Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Eusebi​—«Ati i historisë së kishës»?

Eusebi​—«Ati i historisë së kishës»?

Eusebi​—«Ati i historisë së kishës»?

NË VITIN 325 të e.s., perandori romak Kostandini i thirri të gjithë peshkopët në Nice. Synimi i tij ishte të zgjidhte çështjen shumë të debatuar të lidhjes që ekzistonte midis Perëndisë dhe Birit të tij. Ndër të pranishmit ishte edhe njeriu që shihej si më i dituri i kohës së tij, Eusebi i Cezaresë. Eusebi i kishte studiuar me zell Shkrimet dhe kishte qenë mbrojtës i monoteizmit të krishterë.

Në Këshillin e Nicesë, «vetë Kostandini drejtoi punimet,​—thotë Encyclopædia Britannica,​—duke i drejtuar në mënyrë aktive diskutimet dhe duke propozuar personalisht . . . formulën vendimtare të kredos që nxori këshilli, që shprehte lidhjen midis Krishtit dhe Perëndisë me fjalët ‘e njëjta substancë si Ati’ . . . Të mbushur me respekt dhe frikë për perandorin, peshkopët, me përjashtim të dy prej tyre, e firmosën kredon, ndonëse shumë e bënë këtë kundër bindjeve që kishin». A ishte Eusebi njëri nga ata dy që nuk firmosën? Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga qëndrimi që mbajti ai? Le t’i hedhim një sy jetës së Eusebit: kualifikimeve dhe arritjeve të tij.

Shkrimet e tij të shquara

Ka të ngjarë që Eusebi të ketë lindur në Palestinë rreth vitit 260 të e.s. Që në moshë të re filloi të shoqërohej me Pamfilin, një mbikëqyrës i kishës së Cezaresë. Pasi u bashkua me shkollën teologjike të Pamfilit, Eusebi u bë student i zellshëm. E përdori jashtë mase bibliotekën shumë të madhe që kishte Pamfili. Eusebi iu përkushtua studimeve të tij, sidomos studimit të Biblës. Ai u bë edhe mik i ngushtë i Pamfilit, e madje më vonë e quajti veten «Eusebi i Pamfilit».

Për sa i përket aspiratave të tij, Eusebi thoshte: «Qëllimi im është të shkruaj një tregim të atyre njerëzve që pasuan apostujt e shenjtë, si edhe të kohëve që kanë kaluar që nga dita e Shpëtimtarit tonë e deri më tani; të tregoj në ç’mënyrë kanë ndodhur, siç thuhet, ngjarje të shumta e të rëndësishme në historinë e kishës; dhe të përmend ata që kanë udhëhequr e drejtuar kishën në famullitë më të shquara, si edhe ata që në çdo brez kanë shpallur fjalën hyjnore ose me gojë, ose me shkrim.»

Eusebi mbahet mend për veprën e tij shumë të respektuar me titull Historia e kishës së krishterë. Dhjetë vëllimet që u botuan rreth vitit 324 të e.s., shihen si historia më e rëndësishme kishtare e shkruar në lashtësi. Për shkak të kësaj vepre, Eusebi u bë i njohur si ati i historisë së kishës.

Përveç veprës Historia e kishës, Eusebi shkroi Kronika në dy vëllime. Vëllimi i parë ishte një përmbledhje e historisë botërore. Në shekullin e katërt, ai u bë libri standard për ta konsultuar për sa i përket kronologjisë së botës. Vëllimi i dytë citonte datat e ngjarjeve historike. Duke përdorur kolona paralele, Eusebi përpiloi renditjen e mbretërve të kombeve të ndryshme që kishin pasuar njëri-tjetrin.

Eusebi shkroi edhe dy vepra të tjera historike, të titulluara Martirët e Palestinës dhe Jeta e Kostandinit. Libri i parë trajton vitet 303-310 të e.s., dhe flet për martirët e asaj periudhe. Eusebi duhet të ketë qenë dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve. Vepra e dytë, e botuar si koleksion prej katër librash, pas vdekjes së perandorit Kostandin në vitin 337 të e.s., përmbante hollësi të vlefshme historike. Por, në vend që të jetë histori e drejtpërdrejtë, ajo është më shumë një botim panegjirik.

Një ndër veprat apologjete të Eusebit është edhe përgjigjja e tij drejtuar Hirakliut, një guvernatori romak, bashkëkohës i tij. Kur Hirakliu shkroi kundër të krishterëve, Eusebi u përgjigj duke bërë një mbrojtje. Për më tepër, në mbështetje të autorësisë hyjnore të Shkrimeve, ai shkroi 35 libra, të cilët shihen si përpjekja më e rëndësishme dhe më e ndërlikuar e llojit të vet. Nga këta libra, 15 të parët përpiqen të provojnë përse të krishterët i pranojnë shkrimet e shenjta të hebrenjve. Kurse 20 të tjerët japin prova se të krishterët kanë të drejtë që shkojnë përtej normave judaike dhe të pranojnë parime dhe praktika të reja. Së bashku, këta libra paraqesin një mbrojtje të fortë të krishterimit, siç e kuptonte Eusebi.

Eusebi jetoi rreth 80 vjet (rreth 260-rreth 340 të e.s.), e kështu pati mundësinë të bëhej një nga shkrimtarët më krijues të lashtësisë. Shkrimet e tij përfshijnë ngjarjet e tre shekujve të parë deri në kohën e perandorit Kostandin. Në pjesën e fundit të jetës së tij, puna e tij si shkrimtar vazhdoi bashkë me veprimtaritë si peshkop i Cezaresë. Ndonëse njihet më tepër si historian, Eusebi ishte edhe apologjet, topograf, predikues, kritik dhe shkrimtar veprash shpjeguese.

Motivi i dyfishtë

Pse Eusebi iu fut këtyre projekteve kaq të mëdha që s’ishin bërë kurrë më parë? Përgjigjja gjendet te bindja e tij se po jetonte në një periudhë tranzicioni nga një epokë për në një epokë tjetër. Mendonte se ngjarje të mëdha kishin ndodhur gjatë brezave të kaluar dhe nevojitej një dokumentim i shkruar për pasardhësit.

Eusebi kishte edhe një qëllim tjetër: të mbronte fenë e tij, pra si apologjet. Ai besonte se krishterimi kishte origjinë hyjnore. Por disa veta e kundërshtonin këtë ide. Eusebi shkroi: «Qëllimi im është edhe të jap emrat, numrin dhe rastet e atyre që për shkak të dashurisë për gjëra të reja kanë bërë gabimet më të mëdha dhe, duke e shpallur veten zbulues të njohurisë (të quajtur në mënyrë të rremë të tillë), si ujqër të egër kanë shkretuar pa mëshirë kopenë e Krishtit.»

A e quante Eusebi veten të krishterë? Me sa duket po, sepse i referohej Krishtit si «Shpëtimtari ynë». Ai thoshte: «Është synimi im . . . të tregoj fatkeqësitë që erdhën menjëherë mbi gjithë kombin judaik si pasojë e komploteve të tyre kundër Shpëtimtarit tonë, si edhe të dokumentoj mënyrat dhe rastet në të cilat fjala hyjnore është sulmuar nga johebrenjtë, dhe të përshkruaj karakterin e atyre që në periudha të ndryshme kanë dalë në mbrojtje të saj edhe përballë torturave mizore; rrëfimet e besnikërisë që janë bërë në kohën tonë, si edhe ndihmën e mëshirshme dhe të dashur që u ka dhënë të gjithë atyre Shpëtimtari ynë.»

Kërkimet e tij të gjerësishme

Numri i librave që lexoi personalisht Eusebi dhe të cilëve iu referua është vërtet shumë i madh. Vetëm nëpërmjet shkrimeve të Eusebit janë zbuluar shumë nga individët e shquar të tre shekujve të parë të erës sonë. Vetëm në shkrimet e tij gjejmë tregime të dobishme që hedhin dritë mbi lëvizje të rëndësishme. Ato vijnë nga burime njohurie që nuk gjenden më.

Kur mblidhte material, Eusebi ishte i zellshëm dhe i kujdesshëm. Duket se ai me kujdes përpiqej të bënte dallim ndërmjet raporteve të besueshme dhe atyre të diskutueshme. Megjithatë, vepra e tij nuk është e patëmetë. Nganjëherë në to ai i keqparaqet e madje edhe i keqkupton njerëzit dhe veprimet e tyre. Në kronologji disa herë është i pasaktë. Gjithashtu, Eusebit i mungonte aftësia për ta shtjelluar në mënyrë artistike materialin. Megjithatë, pavarësisht nga mangësitë e dukshme, veprat e tij të shumta shihen si një thesar i paçmuar.

Dashurues i së vërtetës?

Eusebi ishte i shqetësuar për çështjen e pazgjidhur se si lidheshin me njëri-tjetrin Ati dhe Biri. A ekzistonte Ati më përpara se Biri, siç besonte Eusebi? Apo Ati dhe Biri bashkekzistonin? «Nëse bashkekzistojnë,​—pyeti ai,​—si ka mundësi që Ati të jetë Atë dhe Biri të jetë Bir?» Madje ai e mbështeste bindjen e tij me referime biblike, duke cituar Gjonin 14:28, ku thuhet se ‘Ati është më i madh se Jezui’ dhe Gjonin 17:3, ku për Jezuin thuhet se është ‘i dërguar’ nga Perëndia i vetëm i vërtetë. Duke pasur parasysh Kolosianëve 1:15 dhe Gjonin 1:1, Eusebi argumentonte se Logosi ose ndryshe Fjala, është «shëmbëlltyra e Perëndisë së padukshëm», pra Biri i Perëndisë.

Megjithatë, është për t’u habitur që në përfundim të Këshillit të Nicesë, Eusebi mbështeti pikëpamjen e kundërt. Në kundërshtim me pikëpamjen që ai kishte sipas Biblës se Perëndia dhe Krishti nuk ishin të barabartë e nuk bashkekzistonin, pranoi atë që tha perandori.

Nxjerrim një mësim

Pse Eusebi iu dorëzua presionit në Këshillin e Nicesë dhe mbështeti një doktrinë jobiblike? A kishte ndër mend objektiva politike? Pikësëpari, pse shkoi në këtë këshill? Ndonëse ishin thirrur të gjithë peshkopët, vetëm 300, pra një pjesë e tyre, morën pjesë. Mos ndoshta Eusebi donte të ruante pozitën e tij shoqërore? Gjithashtu, pse perandori Kostandin e vlerësonte kaq shumë? Në këshill, Eusebi ishte ulur në të djathtë të perandorit.

Me sa duket, Eusebi nuk ia vuri veshin kërkesës së Jezuit që ithtarët e Tij ‘të mos ishin pjesë e botës’. (Gjoni 17:16; 18:36) «Kurorëshkelëse, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë?»​—pyeti dishepulli Jakov. (Jakovit 4:4) Po ashtu, sa e përshtatshme është këshilla e Pavlit: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.» (2 Korintasve 6:14) Le të mbetemi të ndarë nga bota dhe të ‘adhurojmë [Atin] me frymë dhe të vërtetë’.​—Gjoni 4:24.

[Figura në faqen 31]

Afresk që paraqet Këshillin e Nicesë

[Burimi]

Scala/Art Resource, NY

[Burimi i figurës në faqen 29]

Me mirësjellje nga Biblioteka e Koleksioneve të Veçanta, Universiteti i Miçiganit