‘Solomoni nuk ishte i veshur si një prej tyre’
‘Solomoni nuk ishte i veshur si një prej tyre’
LULET e egra si ato që shihen këtu janë një pamje e zakonshme përgjatë rrugëve në jug të Afrikës. Ato quhen dydhëmbëshet dhe janë me origjinë nga tropikët amerikanë. Këto lule të këndshme mund të na sjellin në mendje një mësim të Jezuit. Shumë prej dëgjuesve të tij ishin të varfër dhe ishin në ankth për nevojat fizike, ushqimin dhe veshjen.
Jezui pyeti: «Për sa i takon veshjes, përse jeni në ankth? Nxirrni një mësim prej zambakëve të fushës, se si rriten; ata nuk robtohen dhe as nuk tjerrin; por unë po ju them se as Solomoni, në gjithë lavdinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre.»—Mateu 6:28, 29.
Janë hedhur mendime të ndryshme për llojin e lules së egër që kishte në mendje Jezui. Megjithatë ai vazhdoi duke e krahasuar atë lule me bimësinë e zakonshme dhe tha: «Tani, nëse Perëndia vesh kështu bimësinë e fushave, e cila sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, o besëpakë?»—Mateu 6:30.
Edhe pse dydhëmbëshet nuk janë me origjinë nga Izraeli, patjetër që e mbështetin mësimin që po jepte Jezui. Pavarësisht nëse shihen nga larg ose këqyren nga afër, ato kanë një bukuri mahnitëse dhe janë subjekti i preferuar i fotografëve dhe i artistëve. Vërtet, Jezui nuk po e tepronte kur tha që «as Solomoni, në gjithë lavdinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre».
Cili është mësimi për ne sot? Ata që i shërbejnë Perëndisë mund të jenë të sigurtë se ai do t’i ndihmojë të sigurojnë gjërat e nevojshme edhe në kohë të vështira. Jezui shpjegoi: «Kërkoni vazhdimisht mbretërinë [e Perëndisë] dhe këto gjëra [të tilla, si ushqimi dhe veshja e nevojshme] do t’ju shtohen.» (Luka 12:31) Po, vijnë vërtet dobi duke kërkuar Mbretërinë e Perëndisë. Por, a e dini se çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe se çfarë do të bëjë ajo për njerëzimin? Dëshmitarët e Jehovait do të ishin të kënaqur t’ju ndihmonin që të gjenit përgjigjet nga Bibla.