Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kërkojmë të mirën te të gjithë njerëzit

Të kërkojmë të mirën te të gjithë njerëzit

Të kërkojmë të mirën te të gjithë njerëzit

«Më kujto për mirë, o Perëndia im.»—NEHEMIA 13:31, BR.

1. Si vepron Jehovai me mirësi ndaj të gjithëve?

PAS shumë ditësh të zymta e me re, shkëlqimi i diellit sjell një ndryshim të mirëpritur. Zemrat gëzojnë dhe njerëzit provojnë një ndjenjë kënaqësie. Po ashtu, pas periudhave të gjata me diell përvëlues e me mot të thatë, një vesë shi—madje edhe një rrebesh—sjell freskim dhe lehtësim. Krijuesi ynë i dashur, Jehovai, e ka pajisur atmosferën e tokës me dhuratën e mrekullueshme të motit. Jezui tërhoqi vëmendjen te bujaria e Perëndisë kur dha këtë mësim: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju persekutojnë; që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, pasi ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mateu 5:43-45) Po, Jehovai vepron me mirësi ndaj të gjithëve. Shërbëtorët e tij duhet të përpiqen ta imitojnë atë duke kërkuar të mirën te të tjerët.

2. (a) Mbi ç’bazë vepron Jehovai me mirësi? (b) Çfarë vëren Jehovai në mënyrën se si reagojmë ndaj mirësisë së tij?

2 Mbi ç’bazë vepron Jehovai me mirësi? Që kur Adami ra në mëkat, Jehovai nuk ka reshtur së kërkuari të mirën te njerëzit. (Psalmi 130:3, 4) Qëllimi i tij është që njerëzimi i bindur të jetojë përsëri në Parajsë. (Efesianëve 1:9, 10) Dashamirësia e tij e pamerituar na ka dhënë perspektivën e çlirimit nga mëkati dhe papërsosmëria, nëpërmjet Farës së premtuar. (Zanafilla 3:15; Romakëve 5:12, 15) Duke pranuar shpërblesën bëhet e mundur që njerëzimi të arrijë sërish përsosmërinë. Jehovai po vëren secilin prej nesh për të parë, ndër të tjera, reagimin tonë ndaj bujarisë së tij. (1 Gjoni 3:16) Ai vëren çfarëdo që bëjmë për të treguar çmueshmërinë për mirësinë e tij. Apostulli Pavël shkroi: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»—Hebrenjve 6:10.

3. Cila pyetje meriton të shqyrtohet?

3 Atëherë, si mund ta imitojmë Jehovain duke kërkuar të mirën te të tjerët ashtu si ai? Le të shqyrtojmë përgjigjet e kësaj pyetjeje në katër fusha të jetës: (1) në shërbimin e krishterë, (2) në familje, (3) në kongregacion dhe (4) në marrëdhëniet me të tjerët.

Në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve

4. Në ç’mënyrë pjesëmarrja në shërbimin e krishterë tregon se po kërkojmë të mirën te të tjerët?

4 «Ara është bota»,—shpjegoi Jezui duke iu përgjigjur pyetjeve të dishepujve rreth kuptimit të shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrave. Si dishepuj të sotëm të Krishtit jemi të vetëdijshëm për këtë të vërtetë kur angazhohemi në shërbim. (Mateu 13:36-38; 28:19, 20) Shërbimi në fushë përfshin që të deklarojmë publikisht besimin tonë. Vetë fakti se Dëshmitarët e Jehovait janë të mirënjohur për shërbimin nga shtëpia në shtëpi e në rrugë, dëshmon për zellin për të kërkuar të gjithë ata që e meritojnë ta dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë. Në të vërtetë Jezui mësoi: «Në çfarëdo qyteti ose fshati që të hyni, kërkoni atje atë që e meriton.»—Mateu 10:11; Veprat 17:17; 20:20.

5, 6. Pse ngulmojmë që t’i vizitojmë vazhdimisht njerëzit në shtëpitë e tyre?

5 Kur i vizitojmë papritur njerëzit vërejmë reagimin e tyre ndaj mesazhit tonë. Disa herë shohim se pjesëtari i ndonjë familjeje na dëgjon, kurse një pjesëtar tjetër i po asaj familjeje na bërtet me zë të lartë «Nuk jemi të interesuar», dhe vizita mbaron me kaq. Sa keq ndihemi që kundërshtimi ose mungesa e interesit të një individi ndikon në reagimin e një tjetri! Atëherë, çfarë mund të bëjmë që të ngulmojmë për të kërkuar të mirën te të gjithë?

6 Një vizitë tjetër në atë shtëpi kur predikojmë në atë zonë shpesh mund të na krijojë rastin që të flasim drejtpërdrejt me individin që na ndërpreu gjatë vizitës së mëparshme. Nëse kujtojmë atë që ndodhi herën e kaluar kjo mund të na ndihmojë të përgatitemi. Kundërshtari mund të ketë vepruar i shtyrë nga motive të mira, duke besuar se duhej të mos e lejonte individin e interesuar të dëgjonte më tej mesazhin e Mbretërisë. Ndoshta pikëpamjet e tij ishin ndikuar nga informata të rreme në lidhje me qëllimet tona. Por kjo nuk na pengon që të ngulmojmë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë në atë shtëpi, duke u përpjekur me takt të ndreqim keqkuptimet. Jemi të interesuar t’i ndihmojmë të gjithë që të fitojnë njohuri të saktë për Perëndinë. Pastaj, ndoshta Jehovai do ta tërheqë atë individ drejt vetes.—Gjoni 6:44; 1 Timoteut 2:4.

7. Çfarë mund të na ndihmojë që të jemi pozitivë kur u flasim njerëzve?

7 Në mësimet që Jezui u dha dishepujve përfshihej edhe kundërshtimi familjar. A nuk tha ai: «Erdha që të shkaktoj ndarje: njeriun kundër të atit, bijën kundër së ëmës dhe nusen kundër së vjehrrës?» Jezui tha gjithashtu: «Armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.» (Mateu 10:35, 36) Megjithatë, rrethanat dhe qëndrimet e njerëzve ndryshojnë. Një sëmundje e papritur, humbja e një të afërmi, katastrofat, gjendjet e rënda emocionale dhe shumë faktorë të tjerë ndikojnë në reagimin e njerëzve ndaj predikimit tonë. Në qoftë se kemi një pikëpamje negative—që njerëzit të cilëve u predikojmë nuk do t’i përgjigjen lajmit të mirë—a po kërkojmë vërtet të mirën te të tjerët? Pse të mos i rivizitojmë me gëzim në shtëpitë e tyre në një rast tjetër? Mund të shohim një reagim të ndryshëm. Disa herë nuk është vetëm ajo që themi, por edhe mënyra se si e themi, që shkakton një reagim të ndryshëm. Një lutje e zjarrtë drejtuar Jehovait përpara se të fillojmë të predikojmë sigurisht që do të na ndihmojë të jemi pozitivë dhe ta paraqesim mesazhin e Mbretërisë në një mënyrë tërheqëse për të gjithë.—Kolosianëve 4:6; 1 Selanikasve 5:17.

8. Çfarë mund vijë si rezultat kur të krishterët kërkojnë të mirën te të afërmit jobesimtarë?

8 Në disa kongregacione i shërbejnë Jehovait shumë pjesëtarë të së njëjtës familje. Shpesh ajo që tërhoqi admirimin dhe respektin e të rinjve qe ngulmimi i një pjesëtari të rritur të familjes, marrëdhëniet e mira të të cilit brenda familjes dhe brenda lidhjes martesore ndihmuan në ndryshimin e zemrës së të rinjve. Zbatimi i këshillës së apostullit Pjetër i ka ndihmuar shumë gra të krishtere që ta fitojnë burrin «pa fjalë».—1 Pjetrit 3:1, 2.

Në familje

9, 10. Si kërkuan të mirën në familjen e tyre Jakobi dhe Jozefi?

9 Lidhjet e ngushta ndërmjet pjesëtarëve të një familjeje janë një fushë tjetër ku mund të kërkojmë të mirën te të tjerët. Të shqyrtojmë një mësim nga marrëdhënia e Jakobit me djemtë e tij. Në Zanafillën kapitulli 37, vargjet 3 dhe 4, Bibla tregon se Jakobi donte në mënyrë të veçantë Jozefin. Gjysmëvëllezërit e Jozefit u bënë xhelozë për këtë, madje deri në atë pikë sa thurën një plan për ta vrarë të vëllanë. Megjithatë të vërejmë qëndrimin e Jakobit e të Jozefit më pas gjatë jetës së tyre. Që të dy kërkuan të mirën te familja e tyre.

10 Kur Jozefi shërbente si kryeadministruesi i ushqimit në kohën që Egjipti ishte goditur nga zia e bukës, ai i mirëpriti vëllezërit e tij. Megjithëse nuk e zbuloi menjëherë se kush ishte, i manovroi ngjarjet që të sigurohej se ndaj tyre po tregohej kujdesi i duhur dhe se kishin ushqim për t’ia çuar atit të tyre të moshuar. Po, edhe pse kishte qenë viktimë e urrejtjes së vëllezërve, Jozefi bëri më të mirën për ta. (Zanafilla 41:53-42:8; 45:23) Ngjashëm, kur ishte në shtratin e vdekjes Jakobi tha bekime profetike për të gjithë djemtë e tij. Ndonëse veprimet e tyre të gabuara bënë që të merrnin më pak privilegje, asnjëri nuk u përjashtua nga marrja e një trashëgimie në vend. (Zanafilla 49:3-28) Çfarë shprehje e shkëlqyer të një dashurie besnike që shfaqi Jakobi në atë rast!

11, 12. (a) Cili shembull profetik thekson se sa e rëndësishme është që të kërkojmë të mirën brenda familjes? (b) Çfarë mësojmë nga shembulli i atit tek ilustrimi i Jezuit për birin plëngprishës?

11 Shpirtgjerësia e Jehovait në marrëdhënien me kombin jobesnik të Izraelit na jep gjykim më të thellë për mënyrën se si ai kërkon të mirën te populli i tij. Duke përdorur rrethanat familjare të profetit Hozea Jehovai ilustroi dashurinë e tij të qëndrueshme. Gomera, gruaja e Hozesë, kreu akte të vazhdueshme kurorëshkeljeje. Gjithsesi Jehovai e urdhëroi Hozenë: «Shko përsëri, dashuro një grua që e dashuron një shok dhe që kryen kurorëshkelje, si në rastin e dashurisë së Jehovait për bijtë e Izraelit, ndërkohë që ata u drejtohen perëndive të tjerë dhe duan kuleçë prej rrushi të thatë.» (Hozea [Osea] 3:1, BR) Pse e dha këtë urdhër Jehovai? Ai e dinte se në gjirin e kombit që ishte shmangur nga udhët e tij, disa individë do të reagonin pozitivisht ndaj vetëpërmbajtjes së tij. Hozea shpalli: «Pastaj bijtë e Izraelit do të kthehen dhe do të kërkojnë Zotin [Jehovain, BR], Perëndinë e tyre dhe Davidin, mbretin e tyre dhe do të kthehen duke u dridhur tek Zoti dhe te mirësia e tij në mbarim të ditëve.» (Osea 3:5) Patjetër që ky është një shembull i shkëlqyer për të cilin duhet të meditojmë kur përballojmë situata të vështira në familje. Nëse vazhdojmë të kërkojmë të mirën te pjesëtarët e familjes, sido që të jetë, do të lëmë një shembull të shkëlqyer vetëpërmbajtjeje.

12 Shëmbëlltyra e Jezuit për birin plëngprishës na jep edhe më shumë gjykim të thellë se si të kërkojmë të mirën te familja jonë. I riu plëngprishës u kthye në shtëpi pasi braktisi jetën e tij plot harxhime të kota. I ati e trajtoi me dhembshuri. Si reagoi ai ndaj ankimeve të birit më të madh i cili nuk ishte larguar kurrë nga familja? Duke iu drejtuar atij, i tha: «O bir, ti ke qenë gjithnjë me mua dhe gjithçka e imja është e jotja.» Me këto fjalë ati nuk po e kundërshtonte me vrer, por po e siguronte për dashurinë e tij. Ai tha më tej: «Duhej medoemos të gëzoheshim e të ngazëllonim, sepse ky vëllai yt ishte i vdekur dhe erdhi në jetë, ishte i humbur dhe u gjet.» Ngjashëm edhe ne mund të vazhdojmë të kërkojmë të mirën te të tjerët.—Luka 15:11-32.

Në kongregacionin e krishterë

13, 14. Cila është një mënyrë për të praktikuar ligjin mbretëror të dashurisë brenda kongregacionit të krishterë?

13 Duke qenë të krishterë, kemi si synim të praktikojmë ligjin mbretëror të dashurisë. (Jakovit 2:1-9) Vërtet që mund të sillemi pa dallime me pjesëtarë të kongregacionit, gjendja materiale e të cilëve ndryshon nga e jona. Prapëseprapë, a kemi «dallime klasore» që bazohen në prejardhjen raciale, kulturore ose madje edhe fetare? Nëse është kështu, si mund ta marrim për zemër këshillën e Jakovit?

14 Po t’i mirëpresim ata që ndjekin mbledhjet e krishtere tregojmë se jemi shpirtgjerë. Kur marrim iniciativën për t’u folur atyre që vijnë për herë të parë në Sallën e Mbretërisë ka shumë të ngjarë që t’u largohet ndjenja fillestare e nervozizmit dhe e sikletit. Në të vërtetë disa që ndjekin një mbledhje të krishterë për herë të parë, thonë: «Të gjithë ishin shumë miqësorë. Dukej sikur të gjithë më njihnin prej kohësh. U ndjeva si në shtëpinë time.»

15. Si mund të ndihmohen të rinjtë në kongregacion që të shfaqin interes ndaj më të rriturve?

15 Në disa kongregacione, disa të rinj mund të mblidhen së bashku brenda ose jashtë Sallës së Mbretërisë pas mbledhjes, duke shmangur shoqërinë e më të rriturve. Çfarë gjëje pozitive mund të bëhet për ta kapërcyer këtë prirje? Natyrisht, hapi i parë është që prindërit t’i stërvitin fëmijët që në shtëpi, duke i përgatitur për mbledhjet. (Fjalët e urta [Proverbat] 22:6) Mund t’u caktojnë si detyrë fëmijëve që t’i bëjnë gati botimet e ndryshme me qëllim që të gjithë të kenë gjithçka që nevojitet për t’u marrë në mbledhje. Po ashtu prindërit janë në pozitën më të mirë për t’i inkurajuar fëmijët që të bisedojnë me më të rriturit dhe me të sëmurët në Sallën e Mbretërisë. Fëmijët mund të provojnë një ndjenjë kënaqësie po të kenë përgatitur që më përpara diçka për t’u thënë këtyre individëve.

16, 17. Në ç’mënyrë të rriturit mund të kërkojnë të mirën te të rinjtë në kongregacion?

16 Vëllezërit dhe motrat më të rritur duhet të interesohen për të rinjtë në kongregacion. (Filipianëve 2:4) Ata mund të marrin iniciativën që t’u flasin të rinjve në mënyrë inkurajuese. Zakonisht gjatë mbledhjes trajtohen disa pika të veçanta. Më të rriturit mund t’i pyesin të rinjtë nëse u pëlqeu mbledhja dhe a kishte ndonjë pikë që e çmuan veçanërisht e që mund të zbatohet. Të rinjtë, duke qenë se janë pjesë përbërëse e kongregacionit, duhet t’u bëhet e ditur se çmohen që janë të vëmendshëm gjatë mbledhjes dhe duhen lavdëruar për komentet që bëjnë ose për çfarëdo pjese që zhvillojnë gjatë programit të mbledhjes. Mënyra se si të rinjtë bashkëveprojnë me më të rriturit në kongregacion dhe se si kujdesen për punët e vogla në shtëpi, mund të tregojë se ata do të kujdesen po kaq mirë edhe për përgjegjësi më të mëdha që mund të kenë më vonë në jetë.—Luka 16:10.

17 Disa të rinj, duke i pranuar përgjegjësitë, përparojnë aq sa zhvillojnë cilësi frymore të cilat u japin mundësi të marrin caktime më të rëndësishme. Duke pasur kështu diçka për të bërë do të jenë gjithashtu të ndihmuar për t’i vënë fre sjelljes së marrë. (2 Timoteut 2:22) Këto caktime mund ‘t’i provojnë përsa i përket aftësisë’ vëllezërit që synojnë të shërbejnë si shërbëtorë ndihmës. (1 Timoteut 3:10) Pjesëmarrja në mbledhje duke qenë të përgatitur, zelli i tyre në shërbim, si dhe interesi personal ndaj të gjithëve në kongregacion, u japin mundësi pleqve që të dallojnë aftësitë e këtyre vëllezërve kur të marrin në shqyrtim kualifikimet e tyre për t’u dhënë caktime të tjera.

Të kërkojmë të mirën te të gjithë

18. Cila grackë duhet shmangur kur gjykohet një çështje dhe pse?

18 «Nuk është gjë e mirë të mbash anën në gjykim»,—thuhet te Fjalët e urta 24:23 (BR). Mençuria hyjnore kërkon që pleqtë të mos jenë të njëanshëm kur gjykojnë çështjet e kongregacionit. Jakovi tha: «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, gati për t’u bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë, nuk është hipokrite.» (Jakovit 3:17) Patjetër që ndërsa kërkojnë të mirën te të tjerët, pleqtë duhet të sigurohen që gjykimi i tyre të mos errësohet nga marrëdhëniet personale ose nga emocionet. Psalmisti Asaf shkroi: «Perëndia zë vend në asamblenë e Hyjnorit dhe në mes të perëndive [ose ndryshe «atyre ngjashëm Perëndisë», duke e pasur fjalën për gjykatësit njerëzorë] gjykon: ‘Gjer kur do të gjykoni me padrejtësi e do t’u mbani anën të ligjve?’ » (Psalmi 82:1, 2) Prandaj pleqtë e krishterë duhet të shmangin çdo prirje për të mbajtur me hatër atëherë kur çështjet që gjykohen kanë të bëjnë me një mik ose një të afërm. Në këtë mënyrë ruajnë unitetin në kongregacion dhe e lejojnë frymën e Jehovait që të rrjedhë lirisht.—1 Selanikasve 5:23.

19. Në cilat mënyra mund të kërkojmë të mirën te të tjerët?

19 Ndërsa kërkojmë të mirën te vëllezërit dhe motrat, pasqyrojmë qëndrimin e Pavlit kur iu drejtua kongregacionit në Selanik. Ai tha: «Për më tepër, ne kemi siguri në Zotërinë lidhur me ju, se po i bëni dhe do të vazhdoni t’i bëni gjërat që ju urdhërojmë.» (2 Selanikasve 3:4) Do të jemi më të prirur për të mbyllur sytë para të metave të të tjerëve po qe se kërkojmë të mirën tek ata. Do të kërkojmë fusha në të cilat mund t’i lavdërojmë vëllezërit, patjetër duke shmangur një frymë kritike. Pavli shkroi: «Ajo që kërkohet nga kujdestarët, është që secili të gjendet i besueshëm.» (1 Korintasve 4:2) Besueshmëria, jo vetëm e atyre që kanë kujdestarinë e kongregacionit, por edhe e të gjithë vëllezërve dhe motrave të krishterë, na bën që t’i duam ata. Si rrjedhim afrohemi më shumë me ta, duke i forcuar lidhjet e miqësisë së krishterë dhe e bëjmë tonën pikëpamjen që kishte Pavli ndaj vëllezërve në kohën e tij. Ata janë ‘bashkëpunëtorë për mbretërinë e Perëndisë’ dhe «një ndihmë fuqizuese». (Kolosianëve 4:11) Kështu shfaqim qëndrimin e Jehovait.

20. Cilat bekime do të vijnë për ata që kërkojnë të mirën te të gjithë?

20 Sigurisht që i bëjmë jehonë lutjes së Nehemisë: «Më kujto për mirë, o Perëndia im.» (Nehemia 13:31, BR) Sa të lumtur jemi që Jehovai kërkon të mirën te njerëzit! (1 Mbretërve 14:13) Veprofshim po kështu edhe ne në marrëdhëniet me të tjerët! Po ta bëjmë këtë kemi perspektivën e shpengimit dhe të jetës së përhershme në botën e re që tani është kaq afër.—Psalmi 130:3-8, BR.

Si do të përgjigjeshit?

Mbi ç’bazë vepron Jehovai me mirësi ndaj të gjithëve?

Si mund të kërkojmë të mirën te të tjerët

në shërbim?

në familje?

në kongregacion?

në të gjitha marrëdhëniet tona?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Megjithëse vëllezërit e tij e kishin urryer më parë, Jozefi kërkoi të mirën tek ata

[Figura në faqen 19]

Kundërshtimi nuk na pengon që të përpiqemi t’i ndihmojmë të gjithë njerëzit

[Figura në faqen 20]

Pavarësisht nga e kaluara e tyre, asnjëri prej bijve të Jakobit nuk u përjashtua nga marrja e bekimeve të tij

[Figura në faqen 21]

T’i mirëpresim të gjithë në mbledhjet e krishtere