Çfarë mund të na mësojnë zogjtë?
Çfarë mund të na mësojnë zogjtë?
«SHIKONI me vëmendje zogjtë e qiellit, pasi ata nuk mbjellin farë, as korrin dhe as mbledhin në depo; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata?» (Mateu 6:26) Jezu Krishti i tha këto fjalë në një predikim të famshëm që mbajti në një shpat mali pranë detit të Galilesë. Të pranishëm nuk ishin vetëm ithtarët e tij. Nga të gjitha anët e vendit kishte ardhur një turmë e madhe njerëzish, që mund të bëheshin dishepujt e tij. Shumë prej tyre ishin njerëz të varfër, të cilët kishin sjellë te Jezui njerëzit e sëmurë që ai t’i shëronte.—Mateu 4:23–5:2; Luka 6:17-20.
Pasi kishte shëruar gjithë të sëmurët, Jezui u kushtoi vëmendje nevojave frymore, që ishin më të rëndësishmet. Ndër mësimet që dha ishte edhe mësimi i përmendur më sipër.
Zogjtë e qiellit ekzistojnë prej shumë kohësh. Disa prej tyre ushqehen me insekte, disa të tjerë me fryte e farëra. Nëse Perëndia ka siguruar ushqim me bollëk për zogjtë, patjetër që është në gjendje t’i ndihmojë shërbëtorët e tij njerëzorë që të kenë bukën e përditshme. Mund ta bëjë këtë duke i ndihmuar që të gjejnë një punë për të fituar paratë për ushqim. Ose mund t’i ndihmojë që t’ia dalin mbanë me sukses ta prodhojnë vetë ushqimin. Sa për rastet urgjente, Perëndia mund të nxitë zemrën e fqinjëve dhe të miqve dashamirës që të ndajnë me nevojtarët ushqimet që kanë.
Duke vëzhguar me kujdes jetën e zogjve mund të mësojmë shumë më tepër. Perëndia i ka krijuar zogjtë me instinkte të mrekullueshme që të bëjnë fole ku të rritin të vegjlit e tyre. Vini re këto dy lloje të ndryshme folesh. Në figurën në të majtë është foleja e dallëndyshes afrikane të shkëmbit. Ajo e ndërton folenë në faqen e një shkëmbi ose në murin e një shtëpie. Si çati për këto fole shërben një shkëmb që është pak i dalë mbi një tjetër ose strehët e çative të ndërtesave, siç tregohet në këtë figurë. Dyshemeja e folesë përbëhet nga toptha shumë të vegjël balte të ngjitur bashkë në formën e një filxhani. Si mashkulli, ashtu edhe femra punojnë shumë për të mbledhur topthat e baltës dhe mund t’u duhet më shumë se një muaj për të përfunduar folenë. Pastaj e shtrojnë atë me bar e me pendë. Që të dy punojnë për të ushqyer të vegjlit. Poshtë është fotografia e folesë së një zogu mashkull me emrin endësi i maskuar. Ky zog i palodhur afrikan e ndërton folenë e vet duke përdorur fije bari ose shirita bimësh të tjera. Mund ta mbarojë folenë brenda një dite dhe mund të endë më shumë se 30 fole në një stinë.
Cili është mësimi? Nëse Perëndia u jep zogjve aftësi të tilla dhe materiale të bollshme për të bërë foletë, patjetër që mund t’i ndihmojë shërbëtorët e tij njerëzorë që të kenë strehimin e nevojshëm. Megjithatë, Jezui tregoi se na duhet diçka tjetër nëse duam që Perëndia Jehova të na ndihmojë që të kemi gjërat e domosdoshme materiale. «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen»,—premtoi Jezui. (Mateu 6:33) Ndoshta ju pyetni: ‘Ç’do të thotë të kërkojmë më parë Mbretërinë e Perëndisë?’ Dëshmitarët e Jehovait, të cilët shpërndajnë këtë revistë, do t’i përgjigjen me kënaqësi kësaj pyetjeje.