Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Perëndia është dashuri»

«Perëndia është dashuri»

«Perëndia është dashuri»

«Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.»​—1 GJONIT 4:8.

1-3. (a) Cilin pohim bën Bibla për cilësinë e dashurisë që ka Jehovai e në ç’kuptim është i veçantë ky pohim? (b) Pse Bibla thotë që «Perëndia është dashuri»?

TË GJITHA cilësitë e Jehovait janë të shkëlqyera, të përsosura dhe tërheqëse. Por dashuria është më tërheqësja nga të gjitha. Asgjë tjetër nuk na tërheq kaq fort drejt Jehovait. Lumturisht, dashuria është edhe cilësia e tij mbizotëruese. Si e dimë këtë?

2 Bibla thotë për dashurinë diçka që nuk e thotë asnjëherë për cilësitë e tjera kryesore të Jehovait. Shkrimet nuk thonë se Perëndia është fuqi ose se Perëndia është drejtësi, apo edhe se Perëndia është mençuri. Ai i zotëron këto cilësi, është burimi parësor i tyre. Por, për dashurinë, te 1 Gjonit 4:8 thuhet diçka më e thellë: «Perëndia është dashuri.» Po, dashuria e karakterizon të tërin Jehovain. Ajo është vetë thelbi ose natyra e tij. Duke folur në përgjithësi, mund ta mendojmë kështu: fuqia i jep mundësi Jehovait që të veprojë. Drejtësia dhe mençuria e udhëheqin në mënyrën si vepron. Megjithatë dashuria e motivon Jehovain që të veprojë. Ajo pasqyrohet gjithnjë në mënyrën se si i përdor ai cilësitë e tjera.

3 Shpesh thuhet se Jehovai është personifikimi i dashurisë. Prandaj, në qoftë se duam të mësojmë për dashurinë, duhet të mësojmë për Jehovain. Le të shqyrtojmë, atëherë, disa veçori të dashurisë së pashoqe të Jehovait.

Akti më i madh i dashurisë

4, 5. (a) Cili është akti më i madh i dashurisë në të gjithë historinë? (b) Pse mund të themi se Perëndinë Jehova dhe Birin e tij i bashkon lidhja më e fortë e dashurisë që mund të krijohet ndonjëherë?

4 Jehovai ka shfaqur dashuri në shumë mënyra, por ka një mënyrë që shquhet nga të gjitha të tjerat. Cila është? Fakti që dërgoi Birin e tij që të vuante e të vdiste për ne. Mund të themi plot siguri se ky është akti më i madh i dashurisë në gjithë historinë. Pse mund ta themi këtë?

5 Bibla e quan Jezuin «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Vetëm mendo: Biri i Jehovait ekzistonte më përpara se universi fizik. Por, atëherë, për sa kohë kishin qenë së bashku Ati me Birin? Disa shkencëtarë llogaritin se universi ka afërsisht një moshë 13 miliardë vjeçare. Por, edhe sikur kjo llogaritje të jetë e saktë, prapëseprapë do të ishte më e shkurtër se koha që ka jetuar Biri i Jehovait. Me se merrej ai gjatë gjithë atyre epokave? Me gëzim, Biri shërbeu si ‘kryemjeshtri’ i Atit të tij. (Proverbat [Fjalët e urta] 8:30, BR; Gjoni 1:3) Jehovai dhe Biri i tij punuan së bashku për të sjellë në ekzistencë të gjitha gjërat e tjera. Ç’periudha entuziazmuese dhe të lumtura që kaluan së bashku! Cili prej nesh mund të arrijë të kuptojë se sa e fuqishme është një lidhje që ka ekzistuar për një kohë kaq të gjatë? Është e qartë se Perëndinë Jehova dhe Birin e tij i bashkon lidhja më e fortë e dashurisë që mund të krijohet ndonjëherë.

6. Si i shprehu Jehovai ndjenjat që kishte për Birin e tij, në kohën kur u pagëzua Jezui?

6 Megjithatë, Jehovai e dërgoi Birin e tij në tokë që të lindte si një foshnjë. Kjo nënkuptoi që për disa dhjetëvjeçarë Jehovait iu desh të hiqte dorë nga shoqëria e ngushtë me Birin e tij të dashur në qiell. Me interes të madh, Ai shihte nga qielli ndërsa Jezui rritej e bëhej njeri i përsosur. Rreth moshës 30-vjeçare Jezui u pagëzua. Në atë rast vetë Ati foli që nga qielli: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Ati duhet të ketë qenë shumë i kënaqur teksa shihte se Jezui bënte me besnikëri gjithçka që ishte profetizuar, gjithçka që kërkohej prej tij.​—Gjoni 5:36; 17:4.

7, 8. (a) Ç’hoqi Jezui më 14 nisan të vitit 33 të e.s. dhe ç’ndikim pati kjo te Ati i tij qiellor? (b) Pse Jehovai lejoi që Biri i tij të vuante e të vdiste?

7 Por, si u ndie Jehovai më 14 nisan të vitit 33 të e.s. kur Jezuin e tradhtuan, e pastaj e arrestoi një turmë njerëzish të zemëruar? Kur Jezuin e tallën, e pështynë dhe e goditën me grushte? Kur e rrahën me kamxhik, duke ia bërë kurrizin copë? Kur e gozhduan duar e këmbë në një shtyllë druri dhe e lanë atje të varur, ndërsa njerëzit e shanin? Si u ndie Ati kur Biri i tij i dashur i thirri, ndërsa ishte në grahmat e vdekjes? Si u ndie Jehovai kur Jezui dha frymën e fundit dhe, për herë të parë që nga fillimi i gjithë krijimit, Biri i Tij i dashur nuk ekzistonte më?​—Mateu 26:14-16, 46, 47, 56, 59, 67; 27:26, 38-44, 46; Gjoni 19:1.

8 Jehovai ka ndjenja, prandaj dhembja që duhet të ketë ndier për vdekjen e Birit të tij ishte aq e madhe, sa nuk shprehet dot me fjalë. Ajo që mund të shprehet është motivi që e shtyu Jehovain të lejonte të ndodhte kjo gjë. Pse Ati u la vend ndjenjave të tilla? Jehovai na zbulon diçka të mrekullueshme te Gjoni 3:16, një varg biblik kaq i rëndësishëm, saqë është quajtur ungjilli në miniaturë. Aty thuhet: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Prandaj motivi që e nxiti Perëndinë të bënte këtë përmblidhet me një fjalë: dashuri. Kurrë nuk është shfaqur ndonjëherë dashuri më e madhe se kjo.

Si na siguron Jehovai se na do?

9. Çfarë do Satanai që të besojmë për pikëpamjen që ka Jehovai për ne, por për çfarë na siguron Jehovai?

9 Sidoqoftë ngrihet një pyetje e rëndësishme: a e do Perëndia secilin prej nesh? Disa e pranojnë se Perëndia e do njerëzimin në përgjithësi, siç thuhet te Gjoni 3:16, por mendojnë: ‘Perëndia s’mund të më dojë kurrë mua si individ.’ Në fakt Satana Djalli bën çmos që ne të besojmë se Jehovai as na do e as na vlerëson. Përkundrazi, pavarësisht se mund të ndihemi pak të çmuar ose të vlerësuar, Jehovai na siguron se secili prej shërbëtorëve të tij besnikë është me vlerë për të.

10, 11. Si e tregon ilustrimi i Jezuit me harabelat se kemi vlerë në sytë e Jehovait?

10 Për shembull, të shqyrtojmë fjalët e Jezuit të dokumentuara te Mateu 10:29-31. Ai, duke ilustruar se dishepujt e tij kanë vlerë, tha: «A nuk shiten dy harabela për një monedhë me vlerë të vogël? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk do të bjerë përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Por vetë fijet e flokëve të kokës suaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: Ju vleni më tepër se shumë harabela.» Mendo se çfarë nënkuptonin këto fjalë për dëgjuesit e Jezuit në shekullin e parë!

11 Në kohën e Jezuit harabeli ishte zogu me çmimin më të lirë nga të gjithë zogjtë që shiteshin për ushqim. Me një monedhë me vlerë të vogël një njeri blinte dy harabela. Por, sipas Lukës 12:6, 7, më pas Jezui tha se në qoftë se dikush harxhonte dy monedha të tilla, do të blinte jo katër, por pesë harabela. Pra, sasisë i shtohej edhe një zog tjetër, sikur ky të mos kishte fare vlerë. Ndoshta krijesa të tilla s’kishin vlerë për njerëzit, por si i shihte Krijuesi? Jezui tha: «Asnjëri prej tyre [as ai që jepej falas] nuk harrohet përpara Perëndisë.» Tani ndoshta mund të fillojmë të kuptojmë se ç’donte të thoshte Jezui. Meqë për Jehovain ka kaq vlerë një harabel i vetëm, sa më tepër vlerë ka një njeri. Siç e shpjegoi Jezui, Jehovai di çdo hollësi për ne. Madje edhe fijet e flokëve të kokës sonë janë të numëruara.

12. Pse mund të jemi të sigurt që Jezui po tregohej realist kur tha se edhe fijet e flokëve të kokës sonë janë të numëruara?

12 Disa mund të thonë se Jezui këtu po e tepronte. Por mendo vetëm për shpresën e ringjalljes. Sa me imtësi që duhet të na njohë Jehovai për të na krijuar përsëri! Ai na vlerëson kaq shumë, saqë mban mend çdo hollësi tonën, përfshirë këtu kodin tonë të ndërlikuar gjenetik si dhe të gjitha kujtimet e përvojat e mbledhura në vite. Në krahasim me këtë, numërimi i fijeve të flokëve të kokës (në përgjithësi në kokë ka rreth 100.000 të tilla) do të ishte një gjë e thjeshtë. Sa bukur na sigurojnë fjalët e Jezuit se Jehovai interesohet për ne si individë!

13. Si e tregon rasti i mbretit Jehozafat se Jehovai kërkon anët e mira te ne, megjithëse jemi të papërsosur?

13 Bibla zbulon diçka tjetër që na siguron se Jehovai na do. Ai kërkon dhe vlerëson anët e mira që kemi. Të marrim për shembull, mbretin e mirë Jehozafat. Kur mbreti kreu një veprim të pamend, profeti i Jehovait i tha: «Prandaj vetë Jehovai është indinjuar me ty.» (BR) Ç’mendim që të sjell në vete! Por mesazhi i Jehovait nuk mbaroi me kaq. Ai vazhdoi: «Megjithatë janë gjetur te ti gjëra të mira.» (2 Kronikave 19:1-3) Pra, zemërimi i drejtë që ndiente Jehovai nuk e verboi të mos shihte ‘gjërat e mira’ që gjendeshin te Jehozafati. A nuk na siguron fakti se Perëndia kërkon anët e mira te ne, megjithëse jemi të papërsosur?

Një Perëndi që është ‘i gatshëm të falë’

14. Çfarë ndjenjash mbytëse mund të provojmë kur mëkatojmë, por si mund të nxjerrim dobi nga falja e Jehovait?

14 Kur mëkatojmë, ndjenjat e zhgënjimit, të turpit dhe të fajit mund të na bëjnë të mendojmë se kurrë nuk mund të jemi të denjë për t’i shërbyer Jehovait. Megjithatë, le të kujtojmë se Jehovai është ‘i gatshëm të falë’. (Psalmi 86:5) Po, në qoftë se pendohemi për mëkatet dhe përpiqemi fort të mos i përsëritim, mund të nxjerrim dobi nga falja e Jehovait. Le të shqyrtojmë se si e përshkruan Bibla këtë veçori të mrekullueshme të dashurisë së Jehovait.

15. Sa larg nesh i çon Jehovai mëkatet tona?

15 Psalmisti David përdori një shprehje të gjallë për të përshkruar faljen e Jehovait: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.» (Kursivi është yni; Psalmi 103:12) Sa larg është lindja nga perëndimi? Në njëfarë kuptimi lindjen e ndan nga perëndimi largësia më e madhe që mund të përfytyrohet. Këto dy pika s’mund të takohen kurrë. Një studiues komenton se kjo shprehje nënkupton «sa më larg që është e mundur, sa më larg që mund ta përfytyrojmë». Fjalët e frymëzuara të Davidit na thonë se kur Jehovai fal, i çon mëkatet tona larg nesh, sa më larg që mund ta përfytyrojmë.

16. Kur Jehovai na i fal mëkatet, pse mund të jemi të sigurt se më pas na sheh si të pastër?

16 A je përpjekur ndonjëherë të heqësh një njollë nga ndonjë veshje me ngjyrë të çelur? Ndoshta, edhe pse ke bërë çmos, njolla dukej ende. Vër re si e përshkruan Jehovai aftësinë e tij për të falur: «Edhe sikur mëkatet tuaja të jenë si e kuqe e ndezur, ato do të bëhen të bardha si bora; edhe sikur të jenë të kuqe si stof kërmëzi, do të bëhen si leshi.» * (Isaia 1:18, BR) «Kërmëzi» ishte një ngjyrë e kuqe e errët, nga më të fortat, që përdorej për të ngjyer materiale. Vetëm me përpjekjet tona s’e heqim dot kurrë njollën e mëkatit. Por Jehovai mund t’i marrë mëkatet që janë si ngjyra e kuqe e ndezur ose si kërmëz dhe t’i bëjë të bardha si bora ose si leshi i palyer. Kur Jehovai na i fal mëkatet, nuk duhet të mendojmë se do ta mbajmë për gjithë jetën njollën e këtyre mëkateve.

17. Në cilin kuptim Jehovai i hedh prapa krahëve të tij mëkatet tona?

17 Në një këngë mirënjohjeje që të prek thellë, të cilën e kompozoi pasi u shërua nga një sëmundje vdekjeprurëse, Hezekia i tha Jehovait: «I ke hedhur prapa krahëve të tua të tëra mëkatet e mia.» (Isaia 38:17) Këtu Jehovai portretizohet sikur i merr mëkatet e një keqbërësi të penduar dhe i hedh prapa krahëve, ku as i sheh e as i merr më parasysh. Sipas një vepre referimi, ideja e përcjellë në këtë varg mund të shprehet edhe: «I ke bërë [mëkatet e mia] sikur të mos kishin ndodhur.» A nuk është ngushëlluese kjo?

18. Si e tregon profeti Mikea se kur Jehovai fal, i heq një herë e mirë mëkatet tona?

18 Në një premtim të rivendosjes, profeti Mikea shprehu bindjen e tij se Jehovai do ta falte popullin e Tij të penduar: «Cili Perëndi është si ti, që . . . kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? . . . Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.» (Mikea 7:18, 19) Mendo pak se çfarë nënkuptonin këto fjalë për ata që jetonin në kohët biblike. A kishte ndonjë mundësi për të marrë prapë diçka që ishte hedhur «në fund të detit»? Kështu, fjalët e Mikeas tregojnë se kur Jehovai fal, i heq një herë e mirë mëkatet tona.

‘Dhembshuria e butë e Perëndisë tonë’

19, 20. (a) Cila është domethënia e foljes hebraike të përkthyer «tregoj mëshirë» ose «ndiej keqardhje»? (b) Si i përdor Bibla ndjenjat që ka një nënë për foshnjën e saj, për të na treguar domethënien e dhembshurisë së Jehovait?

19 Dhembshuria është një veçori tjetër e dashurisë së Jehovait. Çfarë është dhembshuria? Në Bibël ka një lidhje të ngushtë ndërmjet dhembshurisë dhe mëshirës. Ka disa fjalë hebraike dhe greke që përcjellin kuptimin e dhembshurisë. Për shembull, folja hebraike rakam shpesh përkthehet «tregoj mëshirë» ose «ndiej keqardhje». Ky term hebraik, të cilin Jehovai e përdor për veten e tij, ka të bëjë me shprehjen «barku i nënës» dhe mund të përshkruhet si «dhembshuri prej nëne».

20 Bibla i përdor ndjenjat e nënës për foshnjën e saj për të na treguar se ç’domethënie ka dhembshuria e Jehovait. Tek Isaia 49:15 thuhet: «A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos ketë dhembshuri [rakam] për fëmijën e barkut të saj? Vërtet, ato mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj.» (The Amplified Bible) E kemi të vështirë të përfytyrojmë se si një nënë mund të harrojë të ushqejë foshnjën e gjirit e të kujdeset për të. Të gjithë e dimë që një foshnjë është e pambrojtur, ka nevojë natë e ditë për vëmendjen e nënës së vet. Por mjerisht s’është e padëgjuar që nënat t’i lënë pas dore fëmijët, sidomos në këto «kohë kritike». (2 Timoteut 3:1, 3) Megjithatë Jehovai thotë: «Unë nuk do të të harroj.» Dhembshuria e butë që ka Jehovai për shërbëtorët e tij është e pashtershme. Ajo është shumë më e thellë se ndjenja më e butë e natyrshme që mund të marrim me mend, pra më e thellë se dhembshuria që ndien normalisht një nënë për foshnjën e saj.

21, 22. Çfarë përjetuan izraelitët në Egjiptin e lashtë dhe si iu përgjigj Jehovai klithmave të tyre?

21 Në ç’mënyrë shfaq dhembshuri Jehovai si një prind i dashur? Kjo cilësi shihet qartë në mënyrën si veproi me Izraelin e lashtë. Në fund të shekullit të 16-të p.e.s., miliona izraelitë ishin skllevër në Egjipt, ku i shtypnin rëndë. (Eksodi [Dalja] 1:11, 14) Ashtu në mjerim siç ishin, izraelitët i thirrën Jehovait për ndihmë. Si u përgjigj Perëndia i dhembshurisë?

22 Zemra e Jehovait u prek. Ai tha: «Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij . . . i njoh vuajtjet e tij.» (Eksodi 3:7) Jehovait s’mund të mos i dhimbsej populli i tij kur shihte vuajtjet që po hiqnin ose kur dëgjonte klithmat e tyre. Jehovai është Perëndi me empati. Empatia, domethënë aftësia për të ndier dhembjen e tjetrit, lidhet ngushtë me dhembshurinë. Por Jehovai nuk u mjaftua vetëm duke ndier dhembshuri për popullin e tij, por u nxit që të vepronte në dobi të tyre. Tek Isaia 63:9 thuhet: «Me dashurinë dhe dhembshurinë e tij i çliroi.» Me «dorë të fuqishme», Jehovai i çliroi izraelitët nga Egjipti. (Ligji i përtërirë 4:34) Pas kësaj, u dha ushqim me anë të një mrekullie dhe i çoi në një tokë të frytshme që do të ishte e tyrja.

23. (a) Si na sigurojnë fjalët e psalmistit se Jehovai interesohet thellësisht për ne si individë? (b) Në ç’mënyra na ndihmon Jehovai?

23 Jehovai nuk shfaq dhembshuri vetëm ndaj popullit të tij si grup. Perëndia ynë i dashur interesohet thellësisht për ne si individë. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për çdo vuajtje që mund të kalojmë. Psalmisti shkroi: «Sytë e Zotit [Jehovait, BR] janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:15, 18) Si na ndihmon Jehovai individualisht? Nuk është se automatikisht na e heq shkakun e vuajtjeve. Por Jehovai ka marrë masa të shumta për ata që e thërrasin për ndihmë. Fjala e tij na jep këshilla praktike që vërtet hyjnë në punë. Në kongregacion ai siguron mbikëqyrës të kualifikuar frymësisht, të cilët përpiqen të pasqyrojnë dhembshurinë e tij në ndihmën që u japin të tjerëve. (Jakovit 5:14, 15) Duke qenë «Dëgjues i lutjes», Jehovai u jep «frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Psalmi 65:2, BR; Luka 11:13) Të gjitha këto masa janë shprehje të «dhembshurisë së butë të Perëndisë tonë».​—Luka 1:78.

24. Si do t’i përgjigjemi dashurisë së Jehovait?

24 A nuk është drithëruese të meditosh për dashurinë e Atit tonë qiellor? Në artikullin e mëparshëm sollëm ndër mend se Jehovai e ka ushtruar fuqinë, drejtësinë dhe mençurinë e tij në mënyra të dashura për dobinë tonë. Kurse në këtë artikull kemi parë se Jehovai e ka shprehur drejtpërdrejt dashurinë e tij për njerëzimin dhe për ne si individë, dhe këtë e ka bërë në mënyra të jashtëzakonshme. Tani, secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: ‘Si do t’i përgjigjem dashurisë së Jehovait?’ Iu përgjigjshim dashurisë së Jehovait, duke e dashur me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë! (Marku 12:29, 30) Le të pasqyrojë çdo ditë mënyra jonë e jetesës dëshirën e përzemërt për t’iu afruar Jehovait gjithnjë e më shumë! U afroftë gjithnjë e më shumë me ne Jehovai, Perëndia që është dashuri, për gjithë përjetësinë!​—Jakovit 4:8.

[Shënimi]

^ par. 16 Një studiues thotë se ngjyra e kuqe e ndezur «ishte një ngjyrë që nuk zbehej ose nuk dilte. As vesa, as shiu, as larja, as përdorimi i zgjatur nuk mund ta hiqte».

A të kujtohet?

Si e dimë se dashuria është cilësia mbizotëruese e Jehovait?

Pse mund të themi se fakti që Jehovai dërgoi Birin e tij, që të vuajë e të vdesë për ne, është akti më i madh i dashurisë i kryer ndonjëherë?

Si na siguron Jehovai se na do individualisht?

Në cilat mënyra të gjalla e përshkruan Bibla faljen e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

«Perëndia . . . dha Birin e tij të vetëmlindur»

[Figura në faqet 16, 17]

«Ju vleni më tepër se shumë harabela»

[Burimi]

© J. Heidecker/VIREO

[Figura në faqen 18]

Ndjenjat e nënës për foshnjën e saj mund të na tregojnë se ç’domethënie ka dhembshuria e Jehovait