Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse te Hebrenjve 2:14, Satanai quhet ‘ai që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen’?

Për ta thënë shkurt, Pavli donte të thoshte se Satanai, vetë ose nëpërmjet veglave të tij, mund të shkaktojë vdekjen e njerëzve. Në harmoni me këtë Jezui e quajti Satanain «vrasës që nga fillimi».​—Gjoni 8:44.

Për shkrimin e Hebrenjve 2:14 mund të lindë një keqkuptim nga mënyra se si e përkthejnë disa përkthime. Në to thuhet se Satanai «ka pushtetin e vdekjes» ose «pushtetin mbi vdekjen». (Diodati; DSF; Jerusalem Bible) Nga këto përkthime mund të duket sikur Satanai ka aftësi të pakufizuara për të vrarë këdo që ai zgjedh. Por patjetër që nuk është kështu. Nëse po, do të kishte shumë mundësi që ai t’i kishte fshirë nga faqja e dheut adhuruesit e Jehovait shumë kohë më parë.​—Zanafilla 3:15.

Shprehja që në disa përkthime është bërë «pushtet mbi vdekjen», kurse në Përkthimin Bota e Re «mjetet për të shkaktuar vdekjen», në gjuhën greke është «kratos tou thanatou». Tou thanatou është një formë e fjalës «vdekje». Në thelb kratos do të thotë «forcë, fuqi». Sipas një fjalori, Theological Dictionary of the New Testament, kjo fjalë tregon «praninë dhe rëndësinë e forcës ose të fuqisë dhe jo ushtrimin e saj». Pra, te Hebrenjve 2:14, Pavli nuk po thotë se Satanai ka pushtet absolut mbi vdekjen. Përkundrazi, po vë në dukje se Satanai është në gjendje ose ka mundësi për të shkaktuar vdekjen.

Si i përdor Satanai «mjetet për të shkaktuar vdekjen»? Te libri i Jobit lexojmë për një rast që mund të jetë paksa i veçantë. Tregimi thotë se Satanai përdori një stuhi ‘për të shkaktuar vdekjen’ e fëmijëve të Jobit. Megjithatë vërejmë se Satanai mundi ta bënte këtë vetëm me lejen e Perëndisë, e cila iu dha sepse po vendosej për një çështje shumë të rëndësishme. (Jobi 1:12, 18, 19) Në fakt Satanai nuk mundi ta vriste Jobin. Atij nuk iu lejua ta bënte këtë. (Jobi 2:6) Kjo tregon që megjithëse në disa raste Satanai ka mundur të shkaktojë vdekjen e njerëzve besnikë, ai nuk mund të na e marrë jetën kurdo që dëshiron, kështu që nuk kemi arsye pse të frikësohemi.

Satanai ka shkaktuar vdekjen edhe duke përdorur njerëzit. Kështu shumë të krishterë kanë vdekur për besimin e tyre. Disa prej tyre janë vrarë nga turmat e tërbuara ose janë ekzekutuar padrejtësisht me urdhër të qeveritarëve ose të gjykatësve të korruptuar.​—Zbulesa 2:13.

Përveç kësaj Satanai disa herë ka shkaktuar vdekjen duke shfrytëzuar dobësitë njerëzore. Në kohën e Izraelit, profeti Balaam u tha moabitëve t’i joshnin izraelitët që «të bënin pabesi kundër Jehovait». (Numrat 31:16, BR) Kjo çoi në vdekjen e më shumë se 23.000 izraelitëve. (Numrat 25:9; 1 Korintasve 10:8) Po kështu sot disa mashtrohen nga ‘intrigat’ e Satanait dhe joshen për të kryer imoralitet ose praktika të tjera të paperëndishme. (Efesianëve 6:11) Është e vërtetë që zakonisht ata nuk e humbin menjëherë jetën. Por rrezikojnë të humbasin mundësinë për të marrë jetën e përhershme, dhe në këtë mënyrë Satanai u shkakton vdekjen.

Ndonëse e dimë se Satanai ka aftësinë për të na dëmtuar, nuk kemi pse të frikësohemi tepër. Kur Pavli tha që Satanai ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, ai tha gjithashtu se Krishti vdiq që «të asgjësonte [Satanain] . . . dhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar skllavërisë gjatë gjithë jetës së tyre». (Hebrenjve 2:14, 15) Po, Jezui pagoi shpërblesën, dhe kështu i çliroi njerëzit besimplotë nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.​—2 Timoteut 1:10.

Patjetër që të vë në mendime fakti se Satanai ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, por jemi të sigurt se Jehovai mund të zhbëjë çdo dëm që mund të na shkaktojë Satanai dhe veglat e tij. Jehovai na siguron se Jezui i ringjallur ‘do të zhbëjë veprat e Djallit’. (1 Gjonit 3:8) Me fuqinë e Jehovait Jezui do të ringjallë të vdekurit, dhe kështu do të asgjësojë vetë vdekjen. (Gjoni 5:28, 29) Së fundi, kur Jezui ta hedhë në humnerë Satanain, do të tregojë në mënyrë mbresëlënëse se Satanai ka fuqi të kufizuar. Në fund fare Satanai do të shkatërrohet njëherë e përgjithmonë.​—Zbulesa 20:1-10.