Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmi që Jezu Krishti ka jetuar në tokë

Dëshmi që Jezu Krishti ka jetuar në tokë

Dëshmi që Jezu Krishti ka jetuar në tokë

A BESONI se ka ekzistuar njeriu i quajtur Albert Ajnshtajni? Mund të përgjigjeni menjëherë se po, por përse? Shumica e njerëzve nuk e kanë takuar vetë atë. Megjithatë raportet e besueshme të arritjeve të tij provojnë se ai ka ekzistuar vërtet. Ndikimi i tij mund të shihet në zbatimet shkencore të zbulimeve të tij. Për shembull, shumë veta nxjerrin dobi prej energjisë elektrike të prodhuar nga energjia bërthamore. Çlirimi i energjisë bërthamore lidhet ngushtë me vënien në zbatim të ekuacionit të famshëm të Ajnshtajnit, E=mc2 (energjia është e barabartë me masën shumëzuar me shpejtësinë e dritës në katror).

I njëjti arsyetim zbatohet edhe për Jezu Krishtin, pa dyshim njeriun që pati ndikimin më të madh në histori. Ajo që u shkrua rreth tij bashkë me dëshmitë e dukshme të ndikimit që ushtroi, tregojnë përtej çdo dyshimi se ai ka ekzistuar vërtet. Sado interesant që mund të jetë zbulimi më i fundit arkeologjik i mbishkrimit të Jakovit, i cili u përshkrua në artikullin e mëparshëm, vërtetësia historike e Jezuit nuk varet nga ky objekt ose nga çfarëdo objekti tjetër. Faktikisht mund të gjejmë dëshmi të ekzistencës së Jezuit në gjërat që historianët shekullarë shkruan rreth tij dhe ithtarëve të tij.

Dëshmi të historianëve

Për shembull, të shqyrtojmë dëshminë e Jozef Flavit, historian jude i shekullit të parë i cili ishte një farise. Ai foli për Jezu Krishtin te libri Antikitete judaike. Megjithëse disa dyshojnë nëse është i mirëfilltë referimi i parë ku Jozefi e përmendi Jezuin si Mesia, Luis H. Feldmani, profesor në Universitetin e Jeshivës thotë se pak njerëz kanë dyshuar për vërtetësinë e referimit të dytë. Aty Jozefi thotë: «[Anani, kryeprifti] mblodhi gjykatësit e Sinedrit dhe solli para tyre një njeri që quhej Jakov, vëlla i Jezuit që e thërritnin Krishti.» (Antikitete judaike, XX, 200) Po, një farise, pra një pjesëtar i sektit ku shumica e anëtarëve ishin armiq të betuar të Jezuit, pranoi ekzistencën e ‘Jakovit, vëllait të Jezuit’.

Ndikimi i ekzistencës së Jezuit u pasqyrua në veprimtarinë e ithtarëve të tij. Kur apostulli Pavël ishte i burgosur në Romë rreth vitit 59 të e.s., të parët e judenjve i thanë: «Për këtë sekt na është bërë e ditur se flitet gjithandej kundër.» (Veprat 28:17-22) Ata i quajtën dishepujt e Jezuit ‘ky sekt’. Nëse për ta flitej gjithandej kundër, do të kishte të ngjarë që historianët shekullarë të kishin raportuar rreth tyre, a nuk është kështu?

Taciti, lindur rreth vitit 55 të e.s. dhe që konsiderohet si një prej historianëve më të mëdhenj të botës, i përmendi të krishterët në veprën e tij Analet. Në tregimin ku flitet se si Neroni i fajësoi të krishterët për zjarrin e madh në Romë në vitin 64 të e.s., Taciti shkroi: «Neroni ua ngjiti fajin dhe u bëri torturat më të mundimshme një klase të urryer për gjërat e tyre të neveritshme dhe që populli i quante të krishterë. Krishti, nga i cili e kishte origjinën emri i kësaj klase, gjatë mbretërimit të Tiberit u dënua me vdekje nga një prej administratorëve tanë, Ponc Pilatit.» Hollësirat e këtij tregimi përputhen me të dhënat për Jezuin për të cilin flitet në Bibël.

Një shkrimtar tjetër që komentoi rreth ithtarëve të Jezuit ishte Plini i Riu, guvernatori i Bitinisë. Rreth vitit 111 të e.s, Plini i shkroi perandorit Trajan duke i kërkuar se si t’ia bënte me të krishterët. Ai shkruante se njerëzit që ishin akuzuar në mënyrë të rreme se ishin të krishterë u përgjëroheshin pa ndërprerje perëndive dhe adhuronin statujën e Trajanit, vetëm për të treguar se nuk ishin të krishterë. Plini thoshte më tej: «Thuhet se nuk ke se si t’i detyrosh ata që janë vërtet të krishterë që të bëjnë ndonjë prej këtyre gjërave.» Kjo dëshmon për ekzistencën e Krishtit, ithtarët e të cilit për shkak të besimit që kishin tek ai ishin gati të jepnin edhe jetën.

Pasi i përmbledh referimet e historianëve të dy shekujve të parë të e.s. në lidhje me Jezu Krishtin dhe ithtarët e tij, një enciklopedi, The Encyclopædia Britannica (botimi i vitit 2002), përfundon: «Këto tregime të pavarura nga njëri-tjetri provojnë se në kohët e lashta madje as kundërshtarët e krishterimit nuk dyshuan kurrë për vërtetësinë historike të Jezuit, për të cilën u debatua për herë të parë dhe mbi baza të pamjaftueshme në fund të shekullit të 18-të, gjatë shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.»

Dëshmi të ithtarëve të Jezuit

Një enciklopedi, The Encyclopedia Americana, thotë: «Dhiata e Re na siguron pothuajse të gjitha dëshmitë për një rindërtim historik të jetës e të vdekjes së Jezuit dhe për interpretimet më të hershme të krishtere të domethënies së këtyre dëshmive.» Skeptikët mund të mos e pranojnë Biblën si dëshmi të ekzistencës së Jezuit. Megjithatë dy linja arsyetimi të bazuara në tregimet biblike na ndihmojnë në mënyrë të veçantë për të përcaktuar që me të vërtetë Jezui ka jetuar në tokë.

Siç e vërejtëm, teoritë e mëdha të Ajnshtajnit provojnë ekzistencën e tij. Ngjashëm, mësimet e Jezuit provojnë se ai ka ekzistuar vërtet. Për shembull, le të marrim Predikimin në Mal, një fjalim të mirënjohur që mbajti Jezui. (Mateu, kapitujt 5-7) Apostulli Mate shkroi për ndikimin që pati ai fjalim: «Turmat ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte ai; sepse i mësonte si një që ka autoritet.» (Mateu 7:28, 29) Përsa i përket ndikimit që ka pasur fjalimi te njerëzit gjatë shekujve, profesori Hans Diter Beci tha: «Ndikimi që ushtroi Predikimi në Mal në përgjithësi shkon përtej kufijve të judaizmit e të krishterimit, madje edhe të kulturës perëndimore.» Ai shtoi se ky fjalim është «shumë tërheqës për të gjithë njerëzit».

Të shqyrtojmë më poshtë fjalët e mençura, të përmbledhura dhe praktike, që gjenden në Predikimin në Mal: «Atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.» «Kini mendjen që drejtësinë tuaj të mos e praktikoni përpara njerëzve.» «Kurrë të mos jeni në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.» «Mos . . . i hidhni margaritarët tuaj përpara derrave.» «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.» «Gjithçka . . . që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» «Hyni nga porta e ngushtë.» «Do t’i njihni prej fryteve të tyre.» «Çdo pemë e mirë prodhon fryt të shkëlqyer.»—Mateu 5:39; 6:1, 34; 7:6, 7, 12, 13, 16, 17.

Pa dyshim që keni dëgjuar disa prej këtyre shprehjeve ose thelbin e tyre. Ndoshta ato janë bërë proverba në gjuhën tuaj. Që të gjitha ato shprehje janë marrë nga Predikimi në Mal. Ndikimi që ky predikim ka te shumë njerëz dhe kultura, dëshmon fuqimisht për ekzistencën e «mësuesit të madh».

Të përfytyrojmë sikur dikush sajoi një figurë të quajtur Jezu Krisht.Ta zëmë se ai person ishte kaq i zgjuar sa sajoi mësimet që besohet se i ka thënë Jezui për të cilin flitet në Bibël. A nuk do t’i kishte sajuar gjërat ky person në atë mënyrë që t’i bënte Jezuin dhe mësimet e tij sa më të pranueshme për njerëzit në përgjithësi? Mirëpo apostulli Pavël vërejti: «Judenjtë kërkojnë shenja dhe grekët kërkojnë mençuri; por ne predikojmë Krishtin të vënë në shtyllë, që për judenjtë është shkak pengese, kurse për kombet marrëzi.» (1 Korintasve 1:22, 23) Mesazhi për Krishtin e vënë në shtyllë nuk ishte tërheqës as për judenjtë, as për kombet. Megjithatë ky ishte Krishti që shpallën të krishterët e shekullit të parë. Pse duhej dhënë përshkrimi i Krishtit të vënë në shtyllë? I vetmi shpjegim i pranueshëm do të ishte që shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke dokumentuan të vërtetën rreth jetës dhe vdekjes së Jezuit.

Një linjë tjetër arsyetimi që mbështet vërtetësinë historike të Jezuit gjendet në predikimin e palodhur nga ithtarët e Jezuit të mësimeve të tij. Vetëm rreth 30 vjet pasi Jezui nisi shërbimin, Pavli mundi të thoshte se lajmi i mirë «u predikua ndër të gjitha krijesat që janë nën qiell». (Kolosianëve 1:23) Po, mësimet e Jezuit u përhapën anembanë botës së lashtë pavarësisht nga kundërshtimi. Pavli, i cili u përndoq vetë si i krishterë, shkroi: «Nëse Krishti nuk është ngritur, predikimi ynë është me siguri i kotë dhe besimi ynë i kotë.» (1 Korintasve 15:12-17) Nëse të predikoje që Krishti nuk ishte ringjallur do të ishte një gjë e kotë, predikimi i një Krishti që nuk kishte ekzistuar kurrë do të kishte qenë edhe më i kotë. Siç e lexojmë edhe te një raport i Plinit të Riut, të krishterët e shekullit të parë ishin gati të vdisnin për besimin në Krishtin Jezu. Rrezikuan jetën për Krishtin, sepse ai ishte real; ai vërtet jetoi në tokë, siç është dokumentuar edhe në tregimet e Ungjillit.

Ju keni parë prova

Besimi në ringjalljen e Jezu Krishtit ishte i domosdoshëm për të kryer predikimin e krishterë. Edhe ju mund të përfytyroni në mendjen tuaj Jezuin e ringjallur duke parë ndikimin që po ushtron ai sot.

Pak kohë para se ta vinin në shtyllë, Jezui dha një profeci madhështore rreth pranisë së tij në të ardhmen. Gjithashtu ai tregoi se do të ringjallej dhe do të ulej në të djathtë të Perëndisë, duke pritur kohën kur do të përballej me armiqtë e tij. (Psalmi 110:1; Gjoni 6:62; Veprat 2:34, 35; Romakëve 8:34) Më pas do të vepronte dhe do të flakte nga qiejt Satanain dhe demonët.—Zbulesa 12:7-9.

Kur do të ndodhte e gjithë kjo? Jezui u dha dishepujve ‘shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’. Shenja për të identifikuar praninë e tij të padukshme përfshinte luftëra të mëdha, mungesa ushqimi, tërmete, shfaqjen e profetëve të rremë, rritje të paligjshmërisë dhe murtaja të rënda. Këto ngjarje katastrofike do të pritej që të ndodhnin, sepse flakja e Satana Djallit do të nënkuptonte ‘mjerim për tokën’. Djalli ka ardhur në afërsi të tokës «duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe». Përveç kësaj, shenja përfshin predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë «në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet».—Mateu 24:3-14; Zbulesa 12:12; Luka 21:7-19.

Gjërat që profetizoi Jezui kanë ndodhur. Që kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore në vitin 1914, kemi parë dëshminë e përbërë të pranisë së padukshme të Jezu Krishtit. Ai po mbretëron si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë dhe po ushtron një ndikim të fuqishëm. Fakti që keni në dorë këtë revistë është dëshmi se sot po kryhet vepra e predikimit të Mbretërisë.

Për ta kuptuar më mirë ndikimin e Jezuit keni nevojë që të studioni Biblën. Përse të mos i pyetni Dëshmitarët e Jehovait për hollësitë e pranisë së Jezuit?

[Figurat në faqen 5]

Jozefi, Taciti dhe Plini i Riu përmendën Jezu Krishtin dhe ithtarët e tij

[Burimi]

Të tri pikturat: © Bettmann/CORBIS

[Figura në faqen 7]

Të krishterët e hershëm ishin të bindur se Jezui ishte real