistemit të lig të Satanait ka pasur një konflikt të vazhdueshëm. Në atë kohë sundimtarët njerëzorë u lajmëruan që t’i nënshtroheshin Sundimtarit të zgjedhur të Perëndisë. Por ata nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë, pikërisht siç ishte parathënë: «Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit [Jehovait, BR] dhe të vajosurit të tij, duke thënë: ‘Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre.’ » (Psalmi 2:1-3) Kundërvënia ndaj sundimit të Mbretërisë do ta arrijë qartësisht kulmin gjatë sulmit të Gogut të Magogut.
4, 5. Si mund të luftojnë njerëzit kundër qeverisë qiellore të padukshme të Perëndisë?
4 Mund të çuditemi, se si mund të luftojnë njerëzit kundër një qeverie qiellore të padukshme. Bibla zbulon se kjo qeveri përbëhet nga ‘njëqind e dyzet e katër mijë veta, të cilët janë blerë nga toka’ dhe nga «Qengji», Jezu Krishti. (Zbulesa 14:1, 3; Gjoni 1:29) Meqenëse qeveria e re është në qiell, ajo quhet «qiej të rinj», kurse nënshtetasit e saj tokësorë me të drejtë quhen ‘tokë e re’. (Isaia 65:17; 2 Pjetrit 3:13) Shumica e 144.000 bashkësundimtarëve me Krishtin tashmë e kanë përfunduar udhën e tyre tokësore me besnikëri. Në këtë mënyrë kanë treguar se janë të denjë për të marrë caktimet e reja të shërbimit në qiell.
5 Gjithsesi një mbetje e vogël prej 144.000 vetave janë ende në tokë. Nga më tepër se Zbulesa 12:17.
15.000.000 personat që ndoqën kremtimin e Darkës së Zotërisë në vitin 2002, vetëm 8.760 veta shprehën shpresën se ishin zgjedhur për këtë caktim qiellor. Kushdo që guxon të sulmojë pjesëtarët e ardhshëm të mbetur të Mbretërisë, në të vërtetë po drejtohet kundër Mbretërisë së Perëndisë.—Mbreti plotëson fitoren e tij
6. Si e sheh Jehovai dhe Krishti kundërshtimin që drejtohet ndaj popullit të Perëndisë?
6 Reagimi i Jehovait ndaj kundërshtimit të Mbretërisë së tij të vendosur ishte parathënë: «Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti [Jehovai, BR] do të tallet me ta. Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe, dhe do të thotë: ‘[Unë vetë, BR] e vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.’ » (Psalmi 2:4-6) Tani ka ardhur koha që Krishti, nën drejtimin e Jehovait, ‘të plotësojë fitoren e tij’. (Zbulesa 6:2) Si e sheh Jehovai kundërshtimin që drejtohet ndaj popullit të tij gjatë kohës së fitores përfundimtare? E sheh sikur të ishte drejtuar në të vërtetë kundër tij dhe kundër Mbretit të tij që mbretëron. Jehovai thotë: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zakaria 2:8, BR) Po ashtu, Jezui pohoi me forcë se atë që njerëzit u bëjnë ose nuk u bëjnë vëllezërve të tij të mirosur ai e quan sikur t’ia bënin ose jo atij.—Mateu 25:40, 45.
7. Për cilat arsye përjetojnë furinë e Gogut ata që i përkasin ‘shumicës së madhe’ që përshkruhet te Zbulesa 7:9?
7 Patjetër, edhe ata që e mbështetin aktivisht mbetjen e mirosur do të përjetojnë në të njëjtën mënyrë furinë e Gogut. Këta pjesëtarë të ardhshëm të ‘tokës së re’ të Perëndisë janë «një shumicë e madhe» që është thirrur «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbulesa 7:9) Për ta thuhet se ‘qëndrojnë përpara fronit dhe përpara Qengjit, veshur me petka të bardha të gjata’. Pra kanë një qëndrim të miratuar përpara Perëndisë dhe Jezu Krishtit. ‘Me degë palmash në duar’ brohorasin për Jehovain si Sovrani i drejtë i universit, sundimi i të cilit shprehet nëpërmjet mbretërimit të Mbretit të tij të vendosur në fron, Jezu Krishtit, ‘Qengjit të Perëndisë’.—Gjoni 1:29, 36.
8. Për çfarë do t’i japë shkas Krishtit sulmi i Gogut dhe me çfarë rezultati?
8 Sulmi i Gogut do t’i japë shkas Mbretit të Perëndisë të vendosur në fron që të veprojë dhe të nisë luftën e Harmagedonit. (Zbulesa 16:14, 16) Ata që nuk e kanë pranuar sovranitetin e Jehovait do të shkatërrohen. Përkundrazi, ata që kanë përballuar shtrëngim për besnikërinë e tyre ndaj Mbretërisë së Perëndisë do të përjetojnë lehtësim të përhershëm. Lidhur me këtë apostulli Pavël shkroi: «Kjo është provë e gjykimit të drejtë të Perëndisë, e cila bën që ju të konsideroheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, për të cilën edhe vuani. Këtu mbahet parasysh se për Perëndinë është e drejtë t’i shpaguajë me shtrëngim ata që ju shtrëngojnë, kurse juve që vuani shtrëngim, me lehtësim bashkë me ne kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, duke sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu.»—2 Selanikasve 1:5-8.
9, 10. (a) Si ia dha Jehovai Judës fitoren mbi një armik të tmerrshëm? (b) Çfarë duhet të vazhdojnë të bëjnë të krishterët sot?
9 Gjatë shtrëngimit të madh që po afrohet, i cili do të arrijë kulmin në Harmagedon, Krishti do të luftojë kundër të gjithë së keqes. Por nuk do të jetë e nevojshme që ithtarët e tij të luftojnë, ashtu siç nuk qe e nevojshme të luftonin banorët e mbretërisë dyfisëshe të Judës disa mijëra vjet më parë. Beteja i përkiste Jehovait dhe ai u dha fitoren. Dokumentimi thotë: «Zoti [Jehovai, BR] ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës dhe mbetën të mundur. Bijtë e Amonit dhe të Moabit u ngritën kundër banorëve të malit të Seirit për të realizuar shfarosjen dhe shkatërrimin e tyre: mbasi kryen shfarosjen e banorëve të Seirit, ndihmuan njëri-tjetrin për të shkatërruar veten e tyre. Kështu kur ata të Judës arritën në lartësinë prej nga mund të këqyrej shkretëtira, u kthyen nga turma dhe ja, nuk kishte veçse kufoma të shtrira për tokë, asnjë nuk kishte shpëtuar.»—2 Kronikave 20:22-24.
10 Ndodhi pikërisht siç kishte parathënë Jehovai: «Nuk keni nevojë të luftoni.» (2 Kronikave 20:17, BR) Kjo lë një shembull për t’u ndjekur nga të krishterët në kohën kur Jezu Krishti të veprojë ‘për të plotësuar fitoren e tij’. Ndërkohë ata vazhdojnë ta luftojnë të keqen, jo me armë të mirëfillta, por me armë frymore. Në këtë mënyrë ‘vazhdojnë ta mundin të keqen me të mirën’.—Romakëve 6:13; 12:17-21; 13:12; 2 Korintasve 10:3-5.
Kush do ta udhëheqë sulmin e Gogut?
11. (a) Cilët elementë do të përdorë Gogu për të kryer sulmin e tij? (b) Çfarë përfshihet në të qenët syçelë frymësisht?
11 Gogu i Magogut identifikohet si Satana Djalli në pozitën e tij të poshtëruar që prej vitit 1914. Si një krijesë frymore ai nuk mund ta kryejë sulmin e tij drejtpërdrejt, por do të përdorë elementët njerëzorë për të bërë veprat e tij të liga. Cilët do të jenë këta elementë njerëzorë? Bibla nuk na jep hollësira, megjithatë na jep disa tregues që mund të na ndihmojnë të identifikojmë se cilët do të jenë ata. Teksa ngjarjet botërore të shpalosen në përmbushje të profecive të Biblës, ne do të kemi pak nga pak një tablo edhe më të qartë. Populli i Jehovait
u shmanget spekulimeve, por qëndron syçelë frymësisht, plotësisht i vetëdijshëm për zhvillimet politike dhe fetare që tregojnë përmbushjen e profecisë biblike.12, 13. Si e paratha profeti Daniel sulmin përfundimtar ndaj popullit të Perëndisë?
12 Profeti Daniel hedh dritë mbi sulmin përfundimtar kundër popullit të Perëndisë duke shkruar: «Ai [mbreti i veriut] ka për të dalë me tërbim të madh që të shfarosë e të shkatërrojë shumë veta. Do t’i ngulë tendat e tij si një pallat ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë të Stolisë.»—Danieli 11:44, 45, BR.
13 Në kohët biblike, ‘deti i madh’ ishte Deti Mesdhe, kurse ‘mali i shenjtë’ ishte mali Sion për të cilin Jehovai tha: «E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.» (Psalmi 2:6; Jozueu [Josiu] 1:4) Pra, në kuptimin frymor, toka «ndërmjet detit të madh dhe malit të shenjtë» përfaqëson gjendjen e begatë frymore të të krishterëve të mirosur. Ata nuk identifikohen më me detin e njerëzimit të larguar nga Perëndia dhe po presin me padurim të sundojnë me Krishtin Jezu në Mbretërinë qiellore. Sigurisht, shërbëtorët e mirosur të Perëndisë bashkë me shokët e tyre besnikë të shumicës së madhe do të jenë shënjestër e mbretit të veriut kur ai të ndërmarrë sulmin e egër në përmbushje të profecisë së Danielit.—Isaia 57:20; Hebrenjve 12:22; Zbulesa 14:1.
Si do të reagojnë shërbëtorët e Perëndisë?
14. Cilat janë tri gjërat që do të bëjë populli i Perëndisë kur të sulmohet?
14 Çfarë pritet që të bëjnë shërbëtorët e Perëndisë kur të sulmohen? Përsëri përbën një shembull, reagimi i kombit tipik të Perëndisë në ditët e Jehozafatit. Vërejmë se nënshtetasit e tij u urdhëruan të bënin tri gjëra: (1) të zinin vend, (2) të rrinin pa lëvizur dhe (3) të shihnin shpëtimin e Jehovait. Si do të veprojë populli i sotëm i Perëndisë në harmoni me këto fjalë?—2 Kronikave 20:17.
15. Çfarë do të thotë për popullin e Jehovait të zënë vend?
15 Të zënë vend. Pa u lëkundur, populli i Perëndisë do të vazhdojë të qëndrojë në vendin e tij, pra do të vazhdojë të mbështetë aktivisht Mbretërinë e Perëndisë. Ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre si të krishterë asnjanës. Do të jenë «të palëkundur e të patundur» në shërbimin besnik ndaj Jehovait dhe do të vazhdojnë ta lëvdojnë publikisht Jehovain për dashamirësinë e tij. (1 Korintasve 15:58; Psalmi 118:28, 29) Asnjë presion i tanishëm ose i ardhshëm nuk mund t’i tronditë nga ky vend i miratuar prej Perëndisë.
16. Në ç’mënyrë shërbëtorët e Jehovait do të rrinë pa lëvizur?
16 Të rrinë pa lëvizur. Shërbëtorët e Jehovait nuk do të përpiqen të shpëtohen vetë, por do ta vënë besimin e tyre të plotë te Jehovai. Vetëm ai është në gjendje t’i shpëtojë shërbëtorët e tij nga kaosi botëror dhe ka premtuar se do ta bëjë këtë. (Isaia 43:10, 11; 54:15; Vajtimet 3:26) Të besojnë te Jehovai do të përfshijë të besojnë te kanali i dukshëm i ditëve të sotme, të cilin në mënyrë të qartë po e përdor prej dhjetëvjeçarësh të tërë për t’i shërbyer qëllimeve të tij. Atëherë, si kurrë më parë, të krishterëve të vërtetë do t’u duhet ta vënë sigurinë e tyre te bashkadhuruesit e autorizuar për të marrë drejtimin nga Jehovai dhe nga Mbreti i tij që sundon. Këta burra besnikë do të drejtojnë popullin e Perëndisë. Shpërfillja e drejtimit të tyre mund të çonte në katastrofë.—Mateu 24:45-47; Hebrenjve 13:7, 17.
17. Pse shërbëtorët besnikë të Perëndisë do të shohin shpëtimin e Jehovait?
17 Të shohin shpëtimin e Jehovait. Shpëtimi do të jetë shpërblimi për të gjithë ata që qëndrojnë në vendin e tyre si të krishterë besnikë dhe që besojnë te çlirimi i Jehovait. Deri në fund—dhe për aq sa të munden—ata do të njoftojnë ardhjen e ditës së gjykimit të Jehovait. I gjithë krijimi duhet të dijë se Jehovai është Perëndia i vërtetë dhe se ai ka shërbëtorë besnikë në tokë. Nuk do të ketë më kurrë nevojë për një polemikë të zgjatur lidhur me faktin nëse është apo jo i ligjshëm sovraniteti i Jehovait.—Ezekieli 33:33; 36:23.
18, 19. (a) Si i pasqyron kënga e fitores te Dalja, kapitulli i 15-të, ndjenjat e atyre që do të mbijetojnë nga sulmi i Gogut? (b) Çfarë është e përshtatshme të bëjë tani populli i Perëndisë?
18 Me energji të përtërirë, populli i Perëndisë do të hyjë në botën e re, i etur për të kënduar një këngë fitoreje, siç bënë izraelitët e lashtë pas çlirimit përmes Detit të Kuq. Përgjithmonë mirënjohës ndaj Jehovait për mbrojtjen e tij, ata, si individë dhe si grup, do t’u bëjnë jehonë fjalëve të shumë kohëve më parë: «Më lini t’i këndoj Jehovait, sepse shumë është lartësuar. . . . Jehovai është një luftëtar burrëror. Jehova është emri i tij. . . . E djathta jote, o Jehova, mund të dërrmojë një armik. Në bollëkun e epërsisë sate mund t’i rrëzosh ata që kundër teje ngrihen; dërgon zemërimin tënd të zjarrtë, që si kashta të përpihen. . . . Me dashamirësinë tënde popullit që ke rimëkëmbur i ke prirë; me forcën tënde ke për t’i drejtuar në të shenjtin tënd vendqëndrim. . . . Ti do t’i sjellësh dhe në malin e trashëgimisë sate do t’i mbjellësh, një vend themelfortë, o Jehova, që ke bërë gati për të banuar, një shenjtërore, o Jehova, që e kanë ngritur duart e tua. Jehovai do të sundojë si mbret në kohë të pafundme, po, përgjithmonë.»—Eksodi (Dalja) 15:1-19, BR.
19 Tani kemi perspektivën e jetës së përhershme më të qartë se kurrë më parë. Prandaj, çfarë kohe e volitshme është kjo për shërbëtorët e Perëndisë që të tregojnë përkushtimin ndaj Jehovait dhe që të përtërijnë vendosmërinë për t’i shërbyer atij si Mbreti i tyre i përhershëm!—1 Kronikave 29:11-13.
A mund të shpjegoni?
• Pse sulmi i Gogut do të drejtohet kundër të mirosurve dhe deleve të tjera?
• Si do të zërë vend populli i Perëndisë?
• Ç’do të thotë të rrish pa lëvizur?
• Si do ta shohë populli i Perëndisë shpëtimin e Jehovait?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 18]
Jehovai u dha fitoren Jehozafatit dhe popullit, pa qenë e nevojshme që të luftonin
[Figura në faqen 20]
Të mirosurit dhe delet e tjera marrin pjesë në mbështetjen e sovranitetit të Jehovait
[Figura në faqen 22]
Ashtu si izraelitët e lashtë, së shpejti populli i Perëndisë do të këndojë një këngë fitoreje