«Më mbushi një zbrazëti në zemër»
«Më mbushi një zbrazëti në zemër»
«JU FALËNDEROJ nga thellësia e zemrës për dhuratën e bukur, librin T’i afrohemi Jehovait. Më mbushi një zbrazëti në zemër—nevojën për të ndier se Jehovai më do dhe më çmon. Tani ndihem më afër Jehovait dhe Birit të tij. Dua t’u flas të gjithëve për këtë libër dhe t’u jap një kopje të gjithë njerëzve të mi të dashur.» Kështu i shprehu një Dëshmitare e Jehovait ndjenjat e saj për librin e ri me 320 faqe që doli në kongreset krahinore «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë» mbajtur gjatë vitit 2002-2003. Le të shqyrtojmë disa veçori të këtij libri të ri dhe arsyen përse u botua.
Disa veçori të librit të ri
Çfarë përmban ky libër i ri? Të gjitha informacionet e paraqitura në dy artikujt e studimit të këtij numri të revistës, por edhe shumë më tepër. Libri ka 31 kapituj. Secili është i gjatë pothuajse sa një artikull studimi i Kullës së Rojës. Pas hyrjes dhe tre kapitujve të parë, libri ndahet në katër pjesë, një për çdo cilësi kryesore të Jehovait. Çdo pjesë hapet me një shqyrtim të përgjithshëm të cilësisë përkatëse. Kapitujt vijues shqyrtojnë se si e shfaq Jehovai këtë cilësi. Çdo pjesë përmban një kapitull për Jezuin. Pse? Sepse Jezui tha: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Meqenëse Jezui ishte pasqyrimi i përsosur i Jehovait, na siguron shembuj të gjallë të cilësive të Perëndisë në veprim. Çdo pjesë përfundon me një kapitull që na mëson se si të imitojmë Jehovain kur shfaqim cilësinë në fjalë. Gjatë trajtimit të cilësive të Jehovait ky libër i ri i referohet të gjitha librave të Biblës.
Libri T’i afrohemi Jehovait përmban edhe disa karakteristika të veçanta. Duke filluar nga kapitulli 2, çdo kapitull përmban një kuti me titull «Pyetje për meditim». Shkrimet dhe pyetjet që jepen aty nuk janë për të bërë një rishikim të kapitullit. Përkundrazi janë përgatitur që të të ndihmojnë të përdorësh Biblën për të medituar thellë rreth temës së trajtuar. Këshillohet që të lexosh me kujdes çdo shkrim. Pastaj medito për pyetjen dhe përpiqu ta zbatosh personalisht. Një meditim i tillë mund të të nxitë në zemër, duke të ndihmuar që t’i afrohesh gjithnjë e më shumë Jehovait.—Psalmi 19:14.
Figurat te libri T’i afrohemi Jehovait u studiuan dhe u përgatitën me kujdes për të mësuar dhe për të nxitur. Shtatëmbëdhjetë kapituj përmbajnë faqe të plota me piktura të bukura të skenave biblike.
Pse u botua?
Pse u botua libri T’i afrohemi Jehovait? Qëllimi kryesor i këtij botimi të ri është që të na ndihmojë të njohim më mirë Jehovain, me qëllim që të ndërtojmë një marrëdhënie më të fortë me Perëndinë tonë.
Kush mendon se mund të nxjerrë dobi nga libri T’i afrohemi Jehovait? Mos ndoshta një student i Biblës apo edhe një vëlla a motër e krishterë joaktivë? Po ti, a ke filluar ta lexosh këtë libër të ri? Nëse jo, pse të mos programosh kohë për të filluar sa më shpejt? Lër kohë për të medituar rreth asaj që lexon. Urojmë që ky botim i ri të të ndihmojë që t’i afrohesh gjithnjë e më shumë Perëndisë Jehova, në mënyrë që ta shpallësh lajmin e mirë të Mbretërisë së tij me më shumë zell dhe gëzim!