Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Thjesht zakon apo ryshfet?

Thjesht zakon apo ryshfet?

Thjesht zakon apo ryshfet?

NË DISA shkolla në Poloni, nxënësit e kanë zakon të mbledhin para për t’u blerë dhurata mësuesve të tyre, me shpresë që të marrin nota më të mira në provime. Prandaj, është e kuptueshme përse një e re e krishterë me emrin Katarzhina gjendej para një situate të vështirë. «A duhet të jap edhe unë para apo jo?»—pyeste veten ajo. Nxënësit e tjerë i bënë këtë arsyetim: «Ky është një zakon që bëhet gjithmonë. S’humbet asgjë, përkundrazi fiton shumë, prandaj, pse ke dyshime?»

«Duhet ta pranoj që kur isha në vitin e parë të shkollës, mora pjesë edhe unë në këtë mbledhje parash,—thotë Katarzhina.—Vetëm më vonë e kuptova se në këtë mënyrë kisha mbështetur praktikën e ryshfetit, e cila dënohet në Bibël.» Ajo solli ndër mend shkrime që tregojnë se Jehovai e dënon ashpër ryshfetin. (Ligji i përtërirë 10:17; 16:19; 2 Kronikave 19:7) Katarzhina thotë: «E kuptova sa e lehtë është që të dorëzohesh para presionit të bashkëmoshatarëve. U mendova mirë dhe që atëherë nuk kam marrë më pjesë në këtë zakon.» Gjatë tre viteve të kaluara, pavarësisht se nxënës të tjerë e kanë tallur, ajo ka arritur t’u shpjegojë disave se nuk merr pjesë në këto mbledhje parash si «dhuratë» për shkak të bindjeve të saj të bazuara në Bibël.

Disa e akuzuan Katarzhinën se ishte egoiste dhe kishte një qëndrim joshoqëror. «Ende nuk shkoj mirë me disa prej tyre,—thotë ajo.—Por, nga ana tjetër, shumë e respektojnë pikëpamjen time, dhe kjo më gëzon.» Për këtë arsye, Katarzhinën e njohën të gjithë si një nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i zbatojnë parimet biblike në jetën e përditshme.